Islanda refuzon BE-në, tërheq kandidaturën e aderimit

redaktor

Në një moment aspak të përshtatshëm për BE-në, me një krizë ekonomike që po transformon gradualisht bindjet politike të elektoratit, duke fuqizuar të majtën radikale në vendet e jugut, dhe të djathtën ekstreme në vendet e tjera, vjen goditja e radhës. Islanda tërheq kandidaturën e aderimit, duke refuzuar të bëhet pjesë e BE-së. Ç’po ndodh në Islandë dhe kush janë arsyet e kësaj tërheqje të menjëhershme?

Kandidatura në BE 

Skena politike islandeze është dominuar vazhdimisht nga parti dhe formacione politike të fuqishme euroskeptike, kryesisht të spektrit të djathtë. Arsyeja e këtij dominimi të fortë anti-BE, lidhet me elektoratin e gjerë, që gjen shtrirje në zonat rurale të fokusuara kryesisht në industrinë e peshkimit dhe agrikulturën. Nga ana tjetër, partitë euroskeptike të krahut të djathtë kryesisht Konservatorët dhe Agrarët janë të lidhur me lobet e Peshkimit dhe lobet e Agrikulturës. Grupe lobimi, që kanë rol të fuqishëm në mbrojtjen e interesave kombëtare dhe janë shumë aktivë në publik dhe në diskutimet publike, duke ndikuar fuqishëm edhe në formësimin e opinionit publik.

Ndonëse të djathtët kanë qëndruar në pushtet në periudha të gjata, kriza ekonomike e 2008-s, që e goditi rëndë Islandën, shkaktoi edhe zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet e 2009-s sollën për herë të parë në pushtet forcat pro-europiane Social-Demokratët, që formojnë një koalicion qeverisës me të Gjelbrit dhe të majtët e tjerë. Pikërisht nën këtë frymë evropiane, qeveria e majtë depoziton aplikimin në BE, vetëm tre muaj pas ardhjes në pushtet (27 korrik 2009). Aplikim, i cili gjeti dhe një rritje të mbështetjes popullore, e cila nën efektet e krizës, dhe rënies së monedhës vendase koronës, anonte drejt futjes në BE.

Dhe siç edhe pritej, me parametrat demokratikë që njeh Islanda, dhe me një pjesë të mirë të legjislacionit të BE-së, tashmë të përthithur, aplikimi i saj u mirëprit dhe iu akordua një prioritet i veçantë. Vetëm disa muaj më vonë në shkurt 2010 Komisioneri i Zgjerimit rekomandon hapjen e negociatave dhe gradualisht në qershor 2010, Këshilli vendos zyrtarisht hapjen e negociatave të aderimit në BE.

Por, kjo situatë nuk do të zgjasë shumë. Ajo do të përmbyset menjëherë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 2013-s, ku të djathtët vijnë sërish në pushtet. Koalicioni i Konservatorëve dhe Partisë Agrare, kundërshtarë të hapur të aderimit të Islandës në BE, frenojnë sërish avancimin e mëtejshëm.

Shqetësimet nga anëtarësimi në BE 

Panorama është interesante, pasi ndonëse në pushtet kanë ardhur sërish forcat anti-europiane, qëndrimi i Islandës është fuqizuar edhe me daljen graduale nga kriza ekonomike. Teksa kriza ekonomike e vitit 2008, goditi fort Islandën duke shkaktuar edhe falimentimin e tre bankave të mëdha tregtare në vend, Britania dhe Holanda kërkonin rimbursim të shumave financiare të depozituara në këto banka nga qytetarët e tyre. Ky presion po vinte në rritje aq sa Britania e Holanda po përdornin “kartën” e vendit anëtar për zgjidhje të politikave dypalëshe në kuadrin e fqinjësisë me Islandën. Pra, anëtarësimi në BE  po shikohej si një mjet presioni për të zgjidhur probleme dypalëshe. Ndërkohë qytetarët e Islandës ishin shprehur tashmë nëpërmjet një referendumi, se nuk ishin dakord që pikërisht ato të paguanin kostot e papërgjegjshmërisë të bankave private në Islandë.

Por, gjykimi i janarit 2013 të kësaj çështje nga EFTA dhe vendimi në favor të Islandës thelloi më tej diferencat ndërmjet vendit dhe BE-së, si edhe fuqizoi kundërshtimin e qytetarëve islandezë ndaj anëtarësimit.

Nga ana tjetër partitë në pushtet si konservatorët por edhe agrarët, të lidhur fuqishëm me grupet e presionit, kanë rikthyer vëmendjen tek prioritetet kombëtare në fushën e peshkimit dhe të agrikulturës, duke i nacionalizuar tërësisht ato. Frika ndaj kuotave të peshkimit, që mund të imponohen nga anëtarësimi në BE, si edhe ndalimi i gjuetisë së balenave, janë pika mjaft të ndjeshme të një elektorati të gjerë rural, që e bazon aktivitetin kryesisht në këto fusha, por edhe për të ardhurat dhe gjenerimin ekonomik në një nivel të brendshëm kombëtar. BE e ka akuzuar vazhdimisht Islandën për peshkim të tepruar (peshkim të kolorit) dhe Islanda nuk ka pranuar të ulë në asnjë moment kufizimin e këtij peshkimi. Anëtarësimi në BE, ekspozon frikën në masë se Islanda nuk do të ketë pushtetin e nevojshëm përballë politikave të përbashkëta të peshkimit të BE-së, duke e disfavorizuar ndjeshëm.

Në logjikën pragmatiste të koalicionit të djathtë qeveritar në pushtet, lidhjet e forta që Islanda ka me SHBA dhe partneriteti dypalësh me BE-në në disa prej fushave si Hapësira Ekonomike Europiane (EEE) dhe Shengen, e bëjnë të panevojshëm një anëtarësim të vendit në familjen evropiane. Përballë kësaj logjike parashtrohen dhe argumentet aspak pozitivë të një Europe që ka ndryshuar shumë që prej vitit 2009 ku Islanda hodhi kandidaturën për aderim.

Nën këtë këndvështrim tejet nacionalist dhe pragmatik, të djathtët në pushtet miratuan hapësirën e duhur ligjore për të mundësuar tërheqjen përfundimtare të Islandës nga BE. Vendim, që pritet të zyrtarizohet formalisht në ditët në vijim edhe nga parlamenti kombëtar. Por, teksa qëndrimi pragmatik i Islandës inkuadrohet në një vijimësi logjike, duke u përputhur tërësisht me interesat kombëtare të vendit, pozicionimi i BE-së nuk është aspak komod. Momenti në të cilën kjo kandidaturë u tërhoq nuk është aspak i favorshëm si në skenën e brendshme politike, por edhe në atë të jashtme. Konteksti i krizës së zgjatur ekonomike po transformon panoramën politike të vendeve të jugut me një tendencë rrëshqitje drejt radikalizmit të majtë. Kjo tendencë rrëshqitje e elektoratit vërehet edhe drejt ekstremit të djathtë në vende të tjera të BE-së. Të dy ekstremet si majtas, por edhe djathtas në retorikën e tyre janë anti-BE dhe me një theks të veçantë mbi politikat dhe prioritetet kombëtare. Në një frymë të tillë, jo shumë popullore ndaj BE-së, tërheqja e kandidaturës së Islandës sigurisht që do të ketë efektet e saj. Minimumi mbi shtimin e dozës së një reflektimi pragmatik mbi interesat momentale kombëtare. Ndonëse e debatueshme në parim, tendenca tashmë është e njohur, nën moton se “BE mund të vilet në kohë krize ekonomike kombëtare, dhe të refuzohet në rast ndarje të të mirave materiale”./im.ta/

 

 

 

 

Share This Article