Karburant i ri për motorin gjermano-francez !

redaktor

Vetëm katër ditë, pas deklaratës së Robert Shumanit, më 9 maj 1950, karikaturisti i mirënjohur gjerman Majnhard do të pasqyronte nëpërmjet artit të tij, përpjekjet e Francës dhe të Gjermanisë Perëndimore, për të lënë pas historinë e konflikteve shekullore dhe hedhjen e themeleve të Evropës së paqes. Një prej simbolikave, që kanë lënë gjurmë në historinë evropiane.

I frymëzuar nga miti grek i rrëmbimit të princeshës Evropë, nga Zeusi i transformuar në dem, Majnhard ekspozon përpjekjet e përbashkëta të ministrit francez të Punëve të jashtme, Shuman (djathtas) dhe të kancelarit gjerman Konrad Adenaur (majtas) për të ndihmuar Evropën të hipte mbi demin në trupin e të cilit ishte vizatuar harta gjeografike e kontinentit Evropian, me diçiturën: “Le ta hipim Evropën mbi demin, ajo do të dijë si ta ngasë atë.”

Dhe projekti evropian, do të niste rrugëtimin e tij, nën aksin drejtues gjermano-francez. Me
një peshë politike, që deri në bashkimin e Gjermanisë, do të anonte ndjeshëm nga peshorja franceze dhe që në dekadat në vijim, do të karakterizohej nga një rol politik dhe ekonomik në rritje i Gjermanisë. Peshë, që do të përforcohej edhe nga zgjerimi i mesit të viteve dymijë, drejt Evropës Qendrore dhe Lindore. Me nisjen e krizës ekonomike dhe financiare të vitit 2008, dobësimi gradual i pozicionit francez, do ta shfaqte fuqinë politike të Gjermanisë, thuajse në një nivel të padiskutueshëm.

Në sfondin e efekteve të një krize ekonomike që prej vitit 2008, dhe të një krize politike që shenjat e para do t’i jepte në vitin 2002, Franca do të shfaqte gjatë këtyre zgjedhjeve presidenciale, një ri-konceptim të preferencave të elektoratit, me fitoren e një kandidature jashtë sistemit tradicional politik. Zgjedhja e Presidentit të ri, një figurë e qartë pro-evropiane dhe me ambicie të konfirmuar programore, për thellimin e mëtejshëm të projektit evropian, po vlerësohet si një karburant i nevojshëm, në këto kohëra të pasigurta në politikat e kontinentit të vjetër.

“Unë do të mbroj Evropën. Është qytetërimi ynë që është në lojë, mënyra jonë e të qenit të lirë. Do të punoj për të forcuar lidhjen mes Evropës dhe qytetarëve të saj.”

Dje, në ditën e Evropës, Presidenti i ri i Francës, do të përcillte sërish të njëjtin mesazh për thellim dhe avancim të nevojshëm të projektit evropian. Mesazh, që nuk do të mungonte gjatë fjalimit të tij të parë publik, pas shpalljes së fitores. As edhe gjatë fjalimit të tij, të pak momenteve më vonë në Luvër, që si rrallëherë do të shoqërohej me simbole të veçanta evropiane, siç do të ishte ndër të tjera dhe marshimi drejt skenës, nën tingujt e himnit evropian. Nën melodinë e simfonisë së nëntë të Bethovenit, “Ode e kënaqësisë”, që simbolizon jo vetëm Bashkimin Evropian, por Evropën në kuptimin e saj më të gjerë. Një himn pa fjalë, por që vlerësohet të evokojë falë gjuhës universale të muzikës, idealet e lirisë, të paqes dhe të solidaritetit të mishëruar në Evropë.

Me sytë nga Gjermania

Takimi i parë zyrtar i presidentit të ri francez, do të jetë me kancelaren gjermane Merkel. Një takim, që mbi të gjitha mbart vlera simbolike. Kjo, pasi angazhimet reale konkrete, duhet të presin sa axhendën politike gjermane dhe zhvillimin e zgjedhjeve legjislative në Gjermani, po aq edhe zhvillimet, që mund të sjellin zgjedhjet e përgjithshme në Francë.

Gjithsesi, tashmë jemi në rrugën e ndjekjes së logjikës të premtimit për rilançim të projektit evropian, mbi bazën e aksit gjermano-francez.

Sfida është e dyanshme.

Presidenti francez kërkon nëpërmjet 10 shtyllave të programit të tij, një Evropë, që duhet të ndryshojë. Një Evropë, që nuk duhet të ketë si mision administrimin e një burokracie, por se detyra e saj është të mbrojë të tashmen dhe të përgatisë të ardhmen. Një e ardhme, e cila duhet të njohë rritjen e investimeve. Dhe që të mundësohet rritja e këtyre investimeve, objektivat e tij programor, theksojnë nevojën e krijimit të një buxheti të zonës Euro, i votuar nga një Parlament, që duhet të krijohet për Eurozonën, si edhe i ekzekutuar nga një ministër i Ekonomisë dhe i Financave, post që duhet të krijohet për zonën Euro.

Por, a do të mund t’i bind dot, Presidenti francez, partnerët evropianë (sidomos shtetet rezistuese) dhe para së gjithash Gjermaninë, për të krijuar një post të ministrit të Financave të zonës Euro dhe të mundësojnë bashkërisht një buxhet, për të financuar investimet e së ardhmes?

Që bindja të mundësohet, sfida shtrihet në territorin e brendshëm francez. Franca duhet t’iu ofrojë prova konkrete partnerëve të saj, për vënien në jetë të një mekanizmi të madh reformues. Reforma strukturore, rivendosje të konkurrencës, ulje të peshës së shtetit dhe arritje të pajtueshmërisë me rregullat e buxhetit të BE-së. “Ne duhet të bëjmë në vendin tonë, atë që të gjithë partnerët kanë bërë në vendin e tyre: të rivëmë në lëvizje ekonominë tonë dhe në interesin e fëmijëve tanë, t’i administrojmë më mirë financat publike”, theksohet në programin e presidentit të ri. Një program, që synon një rritje modeste ekonomie në pesëvjeçarin e tij drejtues, ulje të papunësisë (deri në 7%), gjallërim të ekonomisë, rikrijim të vendeve të punës, etj.

Reformat franceze do të jenë edhe çelësi i suksesit të saj evropian.

Dhe teksa presidenti i ri francez, kërkon të ndikojë kursin e politikës evropiane, nëpërmjet shtyllave të mësipërme, një vëmendje të veçantë ka marrë synimi i tij, për të mundësuar bashkimin e borxheve në nivelin e zonës Euro. Sipas tij, rezultatet e daljes nga kriza nuk janë të kënaqshme, dhe se çka vërehet se, qëndron në zemër të problemit, duke penguar edhe në avancimin e mëtejshëm të Unionit bankar, është kryesisht solidariteti financiar mes shteteve.

Sipas, presidentit të sapozgjedhur francez, gjermanët, refuzojnë të shkohet në këtë drejtim:

“Ata vazhdojnë të thonë se, tashmë kanë paguar më shumë se të tjerët, çka është e gabuar. Ne të gjithë kemi paguar, Franca, por gjithashtu edhe Italia. Dhe Gjermania ka përfituar në mënyrë
të konsiderueshme nga Euro. Megjithatë, Berlini nuk dëshiron të ofrojë solidaritet pa parë më parë përpjekjet si kundër-reagim. Në këtë kontekst, Franca ka bërë disa propozime, por ajo nuk ka arritur të rindërtojë besimin në çiftin gjermano-francez.”

Dhe sipas presidentit francez, nëse Franca do të dojë të ribëhet motor i Evropës, duhet t’i shkojë deri në fund këtij diskutimi:

“Ne duhet të pranojmë fillimisht se, nuk kemi bërë tërësinë e reformave tek ne. Për këtë arsye, unë insistoj mbi reformat kyçe, mbi punësimin, formimin profesional, edukimin dhe dialogun social duke ruajtur njëkohësisht një trajektore financiare të besueshme pa ambiguitetet, që Franca njohu në vitin 2013.”

Përveç Gjermanisë, kjo ide kundërshtohet edhe nga vendet nordike, pasi i frikësohen faktit se, do t’iu duhet të paguajnë borxhet e atyre vendeve, që nuk bëjnë përpjekje të njëjta në këtë drejtim. Një tjetër vështirësi, që i shtohet objektivit francez, është koha e papërshtatshme për përforcimin e këtij objektivi, teksa palës franceze i duhet ta propagandojë këtë, në optikën e zgjedhjeve legjislative të qershorit që zhvillohen atje dhe njëkohësisht të kujdesit për terrenin e ndjeshmërisë, që kjo mund të shkaktojë në territorin gjerman, që pritet gjithashtu të shkojë drejt zgjedhjeve të përgjithshme në muajin shtator.

Por, çështja e bashkimit të borxheve është një ide, që nuk vjen rishtazi dhe është mbrojtur nga një sërë ekspertësh të fushës ekonomike, ndër to edhe nga ekonomisti i mirënjohur, Pol de Graue.

Dhe sipas ekonomistit De Graue, e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund krizës së Eurozonës, është të arrihet të binden tregjet financiare se, Euro është aty për të qëndruar. Çka nënkupton sipas De Graue, se, duhet krijuar një formë e besueshme për bashkimin e borxheve:

“Duke bashkuar borxhet e qeverive të Eurozonës, më të dobëtit janë të mbrojtur nga lëvizje shkatërruese të frikës dhe panikut, që shfaqen në tregjet financiare, dhe që teorikisht mund të godasin çdo vend anëtar.”

Sipas tij, një argument, që dëgjohet shpesh, kryesisht në Evropën Veriore, është se bashkimi i borxheve, vendos qerren përpara kalit. Kjo pikëpamje sipas tij do të thotë se, ne duhet të presim për një Union Politik përpara se, të mendojmë të bashkojmë borxhet:

“Por, si nis Unioni Politik ? Thjesht duke pritur për të që ai të arrijë, kjo nuk do të ndodhë. Në
të kaluarën, unionet politike arriheshin shpesh nëpërmjet forcës ushtarake, por në Evropë sigurisht që ne nuk duam të përdorim këtë qasje. Kështu që mënyra e vetme është, ndërmarrja e hapave
të vegjël dhe të vazhdueshëm drejt Unionit Politik.”

Dhe shembulli, që ofron De Graue është ai i Aleksandër Hamilton, një prej etërve themelues të Amerikës, ku rreth 200 vite më parë vendosi të bashkojë borxhet, që shtetet individuale në Amerikë kishin akumuluar gjatë luftës revolucionare. Një hap ky, i rëndësishëm drejt integrimit të mëtejshëm politik të Amerikës. Hamiltoni, sipas De Graue, sigurisht që nuk ishte i pikëpamjes se, duhet pritur që të realizohet Unioni Politik, por se ndërmori hapa të vegjël për të realizuar një union politik. Dhe bashkimi i borxheve sipas tij, është një sinjal, që tregon se shtetet anëtare janë aty për të qëndruar së bashku dhe se pa këtë sinjal, tregjet nuk do të qetësohen, duke e bërë fundin e Euros të paevitueshëm.

Sfidat e presidencës së re franceze, janë të shumëfishta. Por, ato përqendrohen rreth sfidës kryesore për të reformuar Francën, çka do të mundësojë dhe sfidën vijuese për reformimin dhe thellimin e nevojshëm politik të Evropës. Historikisht dhe tradicionalisht, që prej hedhjes së themelit të Bashkimit Evropian, aksi gjermano-francez ka pasur një histori bashkëpunimi të suksesshëm, edhe atëherë, kur palët i kanë përkitur boshteve të kundërta ideologjike. Përkatësia politike e qendrës së djathtë e Merkelit dhe Makrosë, vizioni i tyre i përbashkët mbi nevojën e thellimit të projektit evropian (edhe pse me nuanca) dhe preokupimi i tyre i veçantë në aspektin humanist, mund të kenë shansin ta shndërrojë çiftin gjermano-francez nga më të spikaturit, që ka njohur historia e integrimit evropian, në dekadat e fundit të saj.

Im.Ta.

DITA

Share This Article