Që prej ngjizjes së idesë evropiane, për t’u bashkuar në emër të paqes dhe shmangies së luftës në kontinent, Evropa nuk është gjendur asnjëherë përballë sfidave të shumëllojshme, që kërcënojnë deri edhe vetë ekzistencën e saj. Prej kohësh, BE po kërkon mënyra për të reflektuar mbi domosdoshmërinë e rilindjes së projektit evropian. 60 vjetori i nënshkrimit të Traktateve të Romës në muajin mars, pritet të jetë momenti, që mund të shërbej si impuls për rigjallërimin e këtij projekti. Bisedimet mes të 27 vendeve, që pritet të vijojnë edhe me Samitin e kësaj të premte në Maltë, janë paraprirë edhe nga një mesazh nga Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Një mesazh, që synon reflektim mbi “sfidat….më të rrezikshme se kurrë-ndonjëherë, që po përballet Bashkimi Evropian…”
Në reflektimin e Tusk, gjejmë të ndërthurur një konstatim të drejtpërdrejtë faktesh dhe evidentim të problematikave kryesore, që po përshkruajnë aktualisht Unionin; një rikujtesë dhe detyrim për të mos rënë në amnezi historike; një apel për mobilizim politik dhe vendosmëri për të dalë nga situata ku ndodhet sot politika e Unionit; si edhe një mesazh i fortë, ndaj aleatit më të vjetër të kontinentit Evropian, SHBA.
Kërcënimi i brendshëm në letrën e Tusk, (ndjesia në rritje anti-BE, ksenofobia, egoizmi nacional) dhe gjendja shpirtërore e elitave (rënie e besimit në integrimin politik, nënshtrim ndaj argumenteve populistë, dyshim në vlerat themelore të demokracisë liberale) shfaqen të renditura veçmas, edhe pse në realitet, ato janë të ndërlidhura. Kjo pasi, rritja e ndjesisë anti-BE, rritja e ndjesisë nacionaliste, e ksenofobisë, dhe në tërësi, ndjesia e një egoizmi kombëtar, nuk mund të shikohen të shkëputura nga roli kryesor i elitave drejtuese politike. Por, rëndësia e theksimit, duke i renditur si rreziqe të veçanta, duket se shërben si një thirrje, mbi rëndësinë e një zgjimi politik dhe reagim fillimisht brenda hapësirave kombëtare, ku po mundësohet zgjerimi i terrenit të populizmit dhe ekstremizmit. Atë që vetë Tusk e konsideron si, “…nënshtrim ndaj argumenteve populiste, si edhe dyshim në vlerat themelore të demokracisë liberale…”
Reflektimi i Tusk, synon të mobilizojë politikën evropiane dhe të ritheksojë rëndësinë e një vizioni mbi të ardhmen, ku bashkimi i mëtejshëm do të vijë si logjikë e dëshirës dhe jo si rrjedhim i detyrimit.
“Në një botë plot me tensione dhe konfrontime, ajo çka nevojitet është kurajë, vendosmëri dhe solidaritet politik i evropianëve. Pa to, ne nuk do të mbijetojmë. Nëse ne nuk besojmë në vetvete, në qëllimin e thellë të integrimit, pse duhet të besojnë të tjerët ? Në Romë ne duhet të rinovojmë këtë deklaratë besimi. Në botën e sotme të kontinenteve-shtete, me qindra milionë banorë, vendet evropiane të marrë veçmas, kanë pak peshë. Por, BE ka potencial demografik dhe ekonomik, që e bën atë një partner të barabartë me fuqitë më të mëdha. Për këtë arsye, sinjali më i rëndësishëm, që duhet të dalë nga Roma, është ajo e gatishmërisë të 27-ve për të qenë të bashkuar. Një sinjal, se ne ne jo vetëm duhet, por se ne dëshirojmë të jemi të bashkuar.”
Një vlerë të rëndësishme, në reflektimin e Tusk, merr edhe rëndësia e kujtesës historike. Amnezia e popujve të ndryshëm të Evropës, mbi veçantinë e historisë së tyre kombëtare, dhe sidomos asaj evropiane, ka shkaktuar jo vetëm rrënim të vlerave demokratike, por edhe barriera të konsiderueshme në funksionimin e sundimit të ligjit kombëtar dhe atij evropian, duke mos anashkaluar edhe shmangiet prej kohësh nga detyrimi i zbatimeve të legjislacioneve ndërkombëtare. Por, kjo amnezi, teksa në letrën e Tusk, i “faturohet” gjeneratës së re, është pikërisht e kundërta që shfaqet si problematike, pasi gjenerata e re, në të gjithë sondazhet shfaqet më pro-evropiane se, çdo kategori tjetër grupmoshe. Simbolikë, e cila u konfirmua edhe me Brexit, ku pikërisht do të ishte kategoria e të moshuarve, që votoi pro daljes së vendit nga BE, dhe se gjenerata e re protestonte për të vazhduar jetesën në hapësirën pa kufij, që ka krijuar BE dhe në të cilën, ata kanë lindur.
“Ne nuk duhet kurrë, në çfarëdolloj rrethane të harrojmë arsyet më të rëndësishme pse 60 vite më parë, ne vendosëm të bashkojmë Evropën. Ne shpesh dëgjojmë argumentin se memoria e tragjedive të së shkuarës të një Evrope të përçarë, nuk është më një argument, dhe se brezat e rinj nuk e mbajnë mend burimin e frymëzimit tonë. Por, amnezia nuk i zhvleftëson këto frymëzime, as nuk na e lehtëson detyrën tonë për të rikujtuar vazhdimisht mësimet tragjike të një Evrope të ndarë. Në Romë, ne duhet të përsërisim fort, këto dy të vërteta themelore, por të harruara: së pari, ne u bashkuam për të shmangur një tjetër katastrofë historike dhe së dyti, se kohët e bashkimit evropian kanë qenë kohët më të mira në të gjithë historinë e gjatë shekullore të Evropës. Duhet të jetë e qartë si kristali se shpërbërja e Bashkimit Evropian, nuk do të çojë në restaurimin e disa miteve të një sovraniteti të plotë të vendeve të tij anëtare, por të varësisë së tyre reale dhe faktike tek Fuqitë e Mëdha: Shtetet e Bashkuara, Rusisë dhe Kinës. Vetëm së bashku, ne mund të jemi plotësisht të pavarur.”
Por, në reflektimin e tij, çka tërheq më shumë vëmendje është fokusi ndaj rolit të SHBA-së dhe ndikimit, që aleati i vjetër ka mbi Bashkimin Evropian. Teksa konstaton situatën e re gjeopolitike në botë dhe rreth Evropës mes “Kinës dominuese, kryesisht në dete, politikat agresive të Rusisë kundrejt Ukrainës dhe fqinjëve të saj, luftërat, terrori, dhe anarkia në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, me islamin radikal që luan një rol të madh…” një theks i veçantë bie mbi “…deklarimet shqetësuese nga administrata e re amerikane….veçanërisht ndryshimi në Uashington e vendos Bashkimin Evropian në një situatë të vështirë; me administratën e re që duket se, po vë në dyshim 70 vitet e fundit të politikës së jashtme amerikane.”
Shqetësimi mbi ndryshimin e sjelljes së SHBA-së nën presidencën e re, do të mbyll gjithashtu reflektimin e tij, me një mesazh të rëndësishëm:
“Ne duhet gjithashtu të mbrojmë në mënyrë të vendosur, rendin ndërkombëtar të bazuar në sundimin e ligjit. Ne nuk mund të dorëzohemi, ndaj atyre që duan të dobësojnë, apo të zhvleftësojnë lidhjen transatlantike, pa të cilën rendi botëror dhe paqja nuk mund të mbijetojnë….”
Historia e Bashkimit Evropian, nuk do të ishte e tillë pa rolin e padiskutueshëm dhe thelbësor që ka pasur SHBA në krijimin e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, një sërë planesh, propozimesh dhe projektesh do të shfaqeshin për të ndërtuar Evropën e pas luftës. Intelektualë dhe politikanë të ndryshëm, personalitete të njohura, aleatë kundër Aksit, apo anëtarë të qeverive në ekzil, kishin ndërmarrë një sërë reflektimesh. Do të ishin plane të shumtë, që përfshinin bashkime rajonale apo evropiane, riorganizime politike apo krijim strukturash institucionale dhe mekanizma të destinuar për të garantuar paqen dhe për të krijuar siguri në kontinent. Por, të gjitha këto plane, dhe projekte për unifikimin evropian dështuan.
Nga njëra anë, projektet për Bashkimin Evropian nuk mund të realizoheshin dot në këtë periudhë, pasi marrëdhëniet e Moskës dhe të Uashingtonin ishin ende të mira dhe Ruzvelti e kishte shprehur hapur dëshirën për të mbajtur aleancën me sovjetikët (që prej viteve ‘30 rrezik imediat për SHBA konsiderohej Rajhu i Tretë dhe Japonia perandorake) dhe nga ana tjetër Stalini nuk e mirëpriti projektin evropian, pasi kjo aleancë kishte mundësi që të kthehej kundër Bashkimit Sovjetik. Investimi i amerikanëve, për të bërë të mundur projektin e Bashkimit Evropian shfaqet vetëm në momentin, kur marrëdhëniet e Moskës dhe të Uashingtonit futen gradualisht në klimën e Luftës së Ftohtë. Frika se, Evropa Perëndimore, do t’i nënshtrohej kërcënimit sovjetik, i shtyn amerikanët të nxisin dhe të mbështesin tentativa për bashkim evropian. Dhe përmes planit të Zhan Monesë, tregtarit të njohur ndërkombëtar të konjakut, me lidhje të forta anglo-amerikane, kemi edhe krijimin e fillesave të Bashkimit Evropian.
Por, roli i SHBA-së ka qenë i padiskutueshëm edhe gjatë përpjekjeve fillestare për të krijuar Komunitetin Evropian të Mbrojtjes. Jemi në momentin kur kërcënimi që nga vinte nga Rusia, për amerikanët ishte i papërballueshëm në rast se, Evropa nuk do të ishte e bashkuar në një Komunitet Mbrojtje, me ushtrinë e saj evropiane. Sigurisht dhe me riarmatosjen e padiskutueshme të Gjermanisë. Sidomos në momentin kur Lufta e Koresë (qershor 1950) detyron amerikanët të dërgojnë një pjesë të mirë të trupave në Kore, duke e lënë Evropën me pak trupa amerikane në të dhe duke i hapur shtegun rusëve për ndonjë avancim të mundshëm. I ashtuquajturi Plani Pleven, për krijimin e Komunitetit Evropian të Mbrojtjes, do të njihte në fazat e krijimit të tij edhe presionin në rritje të amerikanëve, që kërkonin realizimin sa më shpejt të tij. Presion, që u shfaq hapur edhe në momentin kur Belgjika ngriti barrierat për të frenuar avancimin e tij. Nga frika se mos “të mëdhenjtë do ta shtypnin në një strukturë federale” ajo ngadalëson procesin, nën pretekstin e ngritjes së një komisioni të posaçëm, për të reflektuar mbi të ardhmen e unionit evropian dhe problemet e unifikimit perëndimor. Kur amerikanët kuptojnë barrierën që po ngrinte Belgjika, Ajzenhauri do të thërriste shefin e diplomacisë belge Van Zeland, në Shtëpinë e Bardhë. Presioni funksionoi, Belgjika tërhiqet më pas nga bllokada, duke mundësuar edhe ratifikimin e traktati në parlament. Gjithsesi projekti dështon, pas refuzimit francez më 1954 dhe duhet theksuar se, presioni amerikan ishte ulur me vdekjen e Stalinit, një vit më parë, më 1953 me shpresën për një shtendosje të përkohshëm të situatës. Dhe në vjeshtën e vitit 1954, kemi edhe realizimin e planit B, ku mes presionit amerikan për të riarmatosur Gjermaninë dhe për të krijuar ushtrinë evropiane, realizohet futja e Republikës Federale Gjermane, në NATO.
Roli i SHBA-së, ka qenë historikisht shumë i rëndësishëm në krijimin dhe bashkimin e Evropës së ditëve të sotme. Kur ajo ka hezituar në nxitje dhe mbështetje të unifikimit evropian, e ndikuar nga rrethanat ndërkombëtare, siç do të ishte në periudhën e Ruzveltit, Evropa e ka pasur të vështirë avancimin e saj. Përplasjet dhe egot kombëtare kanë sunduar gjithmonë, duke e bërë të vështirë thellimin e integrimit evropian, pa një shtytje dhe nxitje të fortë dhe reale nga përtej Atlantikut. Mjafton kundërshtimi i një vendi të vogël dhe Evropa bllokohet në proceset e saj integruese (Irlanda me refuzimin e projektit kushtetues). BE e ka të domosdoshme pasjen në krah të aleatit të tij tradicional SHBA, që më shumë se një aleat në krah të politikave të tij, ka pasur vlerat e pamohueshme të ngjizjes, ngritjes dhe mbështetjes së padiskutueshme të ekzistencës së tij 60-vjeçare. Ndaj, më shumë se çdo gjë, nga çdo krizë dhe problematikë që ka pushtuar prej kohësh BE-në, ajo që shqetëson më shumë është ndryshimi drastik i prioriteteve në fushën e politikës së jashtme të SHBA-së. Ndaj edhe mbyllja e letrës së Tusk, në mënyrë të pashmangshme iu rikujton amerikanëve moton e tyre, se : “Të bashkuar qëndrojmë, të ndarë rrëzohemi!”
Im.Ta.
DITA
