Ditët e fundit opinionit publik i janë paraqitur opinione kontradiktore mbi idenë e qeverisë për përfshirjen e historisë së fesë në programin e shkollimit parauniversitar. Ky debat ka qenë një rast i mirë për të ekspozuar erudicionin dhe dijet enciklopedike mbi raportin midis besimit dhe shkencës, shkollës dhe fesë, besimit dhe moralit etj. Studjuesit, analistët dhe ekspertët kanë shkuar shumë thellë në arsyetimet e tyre. Por më duket se inkursionet teorike kanë devijuar nga thelbi i problemit, i cili më duket se është shumë më i thjeshtë nga sa është paraqitur. Unë mendoj se debatet për këtë ide duhet të fokusohen jo në arsyetime teorike, por në disa çështje praktike. Po përpiqem t’i sjell lexuesit disa prej tyre.
- A janë njohuritë mbi historinë e fesë, të dobishme për fëmijët shqiptarë?
Unë mendoj se po. Nga tri brezat që jetojmë sot në Shqipëri, dy më të vjetrit janë rritur njeri në kushtet e pranisë dhe po kaq edhe me luftën kundër institucioneve fetare. Brezi i dytë ka përjetuar në fillim mbylljen dhe pastaj edhe rihapjen e tyre. Ndërsa brezi i tretë është rritur në kushtet e lirisë fetare. Dy brezat e parë, në masa të ndryshme, janë ndodhur nën trysninë e akuzave ndaj fesë, si një e keqe për shoqërinë, si një gjë e dëmshme për njerëzit. Ndërkohë, brezi i tretë, po jeton në kohën kur shteti shqiptar ka braktisur ateizmin e imponuar me Kushtetutë dhe institucionet fetare konsiderohen një agjensi normale e socializimit të brezit të ri. Njohuritë mbi historinë e besimeve fetare do të kontribuojnë që perceptimi i fëmijëve shqiptarë për fenë të mbetet pozitiv dhe të konsolidohet si i tillë. Mund të ndihmojnë gjithashtu që ky perceptim të mos jetë instiktiv, por i mësuar dhe i përvetësuar. Ky perceptim nuk do të jetë as i ushqyer vetëm prej besimeve. Perceptimi për fenë do të ndihmohet prej njohurive elementare sistematike, të cilat do të ndriçojnë diversitetin e besimeve dhe qasjet e ndryshme nëpërmjet të cilave fetë u kanë shërbyer njerëzve. Nxënësit shqiptarë nuk do t’i qasen fesë si besimtarë, por si shkollarë. Mësuesit shqiptarë nuk do ta mësojnë historinë e fesë si transmetim i dogmave fetare, por si pjesë e historisë së kulturës së njerëzimit. Sepse feja, në fakt, është pjesë e kulturës shpirtërore të popujve. Jo vetëm të besimtarëve. Besimet fetare janë pjesë e qytetërimit. Sa kemi nevojë për historinë e elementeve të tjerë të qytetërimeve: filozofitë, moralet, letërsitë, artet, mitet, legjendat, po aq kemi nevojë edhe për historinë e besimeve të tyre.
- Ku më mirë se në shkollë mund të mësohet historia e fesë?
Ne, shqiptarët e sotëm, kemi pasur burimet të ndryshme të edukimit fetar dhe ateist. Kur feja u vu në qendër të agresionit ideologjik komunist, shkollat shqiptare, u imponuan të vendoseshin, natyrisht jo për faj të tyre, në rreshtin e parë të asaj që regjimi e quante fronti i luftës kundër konservatorizmit. E përsëris, faji nuk ishte as i shkollave, as i mësuesve, as i nxënësve. Por sot, kur shoqëria është në një moment reflektimi mbi nevojën që ka për të formuar një perceptim dhe konceptim tjetër mbi rolin e besimeve fetare dhe historinë e tyre, nuk është e tepruar që një pjesë e këtij misioni të plotësohet nga shkolla. Me këtë nuk dua të them se meqë shkollës iu imponua dikur një mision ateizimi, sot duhet t’i imponohet një mision fetarizimi. Por duhet të pranojmë se njohuritë mbi fenë, në një mënyrë ose në një tjetër, nga një burim ose nga një tjetër, do t’u hyjnë fëmijëve tanë në kokë. Sado të përpiqemi, ne nuk mund t’i izolojmë ata prej tyre. Prandaj unë thjesht shtroj pyetjet: Kush më mirë se shkolla mund të japë njohuri të sakta dhe të nevojshme për historinë e fesë? Institucionet fetare? Ato janë të njëanshme dhe nxisin largimin e njerëzve nga feja e tjetrit. Media? Asaj i mungojnë njohuritë e thella dhe sistematike. Familja? Njohuritë e prindërve dhe gjyshërve janë të paplota, të pasakta dhe paragjykuese.
- Historia e fesë është më shumë se historia e feve tona
Ne jemi një vend shumëfetar. Jemi gjithashtu të vendosur në një rajon shumëfetar, ku bashkëjetojnë disa prej feve më të mëdha (numerikisht) të botës: Krishterimi, i cili numëron rreth 1.7 miliard besmitarë, Islami, i cili numëron rreth 1 miliard besimtarë, dhe Judaizmi, me rreth 20 milion besimtarë. Por përveç këtyre besimeve, mozaiku fetar global përbëhet edhe nga Hinduizmi, me rreth 700 milion, Budizmi, me rreth 300 milion, dhe Konfucianizmi, me një numër modest ndjekësish. Për këto besime, të largëta nga pikëpamja hapësinore, ne dimë shumë pak. Disa njohuri modeste mbi to nuk do të ishin as luks, as rrezik për fëmijët shqiptarë. Ndikimi i këtyre feve në jetën shoqërore të vendeve ku zhvillohen, ka qenë dhe mbetet i konsiderueshëm. Për më tepër, zgjerimi i “gjeografisë” së besimeve edhe në fetë e tjera botërore do të amortizonte edhe moskuptimet apo ndeshjet potenciale midis ndjekësve të feve të shqiptarëve. Pra, do të ndihmonte që fëmijët të mësonin për fenë si nxënës, jo si besimtarë.
- Nevoja për të sqaruar dilemat mbi rolin e feve në botën e sotme
Mosmarrëveshjet në lëmin e fesë nuk janë vetëm midis besimeve, por edhe mbi rolin e fesë si një institucion i shoqërisë. Për shembull, shpjegimi konfliktualist niset nga ideja se feja nxit konfliktet shoqërore në tri rrafshe: brenda komuniteteve fetare, midis komuniteteve fetare dhe midis tyre e shoqërisë. Qëndrimi ekstrem historik në këtë aspekt është pikëpamja e Marksit, sipas së cilës feja vonon ndryshimin shoqëror. Në kundërshtim me këtë pikëpamje, Veber ka nënvizuar rolin e fesë si përshpejtuese e ndryshimit shoqëror. Sipas shpjegimit funksionalist, feja i jep kuptim veprimtarisë së njerëzve, ndihmon në krijimin ndjenjës së përkatësisë dhe kohezionit shoqëror dhe ndihmon në kontrollin shoqëror. Duke qenë një agjensi e rëndësishme socializimi krahas familjes, shkollës, medias dhe komunitetit, feja dhe historia e saj nuk ka pse të mbeten një terra incognita për nxënësit shqiptarë. Duke qenë të pandriçuar për historinë e saj, nxënësit janë më vulnerabël ndaj botëkuptimit fetar dhe më të tërheqshëm drejt përfshirjes në keqkuptimet fetare. Të mos harrojmë, gjithashtu, edhe një fakt: historia e fesë mësohet në shkollat e mjaft vendeve të qytetëruara.
