Kandidatura e forcës fituese të zgjedhjeve evropiane, PPE, Jean Claude Juncker, për postin e Presidentit të KE-së, po shkakton kontestime të forta. Refuzimet ndaj kandidaturës së tij, vijnë në një moment kur vendimi i votës së qytetarëve duhet të aplikohet, si rregulli bazë i një loje demokratike. Por, terreni politik për eliminimin e mundshëm të kandidaturës së tij, ishte tashmë i parapërgatitur. Po përse kontestohet kaq fuqimisht Jean Claude Juncker, aq sa një emërim i mundshëm i tij mund të shkaktojë edhe destabilizim në qeverinë e Londrës, duke kërcënuar për referendum dalje nga BE?
Përtej idesë tashmë të konfirmuar se kandidatura e tij ishte e paravendosur për t’u shmangur, kontestimi i tij, vjen në një klimë politike pas zgjedhore aspak pozitive me një rezultat të kampit fitues (PPE), që normalisht mund të konsiderohet edhe humbës (61 vende më pak). Në këtë panoramë ndikon dhe rritja e partive populiste, që tronditën politikisht si Francën, por edhe Britaninë.
Orientimi i Francës mbi këtë situatë është reflektuese e situatës politike në vend. Socialistët e Holande në pushtet, me një humbje të konsiderueshme dhe me një votë qytetarësh të drejtuar drejt ekstremit të djathtë, kërkojnë rikthimin e vëmendjes dhe tërheqjen e mundshme të elektoratit, me një lëvizje taktike politike në nivel europian. Ato kërkojnë një mundësi për rritjen e besueshmërisë së elektoratit francez në këto momente, duke propozuar si kandidaturë jashtë gare dhe në shpërfillje të votave të qytetarëve evropianë, ish Ministrin e Financave të Francës, Pierre Moscovici. Një lëvizje strategjike, e cila lë një shije të hidhur, teksa shikon vullnetin e hapur për injorim të rregullave demokratike në nivel evropian dhe kjo thjesht për hir të disa interesave të ngushta partiake-nacionale.
Pozicionimi i Britanisë ndaj Juncker, vjen po ashtu si reflektim i situatës politike të brendshme në vend. Kryeministri i saj Kamerun, ka nxjerrë si arsye kryesore për mospranimin e kandidaturës së Juncker, faktin se ai është një politikan i viteve ’80, që nuk përmban aspak profilin e një drejtuesi reformues. Nëse Juncker do të mund të emërohet në krye te KE-së, shpresat britanike për një negocim të mundshëm të suksesshëm me BE-në, janë të zbehta. Kamerun, i ka premtuar britanikëve, se në rast dështimi negocimesh për reformim të BE-së, në përshtatje edhe me interesat specifike britanike, ai do të zhvillojë një referendum që do t’i mundësojë Britanisë daljen nga BE (2017). Por, Kamerun nuk mund të vendosë dot veton ndaj kandidaturës së Juncker dhe kjo është një nga arsyet pse kërcënimi i tij është tejet i skajshëm. Kamerunit i nevojitet gjithashtu edhe mbështetja e liderëve të tjerë në Këshill. Aktualisht Budapesti, Stokholmi, Haga, Helsinki, dhe Parisi janë shprehur gjithashtu kundër Juncker.
Rezistenca e elitave
Tradicionalisht dhe historikisht zgjedhja e kreut të KE-së, është kryer pas dyerve të mbyllura dhe në një vijimësi negocimesh mes vendeve anëtare. Një proces, që nuk e kishte transparencën publike një domosdoshmëri në vetvete. Negocimet përfshinin transferimet dhe shkëmbimet e interesave të ndryshme kombëtare, në përputhje me mbështetjen aktuale ndaj një kandidati. Në momentin që rregullat e lojës ndryshojnë dhe procesi është transparent dhe më demokratik, përtej dëshirës për ta aprovuar atë në princip, në thelb duket se mekanizmi funksionues, po has në një rezistencë të vërtetë elitash.
Që kandidatura e Juncker të mund të kalojë, kërkohet votim me shumicë të cilësuar, në një Këshill me përfaqësues në shumicë të së djathtës. Por, nëse Italia (Renzi është shprehur kundër Juncker), ose Franca abstenon ose voton kundër, siç edhe është deklaruar paraprakisht dhe nga ana tjetër Juncker nuk merr dot as votat e Britanisë, Suedisë dhe Hungarisë kandidatura e tij gjykohet si e vështirë për të kaluar.
Gjithsesi, edhe nëse Juncker arrin të kalojë fazën e parë (Merkel po rrit në këto momente presionin politik për miratimin e Juncker dhe pavarësisht kërkimit të shumicës së cilësuar, që kerkohet për miratimin e kandidatit, krerët e shteteve në Këshill synojnë gjithmonë arritjen e konsesusit më të lartë mes tyre), atëherë atij do t’i nevojitet dhe mbështetja e shumicës absolute në Parlamentin Europian, e cila me konfiguracionin aktual nuk mund të kalojë vetëm me mbështetjen e PPE-së (213 vota), por nevojitet një koalicion mbështetës. Këtu gjithashtu hyjmë në një sferë, e cila ka ngjallur shumë polemika, pasi e majta e bashkuar mund të pretendojë paraprakisht, se mund të arrijë shumicën për të kaluar kandidatin e tyre. Kjo logjikë parashtrohet gjithashtu në formatin e një kornize ligjore, me mjaft raste analoge në profilet qeverisëse kombëtare, ku megjithëse një parti fiton garën ngushtësisht, mundësia për të formuar qeverinë, mund edhe të mos jetë e saj (qeveria e Luksemburgut 2013, qeveria belge 2010, etj)
Juncker, profili i një kandidature të kontestuar
Kandidati i kontestuar nga vetë familja e tij politike, Jean Claude Juncker, shfaqet me një profil sa polemik, po aq edhe të debatuar. Me një eksperiencë politike tejet të konsiderueshme, ish kryeministri i Luksemburgut ka dhënë kontributin e tij si President i Eurogrupit dhe si Mediator mes krerëve të shteteve përgjatë krizës ekonomike.
Me një prerje komunikimi të drejtpërdrejtë, ai është shfaqur përgjatë fushatës elektorale, si mbështetës i fuqishëm i politikave aplikuese mbi masat e ashpra shtrënguese ekonomike në periudhën e krizës, e cila la gjurmët e saj në Geqi, Spanjë, Portugali dhe Irlandë.
Juncker është shprehur hapur se do të formësojë një Komision Europian më politik, me njerëz të veprimit dhe jo thjesht funksionarë. Ai është pozicionuar pro ndjekjes së strategjive politike, që synojnë zotërimin e krizave ekonomike apo financiare që riciklohen vazhdimisht, të njohura ndryshe si politikat anticiklike, për lançimin e rritjes ekonomike dhe është pro procedimit të mëtejshëm dhe nënshkrimit të partneritetit tregtar transatlantik midis SHBA dhe BE-së. Juncker është pro solidaritetit politik të konkretizuar në mbështetje ekonomike midis vendeve të Veriut dhe atyre të Jugut.
Juncker ka premtuar, se BE nuk do të ketë zgjerim politik për 5 vitet e ardhshëm dhe se në princip ai nuk është pro ndjekjes së politikave të zgjerimit që ka aktualisht BE. Edhe pse është shfaqur i gatshëm në një thjeshtëzim të mundshëm të dialogut me britanikët, që kërcënojnë me dalje nga Unioni, ai është shprehur kategorikisht kundër diskutimit për rishikim të qarkullimit të lirë në Europë. Ai ka deklaruar se në shkëmbim të mbështetjes së tij, britanikët duhet të pranojnë thellimin e mëtejshëm politik të eurozonës.
I pozicionuar kundër populizmit dhe votës së tij përfaqësuese në PE, ai ka theksuar se nuk do të pranojë të zgjidhet në krye të KE-së, nëpërmjet mbështetjes të mundshme të populistëve. Por, siç e ka treguar edhe eksperienca në kohë, nëse Juncker arrin të kalojë si kandidaturë në Këshillin Europian, përligjja e deklaratave të bëra paraprakisht, sigurisht që do të vlerësohen si një politik-bërje pragmatike, e cila nuk synon, veçse vënien në vend të legjitimitetit të votës së qytetarëve evropianë, në një klimë politike-ekonomike të konsideruar si tejet delikate. (im.ta)