Dezinformimi dhe propaganda kanë qenë gjithmonë instrumente lufte. Por, me zhvillimin e epokës së internetit, ato kanë arritur kulme të reja. BE, ka kohë që shfaq një shqetësim gjithnjë e në rritje ndaj Rusisë, duke e vlerësuar politikën e saj, si më agresive dhe arrogante jo vetëm kundër politikave të BE dhe atyre Perëndimore, por sidomos ndaj vendeve fqinje të saj, si edhe ndaj Ballkanit Perëndimor. Një sërë masash për të përballuar kundër-propagandën, kanë kohë që kanë filluar të ndërmerren, dhe janë në një terren të vazhdueshëm përforcimi. Rezoluta e fundit e miratuar këtë javë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Evropian, vjen në këtë kuadër dhe sugjeron ndër të tjera rritjen e bashkëpunimit mes shteteve anëtare dhe NATO, për sa i përket komunikimit strategjik. Por, ku shtrihet realisht shqetësimi i BE ndaj Rusisë, ndaj propagandës agresive që ajo ushtron në Union, në vendet e fqinjësisë, si edhe në Ballkanin Perëndimor ?
Një analizë e muajve të fundit, e kërkuar nga Komisioni Jashtëm i Parlamentit Evropian, dhe e kryer nga Instituti i Bashkimit Evropian për Studime të Sigurisë (EUISS), me titull: “Strategjia e komunikimeve të BE me synim për të luftuar propagandën” shfaq një sërë shqetësimesh. Propaganda ruse ka në fokusin e saj sistematik jo vetëm opinionin publik evropian, por edhe vendet e fqinjësisë së BE, që luhaten mes projekteve konkurrues evropianë dhe euro-aziatikë për bashkëpunim dhe partneritet, si edhe vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian.
Filozofia e propagandës vjen e kombinuar nëpërmjet mesazheve kyçe, mbi çdo zhvillim, që prek Bashkimin Evropian, duke e portretizuar situatën me tone negative, e kombinuar kjo edhe me hedhjen e teorive të konspiracionit. Në këtë propagandë sistematike, BE përshkruhet si një entitet agresiv dhe ekspansionist, por njëkohësisht edhe i dobët dhe se po shkon drejt kolapsit. Një kolaps që do të shkaktohet nën presionin e kombinuar të krizës fiskale dhe krizës së migrimit. BE përshkruhet gjithashtu si një entitet i ngathët, që është i paaftë të marrë vendime për shkak të valëve të nxituara të zgjerimit në Lindje. Këto dy portretizime, ushqejnë gjithashtu parashikime në lidhje me dështimin e afërt të BE, ashtu si Bashkimi Sovjetik u shemb njëzet e pesë vjet më parë.
Dezinformimet sistematike shoqërohen edhe me shpërndarjen e teorive të konspiracionit. Nga pesë teori
të përmendura në studim, tërheqin vëmendjen dy prej tyre, që lidhen me çështjen e Kosovës. Teoria e parë supozon se: “Perëndimi po vret dëshmitarët e mbrojtjes, të kriminelëve serbë të luftës, në Hagë”, ndërsa e dyta, pretendon se: “Politikanët perëndimorë, si Madlen Ollbrajt, kanë një urrejtje patologjike për sllavët dhe lufta në Kosovë, u konsiderua vetëm si hapi i parë për të mundësuar kontrollin mbi Rusinë.” Këto pretendime, janë përcaktuar nga një ish oficer i KGB, i cili paska aftësinë të lexojë mendjen e njeriut.
Audienca që synohet në BE, sipas studimit, është specifike, duke filluar që nga mbështetësit e ekstremit të djathtë, të cilët konsumojnë lajme mbi BE, por kjo audiencë shtrihet edhe tek mbështetësit e ekstremit të majtë. Mbështetësit e ekstremit të djathtë, ushqehen me lajme mbi një BE, që promovon rënien dhe dekadencën morale, duke mbështetur LGTB, duke neglizhuar rrënjët e krishtera evropiane, si edhe duke rrezikuar islamizimin e Evropës. Ndërsa mbështetësit e ekstremit të majtë, ushqehen me lajme kryesisht anti-amerikane duke e portretizuar BE, si një partner të nënshtruar apo një kukull të Uashingtonit.
Si djathtas dhe majtas, Rusia pozicionohet në një shpjegim kundër ndërhyrjeve, duke i përshkruar ndërhyrjet ushtarake të Perëndimit në Kosovë, Afganistan, Irak, Libi si edhe në Ukrainë si veprime agresive të paligjshme. Dështimi në Irak, ofrohet si shembull për të inkuadruar debatin në lidhje me krizat e tjera si në Kosovë, apo në Ukrainë.
Në të njëjtën linjë, ushtrohet edhe propaganda në lidhje me sanksionet kundër saj, ato konsiderohen si të dëmshme për vetë Evropën dhe me kosto të lartë për qeveritë kombëtare, pasi këto sanksione kanë shkaktuar humbje të larta të vendeve të punës.
Përfshirja e Rusisë, sipas studimit, është e lartë edhe në çështjet e brendshme evropiane, si referendumi në Skoci, fushata e Brexit, apo edhe çështja e refugjatëve. Çdo ndarje e brendshme zgjidhet, përpunohet dhe amplifikohet.
Përveç rrjetit të konsiderueshëm të mbulimeve mediatike në gjuhën ruse, transmetime të njëanshme pro-ruse, janë konstatuar edhe tek transmetuesi shumëgjuhësh Euronews, që është krijuar në vitin 1993 për promovimin e unitetit evropian, duke prezantuar informacion nga një këndvështrim thellësisht evropian. Pikërisht në seksionin e tij në gjuhën ruse, në shumë raste ka pasur transmetime të njëanshme, si në mbulimin e luftës në Gjeorgji në vitin 2008, në 20 vjetorin e pavarësisë së Ukrainës në vitin 2011, përgjatë referendumit në vitin 2014 në Donbas dhe konfliktit të Ukrainës Lindore, si edhe gjatë ngjarjeve në Transnistri, duke u shfaqur haptazi me lajme të pa balancuara dhe pro-Rusisë.
Propaganda në vendet e fqinjësisë
E njëjta politikë dezinformimi përdoret edhe në vendet e Partneritetit Lindor të BE, me variacione lokale. Sulmi ndaj politikave të BE, sipas studimit, është një lajtmotiv dhe BE barazohet me Bashkimin Sovjetik, duke u përshkruar si një projekt gjeopolitik armiqësor. Mesazhi i nënkuptuar, sipas studimit, është se këto vende i ikën Bashkimit Sovjetik, vetëm për të humbur sërish lirinë e tyre, në një entitet të ngjashëm, tashmë në prag të kolapsit ekonomik. Në terma kulturorë, Evropa prezantohet si një civilizim moralisht dekadent, që po i kthen kurrizin traditave kristiane. Mediat pro Kremlinit paralajmërojnë gjithashtu për një rrezik imediat të shpërndarjes së refugjatëve nga BE, tek këto vende, apo se Marrëveshjet e Asocimit, do t’i detyrojnë nënshkruesit të pranojnë martesat homoseksuale, etj.
Qëllimi kryesor i përpjekjeve të komunikimit strategjik të Rusisë, sipas studimit, është për të krijuar perceptime të njohura në lidhje me BE-në. Kjo, është lehtësuar nga gjuha në të cilën mesazhet komunikohen, popullariteti relativ i mediave ruse dhe rrjetet sociale, ekzistenca e konsiderueshme e pakicave rusisht-folëse, tërheqja e stilit të udhëheqjes të Putinit, avancimi agresiv i Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik (EAEU), si një alternativë e besueshme kundrejt BE, si edhe predispozita e njerëzve për teoritë e konspiracionit. Faktorët të tjerë shtesë të brendshëm, të përmendur në studim, lidhen me një retorikë anti-BE të elitave lokale dhe dështimet e dukshme të koalicioneve qeverisëse pro-BE.
Por, studimi shfaq shenja shqetësimi, pasi kjo propagandë negative sistematike e Rusisë, ka shfaqur rezultatet e saj në terren. Duke u përkthyer në një ulje të ndjeshme të mbështetjes pro-evropiane në vendet e fqinjësisë. Provat e kësaj rënie, sillen nga një sërë sondazhesh të kryera në këto vende.
Sipas Barometrit të Fqinjësisë Evropiane, numri i personave në Lindje, që e shikojnë BE në një aspekt negativ, ka shkuar nga 13% në vitin 2012, në 21% në vitin 2014. Sondazhet kanë shfaqur gjithashtu një rritje (nga 26% në 34%) të atyre që nuk besojnë se, BE po sjell stabilitet dhe paqe në rajon. Imazhi i BE, vuan kryesisht në vendet, që janë më pak të angazhuara (Armeni, Azerbajxhan dhe Bjellorusi), por edhe në Gjeorgji. Në Ukrainë dhe në Moldavi, edhe seksionet anti-ruse të publikut, apo të spektrit politik i hanë disa prej dezinformimeve në lidhje me BE.
Studimi konfirmon se, atje ku ndjenjat pro BE janë të forta, Moska punon të ushqejë apo të thellojë ndarjet ekzistuese në shoqëri. Rasti tipik, vjen me Gjeorgjinë teksa kujtimet e luftës së vitit 2008, po zbehen gradualisht dhe sjelljet kundrejt Rusisë dhe Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik (EAEU) po ngrohen. Sipas sondazheve të kryera nga Instituti Kombëtar Demokratik, mbështetja për BE, ka rënë nga 80% në fund të vitit 2013, në 61% në mesin e vitit 2015. Vetëm 45% e gjeorgjianëve në vitin 2015, besonin se integrimi në BE do të sjellë përfitime, nga 60%, në vitin 2014. Sipas, IPPR, numri i njerëzve në Moldavi që do të votonin kundër hyrjes në BE, është rritur nga 18% në vitin 2010, në 33% në vitin 2015. Nëse do të jenë të detyruar të zgjedhin, 42% e moldavianëve do të votonin për futjen në Bashkimit Ekonomik Euro-Aziatik (EAEU) dhe vetëm 39% e tyre për futjen në Bashkimin Evropian.
Edhe në Ukrainë, ekspozohet e njëjta problematikë, pasi aneksimi i Krimesë, dhe konflikti i fundit në Donbas e kanë minuar joshjen ndaj Rusisë, por nuk e kanë shkatërruar atë plotësisht. Sipas, sondazheve të Razumkov Centre, në konkurrencë mes projekteve integruese, BE gëzon ende një kryesim ndaj Bashkimit Ekonomik Euro- Aziatik (EAEU) 57% kundrejt 16%. Por, edhe këtu, sipas studimit, kemi një ndarje të qartë rajonale: mbështetja në perëndim dhe në qendër të vendit është e lartë, ndërkohë që në jug dhe në lindje kundërshtarët e bashkimit me BE kryesojnë /Im.Ta./DITA
Vijon me Ballkanin Perëndimor…
Influenca e Rusisë në Ballkanin Perëndimor
Propaganda agresive e Rusisë në territorin e BE, në vendet fqinje të Unionit, si edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë anëtarësimin në BE ka shfaqur rezultate të nuancuara. Suksesi i kësaj propagande vlerësohet si relativ. Në vendet e fqinjësisë, terreni shfaqet më i përshtatshëm dhe rezultatet tregojnë një rënie të mbështetjes së qytetarëve të këtyre vendeve, ndaj projektit integrues evropian.
Në vendet e Ballkanit Perëndimor, studimi konfirmon ekzistencën e një strategjie komunikimi kompleks të Rusisë, me struktura domethënëse në pjesë të gjera të territorit të ish Jugosllavisë. Ajo sponsorizon mediat në gjuhën serbe, si online, po ashtu edhe në versionin e printuar, që kapin një audiencë përgjatë ish Jugosllavisë. Në vitin 2014, Agjencia e Lajmeve Sputnik, hapi një shërbim në serbisht, duke përfshirë një stacion radio dixhital. Janë raportuar gjithashtu hapje të kanaleve të televizionit Rus në serbisht. Ka gjithashtu një numër grupesh mediatike nga dhe për Moskën edhe pse jo haptazi, që promovojnë pikëpamjen ruse, shpesh në një kombinim me teoritë konspirative dhe ultra-nacionalizmin serb. Këto përfshijnë periodikë dhe portale online si Geopolitika, Vostok, News Front, Ruski ekspres, dhe Gazeta. Ka edhe media lokale, që mbështesin hapur Kremlinin, si Pravda, Pečat, Oslobodjenje, Srbin.INFO, radio SnagaNaroda, portali maqedonas Infomax, etj.
Komunikimet strategjike ruse, sipas studimit, mbështeten nga një rrjet organizatash në rritje (rreth 80), që nga agjencitë qeveritare, tek NGO e sponsorizuara nga qeveria, shoqata civile, grupe studentësh, si edhe lëvizje dhe parti politike. Shumë parti politike kanë lidhje me Rusinë, siç është Partia radiale serbe e Vojsllav Sheshelit, apo Partia demokratike e Serbisë(DSS). E njëjta gjë vlen edhe për lëvizjen politike Dveri, si edhe aktorë të vegjël, siç janë Partia e Tretë e Serbisë.
Studimi evidenton dhe rolin aktiv të kishës ortodokse serbe, që mban lidhje të ngushta me Rusinë, sponsorizohet prej saj dhe shfaqet politikisht e pozicionuar në linja nacionaliste. Gazpromi, sipas studimit, ka premtuar së fundmi të financojë restaurimin e Katedrales së Shën Savës në Beograd. Ndërsa, Patriarku Irinej, ka argumentuar se qeveria serbe, duhet ta falënderojë Moskën për parandalimin e pranimit në UNESCO të Kosovës, në nëntor të vitit 2015, duke mbrojtur pikëpamjen se Serbia dhe Rusia janë të bashkuar, përballë ngecjes me Evropën dhe Amerikën. I njëjti rol ndikues, shfaqet dhe në Mal të Zi, ku koka e kishës malazeze Metropoliti Amfilohije, ka lobuar për një referendum për hyrjen në NATO, çka nënkupton ngritjen e një barriere gjatë këtij procesi.
Por, si shfaqet ky ndikim i influencës ruse tek popullatat e këtyre vendeve ?
Të dhënat në studim, flasin për një panoramë që ndryshon ndjeshëm nga vendet e fqinjësisë, pasi edhe pse ndikimi i influencës ruse është i lartë në rajon, qytetarët e këtyre vendeve do të preferonin të jetonin, të punonin dhe të studionin në Evropën Perëndimore, se sa në Rusi.
Një sërë sondazhesh, ofrohen në studim për të kuptuar qasjen dhe preferencat e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor. Sondazhi i Gallupit të vitit 2014, konfirmon se qytetarët serbë besojnë se Rusia është donatori kryesor i vendit, përpara BE. Studimi sqaron se, e marrë së bashku, BE dhe vendet e saj anëtare kanë shpenzuar 3.5 miliardë euro në rajon që prej vitit 2000. Në kontrast me këtë, Rusia vështirë se ka kontribuar në 1/10 e kësaj shume, kryesisht nëpërmjet huave se, sa nëpërmjet donacioneve dhe gjendet mbrapa SHBA apo edhe Japonisë në rajon.
Në dhjetor të vitit 2015, sondazhet e Ipsos, gjetën se 72% e qytetarëve serbë, kishin një pikëpamje pozitive për Rusinë, ndërsa 25% e tyre (dhe vetëm 7% për NATO) mbartnin një pikëpamje pozitive për BE. Vladimir Putin, është lideri më i besuar në Serbi, me një sondazh që e vendoste përpara Kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç. E njëjta situatë përshkruhet edhe mbi Republikën Serbe të Bosnjës, ku presidenti i saj ka kërcënuar vazhdimisht minimin e stabilitetit dhe mbështetja ndaj Rusisë ka arritur kulmin, përreth ngjarjeve shumë të mediatizuara si, veto e Rusisë mbi rezolutën e Këshillit të Sigurisë së Kombeve të Bashkuara (korrik 2015), që e konsideronte gjenocid masakrën e Srebenicës, pritja e Presidentit Putin në paradën ushtarake për 70 vjetorin e çlirimit të Beogradit (tetor 2014), ndihmat ajrore ruse pas përmbytjeve në vend, apo ndihmat humanitare ndaj serbëve të veriut të Kosovës (2011). Përkundrazi, në janar të vitit 2016, 47.3% e malazezëve mbështetën anëtarësimin në NATO, krahasuar me 37.1% që ishin kundër një anëtarësimi të mundshëm. Në Maqedoni, mbështetja për NATO është edhe më e lartë (83%) por meqenëse aderimi i vendit në BE është bllokuar, nuk ka një nevojë urgjente për të zgjedhur mes Perëndimit dhe Moskës.
Studimi konfirmon se, aftësia e Moskës për të ndikuar në politikat e brendshme dhe në shoqëri është
domethënës dhe falë madhësisë e pozicionit qendror të Serbisë në Ballkanin Perëndimor dhe prezencën e komuniteteve të gjera serbe në vendet fqinjë (Bosnjë-Hercegovinë, dhe Mali i Zi në veçanti), Serbia shërben si një kanal kryesor i influencës ruse në media, në debatet politike dhe opinion publik në mbarë rajonin.
Por, pavarësisht influence kësaj të konsiderueshme që ushtron politika ruse, në këto vende të Ballkanit Perëndimor, pragmatizmi duket se sundon në politik-bërjen ballkanike. Analizimet e sjelljeve dhe qëndrimeve politike të qeverive në pushtet, në studim, ofrojnë një panoramë interesante: Në Serbi, kryeministri Vuçiç i ka shtrënguar lidhjet me Perëndimin, duke ndjekur anëtarësimin në BE dhe duke thelluar bashkëpunimin me NATO, edhe pse Beogradi, Shkupi dhe Sarajeva (Republika Srpska) kanë refuzuar të mbështesin sanksionet e BE kundër Rusisë dhe janë të prirë të korrin përfitimet ekonomike nga lidhjet e vazhdueshme me Moskën; Mali i Zi që synon përshpejtimin e integrimit në NATO dhe në BE, ka zbatuar dhe mbështetur masat shtrënguese. Edhe pse vendi, ka parë nivele të larta të investimeve ruse, kryesisht në sektorin industrial, turizëm dhe pasuri të patundshme, lidershipi i tij është pozicionuar pro Perëndimit; Ndërsa në Shqipëri, influenca ruse është e neglizhuar.
Këtë lloj pragmatizmi të politik-bërjes ballkanike, sidomos në vendet ku influenca ruse është e lartë, studimi e perifrazon me një shprehje popullore, që e përshtatur në shqip do të ishte “ një dorë në bakllava e një dorë në revani”, pra edhe të integrohen në BE, por edhe të mos i kthejnë kurrizin Rusisë.
Për më tepër, kjo qasje e lartë pragmatike, shoqërohet me një preferencë zgjedhje të Evropës Perëndimore ndaj Rusisë, teksa sondazhet konfirmojnë se, shumica e qytetarëve të këtyre vendeve, do të preferonin të jetonin, të punonin dhe të studionin në Evropën Perëndimore se, sa në Rusi. Ajo çka i mungon Bashkimit Evropian, sipas studimit, është “tërheqja emocionale e Rusisë e rrënjosur në përkatësinë kulturore të përbashkët dhe një ndjesi e njëjtë viktimizimi përballë Perëndimit.”
Studimi i kërkuar nga Parlamenti Evropian, krijon një tablo të qartë mbi shqetësimin aktual, që shfaq influenca e Rusisë për Bashkimin Evropian. Përforcimi i masave nga BE, synon përballimin e kësaj propagande, që e zhvlerësuar prej vitesh, sot ka marrë përmasa të ndjeshme në terren, duke rezultuar me rritje të dominimit në zonat e influencës. Por, problematika shtrihet nga njëra anë, tek strategjia e kundër-propagandës, pasi logjika parimore kërkon që BE të mos luajë me të njëjtat karta si Rusia, pra të bazohet në dezinformime të kombinuara me teori konspirative kundër Rusisë, por thjesht të evidentojë dhe të faktojë pavërtetësinë e informacioneve, që shpërndahen. Nga ana tjetër, që kjo kundër-propagandë të jetë e suksesshme, duhet minimalisht një bashkëpunim i ngushtë i strukturave të inteligjencës së vendeve anëtare të BE me NATO-n, çka historikisht ka rezultuar jo shumë e frytshme, pasi vendet anëtare shfaqin shenja hezitimi për të bashkëpunuar ngushtësisht në këtë kuadër.
Im.Ta.
DITA
