Gëzuar Vitlindjet dhe Krishtin e ri (Bisedë me Zylon Jr në klubin Dritëro)

Leda Hysa

Xhevdet Shehu

Nuk mund ta fsheh edhe më tej faktin se kam fatin të takohem herëpashere me Zylo Kamberin Junior. Dhe takohem në Klubin e mirënjohur në qendër të Tiranës që mban emrin e shkrimtarit që përjetësoi Zylon e madh. E pra aty te Klubi Dritëro, unë takohem shpesh me Zylo Kamberin, por, me porosi të tij sipas edhe fjalës që i kam dhënë, nuk i kam bërë publike takimet me të.

Por, këtë radhë më dha leje ta publikoj takimin me të.

– Është fundi i vitit dhe mund ta konsideroni si ekskluziv këtë takim pasi mbart edhe ca mesazhe domethënëse për aktualitetin politik, më tha. Ngjarjet që kanë ndodhur e po ndodhin më shtyjnë të dal nga natyra ime e përmbajtur, -shtoi.

U ngroha nga ky miratim, pasi unë ruaj në kasafortën time shumë kujtime, shumë mbresa, shumë ngjarje me Zylon, por që hë për hë nuk i publikoj dot, sikurse e thashë pak më parë, sipas një marrëveshjeje xhentëlmenësh që kam bërë më të. Sidoqoftë kur të vjen fati në derë, nuk i thua dot sikter. E pra, ky fat mua më erdhi në këtë fundviti…

Ishte data 23 dhjetor 2018. Erdhi ashtu serioz dhe i menduar si zakonisht dhe tha:

– Gëzuar Vitlindjet dhe Krishtin e ri! – më tha serbes Zylua, sapo më erdhi në tavolinë.

– Çfarë thua kështu, shoku Zylo? Krishtlindjet dhe Vitin e Ri, thuhet…

Zylua buzëqeshi, me atë qeshjen ironike të tij:

– Ju më pandehni se kam lajthitur dhe i ngatërroj gjërat. Jo. Kjo që sapo thashë është një ese më vete, apo një sinops, sikurse mund ta quante ndonjë shkrimtar modern. Mirëpo ju, duke jetuar midis gjërave të zakonshme, nuk i kuptoni ca gjëra të thella. Unë sapo pohova një të vërtetë të madhe: Po vjen një Krisht i Ri!…

Miqtë e mi të tryezës ngrinë. Sikur të kishte ndodhur ndonjë hata e paparë. Pavarësisht vetëpërmbajtjes së Jorgos dhe Lonit, ironisë së Rifatit, hutimit të inxhinier Hakiut, nihilizmit të Mehmetit (që rastësisht e kam nga nahija ime, domethënë që nuk e shaj dot sepse e kam bashkëkrahinor), optimizmit të parikuperueshëm të Yllit dhe dyshimit të përhershëm të Astritit, situata mori një devijim të paparë që mund të dilte duarsh në moment.

– Krisht i ri? Je në vete?,- tha Rifati, ish regjisori i estradës së Shtetit.  Po si është e mundur që ne të LSI-së nuk ditkemi gjë?

– Po, po! Krisht i ri. Po vjen! Domethënë një udhëheqës që do rregullojë punët e kësaj pjese të botës që quhet Shqipëri…

– Po ne e kemi Krishtin sa një mal. Më të gjatin që ka njohur ky vend, – tha gjithë seriozitet Rifati.

– Ku bën ky Kryeministër. Ky është injorant. Është një zero me xhufkë që nuk merr vesh fare nga punët e shtetit. E ka mbushur administratën me njerëzit më të paaftë. Një bandit që e ka mendjen vetëm për të vjedhur… – tha Mehmeti tepër i nxehur.

– Dale, dale, se janë të thella punët, – tha mendueshëm Astriti. Përderisa Zylua thotë se do të vijë një Krisht i ri, duket se ka një strategji, ka një plan ndërkombëtar për të ndryshuar qeverisjen dhe të ardhmen e këtij vendi. Nuk e shikoni se çfarë bëhet në Itali, në Francë… Le ta dëgjojmë Zylon…

– Më fal, Zylo, para se ta marrësh fjalën, dua të theksoj se je tejet largpamës. Edhe unë mendoj se po vjen një Krisht i ri. Prandaj ne të opozitës e kemi bërë gati qeverinë e re në hije dhe mezi po presim të bjerë kjo qeveri, – tha opozitari Rifat.

Të gjithë u bëmë sy e vesh të dëgjonim emrat e qeverisë në hije, sepse aty duket se fshihet shpresa, besimi dhe motivimi për të dalë nga varfëria, për të shkuar përpara e për t’u bashkuar me Europën që kemi tridhjetë vjet që e presim dhe na pret me krahë hapur. E pra, fjalën e mori sërish Rifati, që pasi mori një cigare nga paketa e Mehmetit, kroi zërin e filloi:

– Kryeministri po dihet, Lul Basha… Ai qysh tani flet si Kryeministër, domethënë bën provat si Kryeministër…

– Po Berisha? –pyeti Hakiu.

– Ai do të jetë këshilltari i parë i Kryeministrit…

– Domethënë ai do të jetë Kryeministri. Pesë me hiç. Ku ishim? Asgjëkundi. Pse ore prapë Berishën do të durojmë akoma ne?

– Nejse, unë ju them projektin, pasi shumë gjëra edhe do të rregullohen gjatë rrugës. Ne si opozitë jemi të vendosur të bëjmë qeverinë më të mirë që ka pasur ndonjëherë Shqipëria. Po më lini të vazhdoj me emrat e kabinetit. Zëvendëskryeministre do të jetë Monika Kryemadhi. Ministër i Jashtëm do të jetë Çim Peka. Ministër i Brendshëm Mul Noka. Ministër i Mbrojtjes Kejdi Mehmeti. Ministër i Shëndetësisë Nard Ndoka. E kemi diskutuar që në këtë post të jetë edhe Petrit Vasili, në rast se Nardi refuzon. Nëse Nardi nuk refuzon, Petrit Vasili do të jetë nënkryetar i Bashkisë…

– Po kryetar bashkie kush do të jetë, aman, – s’iu durua Jorgos.

– Po ai dihet, është i pazëvendësueshëm si kandidat: Xhelal Mziu. Pas sukseseve madhështore që ka arritur në drejtimin e Bashkisë së Kamzës, ai është kandidati i padiskutueshëm që do të përballet dhe do ta mundë Erion Velinë në zgjedhjet e ardhshme vendore… Vetëm ai mund t’i ndryshojë emrat arkaikë të Tiranës, pra të na modernizojë, të na europianizojë. Ç’janë more këta emra si Konferenca e Pezës, Mine Peza, Myslym Shyri, Avni Rustemi, Dervish Hima e Dervish Hekali, Ilo Mitkë Qafzezi etj. Jo mor jo! Xhelali do të vejë emra modernë nëpër rrugët e Tiranës si Monika Levinski, Greta Garbo, Rexhep Erdogan, Rita Ora, Xhenifer Lopez, Vladimir Putin, Pekin, Montekarlo, Rihana, Lady Gaga, Greta Koçi, Stresi, Julian Deda, Edi Paloka, Nikolas Sarkozy, Angela Merkel…

– Pordhi kali në derë të hanit! – u shkund papritmas Zylo Kamberi Junior. – Nuk është shprehje e Zylos tim kjo, është e Dritëroit që e thoshte këtë shprehje shumë kuptimplote kur nuk i pëlqenin gjërat. Kemi rastin e artë që në këto momente të vështira të vendit  të diskutojmë seriozisht hallet e kësaj bote në këtë klub të famshëm ku janë zgjidhur shumë nga problemet më të koklavitura. Këtu vijnë njerëz të niveleve të larta të inteligjencies, nuk duhet ta ulim diskutimin në nivele të rëndomta. Ky takim thuajse i rastësishëm, por i domosdoshëm, i ngjan Konferencës së Pezës më 1942. Është domethënëse që ne mblidhemi e diskutojmë seriozisht për fatet e kombit pas 76 vjetësh… Janë momente historike këto. Dhe ne je3mi pjesë e historisë…

– Jam dakord me shokun Zylo. Le ta dëgjojmë, – thashë unë.

Zylua nxori llullën e famshme, dhe pa e ndezur, filloi mendueshëm të ligjërojë ashtu si e ka zakon:

– Dua ta marr fjalën pasi kohën e kam shumë të kursyer dhe më duhet të iki për ca punë më të mëdha se kjo që po diskutojmë. Që ky vend ka halle, kjo dihet. Sepse ka halle qeveria, ka halle Kryeministri. Puna është të zbulojmë se nga na lindën kaq shumë halle dhe pse na lindën këto halle. Mund të kishim më pak. Kryeministri ka edhe tepsinë edhe timonin në duart e tij. E akuzojnë se e ka qejf paranë. Po ç’të keqe ka këtu? A nuk i këndoi Hasan Zyko Kamberi (që çuditërisht mban mbiemrin tonë, pra të Zylove) parasë si askush tjetër? Unë mendoj se nuk ka ndonjë gjë të keqe në këtë mes. Paraja është strumbullari i botës… E keqja e Kryeministrit tonë shtatlartë qëndron në faktin e menaxhimit të parasë. Ua pakëson të varfërve dhe ua shton pasanikëve. Prandaj kishte të drejtë ai që tha (më falni për shprehjen): O para më hëngsh munë, se bërë zengjinë harbunë… Pikërisht këtu qëndron dhe zemërimi i shprehur ditët e fundit nga studentët dhe protestuesit e Astirit e të tjerë. Ju do të thoni se qeveria duhet të bjerë. Mirë e kini. Por a i keni bërë llogaritë? Kjo është çështja thelbësore, ajo që duhet të na vëjë në mendime e të na shqetësojë seriozisht. Nuk bëhet qeveria me lolo. Këtu gaboi kryeministri ynë aktual i tepsisë dhe timonit. Zgjodhi më të papërshtatshmit në qeverinë e tepsisë. Në fakt e ka bërë qeverinë një kazan të mbushur me… Nejse. A do të bjerë? Kjo është çështja që duhet të diskutojmë. Ai, pra Kryeministri bëri gafën më të madhe kur vajti dhe i bëri atë ceremoni shtetërore kryekuislingut shqiptar me emrin Mit’hat Frashëri. Aty filloi zemërata e madhe që nuk i dihet se ku do i shkojë filli… Por ai vazhdonë të shpërndajë siguri, vetëbesim dhe… pushtet të pakufizuar si… Nuk dua të përmend emra si Gedafi apo Kim Jong Un-i se mos m’i marrin për keq. Para dhe pushte, domethënë…  Me këta që e sulmojnë andej, matanë gardhit, nuk ka ndërmend të bjerë. Këta të opozitës më ngjajnë si ajo dhelpra që bridhte pas dashit dhe  shpresonte t’i këputeshin koqet rrugës… Kryeministri do të bjerë se duhet të bjerë se ka bërë zullume. Nuk ka vrarë njerëz, po ka vjedhur xhepat e këtij populli. Edhe më idioti e kupton korrupsionin. Si mund të harxhohen 440 milionë euro për 20 kilometra rrugë. Të ishte gjallë Enveri do i kishte pushkatuar nja njëzet a tridhjetë…. Më kuptoni, nuk them se duhet të kthehemi tek Enveri. Prandaj u thashë se do të vijë një Krisht i ri. Se si do të vijë është punë tjetër. Unë e di, por nuk ua tregoj hë për hë… Janë sekrete të mëdha këto që i di vetëm unë dhe ca pak të tjerë…

– A nuk u thashë se këtu ka një skemë?!, – u hodh Astriti.

Zylua e pa me admirim dhe, pasi u mendua pak, vazhdoi:

– I madhi K. Th.Spiri ka thënë:

Nuk është fjala për zbulime,

As për gjëra që s’janë thënë,

Porse sot marrim njoftime,

Domethënë!…

– Sikur po na e zbehni entuziazmin, shoku Zylo, – i thashë.

– Në asnjë mënyrë. Ne entuziazmi na është bërë pjesë e jetës, ne jetojmë me entuziazëm dhe ky entuziazëm na ka mbajtur dhe na mban gjallë. Pra kini besim…

Në këtë moment më ra zilja e telefonit.

– Është Kiço Londua, adashi i Kiço Spirit, -u thashë shokëve të tavolinës pa e hapur telefonin.

– Zotëri, ta kam thënë njëherë , mos më përdorni turqizma në konversasionet tona moderne. Ç’domethënë ‘adash’? Emnak, shqip, kështu flisni. Ne jemi të prirur drejt Perëndimit plot drita dhe kulturë. Atëherë pse duhet t’u referohemi gjuhëve orientale. Është e pafalshme në kohët moderne të internetit dhe istagramit, të flasim si në shekullin e 15-të. Edhe Skënderbeu vetë nuk do ta përdorte këtë terminologji! Po nga e kuptoi ky qerratai Kiç Londo që ne ishim duke folur për K. Th. Spirin? – tha Zylua. – Çudi e madhe! Kjo është si ajo shprehja që thotë populli ynë i mençur: Kujto mikun dhe bëj gati tryezën!

Ishte Zylo Kamberi që ma bënte këtë vërejtje të rëndë për punën e orientalizmave që ne i përdorim vend e pa vend. Pikërisht në këtë moment ai ndezi llullën e tij legjendare dhe hoqi kapelen republikë nga koka dhe e vuri në gjunjtë e tij.

Ndërkohë zilja vazhdonte të binte në celular. E hapa. Nga matanë dëgjova zërin e Kiço Londos, drejtorit të Teatrit Eksperimental. E mora me mend se do të më thoshte ndonjë thagmë.

– Është koha të ribotohet vepra e K. Th. Spirit që ke përgatitur bashkë me Kastriot Mahilajn. Aktualiteti i tij nuk humbet kurrë, – më tha. – Në botimin e parë tashmë të njohur nën titullin “Thipi, Thipi të thërras” janë hequr apo nuk janë futur pa dashje apo me qëllim krijime të rralla, me vlerë të gjithëkohshme. Mirë në atë kohë nuk i botonim dot, por edhe tani ngurroni? Ç’bëhet kështu? Sidomos nga ju adhuruesit e Këthes…

Ishte një vërejtje e rëndë që unë e miratova. Të tjerët në tryezë mbanin vesh në heshtje.

– Keni të drejtë, shoku Kiço, – i thashë. Por që nuk është futur ndonjë krijim i Këthes në libër, ta them sinqerisht që është bërë krejt padashje. Asnjë qëllim denigrues ndaj bashkëfshatarit tënd nuk ka në këtë mes. Hajde të merremi sërish me të, ta ribotojmë dhe ta plotësojmë veprën e tij ashtu siç e meriton… T’i themi edhe Spartak Ngjelës të na sjellë ndonjë gjë të panjohur rreth jetës dhe veprës ende të panjohur të Këthes…

– Sepse fjala vjen, në atë libër nuk është përfshirë një poezi kryevepër e tij, një kuintesencë mendimi dhe filozofie:  Nëqoftëse Po, ohoho!/ Nëqoftëse Jo, obobo! Si mund të lihet jashtë një krijim i tillë?

– Ke të drejtë, i thashë Kiços. Do ta ndreqim këtë gabim, domethënë këtë mosndërfutje shumë të kuptimshme. Por, më dëgjo Kiço: Kam këtu Zylo Kamberin Junior dhe kam bindjen se edhe ai kështu mendon.Edhe Zylua është një adhurues i K. Th. Spirit…

– Na lër një takim me Zylon se më ka marrë malli edhe mua të këmbej ca mendime me të…, – më tha thuajse i mallëngjyer matanë telefonit. M’u duk se andej matanë telit atij i shpëtuan lotët…

– Patjetër! – thashë dhe mbylla telefonin.

Më pyeti Zylua:

– Si ishte ajo puna e vargjeve të Këthes?

I tregova për dy vargjet e reja që më tha bashkëpatrioti i tij zagorit.

Zylua u trondit dhe u ngrit hopthi në këmbë.

– Kryevepër!, tha.

Dhe filloi të recitonte vargjet që sapo kishte dëgjuar:  Nëqoftëse Po, ohoho!/ Nëqoftëse Jo, obobo! Kryevepër!, përsëriti. Një aktualitet mahnitës. Dhe ju më pyesni mua nëse do të bjerë kjo qeveri apo jo? Po këtë e paska thënë i madhi K.Th. Spiri këtu e dyzet e ca vjet të shkuara. Ai është më i madhi i të mëdhenjve! Ai paska qenë gjeni! Ne tyë tjerët jemi hiçër para tij! Vete Kryeministri dhe i ngre Mit’hat Frashërit monument si gjeni! Gabim! Gjeni është K.Th. Spiri!

Gjithë këtë ligjëratë Zylua e mbajti në këmbë. Ne e shikonim të gjithë me admirim në atë pathos që e kishte pushtuar dhe ekzaltuar njëherësh. Pastaj, pasi u ul sërish mendueshëm, konkludoi:

– Po! Kjo është temë për disertacion doktorature në Universitetet shtetërore.  Një disertacion që nuk e blen dot asnjë privat, asnjë oligark. Duhet ta lexojnë këtë poezi edhe ata që janë ngritur në protesta, edhe populli që vazhdon të mbajë sehir…

 

Share This Article