Hungaria në krizë demokratike, BE monitorim të situatës

redaktor

Për herë të parë, në të gjithë historikun e funksionimit të Unionit, Parlamenti Evropian i kërkon Komisionit ngritjen e një mekanizmi për survejimin e demokracisë, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut, për çdo vit në BE. Shkak është bërë përkeqësimi i nivelit të demokracisë në Hungari. Në fakt, ndonëse kriteret në këtë fushë janë tepër të larta ndaj vendeve, që synojnë anëtarësimin, ato nuk monitorohen më pasi vendet bëhen anëtare të Unionit. Por, çfarë po ndodh në Hungari dhe pse BE ka rritur nivelin e alarmit ?

Retorika e fortë politike e kreut të qeverisë së Hungarisë, Viktor Orban për rivendosjen e dënimit me vdekje, është një ndër problematikat kryesore. Ndonëse Orban e ka qetësuar palën evropiane, duke e siguruar këtë të fundit, se qeveria nuk do të ndërmarrë masa për futjen e dënimit kapital, dhe se do të respektojë të gjithë traktatet evropiane dhe legjislacionin e BE-së, deklaratat politike nuk kanë reshtur.

Por, Unioni i konsideron shumë të rëndësishme vlerat përreth të cilave është sendërtuar, duke e vlerësuar dënimin me vdekje si të papajtueshëm me parimet themelore, respektimin e dinjitetit njerëzor, lirinë, demokracinë, barazinë dhe shtetin e së drejtës. Nëse një shtet anëtar i Unionit do të vendosë futjen e dënimit me vdekje, atëherë ai do të dhunojë Traktatet dhe Kartën Evropiane të të Drejtave Themelore. Ky dhunim i rëndë, shoqërohet gjithashtu edhe me një procedurë sanksionimi të parashikuar nga neni 7 i Traktatit, që çon në tërheqje të së drejtës së votës në gjirin e Këshillit.

Përveç çështjes së mësipërme, të futjes së dënimit me vdekje, është dhe një problem tjetër shqetësues, që lidhet me imigracionin. Me iniciativën e qeverisë, autoritetet hungareze kanë nisur një konsultim publik mbi imigracionin, në muajin maj. Konsultim, që sipas qeverisë është një mjet i rëndësishëm dhe i vlefshëm për qeverinë, që të mundësojë hartimin e politikave. Por, eurodeputetët në PE, kanë deklaruar krejt të kundërtën duke e konsideruar këtë proces, një konsultim mashtrues, të pjesshëm, të zhbalancuar që krijon një lidhje direkte mes fenomenit migrues dhe kërcënimeve të sigurisë.

Parlamentarët evropianë i kanë bërë thirrje Komisonit, të angazhojë në mënyrë të menjëhershme një proces të thelluar ndjekje të situatës së demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave themelore në Hungari, si edhe t’i raportojë Parlamentit dhe Këshillit, përpara muajit shtator 2015.  Komisioni duhej gjithashtu të prezantonte një propozim për krijimin e një mekanizmi të BE-së mbi demokracinë, shtetin e së drejtës dhe të drejtave themelore, si një mjet për konformitetin dhe aplikimin e Kartës së të Drejtave Themelore si edhe traktateve, të nënshkruara këto nga të gjithë vendet anëtare. 

Por, përveç problematikave të mësipërme duket se gjendja e demokracisë në Hungari, është edhe më e rëndë.

Raporti i fundit monitorues i Këshillit të Evropës (ECRI) evidenton se, gjuha e fortë e urrejtjes që përdoret jo vetëm nga partitë e ekstremit të djathtë, por edhe nga partitë apo anëtarët e partive të gjithë spektrit politik, shërben si nxitëse e paragjykimeve tashmë ekzistuese ndaj romëve dhe çifutëve në veçanti, duke kontribuar gjithashtu në përkeqësimin e klimës dhe armiqësisë ndaj këtyre komuniteteve.

Raporti përmend partinë e njohur të ekstremit të djathtë, Jobbik, një parti neo-naziste, fashiste, ekstremiste, raciste dhe ksenofobe, që zotëron 23 vende nga 199 në Parlament, dhe që u rendit e dyta në zgjedhjet lokale të tetorit 2014. Përveç Jobbik, ekzistojnë edhe grupe të tjera ekstremiste, të paregjistruara si parti politike dhe disa prej tyre kanë edhe lidhje me Jobbik. Këto grupe operojnë kryesisht në zonat e banuara nga romët dhe organizojnë aktivitete për t’i intimiduar ato. Këto grupe kanë në fokus edhe komunitetin LGBT.

Raporti shfaq shqetësimin se, gjuha e urrejtjes nuk është e kufizuar vetëm tek partitë dhe grupet ekstremiste, por shtrihet përgjatë gjithë spektrit politik. Zyrtarë shtetëror dhe anëtarë të partive kryesore janë të përfshirë.

Ky racizëm i përhapur, shfaqet edhe në mentalitetin e gjyqësorit dhe vendimeve të tij. Është shumë interesant këndvështrimi juridik, që pasqyron raporti në lidhje me diskriminimin e hapur ndaj komunitetit Rom.

Raporti sjell rastin e një gjyqtari, i cili e justifikon vendimin e tij për mos shpërbërjen e një grupi paramilitar, ekstremist të djathtë, të akuzuar për aktivitete të paligjshme kundër romëve, me argumentin se, “Të qenurit Rom, nuk duhet interpretuar si një kategori raciale, se sa më tepër një mënyrë jetese, e udhëhequr nga një grup njerëzish, që qëndrojnë larg vlerave tradicionale të shumicës së shoqërisë, dhe stili i jetesës së të cilëve, është i karakterizuar nga shmangia e punës dhe mosrespektimi i pronës private dhe normave të të jetuarit së bashku.” 

Përveç fushës së gjyqësorit, ky mentalitet paragjykues dhe nxitës i urrejtjes ndaj minoriteteve dhe kategorive të ndryshme të shoqërisë, shtrihet edhe në sistemin mediatik, tek drejtuesit e saj si edhe tek emrat e njohur të gazetarisë, të cilët edhe shpërblehen në raste te caktuara me çmime të veçanta.

Hungaria që me ardhjen në pushtet të Viktor Orban, ka vijuar me një përkeqësim gradual të parametrave më kryesorë demokratikë. Ajo po lë gjurmët e saj në historikun e funksionimit të BE-së, si një vend anëtar që shpërfill dhe nuk respekton një pjesë të mirë të vlerave themelore të Unionit. Por, elementi pozitiv në të gjithë këtë panoramë negative është se, kjo situatë e paprecedentë ka shfaqur më në fund domosdoshmërinë për krijimin e një mekanizmi të munguar monitorues. Mekanizëm, që do të monitorojë çdo vit funksionimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, dhe të drejtave themelore të vendeve të ndryshme të BE-së, edhe pasi ato janë bërë pjesë e Unionit./im.ta/

Shkrime të tjera:

Merkel në Hungari, frikë për rrëshqitje të vendit drejt Rusisë

Alarmi i BE-së dhe rrëshqitja e Hungarisë drejt ekstremit të djathtë

 

 

 

Share This Article