Kufijtë inteligjentë të elektoratit evropian

Gazeta Dita

Ekstremi i djathtë ka njohur një zgjerim të konsiderueshëm thuajse në çdo zgjedhje lokale, apo legjislative në një sërë vendesh evropiane. Faktorë të ndryshëm kanë ndikuar në zhvillimin dhe zgjerimin e tij duke nisur nga kriza ekonomike, rritja e shifrave të papunësisë, si edhe mungesa e investimeve publike. Dalja e partive tradicionale nga boshti i tyre ideologjik, ka bërë të mundur
që partitë ekstremistë të ofrojnë mbrojtje dhe përfaqësim të elektorateve të braktisura, me një retorikë dhe gjuhë të thjeshtë populiste, duke u bazuar në dy elementët kyç të identifikimit të tyre: refuzimi ndaj tjetrit dhe nacionalizmi.

Pavarësisht karakteristikave specifike të çdo vendi, refuzimi ndaj tjetrit merr trajta të ndryshme, herë ndaj të huajit (ndaj migrantit, ndaj azilkërkuesit, ndaj refugjatit), por shpeshherë ky refuzim drejtohet edhe ndaj vetë shtetasve brenda një territor kombëtar (Vlaams Belang në Belgjikë, Lega Nord në Itali), si edhe ndaj minoriteteve brenda një hapësire shtetërore (Jobbik në Hungari), por trajtat e tij formësohen edhe ndaj shtetasve të vendeve të ndryshme evropiane (rasti i polakëve në Britaninë e Madhe pas Brexit, vendet skandinave ndaj grekëve dhe spanjollëve). Në këtë platformë urrejtje, tjetri shndërrohet në një fenomen ku i atribuohen të gjithë aspektet negative, për të cilat vendi përkatës dhe shoqëria në fjalë është “duke vuajtur padrejtësisht”. Verën e kaluar, konfliktet e Lindjes së Mesme arritën të zhvendosin miliona persona në Evropë, duke i lejuar ekstremit të djathtë evropian të shfrytëzojë akoma më shumë kartën e tij të ksenofobisë dhe të racizmit. Nuk duhet harruar se Evropa po përballet me nevojën për të absorbuar në shoqëritë e saj, flukse të larta të migrimit, por se këto flukse Evropa i ka njohur kryesisht vetëm në periudhat e lulëzimit të saj ekonomik, atëherë kur vendet bënin kontrata, duke marrë në territoret e tyre krahun e punës për zhvillimin dhe ndërtimin e infrastrukturave të ndryshme në vend. Dhe kjo vështirësi për të absorbuar në shoqërinë e saj këto flukse migrimi, duhet kuptuar edhe në kontekstin e krizës ekonomike dhe financiare që ka përshkruar prej vitesh Evropën.

Refuzimi i tjetrit, ndërthuret ngushtësisht me elementin e dytë, që është kuadri i theksuar nacionalist. Dhe ky nacionalizëm, nuk është një nacionalizëm i çfarëdollojshëm, por sipas specialistëve kemi të bëjmë me një “nacionalizëm organik”, në kuptimin që kombi merr vlerën, formën dhe rëndësinë e një “organi biologjik”, që mund të sulmohet dhe infektohet nga “viruset”, që duhet t’i luftojmë dhe t’i përzëmë jashtë territorit kombëtar.

Të gjithë partitë ekstremiste të djathta, bazohen në skeletin e mësipërm, ndonëse në varësi të aktualiteteve të vendeve përkatëse axhenda e tyre ndryshon, pasi synohet zgjerimi i elektoratit. Por, duhet theksuar se në përgjithësi, këto parti ekstremiste përpiqen të distancohen në parim nga ideologjitë ekstremiste të djathta fashiste, naziste apo frankiste. Ndër to, përjashtim bëjnë Jobbik në Hungari dhe Agimi i Artë në Greqi, që nuk hezitojnë të shfaqin elementë të qartë të ideologjive naziste. Duhet theksuar se, si ideologjia fashiste edhe ajo naziste lindën në një kontekst të veçantë të lidhur ngushtë me Luftën e Parë Botërore. Konteksti i ditëve të sotme, është shumë i ndryshëm, duke i detyruar këto parti të jenë më të frenuara, teksa distancohen të paktën në parim nga këto ideologji, por është e pamundur të mos hiqen disa paralelizma. Paralelizma, jo vetëm në kuptimin e vijimësisë të karakteristikave bazë si konceptimi etnik i popullit, apo i identitetit kombëtar që funksionon vetëm me “armiq” të përcaktuar, por që kanë një qasje të ngjashme si në raport me krizën financiare, ekonomike dhe sociale, pa përjashtuar këtu edhe krizën demokratike. Gjithsesi, ato nuk e kanë vënë asnjëherë në diskutim një element të rëndësishëm, që lidhet me refuzimin e demokracisë parlamentare, ndryshe nga partitë ekstremiste të fillim shekullit të XX, të cilat pasi morën pushtetin e shuan jetën parlamentare.

Në hartën e një Evrope ku partitë ekstremiste po zgjerohen duke filluar nga Franca, Gjermania, Austria, Italia, Hungaria, Polonia, Finlanda, Danimarka, Belgjika, Holanda etj, vëmendje po tërheq rezistenca e Portugalisë, Spanjës dhe Irlandës. Një rezistencë, që spikat dhe që në optikën e specialistëve, mund të lidhet me raportet e veçanta që ato kanë ndërtuar me çështjen kombëtare, apo me një histori që i ka shkualifikuar regjimet autoritare.

Që prej 20 vitesh, ekstremizmi nuk bën gjë tjetër veçse intensifikohet. Me theksimin e krizës ekonomike në Evropë, kemi dhe një përforcim të partive populiste dhe ekstremiste. Roli përforcues i tyre, nuk shfaqet vetëm tek elektorati në rritje, por tek ndikimi që ato ushtrojnë mbi partitë tradicionale, duke i detyruar këto të fundit të huazojnë jo vetëm retorikën, por edhe të marrin pika të tëra të programeve të tyre. Në rastet më delikate, kemi edhe ushtrimin e presionit, që shikohet rëndom në vendimmarrjet politike.

Ndërkohë mënyra se, si është pozicionuar klasa politike tradicionale, ka krijuar një hapësirë të gjerë debati, pasi ky pozicionim shfaqet si problematik. Së pari, vërehet se, ka një tendencë shpërfillje, zhvlerësimi dhe mos marrje në konsideratë të retorikës, që vjen nga partitë ekstremiste. Kjo për të mos bërë të mundur dhënien e kredos, që ato të ngrihen në platformën politike ku partitë tradicionale operojnë dhe fuqizimin e ideve të tyre. Së dyti, është zgjedhur një filozofi mosveprimi, me qëllim që duke i lënë të shtyhen në ideologjinë e tyre, ato do të gabojnë. Dhe duke gabuar, elektorati do ketë mundësi të reflektojë dhe të kuptojë se kë forcë po mbështet.

Problemi kryesor qëndron tek fakti se, ndërkohë që zgjidhet një filozofi e tillë operimi, është e gabuar të kopjohet retorika dhe programi i asaj, që ti e zhvlerëson dhe e shpërfill. Pasi kjo demostron dobësinë dhe jo forcën, djallëzinë dhe jo mençurinë, mungesën e vizionit dhe jo largpamësinë.

Gjithsesi, ky pozicionim i klasës politike tradicionale, ka rezultuar sa i suksesshëm, po aq edhe dëmshëm. Këtë sukses, mund ta shikojmë të konkretizuar në politikat populiste të Hungarisë së Orbanit, që gjetën refuzim në referendumin e fundit, duke çuar në gjykimin se drejtuesi politik gaboi. E njëjta logjikë mund të thuhet edhe për politikat populiste të Polonisë së Kaçjinksit, sidomos me tentativat e fundit për ligjin e abortit dhe penalizmin e grave, që e kryejnë këtë procedurë. Tërheqja nga ky ligj, që erdhi si pasojë e protestave në rritje, tërhoqi qeverinë nga miratimi i tij. Pra, janë dy momente ku elektorati njeh tërheqje, dhe kjo tërheqje mund të konsiderohet si pozitive, pasi mund të ndikohet nga rrëshqitja e mëtejshme e veprimeve të politikave populiste. Siç është rasti i kokëfortësisë së drejtuesit hungarez për të ndryshuar kushtetutën, që të reflektohet rezultati i referendumit, apo edhe mbyllja e gazetës më të rëndësishme opozitare, një prej zërave më kritikë ndaj pushtetit.

Por, kjo logjikë operimi njeh edhe anën e saj të riskut apo të dështimit. Fronti Nacional francez, edhe pse i krijuar që në vitin 1972, ka arritur në atë nivel në ditët e sotme, sa të bëjë të pranueshme dhe të votueshëm ide tabu dhe ekstremiste. Pranimi i këtyre ideve, është një proces në vazhdim dhe që mund të rrezikojë të çojë vajzën e Zhan Mari Lë Pen, brenda disa muajve në garën e turit të dytë të zgjedhjeve presidenciale.

Por, a mund të thuhet se ekstremizmi po triumfon ideologjikisht në Evropë ?

Që ky ekstremizëm të triumfojë ideologjikisht, duhet që ai të vijë në pushtet. Aktualisht, edhe pse në vende të caktuara ka fraksione qeveritare, ku i gjejmë të përfaqësuara këto forca politike, ka gjithmonë një kufi inteligjent, që elektorati ka ditur ta vendosë, duke u shprehur nëpërmjet votës dhe penguar kësisoj ardhjen e tyre në pushtet. Suksesi lokal, që ai shfaq ka meritën edhe të partive tradicionale, që duke mos i goditur publikisht këto politika, shkaktojnë dëmin më të madh, pasi duke i huazuar dhe i kopjuar, i legalizojnë publikisht këto prirje ekstremiste. Dhe ky legalizim publik, ka efekte të parikuperueshme në elektorat. Shembulli tipik është ai britanik, ku kjo gjuhë urrejtje politike ka nxitur aktet e ksenofobisë në vend dhe sulmet ndaj të huajve. Edhe pse organizatat e të drejtave të njeriut, i kanë bërë thirrje politikës britanike të kuptojë dëmin, që vjen nga këto deklarata, Kongresi i Konservatorëve ishte arena e mungesës së plotë të reflektimit politik.

Por, pavarësisht rolit që luajnë ekstremet e djathta, qytetarët evropianë nuk dëshirojnë të mbyllen në guaskën nacionaliste dhe të braktisin Unionin. Kjo u vëzhgua edhe në situatën pas Brexit, ku pati një reagim shumë të fortë social, por edhe politik për të bërë të mundur qëndrimin në BE. Edhe të dhëna të tjera, siç do të ishte sondazhi i kryer nga Ifop menjëherë pas Brexit në 6 vendet kryesore të BE, flasin për një reflektim të menjëhershëm pas situatës që u krijua në Britani, duke rezultuar me një nivel mbështetje për qëndrim në Union, shumë herë më të lartë nga përqindjet e mëparshme.

Im.Ta

DITA

Share This Article