Masat e propozuara anti-imigracion duket se, do të krijojnë një përplasje të fortë mes Parlamentit Evropian dhe Këshillit. Nëse mbledhja e sotme e Këshillit, do të konfirmojë axhendën 10 pikëshe, përplasja do të jetë e paevitueshme. Këto masa janë konsideruar të pamjaftueshme, me një karakter të përgjithshëm, qesharake, skandaloze dhe të papërgjegjshme. Por, ku qëndron problematika e tyre dhe çfarë ofrohet si alternativë?
Në një konferencë të paralajmëruar për shtyp, kreu i grupit parlamentar Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), Guy Verhofstadt, me tone të acaruara deklaroi se, masat e paketës anti-imigracion, nuk zgjidhin aspak problemin në themel.
Duke shfaqur problematikat e tyre, Verhofstadt prezantoi një axhendë të re imigracioni, që fokusohet në katër shtylla:
Së pari, kërkohet shndërrimi i FRONTEX në një agjenci Evropiane dhe ndryshim i mandatit të tij, duke u bërë i detyrueshëm, si edhe të ndërmarrë operacione shpëtimi. Aktualisht FRONTEX funksionon mbi baza vullnetare, në vullnetin e shteteve anëtare për të marrë pjesë në të. Një mandat i detyrueshëm, do të thotë dhjetëfishim i mjeteve në dispozicion. Verhofstadt e konsideron skandaloz faktin, që anijet që shkojnë të shpëtojnë imigrantët, kryesisht janë anije private ose anije tregtare, që ndodhen në zonë dhe lajmërohen të shkojnë të ndihmojnë aty, rastësisht. Sipas tij, është absurde të mendohet se kriza do të zgjidhet duke dyfishuar mjetet në dispozicion të Triton (2 avionë, 1 helikopter dhe 7 anije).
Së dyti, kërkohet rishqyrtim i sistemit të azilit dhe i rregullores Dublin II, që nuk figuron aspak në planin 10 pikësh, që sugjerohen si konkluzione për Këshillin. Pra, krijimi i një sistemi që të mundësojë një shpërndarje të drejtë të azilkërkuesve, në të gjithë vendet e BE-së, çka do të promovojë ndarjen e përgjegjësisë ndërmjet shteteve anëtare. Si edhe të krijohet mundësia për viza humanitare, në kuadrin e kërkimit të azilit.
Së treti, të krijohet mundësia për një Sistem Migrimi Ligjor në BE. Ekuivalent me sistemin e “Green Card” amerikan apo kanadez. Aktualisht, BE ka 28 sisteme të ndryshme imigrimi, ose më saktë 29 modele imigrimi, pasi sipas Verhofstadt është shpikur edhe një sistem i fundit, në dështim total, “Blue Card”. Sipas tij, ky sistem është një dështim, pasi vetëm Gjermania ka dhënë disa karta blu dhe asnjë shtet tjetër. Axhenda e ofruar propozon krijimin e një sistemi të ligjshëm ekonomik të centralizuar të BE-së, si për punëtorët e pakualifikuar apo pak të kualifikuar, por edhe për ato shumë të kualifikuar.
Së katërti, kërkohet ndryshim i përqasjes së Politikës së Jashtme Evropiane, sidomos ndaj Politikave të Fqinjësisë. Sipas Verhofstadt, Evropa nuk ka pranuar të veprojë dhe të marrë përgjegjësi ndaj krizave në këto vende: “ (..) Evropa nuk mund të vazhdojë të thotë se, çfarë po ndodh në atë vend, në Afrikë, Siri apo në Libi, s’është puna jonë, ne nuk ndërhyjmë…… (…) fakti se kemi shume sirianë, që kërkojnë azil në Evropë, është pasojë e faktit që s’kemi marrë përgjegjësi që në fillim për krizën në Siri, të ndalohej masakra….. dhe pasojat e saj, janë së pari, gjithë xhihadi nga tërë cepat e Evropës shkoi në Siri dhe së dyti, një fluks i lartë migrimi (…)Flasim shumë për Fqinjësinë, por asgjë s’bëhet…..(…)…..e njëjta gjë me Libinë. Dhe me të tjerët do të jetë e njëjta gjë….”
Me tone të larta nervozizmi, ai u shpreh edhe mbi faktin se aktualisht vetëm gjysma e vendeve anëtare, kanë reaguar ndaj pritjes së refugjatëve, të tjerët hiç, asgjë. Gjermania dhe Suedia kryesojnë në shembullin e tyre pozitiv. Verhofstadt theksoi se, nëse ekziston dëshira, çështja humanitare zgjidhet brenda javës, ndërsa çështjet që lidhen me ndryshimin e sistemit të azilit dhe të sistemit të imigracionit sigurisht që kërkojnë kohë.
Paralajmërimi ishte i fortë dhe insistues, në përpjekje për të imponuar reflektim gjatë mbledhjes, që pritet të zhvillohet pasditen e sotme në Bruksel, mes krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare.
Vlera të diskutueshme
Reagimi i fortë, që erdhi nga Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën, është sa i rëndësishëm, por edhe delikat. I rëndësishëm në kuptimin e ndërgjegjësimit në lidhje me masat e propozuara, që nuk e zgjidhin aspak problemin, e shmangin atë dhe njëkohësisht krijojnë iluzionin se, Evropa po vepron dhe se vlerat e saj janë të padiskutueshme. Mirëpo, thelbi këtu nuk qëndron tek disa masa të marra, por me faktin se këto veprime dhe mosveprime vazhdojnë të ekspozojnë luhatjen e vlerave themelore, rreth të cilave është formësuar Unioni.
Fillimisht, goditja erdhi ndaj planit 10 pikësh të propozuar, se nuk ishte aspak “një reagim i shpejtë i Komisionit Evropian” ndaj emergjencës së situatës, por po luhej në një terren hipokrizie, pasi ato 10 pika kishin kohë që “flinin në sirtar”, tek figuronin edhe në konkluzionet e Këshillit Evropian, të dhjetorit 2013.
Ndonëse u rishpall fuqishëm, edhe njëherë në të gjithë deklaratat se, humanizmi dhe solidariteti janë ndër vlerat kryesore të Unionit, fakti që vetëm gjysma e shteteve anëtare, kanë reaguar ndaj pritjes së refugjatëve, e ekspozon sërish në dyshim këtë vlerë të pretenduar. I njëjti reflektim shkon si ndaj hezitimit të vazhdueshëm të BE-së, mbi rishikimin në thelb të rregullores Dublin II, për të mundësuar një sistem të drejtë shpërndarje të azilkërkuesve, por edhe ndaj shpalljes se tashmë do të dyfishohet buxhet i Triton në Itali apo i Poseidon në Greqi, ndërkohë që dyfishimi i tyre është i një vlere më të ulët, se buxheti i operacioneve Mare Nostrum.
Evropa vazhdimisht është shfaqur e tkurrur, përballë ideve për hapje ndaj imigracionit, apo krijimit të një sistemi të ligjshëm imigrimi, si Amerika apo Kanadaja. Tema e imigracionit më shumë se, sa një realitet prekës, është shndërruar prej vitesh në një fantazmë propagandistike, që ka rritur dhe fuqizuar vazhdimisht ekstremin e djathtë, në jo pak prej vendeve evropiane. Kjo “fantazmë” ka ushqyer vazhdimisht jo vetëm spektrin politik, por edhe median vizive si edhe të shkruar, që nuk është frenuar aspak përballë rasteve diskriminuese në trajtimin e çështjeve të ndryshme, që prekin imigracionin. Nëse statistikat (EB) mbi perceptimin e qytetarëve evropianë mbi imigracionin nuk janë aspak pozitive, këto të dhëna, janë tërësisht në kundërshtim me statistikat p.sh, në fushën e krimit, ku predominimi i takon qytetarëve vendas. Nëse krimet në shumicë kryhen nga vendasit dhe stigmatizimi është ndaj të huajve, këtu kemi një zhvendosje të perceptimit të qytetarëve, që sigurisht ndikohen nga retorika politike, por edhe ekstremiste e ndihmuar kjo në përcjellje edhe nga media apo burimet e ndryshme të informacionit. Nuk duhet nënvlerësuar fakti, se partitë anti-imigracion, tashmë janë në mes të Parlamentit Evropian, me një elektorat gjithnjë e në rritje. Imigracioni në Evropë, ndryshe nga Amerika apo Kanadaja nuk shikohet aspak si një vlerë e shtuar apo kontribut i caktuar. Paragjykimet, steriotipet dhe stigmatizimi janë gjithashtu më të fuqishme. Sipas Eurostat (2014), vetëm 22% e evropianëve mendojnë se BE përfaqëson një “diversitet kulturor”.
Nuk dihet ende kush do të jetë reagimi i sotëm i krerëve të shteteve dhe qeverive ndaj problemit të imigracionit. Por, nëse optika nuk do të kufizohet vetëm ndaj planit 10 pikësh të propozuar, por do të ketë një përqasje më të plotë dhe efikase ndaj fenomenit, atëherë mund të flitet për një ndërgjegjësim të Unionit dhe vullnet real për zgjidhje të krizës./im.ta/