Një sërë ndryshimesh ligjore, pritet të kalojnë në formën e një direktive në Parlamentin Evropian. Ato lidhen me kuadrin e të drejtave të personit të ndaluar apo të dyshuar në rastin e procedimeve penale. Prezumimi i pafajësisë, e drejta për të mos fajësuar vetveten, e drejta për të mos bashkëpunuar, si edhe e drejta për të qenë prezent në gjykim në një procesin penal, janë vëne në fokus të legjislatorit evropian. Por, çfarë përfshin konkretisht projekt-direktiva dhe ku shtrihet problemi në zbatimin e këtyre të drejtave në shumë prej vendeve anëtare të BE-së ?
Ndonëse, imazhi që transmetohet në lidhje me drejtësinë evropiane është i një niveli të lartë, ai gjithsesi mbart hapësira problematike në fusha të caktuara. Ndër to, renditen edhe problemet, që prekin mos respektimin e prezumimit të pafajësisë dhe cenimi i të drejtave të tjera, që burojnë apo lidhen me të, si e drejta për të mos fajësuar vetveten, e drejta për të heshtur, për të mos bashkëpunuar, apo edhe cenimi i parimit, se barrën e provës e ka organi i akuzës. Studimi i Komisionit Evropian (2013) mbi Vlerësimin e Impaktit në lidhje me respektimin e këtyre të drejtave, konfirmon mos zbatimin apo edhe mohimin e tyre, në raste të ndryshme në praktikë.
Prezumimi i pafajësisë
Në parim, i pandehuri prezumohet i pafajshëm, gjersa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë. Çdo dyshim për akuzën çmohet gjithashtu në favor të të pandehurit. Por, studimi i KE-së (2013) mbi impaktin vlerësues të zbatimit të kësaj të drejte dhe të drejtave të tjera, që burojnë apo lidhen me të, konfirmon mos respektimin e saj në vende të ndryshme anëtare të BE-së.
Elementi, që tërheq vëmendjen në studim lidhet me konstatimet se, autoritetet publike, në veçanti përforcuesit e ligjit dhe autoritetet juridike, disa herë iu referohen të dyshuarve apo personave të akuzuar në deklarata zyrtare, sikur të jenë të dënuar për një krim, përpara se ato të jenë gjykuar. Sjellje, që sipas studimit, dëmton reputacionin e mirë të të akuzuarit dhe mund të influencojë jurinë apo gjykatësin, që vendosin mbi çështjen. Edhe nëse, personi shpallet i pafajshëm nga gjykata, ai do të etiketohet si fajtor nga opinioni publik dhe jeta e tij mund të dëmtohet përgjithmonë, në veçanti nëse çështja ka pasur një mbulim të gjerë mediatik.
Studimi i referohet edhe logjikës së operimit dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, që në vendimet e saj, bazohet në një princip të gjerë të deklaratave publike të fajësisë, përpara një gjykimi të formës përfundimtare. Ky princip konfirmon se, deklaratat publike të autoriteteve zyrtare apo personave zyrtarë, ndaj të dyshuarit si fajtor, përpara një vendimi të formës së prerë, janë të papranueshme. Vetëm përgjatë periudhës Janar 2007- Dhjetor 2012, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, ka konstatuar në vendimet e saj, 26 herë, dhunimin e prezumimit të pafajësisë, në vendet e ndryshme anëtare të Unionit.
Nën logjikën e ofruar nga Studimi i KE-së mbi Vlerësimin e Impaktit, dhe masat e propozuara, kemi dhe iniciativën si edhe miratimin e projekt-direktivës, mbi përforcimin e këtyre të drejtave, në Komisionin e Lirive Civile në PE. Direktiva ndër të tjera, synon edhe ndalimin për autoritetet publike, që të deklarojnë fajtor një të dyshuar, përpara një vendimi të formës së prerë përfundimtare. Në optikën e deputetëve evropianë, prezumimi i pafajësisë, është një princip tejet thelbësor, që mundëson shmangien e gjykimeve arbitrare si edhe abuzimet e pushtetit me procedurat penale. Autoritetet publike nuk duhet të bëjnë deklarata publike, që lidhen me të dyshuar apo persona të përndjekur “si të ishin të fajshëm”, jo vetëm para një vendimi të formës përfundimtare, por edhe përpara, apo pas një vendimi pafajësie të formës përfundimtare.
Rregullat e ndryshuara nëpërmjet kësaj direktive, do të bëjnë të mundur imponimin ndaj vendeve anëtare, që t’i ndalojnë autoriteteve publike të nxjerrin të dhëna “duke përfshirë edhe takimet dhe komunikimet e kryera nëpërmjet, apo në lidhje me mediat”, ose nga rrjedhja e informacionit për shtypin, që mund “të krijojnë paragjykim ndaj të dyshuarit apo personit të përndjekur, përpara çdo lloj dënimi juridik të formës përfundimtare”.
Barrën e provës e ka akuza
Prezumimi i pafajësisë presupozon se, barra e provës i përket akuzës, megjithëse është e pranuar, se, në raste të kufizuara dhe specifike, kjo barrë zhvendoset tek mbrojtja.
Logjika e formulimit të direktivës, konfirmon se, transferimi i barrës së provës së akuzës tek i dyshuari dhe tek personat e përndjekur, është i papranueshëm. Sipas saj, barra e provës duhet të jetë e akuzës dhe çdo dyshim është në favor të të akuzuarit.
Vëmendje tërheqin faktet, që konfirmohen nga studimi i KE-së, për mos zbatim të këtij principi në terren. Në Gjermani, ekziston një presion policor ndaj të dyshuarit për të negociuar një marrëveshje, çka në praktikë minon principin se, barrën e provës e ka akuza. Në Hungari, rastet në praktikë tregojnë se, vendimet e gjykatave, që urdhërojnë burgim para procesit, shpesh përfshijnë bindjen e gjykatës në lidhje më të dyshuarin apo të akuzuarin. Ndërsa, në Bullgari, praktika e punës në gjykata, konfirmon gjithashtu një tendencë akuzatore të trupit gjykues apo gjyqtarëve, që marrin pjesë në të.
E rëndësishme konsiderohet edhe fshirja e një dispozite të propozuar, në lidhje me projekt-direktivën e miratuar dhe që lejonte në raste të kufizuara “të detyronte” një të dyshuar, apo një person nën hetim të jepte informacione, që lidhen me akuzat ndaj tij. Një dispozitë, e cila mund të krijonte edhe terren për abuzime të ndryshme në praktikë.
Heshtja nuk mund të përdoret kundër të dyshuarve
Një tjetër problematikë ligjore shtrihet, në mohimin e së drejtës për të heshtur apo për të mos bashkëpunuar. Studimi vlerëson se, ndonëse këto të drejta nuk janë të përfshira shprehimisht në KEDNJ, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka njohur të drejtën për të mos fajësuar vetveten, për të mos bashkëpunuar, si edhe të drejtën për të heshtur”, standarde në përgjithësi të njohura ndërkombëtarisht dhe që shtrihen në thelb të nocionit për një procedurë të drejtë.
Pa këtë imunitet, personi mund të detyrohet në mënyrë të papranueshme, të prodhojë prova duke dëmtuar në këtë mënyrë parimin se, barra e provës i takon akuzës. Duke detyruar dikë të pranojë një krim, i dyshuari apo i akuzuari, mund të deklarohet fajtor për një krim të cilin nuk e ka kryer, apo nëse personi nën akuzë detyrohet të rrëfejë një lloj versioni të fakteve nën hetim, rrethanat shfajësuese nuk mund të merren në konsideratë. Sipas studimit, të gjitha këto pika figurojnë tashmë të konstatuara në vendimet e ndryshme të GJEDNJ.
Faktet, që vijnë nga vëzhgimi në terren, konfirmojnë se kjo e drejtë kthehet kundër personit, teksa presionet policore janë të formave të ndryshme.
Në disa vende anëtare të BE-së, refuzimi për të bashkëpunuar me organin e akuzës mund të çojë në konkluzione negative, apo të merret si provë për të fajësuar të akuzuarin (Belgjikë, Qipro, Finlandë, Francë, Britani e Madhe, Irlandë, Letoni, Holandë, apo Suedi). Në Austri, rastet konfirmojnë se, kur i ndaluari informohet mbi të drejtën për të mos folur, në të njëjtën kohë ai këshillohet të mos e përdorë atë, pasi kjo mund të shikohet si një rrethanë rënduese gjatë procedimit penal. Në Holandë, konstatohet e njëjta mënyrë operimi, ku autoritetet policore ndërhyjnë gjatë kësaj faze, për të kërkuar nxjerrjen e provave nga i akuzuari.
Në tërësi, logjika juridike e projekt-direktivës, synon garantimin e të drejtave, që mohohen në shumë prej vendeve anëtare të Unionit. Kjo logjikë, kërkon që të dyshuarit apo personat e përndjekur, nuk duhet të konsiderohen fajtorë vetëm se, ato ushtrojnë të drejtën e tyre për të heshtur. Nga ana tjetër, e drejta për të mos fajësuar vetveten dhe për të mos bashkëpunuar, nuk duhet të shërbejnë për të konsideruar fajtor të akuzuarin, apo të përdoren si logjikë për të vërtetuar faktet. Nën këtë optikë edhe çdo provë, e marrë në dhunim me këto të drejta, ose nëpërmjet torturës, duhet të konsiderohet si e pavlefshme dhe rastet ku gjykimet mund të jepen në mungesë, duhet të jenë të kufizuara në minimum.
Projekt-direktiva e miratuar ditën e djeshme në Komisionin e Lirive Civile dhe që pritet të kalojë në fazën tjetër të negocimeve trepalëshe (Komision-Këshill-Parlament) është e një rëndësie të veçantë, në kuadrin juridik. Së pari, pasi krijon një bazë ligjore imponuese, që siguron një zbatim të të drejtave ekzistuese, në lidhje me personat nën procedim penal, në të gjithë shtetet anëtare; së dyti, ajo shërben si mekanizëm përforcues, paralelisht me logjikën imponuese juridike, që vjen nga vendimet e GJEDNJ-së; së treti, shërben jo vetëm si mbrojtëse, në kuadrin e përgjithshëm të të drejtave të njeriut, por vlen si reflektuese, nxitëse dhe simuluese e mentaliteteve operuese juridike të agjencive apo agjentëve të ndryshëm ligjzbatues, në të gjitha vendet anëtare të Unionit./im.ta/