Ja pse shqetësohen qytetarët evropianë

redaktor

Komisioni Europian monitoron vazhdimisht opinionin publik  në shtetet anëtare të tij, që prej vitit 1973. Ky monitorim i shërben për të analizuar evoluimin e opinionit publik në kohë, në lidhje me politikat kryesore që ndërmerren nga institucionet e BE-së dhe që prekin edhe qytetarët evropianë, si situata ekonomike, sociale, politika e jashtme, mbrojtja, zgjerimi, etj. Monitorimi përfshin edhe mendimin e qytetarëve evropianë mbi institucionet e brendshme kombëtare. Eurobarometri i fundit i kryer pas zgjedhjeve evropiane dhe i publikuar vetëm disa ditë më parë, më 25 korrik, është bazuar në intervistat individuale të 32 689 personave në vendet anëtare dhe në 5 vendet kandidate.

Besimi i evropianëve në institucionet kombëtare dhe evropiane 

Një ndër elementët që tërheq vëmendjen në të dhënat e Eurobarometrit, është niveli i lartë i mosbesimit qytetar ndaj institucioneve kyçe kombëtare dhe evropiane. 68% e qytetarëve evropianë shprehen se, nuk kanë besim në qeverinë kombëtare dhe 65% është niveli i mosbesimit ndaj parlamenteve kombëtarë. Në të njëjtin nivel të lartë shfaqet dhe mosbesimi i qytetarëve evropianë ndaj BE-së. Vetëm 31% e tyre shprehen pozitivë në besimin ndaj BE-së.

EB81-2014
EB81-2014

Por, nëse i referohemi të dhënave të grafikut, vërehet se rënia graduale e besimit qytetar nis rrëshqitjen në momentin, kur kriza ekonomike në Europë fillon shfaqjen e saj. Mënyra se si qeveritë kombëtare janë përballur dhe vazhdojnë të përballen me krizën dhe efektet e saj, (rritja e papunësisë, rritja e borxheve qeveritare, rritja e çmimeve dhe taksave, etj) mund të jenë disa nga arsyet kryesore, që konsiderohen se ndikojnë në rritjen apo uljen e besimit qytetar ndaj këtyre institucioneve. Besimi i qytetarëve ndaj institucioneve sigurisht që ndërlidhet me efikasitetin e menaxhimit të detyrave të ngarkuara si edhe me përballjen ndaj sfidave të ndryshme. Kur performanca qeverisëse nuk arrin të prodhojë rezultatet e dëshiruara nga publiku, fillon gradualisht dhe rënia e besimit qytetar ndaj saj. Kjo mund të shpjegojë edhe faktin pse vendet më të prekura nga kriza si Greqia apo Spanja, njohin nivelin më të lartë të mosbesimit ndaj institucioneve kombëtare (parlament, qeveri dhe parti politike).

Por, pavarësisht panoramës së mësipërme, qytetarët e BE-së shfaqin shenja optimizmi për sa i përket të ardhmes së Unionit. Më shumë se gjysma e qytetarëve evropianë 56%, shprehen optimistë, ndërsa pesimizmi njeh rënie me -5% duke shkuar në nivelin prej 38%. Optimizëm i lartë vërehet në Maltë, Rumani dhe Lituani (75%), ndërsa pesimizmi mbi të ardhmen e BE-së shfaqet i lartë në Greqi (56%), Portugali (48%), dhe Britani e Madhe (45%).

Në lidhje me ndjesinë e të qenurit qytetar i BE-së, qytetarët bullgarë (53%), italianë (50%) dhe greke janë shprehur në shumicë, se nuk ndjehen aspak qytetarë të BE-së. Menjëherë pas këtyre tre vendeve, renditen qytetarët britanikë, që shprehen në një nivel prej 46% se nuk ndjehen qytetarë të BE-së, kundrejt një shumice prej 52% që deklarojnë se ndjehen të jenë qytetarë të BE-së.

Për sa i përket vlerësimit në lidhje me BE, se kush është rezultati më i mirë i saj, qytetarët evropianë kanë renditur në vend të parë, qarkullimin e lirë të personave, të të mirave dhe shërbimeve në gjirin e BE-së (56%) në vend të dytë renditet paqja ndërmjet vendeve anëtare ( 54%) dhe në vend të tretë euro (25%) .

Shqetësimet kryesore të qytetarëve evropianë 

Problematika kryesore që shqetëson qytetarin evropian është ekonomia me (39%). Gjendja ekonomike shfaqet si shqetësim kombëtar kryesor në Qipro (54%), Spanjë (52%), Holandë (49%), Francë (46%) Itali dhe Irlandë (45%). Në vend të dytë të problematikave shqetësuese për qytetarin evropian, renditet papunësia me (34%). Ajo shfaqet si problemi më shqetësues nga qytetarët e Qipros (54%), Italisë (53%), Luksemburgut (48%), Portugalisë (47%) dhe Danimarkës (42%). Problematika që renditet në vend të tretë është gjendja e financave publike të shteteve anëtare (25%). Vërehet se qytetarët gjermanë shprehin shqetësimin më të lartë  (42%) në lidhje me gjendjen e financave publike të shteteve anëtare, të ndjekur nga qytetarët austriake me (35%) dhe qytetarët e Republikës Çeke me (35%).

Por, elementi që tërheq vëmendjen, nga të dhënat e Eurobarometrit, është rritja në përqindje e shqetësimit ndaj imigracionit, duke u renditur në vend të katërt me 21%. Në Eurobarometrin e pranverës 2013, imigracioni shfaqte shqetësim vetëm në 11% të qytetarëve të BE-së. Qytetarët evropianë, që janë më të shqetësuar në lidhje me imigracionin janë në Maltë me (55%), të ndjekur nga Britania me (29%), Bullgari, Gjermani me (28%) dhe Holanda me (27%).

Gjithashtu një vëmendje të veçantë, tërheq edhe prononcimi i qytetarëve evropianë në lidhje me politikat e zgjerimit të BE-së. 49% e qytetarëve evropianë, janë shprehur kundër një zgjerimi të mundshëm të BE-së dhe vetëm 37% prej tyre janë shprehur pro. Qytetarët evropianë të cilët janë shprehur në shumicë kundër zgjerimit janë, në Francë 69%, Luksemburg 65%, Finlandë 63%, Holandë 62%, Belgjikë 62%, Austri 57%, Danimarkë 52%, Britani 52%, Greqi 50%.

Kushtet e jetesës dhe rreziku për rënien në varfëri

Por, pavarësisht krizës ekonomike që po kalon BE që prej 2007-2008, një shumicë e konsiderueshme evropianësh vlerësojnë se kushtet e tyre të jetesës janë të kënaqshme: ato shprehen të kënaqur mbi banesat e tyre (89%), mbi cilësinë e jetës, në lagjen në të cilën ato jetojnë (85%), mbi gjendjen e tyre shëndetësore (82%), mbi nivelin e tyre të jetës (76%) dhe mbi kohën që kanë në dispozicion për të bërë atë që dëshirojnë (74%).

Në rang kombëtar grupimi i parë, që shfaqet me vlerësimin më të lartë, që shpreh kënaqësi me nivelin e tyre të jetesës është: Suedia (97%), Danimarka (96%), Holanda (94%), Luksemburgu (93%) Austria (90%) Finlanda (90%), Britani e Madhe (90%), Malta (89%), Belgjika (87%), Gjermania (87%) dhe Irlanda (87%). Grupi i dytë përbëhet nga Franca (79%), Qipro (76%), Sllovenia (74%), republika Çeke (73%), Estonia (70%), Greqia (55%) dhe Hungaria (55%). Bullgaria është vendi i vetëm, ku 65% e popullsisë shprehen të pakënaqur me nivelin e tyre të jetesës.

Rreziku i perceptuar për rënien në varfëri sipas EB-së, njeh diferenca ndërmjet vendeve të ndryshme: në dhjetë nga vendet anëtare, një shumicë e personave të pyetur kanë ndjesinë se rrezikojnë rënien në varfëri. Këto vende kryesohen nga Greqia (56%), Lituania dhe Letonia me (48%), Kroacia (47%), Hungaria (46%), Sllovakia dhe Qipro (44%) dhe Spanja (43%).

Në 16 shtete anëtare, një shumicë personash të pyetur nuk janë aspak dakord me këtë pohim për rrezik rënie në varfëri, Finlanda (82%), Malta (74%),  Suedia (74%), Danimarka (74%), Holanda (65%) dhe Austria (65%).

Sipas të dhënave të Eurobarometrit të fundit, problematika më kryesore që shqetëson qytetarët evropianë ngelet ekonomia dhe efektet e lidhura me të. Niveli i lartë i mosbesimit ndaj institucioneve kryesore kombëtare dhe evropiane mbartin elementë ndërlidhës, që shpjegohen nëpërmjet mënyrës se si faktorët politikë kanë arritur të përballen dhe të menaxhojnë krizën ekonomike, financiare dhe pasojat e lidhura me të si rritja e papunësisë, rritja e çmimeve, rritja e niveli të borxhit kombëtar, etj. Gjithsesi një tendencë optimizmi e lehtë vërehet për sa i përket mendimit qytetar mbi kalimin e pikës më të lartë të krizës. Shumica e qytetarëve evropianë shprehen gjithashtu të kënaqur në lidhje me aspekte të ndryshme të kushteve të tyre të jetesës. Fenomenet shqetësuese që njohin rritje, ngelen imigracioni, i cili shfaqet si më shqetësues për Maltën, Bullgarinë, Gjermaninë, Holandën dhe Britaninë. Gjithashtu politikat mbi zgjerimin nuk  shfaqen aspak pozitive për qytetarët e BE-së, duke u deklaruar në 47% kundër tyre dhe në 10 prej vendeve anëtare vërehet një deklarim refuzues qytetar në shumicë, kundër politikave të një zgjerimi të mëtejshëm të BE-së. Sigurisht që edhe këto të dhëna, duhen parë edhe lexuar në kontekstin e një krize të gjatë ekonomike, e cila ndërlidh në botëkuptimin qytetar evropian edhe faktorët e mësipërm si zgjerimi dhe imigracioni./im.ta/

 

 

 

Share This Article