Ja çfarë presin qytetarët evropianë nga BE

redaktor
Jigsaw puzzle flag of European Union with United Kingdom flag piece, isolated on white

Kriza britanike pritet të marrë formën përfundimtare për zgjidhje në muajt në vijim. Qëndrim apo dalje përfundimtare, çdo opsion është i mundshëm, për sa kohë do të ketë edhe vullnete politike, që mund të interpretojnë apo të ripozicionojnë qëndrimin e qytetarëve britanikë. Ndërkohë Evropa nuk ka kohë për të humbur. Çdo moment krize, që ka njohur Unioni, është shoqëruar me reflektim për një Evropë më të mirë. Një reflektim, që në fakt ka kohë që ka nisur, me mbledhjet sistematike të gjashtë vendeve themeluese të Komunitetit. Synimi, vizioni mbi të ardhmen. Ndoshta një frymëmarrje e re identiteti dhe vlerash, por edhe pragmatizmi dhe interesash të përbashkëta.

Të nesërmen e Samitit të mbledhur me prezencën e kryeministrit të dorëhequr britanik Kameron, Evropa e 27 vendeve u rimblodh për të reflektuar jo vetëm mbi pozicionimin e përbashkët ndaj Londrës, por edhe për të skicuar linja të përgjithshme të një reflektimi mbi projektin e ardhshëm evropian. Reflektim, që pritet të vijojë me mbledhjen e radhës më 15 shtator, të 27 vendeve në Bratislavë të Sllovakisë, vendi që mban dhe presidencën e radhës të Këshillit të BE.

Lidhja me qytetarin duhet të jetë qendra e rreth-rrotullimit të projektit evropian. Por, çfarë kërkon qytetari evropian nga Evropa? Si e shikon ai projektin evropian dhe kush janë fushat që ai vlerëson, se roli i Evropës duhet të jetë më pak, apo, më shumë konkret dhe i rëndësishëm ?

Në muajin prill 2016, kemi zhvillimin e një sondazhi të kërkuar nga Parlamenti Evropian, ku rreth 28 mijë shtetas evropianë, i janë përgjigjur pyetjeve të ndryshme, mbi çështjet e mëdha të ditës.

Të dhënat, që ky sondazh ofron japin një panoramë të qartë se, ku orientohen kërkesat e qytetarëve ndaj Unionit dhe kush janë pritshmëritë e tyre.

Jo rastësisht, këto të dhëna flasin për një shumicë të konsiderueshme të qytetarëve evropianë  (77%) të cilët kërkojnë që Unioni të jetë më aktiv në fushën e papunësisë. Sigurisht, me vendet e Jugut, që kryesojnë me përqindjet më të larta (mbi 90%).

Pas saj, renditen kërkesat për një rol më aktiv të Unionit në fushën e terrorizmit, ku më shumë se 8 qytetarë në 10, kërkojnë më shumë ndërhyrje nga BE. Ndërmjet masave, që PE ka ndërmarrë, qytetarët konsiderojnë si më urgjente luftën ndaj financimit të grupeve terroriste dhe luftë ndaj rrënjëve të terrorizmit dhe radikalizmit, si edhe fuqizimin e kontrolleve kufitare. 61% e tyre besojnë se mbrojtja e kufijve është e pamjaftueshme, dhe 71% e tyre duan që BE të jetë më shumë aktive në këtë fushë. Ndërkohë që në lidhje me fushën e migrimit 74% e tyre janë shprehur për një rol më të lartë që BE duhet të luajë në këtë fushë.

Jo shumë kohë pas skandalit të “Panama Papers”, lufta ndaj mashtrimit fiskal është shndërruar në një çështje prioriteti për qytetarët evropianë. Vetëm 1 në 5 qytetarë të pyetur është shfaqur i kënaqur me përgjigjen e Unionit në këtë sferë. 2/3 e të gjithë qytetarëve të pyetur kanë deklaruar se, nuk ka mjaftueshëm veprim në këtë fushë.

Në vijim të Konferencës së Parisit mbi Klimën, mbrojtja mjedisore ngelet gjithashtu një shqetësim i lartë. 67% e të pyeturve kërkojnë një angazhim më të madh evropian në këtë fushë.

Vëmendje tërheq fakti se, 3 në çdo 4 qytetarë të pyetur, janë shprehur se “ besojnë se ajo çka i bashkon ata, është më e rëndësishme se ajo çka i ndan.”

Shifrat nuk masin ndjesinë e përgjithshme, që evropianët kanë ndaj BE-së, as sjelljen e tyre kundrejt integrimit. Por, ato tregojnë se një shumicë e madhe e qytetarëve evropianë, kërkojnë që Unioni të jetë më shumë aktiv në fushat, që i shqetësojnë më shumë ato.

Teksa pritet në muajt në vijim, zgjidhja e krizës së konservatorëve dhe vendimi përfundimtar i britanikëve, BE-27 do të qartësojë më tej platformën e saj të veprimit pas mbledhjes së Bratislavës, që do të ndiqet më pas me Samitet e muajit tetor dhe dhjetor 2016. Ndërkohë ka zëra presioni nga vendet themeluese të Komunitetit siç është zëri i Belgjikës, për të mos humbur kohë dhe për të avancuar më tej me projektin evropian. Në logjikën e arritjes së objektivit për të pasur një “tekst” me vlerë historike në përkujtimin e 60 vjetorit të Traktatit të Romës, në mars të vitit 2017. Për momentin, të 27 vendet, duket se kanë ranë dakord në një pikë, të përafrojnë qytetarin me projektin evropian, duke iu prezantuar atyre një platformë konkrete dhe të vlefshme mbi dy akse, që shqetësojnë më shumë qytetarët evropianë, papunësia dhe siguria./im.ta/DITA

Share This Article