Ja, si Evropa do të rikthehet në normalitet

redaktor

“Nuk ka dyshim se, se ne duhet të rikthejmë Shengenin. Do të na kushtojë para, do të marrë kohë dhe do të kërkojë një përpjekje të madhe politike. Do të ketë vende, që nuk do të munden të përballen me këtë sfidë. Por, Evropa do të jetë atje, për t’i ndihmuar ato. Ne duhet të investojmë tek Shengen, dhe jo tek kolapsi i tij!”

Me këto fjalë, do t’i drejtohej Presidenti i Këshillit Evropian, polaku Donald Tusk, Parlamentit Evropian, më 24 shkurt.

Teksa pritet se, si mund të orientohen bisedimet dhe zgjidhja e çështjes me Turqinë, përgjatë Samitit të 7 Marsit, por edhe atij në vijim më 17-18 Mars, kreu i Këshillit Evropian ka ndërmarrë një tur diplomatik të rëndësishëm në një sërë vendesh, nën misionin e pagëzuar “Back to Schengen”.

Vjena, Lubjana, Zagrebi, Shkupi, Athina, Ankaraja dhe Stambolli janë në fokusin lobues të Tusk, me synim ndërtimin e një konsensusi evropian për përballimin e një prej krizave më të rënda që po has Evropa. Dhe kjo, vetëm një javë përpara organizimit të Samitit, BE-Turqi.

Jo rastësisht ky tur diplomatik ka nisur me Vjenën, e cila ka lëvizur në mënyrë strategjike sa duke u distancuar nga bashkëpunimi dhe solidariteti që mbante në të njëjtën linjë me Berlinin, duke deklaruar kufizimin e kuotave të pranimit të refugjatëve, por edhe nëpërmjet organizimit të konferencës me disa prej vendeve të Ballkanit Perëndimor, që ka shkaktuar një bllokim të situatës në kufirin me Greqinë.

Por, çfarë synon ky tur diplomatik dhe si do të orientohen bisedimet me Turqinë dhe dalja e mundshme nga kjo krizë ?

Nëse lexojmë mesazhin që iu përcoll Vjenës, ai orientohej në dy drejtime: rikthim në Shengen duke zbatuar rregullat që lidhen me të, dhe angazhim intensiv për përmirësimin e bashkëpunimit me Turqinë. Pra, që të ketë një rikthim në Shengen, fillimisht kërkohet një bashkëpunim në bllok (28 vende), duke përjashtuar zgjidhjet në grupime shtetesh, pasi vetëm nëpërmjet këtij bashkëpunimi do të bëhet i mundur edhe përballimi i pasojave humanitare, që mund të shkaktojnë vendimet, që planifikohen të ndërmerren.

Edhe në Kroaci qëndrimi ishte i së njëjtës linjë, se nuk ka alternativë tjetër veç respektimit të Shengen dhe se rregullat e tij do të jenë baza e një zgjidhje për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kjo paralelisht me zbatimin e plan-veprimit të përbashkët Turqi-BE, çka pritet të sjellë një reduktim të ndjeshëm të fluksit të migrimit drejt tokës evropiane.

Por, në Kroaci u theksuan edhe disa prioritete në lidhje me këtë strategji. Ndër to spikat, orientimi për të refuzuar hyrjen në territor të shtetasve të vendeve të treta, që nuk plotësojnë kushtet e nevojshme, që lidhen me aplikimin e tyre për azil, në vendin e parë hyrës në Evropë. Pra, një orientim që lidhet me zbatimin e detyrueshëm të rregullores së Dublinit, që imponon këtë kriter. Por, që rëndon shtetet në vijën e parë të pritjes si Greqia, apo Italia.

I njëjti mesazh, mbi të njëjtën platformë u përcoll edhe në Slloveni.

Ndërkohë që në Greqi mesazhi ishte paksa më i veçantë. Teksa u ripërsërit sërish vullneti i padiskutueshëm evropian se, Greqia nuk mund të lihet jashtë Shengen, Tusk konfirmoi sërish, se BE është e angazhuar tërësisht, për të mos e lënë vetëm Greqinë në përballje me këtë krizë. “Greqia dhe populli grek po paguajnë një çmim të lartë, për një problem, që nuk e krijuan ato vetë”, deklaroi Tusk në Athinë.

Plan-Veprimi me Turqinë u ritheksua edhe në Athinë si një prioritet dhe se duhet bërë gjithçka, që evropianët t’ia dalin. Pra, synimi është ulja e numrit të lartë të flukseve si edhe përshpejtim i kthimit të migrantëve të paligjshëm, që arrijnë në Greqi nga Turqia. Vetëm dje, u theksua, se ishin kthyer 300 migrantë drejt Turqisë.

Në këtë kuadër, Tusk i drejtoi nga Athina edhe një mesazh migrantëve potencialë të cilët synojnë tokën evropiane. Mesazh, që i kujtonte atyre :“ Të mos vijnë, të mos u besojnë trafikantëve, të mos rrezikojnë jetët e tyre dhe paratë e tyre, pasi gjithçka do t’iu shkojë dëm. Asnjë vend evropian nuk do të jetë më vend tranzit dhe se rregullat e Shengenit do të hyjnë sërish në fuqi.” 

Teksa pritet vijimi i turit diplomatik në Ankara dhe Stamboll të Turqisë, duket se orientimi i liderëve të BE-së, do të vazhdojë në të njëjtën linjë me qëndrimet e dhjetorit 2015, pra  një marrëveshje efikase me Turqinë për uljen dhe bllokimin e flukseve te refugjatëve, krijimi i trupave evropiane për të bërë të mundur një kontroll të plotë të kufijve të jashtëm të Unionit, si edhe një rikthim gradual në normalitet të Shengenit.

Nëse i referohemi dhe drafteve paraprake, që kanë rrjedhur për shtyp, axhenda e planifikuar  mund të çojë drejt një zgjidhje të kësaj situate, deri në dhjetor 2016.

Pra, së shpejti (12 mars) pritet që Greqia të prezantojë një plan veprimi për zbatimin e 50 rekomandimeve të kërkuara nga Këshilli, për rivendosjen e kontrollit të jashtëm kufitar.

Ndërkohë që Komisioni (16 mars) pritet të dalë me një propozim mbi rregulloren e Dublinit, që detyron azilkërkuesit të kërkojnë azil, në vendin e parë hyrës në Union.

Paralelisht Frontex duhet që brenda muajit mars, të kërkojë që skuadrat e ruajtjes kufitare evropiane dhe pajisjet teknike të shkojnë në mbështetje të vendeve, që janë në vijën e parë të përballimit të situatës.

Në muajin qershor, pritet që Këshilli të arrijë marrëveshjen mbi ekipet ruajtëse të përbashkëta evropiane të kufirit të jashtëm të BE-së, dhe të prezantojë vlerësimin e tij në kthimin mbrapsht të migrantëve drejt Greqisë, sipas udhëzimeve të rregullores së Dublinit.

Në muajin shtator pritet që ekipet e ruajtjes bregdetare dhe kufitare të kufijve të jashtëm të Unionit të jenë operacionalë, dhe deri nga muaji nëntor, ato të jenë në funksion me kapacitet të plotë. Duke bërë të mundur që deri në fund të këtij viti, pra në muajin dhjetor 2016, në rast se gjithçka shkon sipas planeve të parashikuara, të krijohen rrethanat e duhura që Shengeni të rikthehet sërish në gjendjen e tij normale.

Por, të gjendur në këto rrethana dhe në mungesë të plotë konsensusi në lidhje me alternativa të tjera bashkëpunimi për të dalë nga kjo krizë, sa të larta do të jenë kërkesat nga pala turke ?! Asgjë nuk është e sigurt, por përveç kërkesave financiare në rritje, mund të pritet edhe një liberalizim i shpejtë i vizave për Turqinë, avancim në kapituj të tjerë negocimi, si edhe zbutje kriteresh ndaj hapjes dhe mbylljes së përkohshme të kapitujve të tjerë. Koha nuk pret dhe zgjidhjet janë të kufizuara. Ndërkohë që kostot vetëm rriten, duke gjeneruar pasiguri dhe mungesë stabiliteti, dëmtim të imazhit dhe sidomos vlerave themelore që Unioni mbart./im.ta/

Share This Article