Janë dy fenomene, që lidhen me aktualitetin evropian duke tërhequr vëmendjen për sa i përket retorikës dhe veprimit populist: kriza e refugjatëve dhe aktet kërcënuese të sigurisë publike. Ky populizëm, shfaqet në forma dhe trajta të ndryshme, por që vepron kryesisht në “interes dhe dobi” të popullit. Duke luajtur me frikën dhe pasigurinë e qytetarëve, thjesht për të thelluar, zgjeruar dhe fituar pak më shumë terren elektoral, ai arrin të kultivojë diskriminimin, konfliktin, përçarjen dhe izolimin. Por, si gërshetohen këto dy fenomeneve të shkëputura, me propagandën populiste ?
Imigracioni ka kohë që është shndërruar në temën kryesore të ideologjive populiste në shumë prej partive të ekstremit të djathtë. Por, ajo ka gjetur mbështetje në forma të ndryshme edhe nga partitë klasike, në funksion të kompromiseve për ekuilibrim apo qëndrim të forcave në pushtet. Gradualisht, demagogjia në trajtimin e këtij fenomeni arriti përmasa shqetësuese në opinionin e fundit publik të qytetarëve evropianë, duke thyer çdo rekord, teksa u shndërrua në shqetësimin kryesor të tyre.
Edhe kriza e refugjatëve, po përplaset sërish me doza të larta të këtij populizmi. Duke filluar nga përdorimi i një retorike politike me tendenca diskriminuese të drejtuesve politikë të rëndësishëm të Britanisë, Belgjikës, Francës apo Italisë, duke vazhduar me politika konkrete tejet agresive të klasës politike të Hungarisë, Greqisë, apo Bullgarisë. Kjo retorikë dhe këto veprime populiste sigurisht që shkaktojnë efektet e tyre në opinionin publik, ku minimalisht rrisin ndjenjën e frikës, ankthit dhe të pasigurisë duke mos anashkaluar edhe nxitjen e urrejtjes apo të ksenofobisë, dhe maksimalisht shfaqen si kërcënuese ndaj një solidariteti të nevojshëm politik dhe social.
Për të mos iu referuar vendeve, që tashmë kanë një reputacion aspak pozitiv në lidhje me trajtimin e imigrantëve dhe të refugjatëve, po i referohemi vetëm shifrave të opinionit publik belg. Sipas sondazhit të fundit të iVOX të realizuar nga RTL, 72,8% e belgëve vlerësojnë se, vendi pret shumë imigrantë, ndërkohë që 74,3% e tyre kërkojnë një veprim në kufi. Sigurisht, që ky perceptim i opinionit publik, vjen i ndikuar edhe në një optikë deklaratash të forta politike me nuanca nacionaliste dhe ksenofobie, që nuk kanë ngurruar të ofrojnë si zgjidhje prekjen e statusit dhe të drejtave ndërkombëtare të refugjatëve.
Por, ka dhe një problematikë tjetër, që po konstatohet në shumë prej vendeve të ndryshme anëtare, pa neglizhuar edhe vetë Unionin, përzgjedhja semantike. Ka një ngurrim, apo shmangie të klasës politike nga përdorimi i termit refugjat, që specifikon ndër të tjera, personat që i ikin persekutimeve, luftërave apo konflikteve, në një term më të përgjithshëm, si imigrantë (persona që vijnë në këto vende për arsye ekonomike për, të gjetur punë, apo kushte më të mira jetese), apo duke i konsideruar edhe si migrim. Kjo terminologji është e gabuar edhe në rastin e përdorimit apo cilësimit “imigracion i paligjshëm”, pasi imigracioni mund të jetë i parregullt, por jo i paligjshëm. Paligjshmëria nënkupton kriminalizim dhe ka konotacion negativ.
E drejta ndërkombëtare, e vlerëson shumë qartë dallimin mes imigrantit dhe refugjatit, bazuar pikërisht në motivacionin që i shtyn ato të lenë vendin e tyre. Në rast se politika, bën përzgjedhje në përdorimin e termave, duke i cilësuar refugjatët që i ikin luftërave dhe konflikteve si imigrantë, që dëshirojnë të lëvizin dhe të instalohen për të punuar apo jetuar në këto vende, kjo nuk rrezikon thjesht të zhvlerësojë rëndësinë në trajtimin e këtij fenomeni, të krijojë një perceptim të gjerë social refuzues apo mohues, por edhe të dekurajojë solidaritetin e gjerë në parim.
Por, ndërkohë populizmi është aktiv edhe ndaj fenomeneve të tjera që prekin shoqërinë. Akti i fundit me natyrë terroriste në trenin Paris-Amsterdam, shkaktoi një sërë reagimesh të forta, politike, duke kërkuar deri rivendosjen e kontrolleve të brendshme kufitare dhe rishikim të Shengenit.
Por, elementi që tërheq vëmendjen është krijimi i një klime paniku të gjerë, pas çdo akti të tillë, që sigurisht merr përmasa më të mëdha pas futjes në skenë dhe përdorimit të retorikës populiste. Shndërrimi në klishe e formës psikologjike të panikut tek qytetarët, me fabulën e një gruaje të moshuar në tren, që thërriste policinë sa herë një pasagjer shkonte në tualet, është tregues i këtij ndikimi.
Gjithsesi, nuk duhet harruar se fenomeni i terrorizmit, nuk është i ri në Evropë. Evropa ka një traditë të konsiderueshme tek terrorizmi i bazuar kryesisht në ideologjinë e ekstremit të majtë si Brigadat e Kuqe në Itali, Fraktion Roter Armee, në Gjermani apo Action Directe, në Francë. Pa neglizhuar këtu edhe terrorizmin me baza nacionaliste-separatiste, si Lëvizja Baske në Spanjë, Lëvizja Korsikane në Francë, apo Sin Fein në Irlandën e Veriut.
Teksa një sërë aktesh të dhunshme kanë ndodhur në Evropë përgjatë viteve ’60-’80, paniku dhe ankthi i qytetarëve evropianë nuk ka qenë në këto nivele që ekspozohet në ditët e sotme. Sigurisht, që në këtë drejtim ndikon si retorika e fuqishme populiste, por edhe fuqia që ajo merr nga pushteti i medias. Pothuajse të gjitha deklaratat politike, gjejnë një jehonë të madhe në media, pa neglizhuar këtu lidhjen e fortë, që qytetari ka në formë të pandërprerë me lajmin si edhe komunikimin e pandërprerë në rrjetet sociale.
Si kriza e refugjatëve, por edhe aktet e kërcënimit të sigurisë publike, janë pika të ndjeshme të propagandës populiste, që përbashkohen në një pikë, krijimi i panikut dhe i pasigurisë. Sa më e lartë të jetë kjo dozë injektimi, aq më produktive shfaqet ajo në terren, tek mbërthen elektoratin duke e thelluar dhe e zgjeruar atë. Tek krijohet frika dhe pasiguria, sigurisht që ofrohet edhe “zgjidhja” ndaj tyre, pasi për më shumë siguri, nuk kursehet as ndërhyrja në liri. Por, dëmi më i madh që politikat populiste po kryejnë në këto rrethana është tek nxitja e urrejtjes dhe thellimi i konflikteve, duke ngritur barriera dhe mure të lartë në një shoqëri, që tashmë i njeh prej kohësh format e ndryshme të përplasjeve dhe fragmentarizimeve historike, kulturore, sociale apo fetare./im.ta
