Shënim i Kryeredaktorit
Botuar në DITA
Është e heshtur, e ndrydhur, por e fortë. Shumë e fortë. Një ndjenjë revolte është ngjizur dhe po rritet; ajo po përhapet me shpejtësi në Shqipëri.
Ka në shënjestër gjithë klasën politike në tërësi, por po derdhet dhe do vazhdojë të derdhet kundër zhgënjimit dhe vrasjes së shpresës që solli qeverisja pas Berishës.
Kjo e fundit (shpresë-vrasësja) bën mirë ta kuptojë. Dhe të reagojë sigurisht. Por jo me gënjeshtrat e zakonshme bajate, ato veçse do ta forcojnë revoltën.
Ajo ka nisur përpara ngjarjes së rëndë të vrasjes së të riut në Laprakë. Teprimet e djeshme me kazanët në Tiranë, do ta stepin, por jo për një kohë të gjatë.

Çfarë e bën të fortë, shumë të fortë, është fakti që e ka në gjak pjesa më vitale e këtij vendi. Më e heshtura, më e papërfaqësuara politikisht.
I ka hedhur rrënjët tek rinia; pa punë, pa të ardhme, viktima më tragjike e një klase politike sharlatanësh të neveritur; kope e paaftë hajdutësh të panginjur, parazitë!
18 vjeçarët tanë nuk e meritojnë këtë që po ndodh. Ne të tjerët e meritojmë plotësisht. Meritojmë Edi Ramën, burrin me shtat të gjatë që thurr fjalime të gjata e që sonte me siguri do jetë duke shkruar një të tillë edhe për Klodianin. Meritojmë Sali Berishën sepse kemi merituar Edi Ramën. Meritojmë dhunën e mbrëmshme në Tiranë sepse kemi merituar Sali Berishën.
Kujdes! Dhuna nuk e la mbrëmë revoltën reale të shfaqej e plotë, por ajo ka nisur para vrasjes dhe po rritet pavarësisht dhunës.
——
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.
