Imigracioni, Danimarka drejt mbylljes së kufijve

redaktor

Danimarka po tërheq sërish vëmendjen evropiane, tek po përpiqet të rivendosë kontrollet e brendshme kufitare. Rivendosje, që do të behët në emër të luftës ndaj imigracionit të parregullt dhe kontrabandës. Pjesë e hapësirës Shengen, Danimarka ka detyrimin për të respektuar të gjithë rregullat dhe dispozitat ligjore, që burojnë nga kuadri i kësaj marrëveshje. Por, ç’po ndodh në Danimarkë dhe a ka një reagim në nivel evropian ?

Pas zgjedhjeve evropiane të majit 2014 edhe zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2015, ritheksuan pozicionin e fuqishëm të ekstremit të djathtë në Danimarkë. Gjatë zgjedhjeve legjislative Partia e Popullit danez (DF), arrin të pozicionohet në vend të dytë. Pozicionim, që u bë i mundur nën një axhendë partiake të bazuar në një platformë anti-imigracion të fortë, kontroll të lartë të kufijve shtetërorë, si edhe nën premtimin e një referendumi për qëndrimin apo jo të vendit në Bashkimin Evropian. Ndonëse nuk pranuan të bëhen pjesë e koalicionit qeverisës, fuqia e tyre në parlament (37 vende nga 179) është e mjaftueshme, për të tronditur qeverisjen tejet të brishtë të kryeministrit liberal Rasmussen (me vetëm 34 vende në parlament). Përplasjet e forta, që nuk bënë të mundur pjesëmarrjen e DF-së në koalicionin qeverisës, lidheshin me axhendat përkatëse, ndër to imigracioni, sistemi social, anti-evropianizmi i fortë, si edhe rivendosja e kontrolleve të përhershme kufitare. Qeveria e re në këtë pozicionim delikat dhe të brishtë, e ka më se të nevojshme marrjen e votave të DF-së, në parlament për kalimin dhe miratimin e ligjeve.

Me fuqinë e saj të votave, DF duket se po arrin të ushtrojë ndaj qeverisë aktuale të njëjtin ndikim të lartë, përballë çështjes së imigracionit, si edhe përgjatë viteve 2001-2011. Ndikim, që u konkretizua përgjatë kësaj qeverisje 10-vjeçare me shtrëngesa dhe kufizime ndaj politikave të imigracionit, duke kulminuar në vitin 2011 me vendosjen e kontrollove kufitare, në dhunim të marrëveshjeve evropiane mbi qarkullimin e lirë të personave, mallrave dhe shërbimeve.

E ndikuar nga brishtësia e numrave në parlament dhe mbështetja e nevojshme e votave të DF-së, qeveria e re deklaroi menjëherë pas formimit të saj se, do të rivendoste kontrollin kufitar për të luftuar imigracionin e parregullt si edhe kontrabandën. Iniciativë, e cila kërkon kalimin dhe miratimin në formën e saj ligjore në parlamentin danez.

A po reagon BE ? 

E dominuar nga dosja politike dhe ekonomike e krizës greke, politika evropiane duket se ka krijuar një hapësirë të nevojshme për frymëmarrje, duke pritur detajimin e mëtejshëm të planit të qeverisë daneze, në lidhje me rivendosjet e kontrolleve kufitare. Kjo edhe nën logjikën, se qeveria daneze ka deklaruar paraprakisht se, kjo do të kryhet në përputhje me rregullat e Shengenit.

Por, nuk duhet harruar se reagimi i Unionit Evropian ka qenë i fortë, kur Danimarka rivendosi kontrollet kufitare në vitin 2011, në dhunim të rregullave të hapësirës Shengen. Jo vetëm nuk u pranua rifutja e kontrollit kufitar nga Danimarka, por u konsiderua në thyerje të ligjeve evropiane dhe rregullave të tyre, duke dëmtuar rëndë lëvizjen e lirë të personave, mallrave dhe shërbimeve. Ekspertët e BE-së, që u dërguan në terren për të vlerësuar situatën nga afër, konkluduan se, justifikimet e autoriteteve daneze për intensifikimin e kontrolleve në kufijtë e brendshëm, ishin të pamjaftueshme. Argumentet se, kufijtë e hapur po lehtësonin rritjen e kriminalitetit, ishte i pabazuar dhe justifikimet ishin thjesht një koperturë e marrëveshjeve mes palëve politike, në shkëmbim të mbështetjes së nevojshme në miratimin e ligjeve përkatëse në parlament.

Por, më tepër se sa fakti nëse një vend rivendos kontrolle qoftë edhe të përkohshme, të pabazuara në argumente dhe vlerësime të rreziqeve aktuale, çështja është më tepër e një natyre të fortë simbolike, pasi lëvizja e lirë konsiderohet nga Unioni, si një nga arritjet më të mëdha të historisë së integrimit evropian.

Nëse i referohemi raportit të fundit të Komisionit Evropian (29.05.2015) mbi funksionimin e zonës Shengen, konstatohet lehtësisht se përgjatë periudhës së raportuar (1 nëntor 2014-30 prill 2015) nuk ka pasur asnjë rast të vendosjes së përkohshme të kontrollit në kufijtë e brendshëm. Edhe Belgjika, që kishte paralajmëruar vendosjen e mundshëm të kontrollit të brendshëm, nuk e realizoi atë për shkak se, u vlerësua se nuk kishte informacione ekzistuese mbi risqe vendimtare të sigurisë. Neni 23 i rregullores së Shengenit, thekson se në rast të një kërcënimi serioz të sigurisë së brendshme apo të rendit publik, një shtet anëtar mund të rifusë kontrollin kufitar për një kohëzgjatje që nuk duhet të kalojë, atë çka është e domosdoshme për t’iu përgjigjur kërcënimit serioz.

Por, ka dhe një aspekt shumë të rëndësishëm, pasi raporti evidenton se, ndonëse nuk ka raportime për thyerje të hapësirës Shengen dhe vendosje të përkohshme të kontrolleve të brendshme, jashtë kuadrit ligjor të parashikuar, shtetet anëtare kanë arritur të gjejnë hapësira ekuivalente për të manovruar. Hapësira e parë, lidhet me vendosjen e pikave të kontrolleve policore, jo në kufijtë e brendshëm, por në afërsi të tyre ( në kundërshtim me nenin 21 (a) Kodi i Shengenit), ndërsa hapësira e dytë, lidhet me detyrimin për të hequr pengesat në fluksin e rrjedhshëm të trafikut, si p.sh, kufizimet e shpejtësisë, në pikat e kalimit të kufijve të brendshëm (neni 22, Kodi i Shengenit). Raporti shënjestron pas hetimit të tij, Austrinë, Gjermaninë, Belgjikën, Italinë, Poloninë dhe Slloveninë.

A përbën imigracioni i paligjshëm apo niveli i kontrabandës një kërcënim real serioz për Danimarkën në nivel kombëtar? Vështirë se mund të gjendet baza dhe argumentet për të justifikuar një iniciativë të tillë politike. Por, si edhe në vitin 2011, duket se kompromiset politike do të detyrojnë sërish koalicionin e brishtë qeverisës të mbështesë pa ekuivok, politikat ekstremiste dhe ksenofobe, që bien ndesh jo vetëm me vlerat evropiane dhe arritjen historike të saj, lëvizjen e lirë, por ndrydhin në mënyrë të panevojshme drejt një përqasje negative edhe imazhin kombëtar të një vendi simbol të demokracisë dhe të liberalizmit./im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Zgjedhjet në Danimarkë, ekstremistët fitues

Danimarkë, trumfojnë ekstremistët anti-Islam

Danimarka nën politikat ekstremiste anti-Islam 

 

 

Share This Article