“Nuk duhet harruar, se ato që mbërrijnë (…) janë përfaqësues të një kulture thellësisht të ndryshme (…), në shumicë ato nuk janë kristianë, por myslimanë. Është një çështje e rëndësishme, sepse Evropa dhe identiteti evropian kanë rrënjë kristiane. “
Ky do të ishte reagimi i kryeministrit të Hungarisë, Viktor Orban, në institucionin më të rëndësishëm të Unionit, Parlamenti Evropian. Aty, ku përfaqësuesit legjislativë të popujve të Evropës promovojnë mbrojtjen e lirisë, barazisë dhe të drejtave të njeriut. Aty, ku drejtohen gjithashtu edhe mesazhe apo orientime politike për vendet kandidate, që shpresojnë të bëhen pjesë e këtij Unioni vlerash, për respektim të dinjitetit njerëzor, drejtësisë, barazisë, tolerancës dhe mos diskriminimit.
Por, Hungaria nuk është e vetme në këtë sfidë publike për diskriminim, përçarje dhe izolim fetar. Vetëm pak kohë më parë edhe Sllovakia, konfirmoi preferencat kristiane në përzgjedhje në lidhje me çështjen e refugjatëve. Në fakt, gjithnjë e më shumë po përflitet mbi një rishfaqje të hijeve “ideologjike” të kufirit gjeopolitik mes vendeve të Perëndimit dhe të ish-Lindjes komuniste. Hungaria, Sllovakia, Republika Çeke dhe Polonia janë distancuar, duke shfaqur në bllok një qëndrim unifikues, për mospranim të kuotave imponuese të shpërndarjes së refugjatëve. Duke refuzuar të bëhen pjesë e një solidariteti evropian me përmasa historike, të katër vendet e mësipërme pritet të ripërforcojnë qëndrimin e tyre, në një Samit të përbashkët që do të organizohet së shpejti, në Pragë.
Por, çfarë i përbashkon apo i lidh këto katër vende në këtë mungesë të theksuar solidariteti dhe frymë diskriminuese ?
Në rast se i referohemi, analizave monitoruese të kryera nga Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Intolerancës, (ECRI) situata shfaqet pothuajse me tendenca të njëjta, në lidhje me të drejtat e njeriut, ku diskriminimi dhe mungesa e tolerancës janë të frymëzuara, burojnë dhe mbështeten nga klasa politike. Hungaria, Sllovakia dhe Republika Çeke, kanë grupime realitivisht të fuqishme të ekstremit të djathtë, neo-nazist me anëtarë dhe mbështetje gjithashtu të konsiderueshme në popullatë. Ndërsa Polonia, ndonëse me një panoramë pak më ndryshe nga tre vendet e mësipërme, kohët e fundit është përballur me një rritje të grupimeve ekstremiste të djathta, si dhe me një fuqizim të ndjesisë islamofobe.
Sllovakia
Jo vetëm analizat monitoruese të ECRI, por edhe vëzhgimet e organizatave të të drejtave të njeriut, konfirmojnë se rëndom klasa politike në Sllovaki, përdor një retorikë politike kundër minoriteteve në vend. Duke mos bërë asnjë përjashtim, drejtuesit politikë të Sllovakisë, i përdorin fjalimet nacionaliste për qëllime elektorale. Këto fjalime, atakojnë grupe të ndryshme të minoriteteve në Sllovaki, duke mos përjashtuar edhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes ndaj imigrantëve myslimanë.
Ekstremi i djathtë, është i fuqizuar. Një sërë raportesh konfirmojnë prezencën e rreth 500 anëtarëve aktivë të grupeve neo-naziste dhe qindra simpatizantëve të tyre. Strategjia e tyre politike vlerësohet të jetë sofistikuar vitet e fundit. Nëpërmjet hapësirave që krijon legjislacioni ato arrijnë të organizojnë manifestime raciste, grumbullime publike të formave të ndryshme, pa u shqetësuar aspak nga forcat policore.
Këto grupe mbështesin fuqishëm ideologjinë naziste dhe strukturat shtetërore fashiste të Sllovakisë përgjatë Luftës së Dytë Botërore, që deportuan në kampet e vdekjes qindra çifutë, romë dhe persona të tjerë. Ndër to më të fuqishmet në organizim janë partia e ekstremit të djathtë “Sllovakia Jonë” dhe “Partia Nacionaliste Sllovake”. “Sllovakia Jonë” ka hedhur në këto momente edhe një peticion online për refuzimin e imigrantëve në vend.
Por, janë edhe dy pika tejet të ndjeshme, që lidhen me segregacionin dhe dhunimin e të drejtës për jetë familjare.
Sllovakia është vënë në fokusin e organizatave të të drejtave të njeriut për aplikimin e politikave të segregacionit, duke izoluar komunitetin rom në sistemin arsimor nëpërmjet krijimit te shkollave të veçanta vetëm për to, si edhe duke i përjashtuar nga forma të tjera të përfshirjes së mundshme në jetën sociale.
Por, situata më e rëndë, duket se shfaqet në lidhje me forcimin e detyruar për sterilizm të grave rome. Praktika gjysmë legale, që aplikohen pa dijeninë e pacientit, tek ato shkojnë për të kryer lindje, apo ndërhyrje për arsye të tjera. Sterilizim në masë i grave rome, që kryesisht kryhej nën formatin e dhënies së një letre të zakonshme për firmosje, pa i sqaruar se për çfarë bëhej fjalë. Shpeshherë komunikoheshin arsye të ndryshme dhe ndonjëherë iu jepej ndihmë materiale pa iu shpjeguar përse. Që prej vitit 2011, Sllovakia është dënuar vazhdimisht nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në lidhje me këto praktika ilegale, duke dhunuar të drejtën për jetën familjare dhe private.
Republika Çeke
Edhe Çekia paraqet një panoramë të fortë racizmi dhe ksenofobie, që mbështetet gjerësisht në elitën politike si rajonale, por edhe kombëtare. Inkurajimet ndaj këtyre politikave raciste, shfaqen në shpërblimet apo ngritjet në detyrë dhe poste publike të personave, që kanë kontribute në këtë drejtim.
Partitë e ekstremit të djathtë, janë një burim i lartë shqetësimi për një sërë organizatash të të drejtave të njeriut, pa përjashtuar edhe ECRI. Publikimi në vitin 2008, nga Partia ekstremiste Nacionaliste e studimit të quajtur “Zgjidhja finale përballë çështjes cigane në tokat çeke”, që propozonte spastrimin e romëve dhe përzënien e tyre drejt Indisë, janë paralelizma të fortë me ideologjitë naziste të pastrimeve etnike. E njëjta parti, publikon vazhdimisht fjalime urrejtje kundër myslimanëve, në faqen të saj të internetit.
Grupet naziste dhe grupe të tjera të ekstremit të djathtë janë aktive në republikën Çeke. Këto grupe organizojnë manifestime klasike si koncerte, duke adaptuar strategji të rafinuara për aplikim të programeve të tyre të urrejtjes. Në fund të vitit 2007, “Partia Nacionale” krijoi gjithashtu një organizim paramilitar me uniforma specifike. Këto grupe organizonin patrullime nëpër shkolla për të mbrojtur nxënësit lokalë ndaj “agresioneve” të fëmijëve romë. Më shqetësuese, shfaqej mbështetja politike tek nuk e shikonte si të paligjshëm aksionin nga këto paramilitarë. Situata është shfaqur problematike edhe në lidhje me mediat, si edhe fjalimet e urrejtjes në internet.
Aktiviteti i grupeve ekstremiste si “Rezistenca Kombëtare” dhe “Nacionalistët Autonomë”, bazohet në një axhendë anti-myslimane, anti-çifute, mohim të Holokaustit dhe shpërndarje të propagandës naziste.
Polonia
Edhe Polonia po përballet vazhdimisht me një rritje të grupimeve ekstremiste të djathta. Organizatat aktuale si “Rilindja Kombëtare e Polonisë”, “Kampi Nacional-Radikal” dhe “Shoqata Kombëtare Zadruga”, “E Gjithë Rinia Polake”, apo “Lidhja e Mbrojtjes Polake”, janë pasuruar me grupime të tjera, si: “Lëvizja Nacionale” (2012), apo “Bashkësia- Partitë e Perandorisë Sllave”, (2013).
Sipas raporteve të ndryshëm, edhe në Poloni konstatohet një rritje apo përforcim i aktiviteteve të tyre mobilizuese. Disa prej tyre, konfirmohet se janë strukturuar në rrjete ndërkombëtare, ndërsa disa të tjera kanë ndërtuar lidhje me shoqata mbështetësish racistë të futbollit dhe në veçanti me grupet e huliganëve.
Për sa i përket përdorimit të gjuhës së urrejtjes në internet dhe në media, mendimet raciste dhe ksenofobe vlerësohet se, janë të vazhdueshme mbi forumet e diskutimeve në internet. Ndonëse, ka një përqendrim të gjuhës së urrejtjes të klasifikuar fillimisht ndaj çifutëve, rusëve dhe gjermanëve, ajo që konstatohet është një rritje e vazhdueshme e ndjesisë së islamofobisë në vend.
Hungaria
Hungaria karakterizohet gjithashtu nga një klimë e gjerë politike ku dominon retorika populiste dhe ekstremiste.
Lëvizja Jobbik, e ngjitur në skenë në vitin 2003, arriti të dalë në vitin 2010 në rang të tretë kombëtar dhe në zgjedhjet e fundit legjislative të vitit 2014 ajo merr afërsisht 20% të votave. Zgjedhjet lokale të vitit 2014, e fuqizojnë më tej, duke e klasifikuar në vend të dytë. Jobbik është shfaqur si një parti konservatore radikale patriotike, që synon mbrojtjen e vlerave kristiane hungareze. Një parti e njohur gjerësisht për propagandën e saj fashiste, neonazsite, ekstremiste, raciste dhe ksenofobe.
Klima e intolerancës ndaj refugjatëve apo azilkërkuesve, është shfaqur publikisht që prej vitit 2013, ku Jobbik kërkonte fshirjen e qendrave të pritjes duke etiketuar azilkërkuesit me një fjalor denigrues, si shkatërrues të sigurisë publike, kriminelë, mbeturina dhe me risk të lartë sanitar. Kjo gjuhë politike dhe retorikë urrejtje shtrihet pothuajse në të gjithë spektrin politik, duke përfshirë gjithashtu edhe pjesë të medias, që shpërblehen në raste të veçanta.
Të katër vendet e ish-Lindjes komuniste, shfaqin problematika relativisht të njëjta në lidhje me fushën e të drejtave të njeriut dhe konkretisht për sa i përket racizmit dhe intolerancës, ndaj grupimeve minoritare. Diskriminimi ndaj minoriteteve në shoqëri, nën një kuadër të fortë nacionalizmi përveç frymëzimit, mbështetjes dhe inkurajimit të formave të ndryshme të politikës, gjen mbështetje edhe në strukturat mediatike, si edhe në segmente të caktuara të popullatës. Grupimet e ekstremit të djathtë nën ideologjinë neo-naziste, që shfaqen më të strukturuara dhe të mobilizuara në Sllovaki, Çeki dhe Hungari, duhen kuptuar edhe nën frymën apo gjurmët e një historie të rëndësishme kolaboracionizmi, përgjatë Luftës së Dytë Botërore, që ka gjetur shtrirje të konsiderueshme edhe në segmente të caktuara të shoqërisë. Këndvështrim, që nuk mund të neglizhohet, të paktën në leximin dhe shpjegimin e grupimeve neo-naziste, mbështetjes së tyre me anëtare në popullatë, tolerancën dhe mbështetjen politike, si edhe përkrahjen e segmenteve mediatike. Nën këtë optikë, apo klimë ekzistuese presioni, duhet kuptuar edhe refuzimi i këtyre katër vendeve për t’u distancuar nga solidariteti i nevojshëm evropian, në një moment kur kriza dhe përballja me të ka marrë përmasa historike./im.ta/