Indiferenca evropiane vazhdon të vrasë

redaktor

Një reagim i fortë ka ardhur nga grupet e të drejtave të njeriut mbi neglizhencën evropiane përballë rritjes së numrit të viktimave në dyert e saj. Me një ilustrim therës, nëpërmjet një video ku shfaqen nga njëra anë disa prej udhëheqësve evropianë, duke lundrar mbi një barkë në një proces bisedim-argëtimi dhe nga ana tjetër nxjerrja e kufomave të imigrantëve në brigjet e Mesdheut, grupet e të drejtave të njeriut kërkojnë sensibilizim të Evropës. Por, ç’po ndodh realisht me numrin  në rritje të viktimave dhe ku shtrihen problematikat ?

Vetëm që prej fillimit të këtij viti, pra brenda tre muajve, 900 imigrantë kanë vdekur, në tentativë për të hyrë në derën evropiane. Zonat e konflikteve, Siria, Eritrea dhe paqëndrueshmëri e Libisë, kanë shkaktuar flukse të larta imigrantësh në kërkim të zonave më të sigurta. Numri në total i imigrantëve, që kanë arritur të prekin tokën evropiane, për vitin 2014, sipas raporteve të Agjencisë së Kontrollit të Kufirit të BE-së, FRONTEX, është trefishuar duke shkuar në 276 mijë, nga të cilët 220 mijë, kanë arritur të hyjnë nëpërmjet rrugëve të Mesdheut.

Teksa, numri i viktimave është trefishuar, grupet e të drejtave të njeriut, akuzojnë Bashkimin Evropian, se i ka kthyer kurrizin përgjegjësive të tij, duke kërcënuar jetë njerëzish.

Arkivole me imigrante te vdekur ne Lampeduza
Arkivolë me imigrantë që kane gjetur vdekjen në Lampedusa

“Duke kërkuar ndalimin e operacioneve të shpëtimit Mare Nostrum, që kishte shpëtuar 17 mijë jetë, për ta zëvendësuar atë me Triton, një mision i vetëm survejimi, BE i kthen kurrizin përgjegjësive të tij dhe kërcënon qartësisht mijëra jetë humane”, ka reaguar Amnesty International.

Për më tepër Amnesty International, deklaron se, Evropa është tërhequr nga kapacitetet e kërkim-shpëtimit, bazuar në argumentin, se operacione të tilla po shërbenin si faktorë shtytës, duke tërhequr më shumë imigrantë. Ndërkohë, që shifrat në rritje po tregojnë të kundërtën, grupet e të drejtave të njeriut i bëjnë thirrje Evropës, të ndërgjegjësohet mbi domosdoshmërinë e një operacioni humanitar të koordinuar në Mesdhe, me të njëjtat burime si ato, që tashmë Unioni vendosi t’i jepte fund, Mare Nostrum. 

Paralelisht me situatën problematike, që shfaqet ndaj imigrantëve dhe azilkërkuesve të mundshëm në dyert e Evropës, vëmendje tërheq dhe sistemi i azilit, i cili prek shtetet anëtare në mënyrë të pabarabartë. Kushtëzimi se, refugjatët që synojnë të drejtën e azilit duhet të aplikojnë në shtetin hyrës, ka shkaktuar vazhdimisht një fluks të lartë për vendet në kufirin evropian. Mbingarkesat jashtë normës janë shndërruar në një barrë të papërballueshme, për vende si Italia, Greqia dhe Spanja, duke kursyer në këtë drejtim vendet e tjera të BE-së. Shtetet anëtare refuzojnë gjithashtu një rishikim të këtij sistemi, për të mundësuar apo garantuar një shpërndarje të drejtë të azilkërkuesve në të gjithë vendet e BE-së.

Janë dy elementë, që nxisin reflektimin tek problematikat e mësipërme: parimi dhe aplikimi.

Pra, nëse në parim, vlerat e Unionit në lidhje me të drejtat themelore të njeriut janë shndërruar në një promotor të vazhdueshëm, duke skicuar në vazhdimësi identitetin evropian, si në rajon por edhe në botë, ato zmbrapsen në terren, duke i krijuar hapësirë shpërfilljes, abuzivizmit, neglizhencës,  dhe indiferencës.

E njëjta përqasje konstatohet edhe ndaj të drejtës për azil. Kjo e drejtë, është sendërtuar si një e drejtë me karakter të pastër morali. Moral, i cili thekson vlerat e një civilizimi ndaj të drejtave të njeriut dhe të drejtës në veçanti për të gjetur strehim, përballë kërcënimeve dhe përndjekjeve. Por, ky moral i lartë krijon përplasje në terrenin zbatues teksa, sistemi i miratuar nuk e ndan në mënyrë të barabartë barrën e kësaj përgjegjësie, duke ia ngarkuar në këtë mënyrë zbatimin në shumicë të kësaj të drejte, vendeve në kufi. Kjo shpërndarje e pabarabartë e fluksit të azilkërkuesve në vendet e BE-së, ekspozon një boshllëk mes proklamimit të vlerave të larta në parim dhe zbatimit të tyre në praktikë.

Por, Bashkimi Evropian ka kohë që është venë në fokus, për shkeljen e të drejtave të njeriut. Përveç thirrjeve të fundit, që erdhën nga grupet e të drejtave të njeriut, edhe raportet institucionale ekspozojnë të njëjtën problematikë, përkeqësim të ndjeshëm të të drejtave themelore.

Raporti i fundit i publikuar nga Këshilli i Europës (2014), mbi analizën e gjendjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe ligjit, vinte alarmin mbi krizën e paprecedentë të dhunimit të të drejtave të njeriut, që prej kohës së Luftës së Ftohtë. Ky raport, evidentonte, dhunime serioze, që përfshijnë korrupsionin, mosndëshkimin, racizmin, fjalime të urrejtjes dhe diskriminimit, në rritje në të gjithë kontinentin. Edhe raporti i fundit i Parlamentit Evropian (2015), shfaqej tejet i trishtë, teksa ritheksonte të njëjtën problematikë, përkeqësim të të drejtave të njeriut, në vijimësi të krizës ekonomike dhe pabarazisë në rritje./im.ta/

Video Amnesty International

 

Share This Article