Kandidatura e Jean-Claude Juncker për postin e Presidentit të Komisionit Europian, arriti të miratohet ditën e djeshme në Parlamentin Europian, me një shumicë të konsiderueshme prej 422 votash, nga 376 që kërkoheshin. Seanca e zhvilluar u shoqërua me një sërë reagimesh pro dhe kundër zgjedhjes së tij. Reagime shkaktoi edhe mënyra e votimit sipas procedurës, një votim i fshehtë, që i mundësoi Junckerit të tejkalonte shumicën e kërkuar prej 376 votash. Gjatë fjalës së tij, kreu i KE-së prezantoi edhe orientimet politike për Komisionin Europian në 5 vitet në vijim, një axhendë e cila i mundësoi edhe zgjedhjen në këtë funksion.
Përtej orientimeve programuese politike në nivel evropian, tashmë të njohura si punësimi, rritja ekonomike, ndryshimi demokratik, etj, dy pika orientuese politike tërheqin vëmendjen: refuzimi ndaj zgjerimit për 5 vitet e ardhshëm dhe përforcimi i politikave anti-imigracion.
Refuzimi ndaj zgjerimit
Ndonëse Presidenti i Komisionit Europian Juncker, e kishte deklaruar disa herë edhe gjatë fushatës elektorale, se nuk do të ketë zgjerim të mëtejshëm, me argumentimin se Europa është lodhur nga zgjerimi dhe e ka të nevojshme të pushojë, axhenda e tij e përforcoi sërish këtë orientim politik. Edhe pse Juncker, konfirmon në lidhje me Ballkanin Perëndimor se negociatat në proces do të vazhdojnë (Serbia dhe Mali i Zi janë në proces negociatash) ai nuk specifikoi, se cili do të jetë orientimi i Komisionit në lidhje me vende që presin hapjen e tyre, si Shqipëria apo edhe Maqedonia.
“Kur bëhet fjalë për zgjerimin e pranoj plotësisht, se ka qenë një histori suksesi, që i solli paqe dhe stabilitet kontinentit tonë. Gjithsesi, Unioni dhe qytetarët e tij, tashmë kanë nevojë të përtypin shtimin e 13 shteteve anëtare në 10 vitet e kaluara. BE ka nevojë të bëjë një pushim nga zgjerimi, në mënyrë që të konsolidojë atë çka është arritur ndërmjet 28 vendeve anëtare. Kjo është arsyeja pse nën presidencën time, negociatat në proces do të vazhdojnë dhe kryesisht me Ballkanin Perëndimor, që ka nevojë të mbajë një perspektivë evropiane, por asnjë zgjerim i mëtejshëm nuk do të ndodhë për 5 vitet e ardhshëm”, deklaroi Presidentit i sapo zgjedhur i KE-së, Juncker.
Ende nuk dihet, se si do të reflektohet konkretisht ky orientim politik, përballë vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e tyre të integrimit. Pra, nëse do të bllokohet, vështirësohet apo komplikohet më tej shkalla e pranimit të realizimit të kritereve apo prioritete përkatëse, që ato do të përmbushin. A do të shkaktojë ky orientim, një bllokim të procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë, apo orientimi politik, se “negociatat në proces do të vazhdojnë”, nënkupton apo përshin edhe fazën e hapjes së tyre?! Gjithsesi tendencat fillestare do të reflektohen në ditët në vijim krahas përmbushjes graduale të prioriteteve kyçe, që kërkohen nga Shqipëria.
Fuqizim i politikave anti-imigracion
Axhenda e Juncker konfirmon gjithashtu në parim, përqasjen në nivel evropian të politikave kundrejt imigracionit, në një kuadër tejet humanitar dhe me një shpirt solidariteti duke iu referuar mos përsëritjes së tragjedisë së Lampeduzës. Po në kuadër të vlerave të përbashkëta evropiane, axhenda e kreut të KE-së, parashikon detyrimin për mbrojtjen e personave në kuadrin e politikave të përbashkëta në fushën e azilit ose mbrojtjes së personave, që i ikin rrezikut ndaj persekutimit dhe dhunës.
Ky orientim saktëson gjithashtu përforcim të luftës ndaj imigracionit klandestin, duke bashkëpunuar në mënyrë më efikase me vendet e treta, kryesisht në fushën e riatdhesimit ose ripranimit. Për këtë arsye pritet të caktohet edhe një Komisioner, që do të mbulojë çështjet e migracionit, i cili do të ketë si mision të luftojë këto problematika, në bashkëpunim me shtetet anëtare dhe vendet e treta, që preken nga ky fenomen. Politikat e Presidencës së Komisionit Europian shkojnë drejt aplikimit të një politike për kufij të sigurt në BE. Në këtë mënyrë synohet pengimi i mëtejshëm i flukseve të pakontrolluara të imigrantëve ilegalë, nëpërmjet forcimit të kapaciteteve operacionale të agjencive për menaxhimin e kufijve si edhe rritje të buxhetit të tyre.
Europa një “Kështjellë e pamposhtur”
Axhenda dhe orientimet politike të kreut të KE-së, sigurisht që shkojnë në të njëjtën linjë me politikat tashmë të adoptuara në kohë nga vetë BE. Por, pavarësisht mënyrës tepër elegante të paraqitjes së tyre në parim, në kuadër të mbrojtjes të së drejtave të njeriut, në thelb ato mbartin një përqasje politike, që bie ndesh pikërisht me këto të drejta dhe detyrime themeltare që burojnë nga legjislacioni ndërkombëtar, ai kombëtar si edhe nga vetë legjislacioni i BE-së. Ky është edhe konstatimi i organizatës ndërkombëtare të drejtave të njeriut Amnesty International, e cila i drejton kritika tepër të rënda BE-së, për dhunim të detyrimeve të mësipërme.
Sipas Raportit të AI-së 2014, BE nëpërmjet financimeve tepër të larta, ka arritur të ndërtojë një kështjellë të papenetrueshme, me një sistem survejimi teknologjik tepër të sofistikuar, duke e bërë të pamundur hyrjen e imigrantëve që i largohen dhunës dhe persekucioneve, nga zonat e konflikteve dhe zonave të luftës, si edhe hyrjen e imigrantëve, që largohen për arsye ekonomike. Raporti evidenton shkelje në fuqi të të drejtës ndërkombëtare, të drejtës kombëtare dhe të vetë legjislacionit të BE-së, për sa i përket të drejtave të njeriut (e drejta për jetën; e drejta për liri dhe siguri; ndalimi i torturës, trajtimit degradues çnjerëzor apo ndëshkimi; e drejta për të lënë çdo vend duke përfshirë dhe vendin tënd; e drejta për të kërkuar azil nga persekutimi; e drejta për zgjidhje efektive; ndalimi i dëbimit kolektiv të të huajve).
Një nga pikat më të forta të Raportit sipas dëshmive të dokumentuara të AI-së, (Greqi, Bullgari) është dhuna e ushtruar ndaj imigrantëve. Ato rrihen barbarisht dhe i grabiten shumat monetare dhe sendet me vlerë që kanë me vete. Abuzimi dhe keqtrajtimi shkon deri në rrezikim të jetëve të tyre. Që prej vitit 2000, rreth 23 mijë persona kanë gjetur vdekjen në përpjekje për të hyrë në Europë. Vetëm përgjatë muajit janar të këtij viti, kanë humbur jetën 170 persona, mes tyre gra dhe fëmijë. Shumica e tyre vinin nga zonat e konflikteve, siç tregojnë dhe statistikat për 2013, nga Siria, Eritrea dhe Somalia.
Sipas Raportit, imigrantët trajtohen në mënyrë kolektive përfshi edhe kthimin, duke dhunuar në këtë mënyrë legjislacionet në fuqi për trajtim individual, duke mos u garantuar në këtë mënyrë të drejtën sipas rasteve konkrete, për aplikim mbrojtje ndërkombëtare nëpërmjet procedurave të azilit. Sipas AI, ky trajtim nuk është i kufizuar vetëm përgjatë kufijve dhe vende kufitare, por shtrihet më tej edhe brenda shteteve të BE-së. Në këtë kuadër, marrëveshjet e ripranimit, që BE ka nënshkruar dhe vazhdon të nënshkruajë me një sërë shtetesh të tjera, kanë shkaktuar dhunime të tjera të legjislacioneve në fuqi, pasi janë vërejtur se edhe personat, që kërkojnë mbrojtje ndaj dhunës dhe persekutimeve politike, rikthehen sërish në vendet e tyre, në bazë të këtyre marrëveshjeve.
Në mënyrë për të mbrojtur kufijtë e kështjellës, sipas AI, BE ka vënë në aplikim një sistem survejimi të sofistikuar[1], me një mbështetje financiare të fuqishme ndaj shteteve si Greqia dhe Bullgaria për fortifikimin e kufijve të tyre dhe krijimin e agjencive për koordinimin e një skuadre të gjerë evropiane të rojeve kufitare, për të patrulluar kufijtë e BE-së.
Raporti përmbyllet duke i bërë thirrje BE-së, mbi koston e lartë të jetëve njerëzore të humbura, që po shkaktohen nga dhunimi prej saj i legjislacioneve ndërkombëtare në fuqi. AI, i kujton BE-së, se ka braktisur parimet dhe vlerat themeluese, duke mbyllur një sy ndaj dhunimeve, që po ndodhin në kufijtë e saj.
Konkluzion
Zgjedhja e Juncker dhe konfirmimi i axhendës së tij politike, që parashtrohet si orientuese e prioriteteve politike të Komisionit Europian, konfirmon një bllokim të zgjerimit të mëtejshëm të BE-së. Ndonëse specifikohet, se negociatat në proces (nënkupto Serbi dhe Mali i Zi) me Ballkanin Perëndimor do të vijojnë, nuk qartësohet pozicionimi politik i KE-së, përballë vendeve, që presin hapjen e negociatave, përfshirë këtu edhe Shqipërinë. Perifrazimi krijon hapësirë interpretimi, si përballë një vijimi normal të procesit edhe ndaj vendeve që presin hapjen e negociatave, duke përfshirë edhe Shqipërinë, por edhe përballë një ngadalësimi të mundshëm të tij, ose një komplikimi të nënkuptuar përgjatë fazës së plotësimit të kritereve. Nga ana tjetër, përforcimi i mëtejshëm i axhendës të BE-së, ndaj politikave, që në thelb kundërshtojnë hapur imigracionin, duke shkaktuar dhunime flagrante të legjislacioneve në fuqi, mbartin edhe një filozofi morali, përballë politikave sugjeruese mbi respektim të të drejtave të njeriut. Propozimet e modelit ofrues thuajse ideal, mbi respektimin e të drejtave të njeriut, ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet edhe t’i mbartin realisht këto vlera, për t’u shndërruar në përçuese të denja të një modeli frymëzues politik, por edhe qytetar, i cili nuk bazohet në ekspozimin e një monedhe me dy anë, ku padashur idealja përplaset me realen. /im.ta/
[1]Aparatura për skanim direkt të gjurmëve të gishtërinjve, helikopterë, automjete patrullimi policor (mbi 16 milionë €), anije patrulluese për det të hapur ( mbi 31 milonë €) anije patrulluese për bregdetin (mbi 14 milionë €), anije të shpejtësisë së lartë, avionë me sensorë, automjete për terren të vështirë, motorrë (mbi 2,5 milionë €), dhe dylbi nate, dylbi për distanca të gjata gjatë ditës, kamera termale, aparatura që zbulojnë paisjet që përdorin Co2 si edhe barka kërkimi dhe shpëtimi. Buxheti i Agjencisë për Menaxhimin e Bashkëpunimit Operacional në Kufijtë e Jashtëm, FRONTEX është afërsisht 90 milionë €, ndërsa buxheti për Zyrën Mbështetëse të Azilit Europian, është vetëm 15,6 milionë €. Sistemi i Survejimit të Kufirit Europian EUROSUR përdor teknologji të sofisikuar si automjetet ajrore pa pilot (drones) dhe kosto për 2011-2020, llogaritet në 338 milonë €.