Konkurrencë për dominim

redaktor

Franca po kërkon të shfrytëzojë Breksitin, për të dobësuar Britaninë e Madhe dhe sektorin financiar të Londrës. Ky është shqetësimi i fundit, i bërë publik nga përfaqësuesi i Londrës pranë BE-së, në një memo të publikuar dje, në shtypin britanik. Në fakt, që pas shpalljes së rezultatit të referendumit britanik mbi qëndrimin në BE, vende të ndryshme evropiane kanë shfaqur ambiciet e tyre, për të tërhequr aktorët dhe shërbimet financiare botërore, të lokalizuara në Londër. Teksa porta e BE-së, për Londrën po mbyllet dhe negociatat nuk ofrojnë siguri maksimale mbi një perspektivë të sigurt, aktorët financiarë ndërkombëtarë e kanë të pashmangshëm rishikimin e vendimeve mbi të ardhmen e tyre. Por, cili vend po shfaqet më ambicioz, për thithjen e aktorëve financiarë ndërkombëtarë ?

Menjëherë pas Breksit, Parisi do të shfaqte ambicien për t’u shndërruar në një prej qendrave kryesore financiare ndërkombëtare. Edhe pse i renditur në vend të 29-të, në Indeksin e Qendrës Financiare Globale (2017), ku Londra zë vendin e parë, 6 vende poshtë Frankfurtit dhe 11 vende larg Luksemburgut, ambicia franceze shfaqet shumë e lartë.

Përcaktuesit e konkurrencës së vendeve financiare, mbështeten kryesisht në katër faktorë, që shpjegojnë arritjen e suksesit: kapitali njerëzor, pra ekzistencën e një rezervuari punonjësish të kualifikuar në fushën financiare, kryesisht të lidhur me një sistem arsimor efikas, apo një kapacitet të fortë për të tërhequr të huaj të kualifikuar; infrastrukturat, në veçanti në fushën e transporteve, të informacionit dhe të teknologjive të komunikimit; niveli i aktivitetit potencial, që varet kryesisht nga madhësia dhe nga përqindja e kursimit në ekonominë e vendit dhe nga prania e klientëve të korporatave të mëdha; mjedisi i ndërmarrjeve, që mbulon një sërë përbërësish si tatimet, cilësia e kuadrit rregullator, ligji i punës, etj.

Pikërisht, mbështetur në katër kriteret e mësipërm, një prej raporteve të fundit të Senatit francez ku trajtohet gjerësisht, strategjia franceze përballë Breksit, konfirmon se, “Parisi prezanton aftësi të pamohueshme për të pasur rol kryesor në fushën financiare”, duke renditur të gjithë argumentet, në mbështetje të këtij roli. Duke filluar me kapitalin njerëzor, dhe argumentimin se shkollimi francez në fushën financiare, me një traditë të fortë matematikore, është i njohur në nivel ndërkombëtar dhe se pesë shkolla franceze figurojnë në dhjetë vendet e para të klasifikimit të studimeve pasuniversitare, në fushën e financave. Madje, duke lënë mbrapa Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, që renditen respektivisht në vend të 11-të dhe të 20-të. Më pas, raporti thekson se Parisi, gëzon infrastruktura të një cilësie shumë të lartë dhe se është i renditur sipas sondazhit vjetor “Qytetet e Mundësive” në vend të katërt të metropoleve më shumë tërheqës dhe dinamik në shkallë ndërkombëtare, figuron në vend të parë, në lidhje me kriteret e cilësisë së jetës dhe të mbulimit në fushën e transporteve, si edhe gjendet në vend të dytë, si qendër ndërkombëtare për biznes. Raporti, thekson gjithashtu se, ky sondazh i kryer nuk përfshin Frankfurtin, Luksemburgun dhe Dublinin, ( të tre konkurrentë, po si Parisi, ndaj Londrës)  pasi ishte i përqendruar tek 30 kryeqytetet e para botërore. Edhe në lidhje me tregun imobiliar, raporti thekson se Parisi gëzon avantazhin e të ofruarit sa çmime të moderuara, por edhe një kapacitet të fortë mikpritje. Për ndërmarrjet dhe vendosjen e tyre në Paris, evitohen si çmimet e larta të imponuara nga kërkesat e larta (Londra), por shmangen edhe mungesa e hapësirave të disponueshme (Dublini, Luksemburgu dhe në njëfarë mase Frankfurti). Për më tepër, zyrat në Paris janë dy herë më të lira se sa ato të Londrës, me një kapacitet pritjeje katër herë më të lartë, se ato të Frankfurtit.

Sigurisht, që raporti prezanton përveç anëve të forta edhe anët e dobëta të Parisit dhe problematikat që e shoqërojnë atë, apo më saktë e penalizojnë për ndërkombëtarizimin e tij, siç janë pasja e një mjedisi social, fiskal dhe rregullues jo të përshtatshëm, nga ku nevojiten kryerja e një sërë reformash. Arsye që nuk i mundësojnë Parisit të tërheqë kapitalet dhe ndërmarrjet e huaja. Për më tepër, Parisi prej 30 vitesh, po përballet me një erozion të vazhdueshëm të kapacitetit për të tërhequr qendrat e vendimit të ndërmarrjeve të huaja, duke renditur këtu edhe rënien vetëm brenda një dekade, me 18 vende më poshtë, në Indeksin e Qendrës Globale Financiare.

Ambicia e Francës, ndonëse e tejkalon mundësinë për të konkurruar dhe rivalizuar në mënyrë të menjëhershme Londrën, duke marrë parasysh se i nevojiten një sërë reformash të gjera, për të bërë të mundur një ri-pozicionim të mirë të saj, ajo duket se po e trazon politikën britanike, që shikon pas strategjisë franceze, një politikë më të gjerë konkurrimi, pasi edhe Gjermania e dëshiron fuqizimin e Frankfurtit, si qendër financiare ndërkombëtare. Janë një sërë studimesh, që po në të njëjtën linjë si edhe raporti i Senatit francez, rendisin arsyet se, përse Frankfurti duhet të shndërrohet në një qendër, që duhet të tërheqë një sërë shërbimesh dhe aktorësh financiarë të bazuar në Londër, pas daljes përfundimtare të Britanisë së Madhe nga Unioni. Edhe në rastet, kur supozohet që Londra të ruajë pozicionin e saj kryesor në këtë drejtim, studimet sugjerojnë që Frankfurti të fuqizohet përmes thithjes së një pjese të rëndësishme të këtyre aktorëve në sektorin financiar, në momentin që atyre do t’iu duhet të vendosin për zhvendosjen nga Londra, në rast se negocimet e daljes nga BE, nuk shfaqen të favorshme.

Londra ngelet qendra financiare me reputacion më të madh në botë, e pozicionuar para Nju Jorkut, në GFCI. Ajo arriti ta pozicionojë vetveten gjatë viteve ’80 në rang të parë të qendrës financiare botërore, pozicion që e kishte humbur të nesërmen e Luftës së Parë Botërore, duke konsoliduar superioritetin e saj në Evropë. Por, Breksiti u shfaq si një ngjarje, që do të provokonte një ri-ekuilibrim të peizazhit financiar evropian. Edhe pse pasojat afatgjata të Breksit janë ende shumë të paqarta, për shkak se gjithçka do të vendoset nga negociatat që janë në proces, aksi kryesor drejtues në BE, Franca dhe Gjermania po shfaqin ambicie të padiskutueshme, që të ndikojnë tek vendimet që do të mund të marrin në të ardhmen e afërt, aktorët ndërkombëtarë financiarë të vendosur në Londër.

Gjithsesi, vlen të theksohet se, ato ngelen ende shumë larg Londrës, që gëzon reputacionin më të mirë në botë, duke ia kaluar të gjithë kryeqyteteve evropiane, edhe pse tërheqja ndaj saj, po njeh ulje sipas studimeve të fundit, për shkak të perspektivës jo optimiste të daljes nga BE. Që prej muajit shtator të vitit të kaluar, vlerësimi ndaj Londrës njeh gjithashtu rënie dhe bëhet fjalë për një vlerësim, ku merren parasysh përgjigjet e aktorëve të sektorit financiar në fushën e reputacionit, të infrastrukturave dhe të mjedisit ekonomik. Por, është një rënie që nuk e lëviz nga pozicioni i saj kryesues në rang botëror. I vetmi element, që ofron pasiguri është evoluimi i mëtejshëm i situatës në dëm të interesave, që mbron Londra. Interesa, që tashmë janë shfaqur hapur në një konkurrencë të qartë për dominim.

Im.Ta.

DITA

Share This Article