Heronjtë në Bulevard

J L

Nga Xhevdet Shehu

Qemal Stafa, Vojo Kushi, Perlat Rexhepi, Manush Alimani, Zonja Çurre, Bule Naipi, Persefoni Kokëdhima, Asim Vokshi, Ndrec Ndue Gjoka, Memo Meto, Baba Faja Martaneshi, Mustafa Matohiti, Kajo Karafili, Dervish Hekali, Dino Kalenja, Hysen Çino, Ndoc Mazi, Naim Gjylbegu, Misto Mame, Lejla Malo, Ramiz Aranitasi, Kozma Naska, Liri Gero, Met Hasa, Gjok Doçi, Teli Ndini, Abaz Shehu, Koci Bako, Hibe Palikuqi, Margarita Tutulani, Mujo Ulqinaku, Zaho Koka, Emin Duraku, Branko Kadia, Hibe Palikuqi, Vasil Laçi, Jordan Misja, Mine Peza, Vasil Shanto, Mihal Duri, Lefter Talo, Maliq Muço, Myslim Keta, Shyqyri Alimerko, Mustafa Kaçaçi, Mitro Xhani, Mihal Duri…  e dhjetëra heronj të tjerë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare prej disa ditësh mund t’i takoni në Bulevardin e madh në qendër të Tiranës. Të gjithë të rinj, të bukur dhe ëndërrimtarë si ata. Na shikojnë dhe na përshëndesin nga fotografitë…

Më në fund një gjest për të qenë në këtë jubile të 75-vjetorit të çlirimit të atdheut nga pushtuesit nazi-fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre brenda vendit të njohur si ballisto-zogistë. Në Bulevardin që mban emrin “Dëshmorët e Kombit” janë varur portretet e dhjetëra dëshmorëve të atdheut, Heronj të Popullit. Këto portrete të vendosura në ditën e parë të nëntorit, duket se do të qëndrojnë në Bulevard gjatë gjithë këtij muaji, deri më 29 nëntor, në ditën që shënon çlirimin e Shqipërisë.

Megjithëse është një gjest i vonuar kam vënë re se qytetarët e Tiranës e kanë mirëpritur. Pavarësisht se është një imitim i skenarit që u bë me vizitën e Papa Françeskut në Tiranë në shtator të vitit 2014, kur në të njëjtin Bulevard u varën portretet e klerikëve të persekutuar, me dëshmorët tanë bëhet për herë të parë. Ky Bulevard mban emrin e tyre, ndaj dhe është përshëndetur si gjest. Dëshmorët aty janë në “shtëpinë” e tyre. Natyrisht, jo nga të gjithë. Sepse ka mjaft nga ata që janë kundër luftës antifashiste nacionalçlirimtare dhe që dëshmorët e asaj lufte i konsiderojnë “terroristë”. Për shembull, Instituti që drejtohet nga A.Tufa.

Postimi i pardjeshëm në FB i Agron Tufës, drejtorit të Institutit për pasojat dhe krimet e komunizmit, që financohet nga buxheti i shtetit:

“Kur erdhi në Tiranë Papa Françesku qeveria vari në Bulevard portretet e martirëve të kishës katolike. Sot qeveri-bashkia ka varur në të njëjtin bulevard portretet e atyre gjoja heronjve, që i ekzekutuan martirët, jo vetëm të kishës katolike. Madje të veshur dhe me uniformën e Sigurimit, si ky këtu poshtë. Pushtët e Enverit ngordhin për kohën e Stalinit, jo për Europën!”

Ai të cilit A.Tufa nuk ia përmend as emrin, por mjafton të thotë “ky këtu poshtë” është Heroi i Popullit Nuri Luçi. Lexoni se çfarë shkruhet për Nuri Luçin në biografinë e njohur zyrtare në Uikipedia për të:

“Hero i Popullit Nuri Luçi lindi në 20 nëntor 1922 në fshatin Kuç të rrethit të Vlorës…

Në 8 nëntor të 1942 inkuadrohet në çetën partizane “Hajredin Termishti” pastaj në batalionin “Asim Zeneli”. Tre herë u plagos në luftë kundër italianëve dhe gjermanëve.

Pas çlirimit të vendit Nuriu inkuadrohet në Brigadën e parë të Divizionit të mbrojtjes së Popullit me detyrën e zëvendës komisarit të Batalionit të 3-të.

Heroi i Popullit Nuri Mustafa Luçi, i inkuadruar në efektivat e organeve dhe reparteve të Punëve të Brendshme merr pjesë në kërkimin, zbulimin dhe asgjësimin e kriminelëve të luftës, spiunëve, agjentëve dhe bandave që ishin vënë në shërbim të zbulimeve të huaja. Kudo që i u besua detyra aq sa e rënde dhe delikate si shef i Seksionit të Sigurimit në Sarandë e Vlorë dhe pastaj Kryetar i Degës së Punëve të Brendshme ne Krujë, ai u dallua si organizator energjik, i zgjuar dhe si luftëtar i pa epur kundër armiqve të atdheut e të popullit. Jeta e tij ishte gjithë luftë e përpjekje për kryerjen me besnikëri të detyrave që i ngarkoheshin deri sa në 21 nëntor 1949 (në moshën 27 vjeçare) në përleshje grykë për grykë ra heroikisht në fshatin Zhej të Krujës kundër një bande diversantësh.”

E pra, pikërisht këtë hero anatemon A. Tufa. Inatin e ka se pse nderohet një hero që ka dhënë jetën në luftë me diversantët. Në fakt, o Agron, aty në Bulevard duhej të ishin edhe portretet e një sërë Heronjve të tjerë si Hekuran Pobrati, Asim Aliko.

Më 4 nëntor, në gazetën “Panorama”, Tufa, duke mbrojtur tezën se heronjtë dhe dëshmorët kanë qenë kriminelë, heq sërish maskën e zyrtarit të shtetit dhe shkruan:

“Unë e quaj këtë thelbin e hipokrizisë në raport me ideoligjizimin e çështjeve të shtruara. Qeveria do të festojë dhe kapet në flagrancë të pastër. Një pjesë e madhe e atyre që janë vënë aty nuk kanë asnjë lidhje me luftën. Ata janë pjesëmarrës të masakrave që kanë bërë në disa krahina, kryesisht në veri të Shqipërisë. Disa prej tyre janë aty në fotografi me uniformën e Sigurimit të Shtetit. Për shembull, Nuri Luçi ka rënë si shef i degës së Sigurimit të Krujës. Por edhe një tjetër, Fejzi Micolli, ka rënë në vitin 1954 diku rrotull në Vermosh, duke luftuar me ata që i kanë quajtur me bandat. Por ai ka vdekur duke luftuar në betejën kundër Prek Calit dhe pastaj është quajtur hero. Pse ne duhet t’i quajmë heronj ata që kanë rënë në betejat vëllavrasëse kundër atyre që kërkon të mbronin territoret e tyre ndaj murtajës bolshevike. Pse duhet t’i quajmë heronj dhe t’u përulemi…”

Është kjo një sfidë e hapur që ky individ i bën jo vetëm shtetit rrogëtar i të cilit është, por edhe shumicës dërrmuese të popullit i lidhur me luftën dhe me dëshmorët.

Nga i buron gjithë kjo kurajo këtij? Si i lejohet një rrogëtari të shtetit të fyejë gjakun e dëshmorëve? Dhe mbi të gjitha: Kë quan “pushta enveristë” doktor Agroni? Edi Ramën? Ramën mund ta etiketosh me çfarëdo epitetesh, por komunist dhe enverist, baahh. Neoballist po. Sepse u ka shërbyer atyre si askush tjetër. U rilindi liderin shpirtëror dhe u tha ish-partizanëve që e votojnë të ulnin kokat para kryekolaboracionistit. Kështu që me të drejtë e paska nxehur Edi KM-ja, drejtor Agronin. Nëse duheshin varur apo jo ato portrete, duheshin pyetur Agroni, Urani dhe Çelua.

*****

 

Qeveria, ka munguar thuajse totalisht në ngjarjet e mëdha historike të këtij viti. Ndaj gjesti me portretet është më shumë butaforik, se sa i ndjerë. Pse? Po sjell në vijim disa fakte që flasin vetë:

Varrezat e Dëshmorëve në të gjithë vendin janw lwnw nw gjendje tw mjeruar. Tjetër. Gjatw gjithw vitit ka patur sulme ndaj Luftës Antifashiste dhe dëshmorëve. Qeveria heshti ndaj atyre që ndërmorën një fushatë sa anakronike, abuzive dhe antihistorike.

Me nderimin e një kryekolaboracionisti, kryeministri “socialist” bëri një nga gjestet më të turpshme të historisw sw partisw qw përkohësisht drejton. Nuk do t’i harrohet kurrë. Tjetër tregues i hipokrizisë qeveritare me Luftën Antifashiste dhe me dëshmorët në këtë 75-vjetor të çlirimit të atdheut është edhe gjesti zyrtar i shpërfilljes deri në injorim me mospjesëmarrjen e kësaj qeverie në ngjarjet madhore të këtij jubileu, sikurse ishte përkujtimi i 75-vjetorit të Kongresit të Përmetit, apo përvjetorët e çlirimit të qyteteve.

Kur Edi Rama i heq emrin e Qemal Stafës stadiumit kombëtar në Tiranë, një fotografi e Qemalit në Bulevard është krejtësisht hipokrizi.

Pwr tw mos folur pwr cilwsinw e atyre fotove dhe mwnyrwn si janw vendosur. Është nëntor dhe në këtë vjeshtë të tretë bien shira dhe fryjnë erëra. Dëshmorët do qëndrojnë aty në Bulevard për një muaj të tërë. Kur pashë mbrëmë se si përdridheshin fotografitë e tre rreth perit ku ishin varur, m’u dhimbsën.

Epilog

Një burrë i moshuar ecte dje ngadalë, i mbështetur në shkop, nëpër Bulevard dhe shikonte me kujdes një nga një portretet e dëshmorëve. Lexonte me zë emrat e tyre dhe nginte grushtin lart duke thirrur me zë të lartë “Lavdi!”, aq sa tërhiqte vëmendjen e kalimtarëve të tjerë. E kishte një merak, ndaj e ndoqa thuajse gjatë gjithë rrugëtimit të tij në Bulevard. Sepse kishte një pezm që sa vinte i shtohej. Aty nga fundi i Bulevardit, kur ishte duke mbaruar gjerdani i fotografive, ai shfryu: “Jazëk! Jazëk u qoftë!”

Iu afrova dhe i thashë me kujdes:

– Çfarë ke?

– Po kërkoj Komandantin. Duhej të ishte në ballë të shokëve tanë dëshmorë. Unë kam qenë në Brigadën e 5-të dhe i pashë e u çmalla. Por Komandantin nuk e pashë…

– Shefqet Peçin? Për atë e ke fjalën? Mos e kërko se nuk është këtu, – i thashë.

– Edhe komandant Shefqeti duhej të ishte këtu, por e kisha llafin për Komandantin e madh, për Enverin e kam llafin. Por edhe për Mehmet Shehun, për Hysni Kapon, për Myslim Pezën… Ku janë? Ku është Haxhi Lleshi e gjithë ata që na udhëhoqën në luftë.

– Mos u lodh se nuk i gjen dot. Nuk janë këtu…

– Atëherë qenkan tallur me ne. Nderojnë luftën pa emrat e atyre që e drejtuan?!

Ktheu krahët dhe iku tutje duke turfulluar. Nuk ma tha emrin.

– E ç’u duhet emri im?, tha. – Dhe ngriti shkopin e më tregoi portretet. Lavdia u takon atyre… Ata janë të pavdekshëm. Turpi na mbuloftë ne të gjallëve po nuk dimë t’i respektojmë.

 

Share This Article