Teksa pritet zhvillimi i Samitit BE-Turqi, për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët në lidhje me krizën e migrimit, BE do të vendosë mbylljen e rrugës së Ballkanit Perëndimor për refugjatët. Një vendim, që pritet të miratohet ditën e nesërme (07.03), por me të cilën tashmë janë njohur këtë të diel (06.03), ambasadorët e BE-së. Por, ç’do të thotë kjo mbyllje dhe si mund ta lexojmë atë ?
Përgjatë turit të tij diplomatik, vetëm një javë përpara zhvillimit të Samitit, kreu i Këshillit Evropian, polaku Donald Tusk përcolli një sërë mesazhesh, ku më të rëndësishmet ishin Rikthimi në Shengen, përforcimi i kontrolleve të jashtëm të Unionit, mbështetje e lartë ndaj Greqisë, si edhe arritja e domosdoshme e një marrëveshje me Turqinë.
Kjo e fundit, pra gjetja e gjuhës së përbashkët me Turqinë, synon kryesisht uljen drastike të fluksit të refugjatëve, që kërkojnë Evropën. Sigurisht në këmbim të kërkesave turke, që shkojnë sa në drejtim financiar, por edhe në përafrim të Turqisë me BE, në fushën e integrimit dhe të liberalizimit të vizave.
Në rastin hipotetik të gjetjes së një akordi me Turqinë, atëherë deklarimi i mbylljes së rrugës së Ballkanit për refugjatët, nënkupton se situata do të merret gradualisht në dorë nga Unioni. Pra, siç edhe Tusk premtoi, do të ketë një rritje të vëmendjes, ndihmës dhe mbështetjes së lartë evropiane ndaj Greqisë, sa ndaj menaxhimit dhe administrimit të flukseve në territorin e saj, por edhe për një “shpërndarje të përbashkët evropiane të përgjegjësisë”.
Kjo shpërndarje e përbashkët e përgjegjësisë, sjell në vëmendje një tjetër lëvizje apo iniciativë, e ndërmarrë gjithashtu vetëm 3 ditë përpara zhvillimit të Samitit, paralelisht me turin diplomatik të Tusk. Në krye të kësaj iniciative janë Ministrat e Brendshëm të Gjermanisë dhe të Italisë, ku nëpërmjet një letre të përbashkët, i kërkojnë Komisionit Evropian, reformim të Sistemit Evropian të Azilit, si edhe kritere objektivë për shpërndarjen e refugjatëve.
Reformimi i Sistemit Evropian të Azilit, do të thotë ndër të tjera, një sistem i përbashkët azili, ku barrën për të mbajtur gjithë refugjatët të mos e kenë vetëm shtetet, që gjenden në vijën e parë të frontit në kufijtë e jashtëm, siç po ndodh aktualisht me rëndimin e Italisë apo Greqisë. Rëndim, që e imponon rregullorja e Dublinit. Ndërsa, kërkesa për kritere objektivë për shpërndarjen e refugjatëve, tashmë vjen e ripërsëritur dhe kërkon një logjikë shpërndarje me bazë më të gjerë, ku të përfshihen edhe shtetet, që refuzojnë kuotat. Elementët e mësipërm të kërkuar nga Gjermania dhe Italia shkojnë në të njëjtën linjë, me logjikën vijuese të deklarimit të bllokimit të rrugës së Ballkanit, që imponon shpërndarje të përbashkët përgjegjësish.
Udhërrëfyesi mbi Shpëtimin e Shengenit, që tashmë u bë publik nga Komisioni Evropian, përfshin një sërë fazash angazhuese, në një frymë që imponon solidaritet, për të shkuar gradualisht drejt një përqasje të përbashkët në lidhje me reformimin e sistemit të azilit. Marrëveshja me Turqinë është thelbësore dhe BE duket se, ka zbutur krejtësisht tonet edhe pse iniciativat e fundit në politikën turke flasin për shkelje të drejtave themelore, lirisë së shtypit dhe të shprehjes.
Por, koha nuk pret. Evropës i duhet zgjidhja. Morali nuk ka pse ngatërrohet nëpër këmbë. Në fund të fundit, këtë nënkupton edhe filozofia qartësisht e prerë dhe në forma të padiskutueshme e stilit gjerman, se “Nuk do të bëjmë arbitrin, për të gjithë planetin, në lidhje me të drejtat e njeriut !” /im.ta./ Dita
