Shkodër, rasti Meshnuni, mposhtja e policisë dhe deliri i drejtuesve

J L

Bedri Islami

Çështja “Tahiri”, ashtu si nisi dhe ashtu si po shkon drejt fundit, vendos edhe një herë në vemendje, ndoshta më shumë se kurrë, të vërtetën e hapur tashmë, se e gjithë ajo që ndodh rreth nesh, me krimin apo të pavërtetën e tij, me lidhjet kriminale apo sajimet politike ndaj tyre, me bandat, të qena dhe të paqena, me tentimet për vrasjet dhe vrasjet e ndodhura, me bujën e madhe në fillimet e një çështje dhe shuarjen e saj, me dëshmitë e gazetarëve investigues, të cilët flasin hapur për një korrupsion të paparë, deri në një çerek milion euro për të mbyllur një hetim të sapo nisur; me të burgosur të rrezikshëm që gjenden në burgimin e tyre si të lirë, pra, të gjitha sëbashku dëshmojnë se krimi ka bërë një vatër të ndjeshme, ai po rigjeneron dita ditës, po bëhet më i sofistikuar dhe për më tepër larg vemendjes së strukturave që duhet ta luftojnë atë.

Në qendrën e shumë krimeve të sotme janë krimet e vjetra, të pazbuluara dhe shpesh herë të pandjekura nga askush, të mbyllura me urdhëra politikë, si janë vrasjet në Tropojë, të heshtura përmes shumave të mëdha, disa mijra e qindra mijra euro dhe në fund, nga presioni i bandave, të cilat ushtrojnë ndikimin e tyre, që nga Policia e Shtetit dhe deri tek instancat e larta qeverisëse dhe të opozitës. Ka qenë e pamundur dhe vazhdon të jetë e tillë, që të gjitha instancat më të larta ligjzbatuese të jenë kaq syleshe dhe të mos e kenë ditur atë që e di çdo qytetar për çka ndodh në qytetin e tyre, se cilët janë “të fortët” dhe kush qëndron pas tyre, se çfarë fshihet pas figurave politike që bartin pas vetes banda të tilla dhe mbi të gjitha, kush i mbron ato.

Krimi i vjetër, shumë lehtë, mund të ndjellë krimin e ri e shpeshherë e ka ndjellur atë.

Moszbulimi i tyre, heshtja ndaj së keqes, pajtimi me të, ndjell një krim të ri, edhe më të rëndë, krijon ciklin e tyre, që nuk ndalon atëherë kur i mbushet mendja policisë apo strukturave të drejtësisë, pasi, e keqja e vënë në lëvizje nuk e di askush se kur mund të ndalet.

Le të sjell një shembull: Astrit Meshnuni ishte njëri ndër sportistët më të njohur të qytetit, sidomos në peshat e rënda. I lidhur me familjen dhe mirëbërës. Pasi punoi disa kohë, pas pluralizmit në struktura të tjera, si duket, e ndjeu se ishte kohë e humbur dhe vendosi të bëhej ndërtues. As nuk i hyri kujt në hak dhe as nuk e dha hakun e tij për “të fortët”. U bë i njohur për ndërtimet, sidomos për ringritjen e pazarit të vjetër, të quajtur Bexhiesteni, ku dikur ishin mbi 360 dyqane. Filloi të ngrinte edhe një teatër për fëmijët në bregun e lumit Buna, por nuk e vazhdoi dot. Gjithçka u ndërpre mizorisht.

Disa vite më parë, në portën e shtëpisë së tij, në qytetin e Shkodrës, një biznesmen i njohur, më tepër për bamirësi se sa pasuri, Astrit Meshnuni, u vra. Vrasja u bë në sy të gruas dhe të vajzës së tij. E bija, që më pas do të bëhej ndër emrat e njohur të qytetit për poezitë, këngën dhe tabllotë e saj, studente e shkëlqyer për arkitekturë, fituese e një burse në Oksford, shikoi çastin e tmerrit. Njerëz të maskuar, dolën nga hija dhe prenë një jetë. As sot nuk ka një emër se cili mund të jetë vrasësi dhe kush qëndron pas tij, ashtu si nuk dihet as për vrasje të tjera.

Në rastin Meshnuni, strukturat e policisë dhe të drejtësisë e dinin, ishin të sinjalizuar se në drejtimin e tij po shkonin disa kërcënime rradhazi, deri në atë pikë, saqë ultimatumi i dhënë, ose largohu nga Shqipëria, ose do e paguash me kokë, edhe pse i ditur, ishte lënë në heshtje. Askush nuk u interesua për vazhdimin e historisë dhe askujt nuk i ra ndër mend se pas këtyre kërcënimeve mund të ishte shumë më tepër se sa një letër e zakonshme.

Dosja e mbyllur e tij nuk është bërë nga policë të zakonshëm, por hierarkë të kësaj strukture, të cilët kanë qenë të lidhur në kohën e ngjarjes me linjat e forta të bandave dhe që një ditë mund të vijnë përsëri në pushtet. Kjo është edhe më e rrezikshme, sepse nuk ka ndodhur në një rast a dy, por në shumë të tillë dhe nëse një grup i tillë pushtetar quhej, ta zëmë Çiftelia, mund të ketë shumë të tillë që heshtin, përfitojnë dhe mbulojnë, duke ngjallur krime të tjera. Jo rastësisht, pas ngjarjes së hidhur të vitit 2010, hienat u sulën edhe një herë në vitin 2013, duke dashur rrëmbimin e gjithçkaje që kishte mbetur.

Rreziku i një dosje të pambyllur, si në rastin Meshnuni është eminent dhe konstant, pasi gjithçka mund të rizgjohet, për deri sa nuk ka ndëshkim.

Disa kohë më vonë, po në qytetin e Shkodrës ndodhi një vrasje tjetër dhe Policia e Shtetit, në informacionin e saj vendos edhe fjalinë e habitshme se “i vrari mendohej se kishte gisht në vrasjen e cituar”.

Kjo përsëritet shpeshherë. Pas një vrasje del menjëherë komunikata se i godituri kishte pasur precedentë penalë, ishte eksponent i njohur për policinë dhe për më tepër, rastet më ekstreme, kur gjykata ka dhënë vendime qesharake, duke e ricikluar krimin, ose prokuroria e ka mbyllur çështjen për “mungesë provash”.

Mirëpo nuk mendohet më tej se kaq; askush nuk mund ta dijë nëse pas kësaj deklarate ekuivoke gjërat nuk do të riciklohen, si ndodh jo rrallë herë. Rastet e mbetura në dosje, sirtar apo të mbyllura, sidomos në krimet e rënda, janë shumë herë më të shumtë se ato që janë ndëshkuar. Vazhdimi i këtij përpjestimi i jep hapësirë krimit, e bën atë të ketë të drejtën e sundimit dhe për fat të keq, “të qytetarisë”. Ai pjell krime të tjera, të njëpasnjëshme, ndjell frikën tek vazhduesit e një brezi, tek të afërmit dhe ata që duan të jetojnë ndershmërisht.

Kështu edhe në rastin Meshnuni. Ende, megjithë vitet që kanë kaluar, nuk ka një emër, një të dhënë, një dëshmi dhe si duket, dosja është mbyllur përfundimisht, por duke lënë pas vetes shumë enigma.

Sa dosje janë të tilla? Me qindra! Sikur të hapeshin vetëm dosjet e vrasjeve të ndodhura në Tropojë, shumë nga të cilat kanë një fillesë politike të nxitur nga Tirana, atëherë e gjithë pamja që do të shfaqej para njerëzve do të ishte e kobshme, pasi, në një mënyrë ose në një tjetër, ka qenë rruga e lënë e lirë nga ata që duhej të ndëshkonin që ka sjellë seritë e vrasjeve.

Shteti ka strukturat e tij, të ngritura gjithandej, qoftë të shërbimit të inteligjencës, qoftë të Policisë së Shtetit; të strukturave të drejtësisë. Një kompleks i madh, që duhej të ishte i fuqishëm dhe i mjaftueshëm për të vendosur ligjin.

Paraqitjet demonstrative, sikur po ndodh një përmbysje dhe ligji po fiton terren mbi krimin, janë përrallat që dëgjohen, por nuk besohen. Të trondit tregimi i një gazetari investigativ, që pa iu dridhur syri, sjell të dhëna, të besueshme apo jo, për rrjetet e ngritura të krimit, për lëvizjet e pafundme të pasurive, larjen e fitimeve të zeza, krijimin e bandave dhe në fund, blerjen e vendimeve gjyqësore, sikur të blihej një shportë me mollë.

Vrasjet e ndodhura në Elbasan apo në Vlorë, të ndodhura në Shkodër, njëra pas tjetrës, qoftë në rrethinat e qytetit, qoftë në mesin e tij, krijimi i një zinxhiri komandues të grupeve të krimit, mposhtja reale e Policisë së Shtetit, e cila numëron të vrarët, por nuk zbulon vrasësit, deliri që pushton strukturat e larta drejtuese, kur të fortët i përtallin nga hotelet dhe restorantet që kanë ngritur – të gjitha sëbashku, prej vitesh, e jo vetëm tani, kanë krijuar klimën mbytëse, nga e cila nuk lirohet askush aq lehtë.

Të  burgosur Vip komandojnë nga burgjet e sigurisë së lartë, vendosin gjoba, marrin tenderë të rëndësishëm përmes njerëzve të tyre, vendosin për krimet e ardhshme dhe ndonëse i gjithë një qytet, të themi, Vlora, Elbasani apo Shkodra, Tropoja apo Durrësi, e di se kush qëndron pas një vrasje, një krimi apo drogës, e vetmja që bën sikur nuk e di, është Policia e Shtetit, prokuroria e në fund gjykata. Mos e kërkoni burimin e pasurisë së gjykatësve dhe prokurorisë askund tjetër: kërkojeni atë tek bandat, të cilat i kanë tentakulat brenda sistemit, brenda partive politike, brenda opozitës dhe mazhorancës.

“Të fortët” e bandave, qoftë ata të rrugës apo të politikës, kur kanë dashur, kanë lëvizur nga postet, drejtues policie e deri funksionarë të lartë. Mosndëshkimi i tyre ka sjellë edhe largim ministrash, që donin të ruanin integritetin e tyre.

Po bëhen tridhjetë vite që nuk dalim dot nga ky rreth vizioz.

E kam takuar dhe njohur nga afër poeten e re, Amina Meshnuni. Kam redaktuar dy nga librat e saj. Ajo mund të bëjë edhe shumë libra të tjerë, pikërisht ajo që ka parë krimin me sytë e saj, por kurrë nuk mund të hiqet nga vështrimi ajo që ka ndodhur.

Kush do e garantojë më tej jetën e saj?

Nuk është vetëm një Aminë. As edhe një tjetër. Janë të shumtë ata që kanë mbetur fillikat, viktima të një bote të krimit, e cila edhe pse njihet, dihet, ka emra dhe prona, mbi të gjitha prona, nuk vegjeton, por është pjesë drejtuese e jetës së shtetit.

Për deri sa ajo të ketë krahët e ngrohtë dhe shpatullat t’i mbështetë mbi politikën, asgjë nuk do të mund të bëhet.

Shembulli i një sportisti – ndërtues, e dëshmon këtë.

Mos i lini gjërat të vazhdojnë!

Ose, largohuni dhe mos humbisni rastin, të paktën të mbeteni të ndershëm.

 

*****

Botuar në Dita. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa lejen me shkrim të redaksisë

Share This Article