Gjermani-Francë gati për fuqizim ushtarak të Unionit

redaktor

Shkëputja e Britanisë së Madhe nga BE, si edhe konteksti në rritje i klimës së pasigurisë, po përshpejton lëvizjet në aksin franko-gjerman për formimin e Evropës së Mbrojtjes. Një hapësirë, që frenohej dhe bllokohej vazhdimisht nga fryma londineze. Por, tërheqja përfundimtare e Britanisë, vendim që u kristalizua pas formimit të qeverisë së re, duket se është një prej faktorëve kryesorë, që po mobilizon Francën dhe Gjermaninë, drejt projektit të mbrojtjes. Samiti i Bratislavës, që do të zhvillohet së shpejti në muajin shtator, përtej diskutimeve mbi vizonin e së ardhmes së Unionit do të thellohet edhe mbi Evropën e Mbrojtjes.

Një ditë para zhvillimit të festës kombëtare në Francë, Presidenti francez Holond, tek i drejtohej forcave të armatosura, që prisnin të marshonin të nesërmen, shpalosi edhe vizionin mbi strategjinë në fushën evropiane të mbrojtjes, duke folur edhe për iniciativën që do të ndërmerret në këtë kuadër.

“Iu përket evropianëve të garantojnë sigurinë e tyre dhe të veprojnë, për aq sa ç’është e mundur, në mënyrë autonome. Është e vërtetë se, vendimi i Britanisë së Madhe për të lënë Unionin mund të ngjallë pikëpyetje, duke përfshirë edhe çështjen e mbrojtjes. Atëherë, dëshiroj të jem edhe një herë i qartë : Britania e Madhe (dhe ne kemi konfirmimin), do të ngelet një fuqi ushtarake evropiane dhe interesat e saj do të përputhen me tonat. Dhe këtu, unë riafirmoj marrëdhënien e mbrojtjes, që bashkon dy vendet tona.

Megjithatë, Franca do të gjendet në një situatë të re, pas daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, pasi ne, do të jemi anëtari i vetëm i Unionit, i ulur si anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurisë të Kombeve të Bashkuara, që zotërojmë një fuqi nukleare. Ne do të jemi, një nga vendet e vetëm, të aftë të projektojmë një forcë ushtarake jashtë vendit, dhe ne jemi anëtarë të Bashkimit Evropian dhe të NATO.

Atëherë nga ky pozicion, ne duhet të nxjerrim gjithashtu një konkluzion dhe të bëjmë thirrje për një iniciativë në fushën evropiane të mbrojtjes. Bëhet fjalë për të thjeshtëzuar angazhimet e Bashkimit Evropian jashtë kufijve të tij, për të përforcuar sigurinë tek partnerët dhe fqinjët tanë, për të punuar së bashku për kapacitete reagimi dhe gjithashtu për të shmangur kërcënimet ndaj nesh nëpërmjet terrorizmit. Domethënë, do të ketë, me iniciativën e Francës, një propozim për të përforcuar Evropën e Mbrojtjes. Unë konstatoj gjithashtu, se miqtë tanë gjermanë, janë gati për këtë, dhe ne do të sjellim së bashku, edhe me të tjerët, këtë iniciativë.”  (Pjesë nga fjalimi i Presidentit francez Holond, drejtuar forcave të armatosura, një ditë para zhvillimit të paradës ushtarake, 13.07.2016)

Pozicioni i Berlinit

Pas deklarimit të Francës, mbi iniciativën në fushën e mbrojtjes evropiane, reagoi edhe Berlini nëpërmjet Ministres së Mbrojtjes, duke konfirmuar se, të dy vendet do të zhvillojnë diskutime me shtetet e tjera anëtare, me synim matjen e vullnetit të tyre, për të ndërtuar projekte të përbashkëta dhe për të avancuar drejt një politike të përbashkët të sigurisë dhe të mbrojtjes. Britania e Madhe, sipas Ministres gjermane të Mbrojtjes, i kishte refuzuar këto projekte dhe se kjo gjë e kishte paralizuar Unionin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Ajo u shpreh gjithashtu pro sugjerimit, mbi ngritjen e një qendre të përgjithshme operimi evropiane, civile-ushtarake, nga ku mund të zhvendosen të gjithë misionet e BE.

Optika e re gjermane në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes është e rëndësishme, pasi Berlini ka qenë vazhdimisht i pozicionuar në një rol neutral, ndaj përforcimit të kuadrit ushtarak evropian dhe në një rol të thjeshtë, vëzhguesi apo ndërmjetësuesi, në skenën e tensioneve dhe konflikteve ndërkombëtare. Por, kthesa e parë e diplomacisë gjermane, në fushën e sigurisë ndërkombëtare dhe konkretisht ndaj zonave të tensioneve dhe të konfliktit, u shënua me situatën emergjente në veri të Irakut dhe vendimin për furnizimin me armë të luftëtarëve kurdë. Pra, kemi një kapërcim të madh në këtë fushë, pasi ligji gjerman e ndalonte tregtinë e armëve në zonat në konflikt. Ky moment i rëndësishëm për ndërrimin e kursit në fushën e sigurisë, do të shoqërohej me një sërë reagimesh për shtyp, nga ku do të theksohej rëndësia e një roli aktiv të Gjermanisë, në klimën në rritje të pasigurisë. Zyra e kancelares Merkel, do të shpjegonte nëpërmjet zëdhënësit të saj se, : “…ofensiva e ISIS (…) duke parë rajonin e botës ku zhvillohen, cenon sigurinë tonë (…), është diçka që na kërcënon të gjithëve”; Ministri i Jashtëm gjerman, do të deklaronte se, Gjermania dhe Evropa, nuk mund të jenë indiferente ndaj vuajtjes së paimagjinueshme të refugjatëve në veriun e Irakut, që kanë braktisur shtëpitë e tyre nga dhuna brutale e xhihadistëve; ndërsa Ministrja e Mbrojtjes do të përqendrohej në mesazhin e ndaljes së shtetit islamik, dhe mos humbjen e mëtejshme të kohës, duke lajmëruar në këtë mënyrë, shpërndarjen e një sërë pajisjesh ushtarake, në funksion të zhvillimeve në terren, dhe furnizimin me armë.

Publikimi i Librit të Bardhë në Gjermani, konfirmoi sërish ndërrimin e kursit gjerman, duke afirmuar vullnetin për luajtjen e një roli aktiv në skenën ndërkombëtare. Berlini po mbështet gjithashtu goditjet ajrore të aleatëve në Siri, dhe ka zgjatur mandatin e trupave gjermane të zhvendosura në Misionin e Kombeve të Bashkuara, në Mali. Ndërkohë, synimi i shpallur i qeverisë federale gjermane është të rrisë buxhetin e mbrojtjes për vitin 2017, me 6.8%. Berlini po inkuadrohet gradualisht brenda një profili aktiv, me strategji të qarta inkurajuese për përdorim të gjerë të të gjithë instrumenteve të nevojshëm, për përforcimin e sigurisë evropiane, jo vetëm brenda kornizës së BE, por edhe në kuadrin e NATO dhe të OSBE.

Bashkëveprim

Sigurisht, që pesha historike e një diplomacie agresive në zgjerim të territoreve të saj, nga njëra anë, nuk i lejon Berlinit “luksin” e të vepruarit vetëm dhe nga ana tjetër, as diplomacia gjermane nuk shfaqet komode në veprime të vetmuara, përballë peshës paragjykuese për “dominim dhe sundim”. Nga ku, mbështetja dhe roli i Parisit është i pashmangshëm dhe i domosdoshëm.

Presidenti francez, Holond, ka nisur tashmë, konsultimet diplomatike me vende të ndryshme evropiane, për domosdoshmërinë e avancimit në projektin e Mbrojtjes. Bisedime, që do të vazhdojnë edhe përgjatë muajve të verës. Synimi, gjetja e një konsensusi edhe me vendet e tjera anëtare dhe përafrimi i ideve, teksa kjo çështje pritet të diskutohet përgjatë Samitit të Bratislavës.

Ambicia për thellimin e Evropës së Mbrojtjes dhe krijimin e një ushtrie të vërtetë evropiane, u përforcua edhe me ardhjen e Komisionit Junker. Ndërkohë Strategjia Globale e Bashkimit Evropian, e hartuar në kuadrin e një klime pasigurie në rritje dhe e publikuar vetëm pak kohë më parë, në muajin qershor, përmban një vizion strategjik, duke formuar konturin e një Unioni më autonom në fushën e Sigurisë dhe të Mbrojtjes, por në një ecje paralele me strukturat e NATO. Libri i Bardhë Evropian në këtë kuadër, që pritet të përpilohet së shpejti, ka marrë orientimet paraprake të bazuara në një studim që do të ndihmojë hartimin e tij. Skicimet e sugjeruara në studim, flasin për një arkitekturë institucionale të Evropës së Mbrojtjes, me një Këshill të Përhershëm të Ministrave të Mbrojtjes, ku duhet të marrin pjesë të gjithë vendet anëtare të Unionit; një semestër evropian i përkushtuar vetëm Mbrojtjes, që duhet të përforcojë përgjegjësinë e vendeve anëtare, në raport me angazhimet paraprake, që ato kanë; mbikëqyrje e përforcuar parlamentare dhe bashkëpunim i thelluar mes parlamenteve kombëtarë dhe Parlamentit Evropian; seli qendrore operacionale në Bruksel, me zinxhir të përforcuar komandimi, për të siguruar planifikimin dhe kontrollin efikas të operacioneve, sidomos në reagimet e përbashkëta civile-ushtarake, etj.

Por, do të jetë muaji shtator dhe Samiti i Bratislavës, që mund të qartësojë më tej, ambicien konkrete për thellimin e Evropës së Mbrojtjes. Ndërkohë, deri në muajin shtator, klima e pasigurisë nuk pritet të ketë tendenca përmirësuese. Mungesës së vazhdueshme të stabilitetit në vendet fqinje të Unionit, sjelljes së paparashikueshme të një Rusie, që provokon dhe kërcënon, situatës së terrorizmit, që godet sistematikisht vendet kryesore të Unionit, edhe pse është duke humbur terren në bastionet e tij (Lindje e Mesme, Irak, Siri), i shtohen edhe presione të tjera “pikante”. Jo më larg se dje (25.07), Erdogan kërcënoi për destabilizim të mundshëm, pasi Evropa nuk i ka paguar në kohë paratë, në kuadër të Marrëveshjes mbi mbajtjen e flukseve të refugjatëve në territorin turk. Duke i rikujtuar se : “Çfarë do të bëjë Evropa, nëse ne lëmë gjithë këta njerëz të shkojnë në Evropë ?! im.ta/DITA/

Share This Article