Gati t’i verë zjarrin vendit, vetëm për Hakmarrje!

redaktor

Polonia po rrëshqet drejt një sistemi gjithnjë e më shumë autoritar. Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit po shkatërrohen nën drejtimin e nacionalistëve konservatorë të Partisë për Ligj dhe Drejtësi (PiS). Pas neutralizimit të Gjykatës Kushtetuese vitin e kaluar dhe vënien e saj nën tutelën e ekzekutivit, tashmë është i gjithë sistemi i drejtësisë, që po vihet nën kontrollin qeveritar.

Parlamenti, ku shumica i përket PiS, ka miratuar së fundmi dy reforma të mëdha për vendin.

Reforma e parë, prek Këshillin Kombëtar të Drejtësisë, institucionin që përzgjedh të gjithë gjykatësit e gjykatave të zakonshme, para caktimit të tyre nga kreu i shtetit. Më parë, shumica e gjyqtarëve përzgjidheshin nga asambleja e gjyqtarëve, instancë e pavarur nga pushteti ekzekutiv, (një pjesë e tyre, përcaktoheshin nga presidenti apo parlamenti). Me reformën, përzgjedhja e tyre do të bëhet nga Parlamenti. Reforma ndryshon në mënyrë thelbësore, organizimin tërësor të drejtësisë, duke lejuar heqjen nga funksioni të një numri të lartë gjyqtarësh, palëvizshmëria e të cilëve ishte e garantuar nga Kushtetuta dhe emërimi i tyre tashmë do t’i nënshtrohet vullnetit politik.

Reforma ndryshon gjithashtu mënyrën e funksionimit dhe mbi të gjitha mënyrën e përcaktimit të të gjithë presidentëve të gjykatave. Me reformën e re, ata do të zgjidhen nga ministri i Drejtësisë, që tashmë është i “çliruar” nga rekomandimet e presidentëve të instancave superiore. Ministri do të ketë gjithashtu kompetencën për të hequr gjyqtarë të gjykatave të zakonshme pa motiv, nga funksioni i tyre.

Një tjetër tekst ligjor po debatohet në Parlament dhe prek reformimin e Gjykatës më të lartë në vend, Gjykatën Supreme. Reforma, e vlerësuar si antikushtetuese synon një çmontim, të gjykatës aktuale dhe parashikon zëvendësimin e saj nga gjyqtarë të rinj dhe krijimin e një Dhome Disiplinore. Kjo dhomë do të vlerësojë vendimet e gjykatësve, duke i ndëshkuar sipas rasteve konkrete. Për më tepër ministri i Drejtësisë do të ketë të drejtën e iniciativës, për të rishikuar dhe për të ndërhyrë mbi vendimet e Gjykatës Supreme.

Por, rrënimi i shtetit të së drejtës nuk pa ndalet këtu. Nacionalistët-konservatorë, kanë shënjestruar prej kohësh pushtetin e katërt, median. Televizioni shtetëror polak, është shndërruar në një mjet të pastër propagande. Njësoj si gjatë periudhës komuniste. Ndërsa mediet private, po konsiderohen nga kreu i nacional-konservatorëve Kaçjinski, se luajnë një rol kundër Polonisë. Edhe Televizioni Shtetëror i komanduar nga partia e Kaçjinskit akuzon mediet private se, nuk po reshtin së nxiri imazhin e Polonisë.

Të gjithë mediet, që po përballen me rrëshqitjen nga shteti i së drejtës dhe me sundimin e ligjit, po sulmohen. Strategjia bazohet në goditje financiare, përmes sistemit të gjobave, të tatimeve, duke i privuar tërësisht nga e drejta e ankimit, apo e rekurit. Shembujt konkret të përndjekjeve ofrohen me rastin e bashkëpunëtorit të një medie private, që kishte publikuar një shkrim me karakter hetimor, mbi ministrin e Mbrojtjes, lidhjet që ai dhe rrethi i tij ka me Vladimir Putin, apo me shërbimet e sigurisë. Menjëherë, seksioni ushtarak i Prokurorisë, i drejtuar formalisht nga Ministri i Drejtësisë, që është në të njëjtën kohë Prokuror i Përgjithshëm, hap një procedim penal kundër autorit, por jo bazuar mbi ligjin që mbulon medien, por bazuar në tre nene të Kodit penal, që përfshijnë dhunën, kërcënimin, apo atentatin ndaj funksionarit publik, me ndëshkime që shkojnë në disa vite burg. Pra, nëse shkruan kundër ministrave, apo qeverisë, tashmë në Poloni mund edhe të burgosesh.

Do të ishte pronari i një prej medieve më të njohura në vend, “Gazeta Wyborcza”, që do të deklaronte, duke iu referuar akteve dhe veprimeve të nacional-konservatorit Kaçjinckit se:

 “Ky njeri, është gati t’i verë zjarrin vendit dhe të shkaktojë gjakderdhje, vetëm për hakmarrje!”

Etja për pushtet

Në esenë e tij “Lufta, pse ? Paqja, si ?” Naim Kadur ofron përmes pyetjeve një argumentim, që nxit reflektim: “Por, çfarë nevoje e shtyn individin të dëshirojë dhe të zotërojë pushtet mbi të ngjashmit e tjerë? Për t’u ndjerë i vlefshëm, për të besuar se, është i rëndësishëm?…A nuk është shkaku një boshllëk, një defiçencë mendore, një defekt fizik, një mungesë kapaciteti për t’u kënaqur, duke e ndarë këtë pushtet, me të ngjashmit e tjerë ? Nga mund të vijë ky handikap, nëse jo nga një fëmijëri fatkeqe, që ka provokuar një plagë narcizmi, që i rrituri beson se, e shëron nga qasja drejt një pushteti të ushtruar mbi të tjerët ?”

Dhe teksa, argumentimi nxit reflektimin, një shpjegim shumë interesant ofrohet nga piskoanalisti francez Zhan Pier Fridman, tek veçon të përbashkëtën e njerëzve, që adhurojnë pushtetin. Sipas tij, dy janë karakteristikat që shoqërojnë këtë kategori personash. E para lidhet me faktin se të gjithë ata, kanë përjetuar një marrëdhënie thuajse të shkrirë me një mama super-mbrojtëse dhe që ofron një kënaqësi të lartë psikologjike, dhe një raport konfliktual (armiqësor, përçmues, apo edhe thjesht të distancuar) me babanë e tyre. Është brenda këtij kuadri familjar, që këta persona gjejnë motorin e rrugës së tyre, drejt kërkimit të pushtetit. Nga marrëdhënia e tyre me mamanë, ata kanë marrë besimin dhe një siguri, që fryn narcizmin e tyre, dhe nga marrëdhënia me babanë, një vullnet megalomaniak për të provuar se, çfarë janë të aftë të bëjnë.

Konstantja e dytë, lidhet me raportin që këta persona kanë me pushtetin, pasi ata e identifikojnë atë me jetën. Iu shfaqet si një garanci e përjetësisë. Kjo është edhe arsyeja, që ata duan ta ruajnë atë me çdo kusht. Ata, nuk mund ta pranojnë idenë e vdekjes së tyre, as që të tjerët të mund të mbijetojnë më shumë se ta. Është një vizion pushteti i këtyre personave që para së gjithash, është një provë e papjekurisë.

Njeriu ideal në pushtet, sipas psikoanalistit Fridman, është ai që përmes një procesi sublim ka vullnetin të shuajë narcizmin dhe megalomaninë e tij, për të mirën e madhe të njerëzimit. Historia ka treguar se, pushteti është i dyshimtë dhe me përjashtim të rasteve të rralla, ai përfundon gjithnjë, me dëshirën për të abuzuar. Nga ku, kemi edhe superioritetin e regjimit demokratik, të bazuar mbi shqetësimin për të kufizuar këtë pushtet.

Reagimi i Evropës së Bashkuar

Polonia është një prej 6 vendeve më të mëdha të BE-së, me një rëndësi të veçantë gjeopolitike. Ajo ka qenë një shembull i transformimit demokratik dhe ekonomik, duke mundësuar shndërrimin e saj në një anëtar strategjik dhe shumë të respektuar nga Unioni. Por, që me ardhjen në pushtet në fund të vitit 2015 të nacional-konservatorëve, Polonia po shndërrohet në një regjim duke ndjekur modelin e Rusisë së Putinit. Një transformim, që nisi gradualisht, përmes rrëshqitjeve të vogla dhe goditjeve të mëdha, duke shkuar drejt një demokracie virtuale.

Komisioni Evropian lajmëroi se, javën e ardhshme do të nisin procedurat e shkeljes kundër Polonisë, në kuadër të dhunimit të shtetit të së drejtës dhe mos respektim të ligjeve specifike evropiane. Ndërkohë që procedura e nisur që prej vitit 2016, ishte vetëm mbi neutralizimin e Gjykatës Kushtetuese. E njëjta procedurë, është përdorur ndaj Hungarisë në vitin 2012 dhe 2013. Me sukses, pasi qeveria e Orbanit kishte modifikuar legjislacionin e ri kontestues mbi drejtësinë. Do të ketë gjithashtu një rekomandim të ri, në kuadër të mekanizmit të ruajtjes së shtetit të së drejtës, si edhe do të shikohet mundësia e aktivizimit të nenit 7, që penalizon Poloninë nga e drejta e votës në Këshillin Evropian. Një nen i traktatit të Lisbonës, i destinuar të sanksionojë një shtet anëtar kur shteti i së drejtës është dhunuar në mënyrë të rëndë dhe sistematike. Askush deri më tani, nuk e ka marrë seriozisht këtë opsion, pasi ai kërkon votim unanim të vendeve anëtare, për të deklaruar që shteti i së drejtës është dhunuar rëndë. Ndërkohë, Hungaria e ka bërë të ditur se, në rast të aktivizimit të kësaj procedure kundrejt Polonisë, ajo do të votojë kundër.

Por, rrethanat politike dhe diplomacia nuk janë gjithmonë të parashikueshme dhe faktorë të ndryshëm mund të ndërhyjnë për të bërë Hungarinë të ndryshojë qasje, për t’u arritur objektivi i dëshiruar.

Në mos do të jetë shumë vonë….

Vonë, ashtu siç e përshkruante në mënyrë inteligjente Pastori gjerman Martin Nimuller, mos reagimin e intelektualëve gjermanë, tek lejuan ardhjen në pushtet të nazistëve dhe shënjestrimin e grupeve të “armiqve”, njëri pas tjetrit:

“Fillimisht erdhën të kërkonin socialistët, dhe unë nuk thashë asgjë

Sepse, nuk isha socialist

Pastaj erdhën të kërkonin sindikalistët, dhe unë nuk thashë asgjë

Sepse, nuk isha sindikalist

Më pas, erdhën të kërkonin çifutët, dhe unë nuk thashë asgjë

Sepse, nuk isha çifut,

Pastaj, erdhën të më kërkonin mua, 

Por, nuk kishte ngelur më askush për të më mbrojtur !”

Im.Ta.

DITA

 

Më 25 korrik, presidenti polak Duda, pasi vendosi fillimisht veton ndaj dy ligjeve të reformës mbi drejtësinë, nënshkroi tekstin e tretë të paketës së ndryshimeve. Një tekst i shumë  kritikuar nga opozita në vend si edhe nga Brukseli. Sipas këtij teksti ligjor, tashmë të gjithë gjykatësit e gjykatave të zakonshme në vend dhe presidentët e tyre, do të emërohen nga ministri i Drejtësisë, i cili nuk do të ketë më nevojë të konsultohet me Asamblenë e Përgjithshme të gjyqtarëve, dhe as me Këshillin Kombëtar, për rastet kur opinioni i Asamblesë ishte negativ. Ministri nuk duhet as të argumentojë emërimet e tij, çka sipas opozitës në vend, e vendos sistemin e drejtësisë automatikisht nën tutelën e ekzekutivit.

Share This Article