Gara për infermierët, nis aplikimi për punësimet e reja

Ornela
Nurse in hospital room with patient

Rinis gara për punësimet e reja në institucionet mjekësorë publike. Kësaj here konkurimi do të zhvillohet vetëm për infermierët, të cilët tashmë mund të aplikojnë nëpërmjet portalit online “Infermierë për Shqipërinë”, duke dorëzuar dosjen e dokumenteve sipas afateve të përcaktuara.

Autoritetet e dikasterit të Shëndetësisë bëjnë me dije se në këtë fazë mund të aplikojnë të gjithë kandidatët e licencuar në profilin e infermierit. Ndërsa kandidatët që kanë aplikuar dhe janë kualifikuar për fazën e dytë të konkurimit që në muajin shkurt 2020, nuk duhet të riaplikojnë online. Këta kandidatë do të presin për të zhvilluar fazën e dytë të konkurimit që është testimi i informatizuar.

Aplikimi në portal

Sikundër ka ndodhur edhe në fazat e mëparshme, aplikimi do të kryhet në platformën online në adresën www.infermierpershqiprine.al. Çdo kandidat i interesuar duhet të plotësojë online kërkesën e aplikimit, të cilën duhet ta shoqërojë edhe me dosjen e dokumenteve të përcaktuara. Data 15 gusht është përcaktuar si afati i fundit i pranimit të aplikimeve nga të gjithë infermierët që duan të vijojnë garën për punësimet e reja në strukturat publike të shëndetit.

Sipas kushteve të përcaktuara, krahas aplikimit në portal, çdo kandidat më pas duhet të dorëzojë edhe më anë të postës, ose dorazi në Drejtoritë Rajonale të Operatorit Shëndetësor të Kujdesit një kopje të dokumenteve përkatëse. Për të bërë një aplikim të kualifikueshëm, çdo kandidat duhet që të dijë që mund të konkurojë vetëm në një drejtori rajonale, brenda së cilës mund të përzgjedhin deri në tre njësi vendore të kujdesit mjekësor në të cilat kërkon të punojë si infermier.

Konkretisht në dosjen e konkurimit duhet që të përfshini këto dokumente: kërkesën për aplikimin, në të cilën duhet që të përcaktoni me shumë kujdes edhe strukturën vendore mjekësore në të cilën kërkoni që të vijoni punësimin. Pjesë të dosjes duhet të bëni edhe CV, fotokopjen e diplomave të shoqëruara nga lista e notave, kopjen e lejes së ushtrimit të profesionit, dëshmitë që keni në njohjen e gjuhëve të huaja, kopje të librezës së punës nëse keni qenë më parë në marrëdhënie pune, vërtetim për gjendjen gjyqësore, raport mjeko-ligjor, teksa duhet që të plotësoni edhe një deklaratë për autorizimin e institucionit shëndetësor që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura sipas formatit të përcaktuar.

Dy fazat e konkurimit

Çdo aplikues në portal do të kalojë në dy faza vlerësimi. E para që është konkurimi me dosje, teksa në fazën e dytë do t’i nënshtrohen edhe testimit të infomatizuar. “Vlerësimi i dosjes së kandidatëve konsiston në vlerësimin e arsimimit, të përvojës e të trajnimeve, të lidhura me fushën. Nëpërmjet vlerësimit të dosjes kandidati mund të sigurojë deri në 30 pikë. Ndërsa faza  që është testimi i informatizuar, ku do të lejohet të marrin pjesë kandidatët që kanë kaluar me sukses fazën e parë të vlerësimit me dosje, vlerësohet me 70 pikë maksimalisht. Testimi i informatizuar do të zhvillohet në godinën e Qendrës së Shërbimeve , sikundër ndodh edhe me provimet e shtetit.

Datat kur do të zhvillohet testimi

Duke filluar nga data 20 gusht, Drejtoria Qendrore e Operatorit të Kujdesit Shëndetësor do të shpallë në portalin “Infermier për Shqipërinë”, listën paraprake të kandidatëve shtesë që kualifikohen për vazhdimin e procedurë së testimit me shkrim të kësaj faze. Ndërkohë që testimi i informatizuar për aplikantët që tashmë janë kualifikuar për fazën e dytë që në muajin shkurt, si dhe për aplikantët e rinj (profili infermier) që do të shpallen në datën 20 gusht, parashikohet të zhvillohet përgjatë muajit shtator, sipas kalendarit të datave që do të shpallë Qendra e Shërbimeve të Arsimit.

Struktura  e testit

Sa i takon përmbajtjes së testit, ekspertët sqarojnë se testimi i Informatizuar përmban pyetje bazë  rreth profesionit (infermier). Konkretisht, testi përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetje rreth akteve ligjore që rregullojnë kujdesin shëndetësor dhe profesionin e infermierit në Republikën e Shqipërisë dhe çështje që lidhen me etikën dhe komunikimin profesional në infermieri. Pjesa e dytë përmban pyetje rreth kujdesit infermieror bazë dhe në specialitete. Vlerësimi përfundimtar i kandidatit në testim bëhet me sistemin e 70 pikëve, i cili përbëhet nga pikët e pjesës së parë të testit 20 pikë dhe nga pikët e pjesës së dytë të testit 50 pikë. Për të orientuar infermierët në lidhje me përgatitjen që duhet të kenë për provimin, në portal gjenden të detajuara edhe programet orientuese me temat që duhet të përgatisni.

 Dokumentet e domosdoshme për aplikim për infermier:

  • Kërkesë për aplikim, ku përcakton dhe NJVKSH për të cilën aplikon.
  • Curriculum Vitae sipas modelit të përcaktuar .
  • Fotokopje e diplomave dhe lista e notave për çdo diplomë (e detyrueshme).
  • Fotokopje e lejes së ushtrimit të profesionit (e detyrueshme).
  • Dëshmi të njohjes së gjuhës së huaj.
  • Fotokopje e librezës së punës (nëse ka).
  • Vërtetim për gjendjen gjyqësore (e detyrueshme në momentin e fillimit të detyrës).
  • Raporti mjeko-ligjor i tre muajve të fundit (i detyrueshëm në momentin e fillimit të detyrës).
  • Deklaratë nga kandidati për autorizimin e institucionit shëndetësor që të shqyrtojë vërtetësinë e dokumenteve të paraqitura (sipas shtojcës nr. 2 e udhëzimit nr. 481).
Share This Article