Kujdes! Nuk kërkohet thjesht reformë, por edhe cilësi

redaktor

Shqipëria vazhdon të përparojë sistematikisht në rrugën e anëtarësimit në BE. Progresi i konstatuar në rezolutën e fundit të miratuar në Parlamentin Evropian është domethënës, edhe pse sfidat janë të shumta. Ndër prioritetet kyçe, një vëmendje e veçantë shkon ndaj reformës në drejtësi. Pasi, përtej kuadrit të pritshmërisë popullore për vënien në jetë të një mekanizmi, që ndëshkon realisht shkelësit e ligjit, abuzuesit dhe kriminelët me jaka të bardha, reforma në drejtësi shikohet si shtylla kryesore e funksionimit të shtetit të së drejtës, duke ndikuar në mbajtjen e të gjithë shtyllave dhe kolonave të tjera përbërëse shtetërore. Duhet theksuar se rezolutat janë të përvitshme, kryhen në fokusin e vlerësimit të progres raportit të fundvitit dhe në parim kanë një karakter konsultativ dhe nuk janë detyruese.

Përpara se të shikojmë më me detaje përmbajtjen e saj, tërheq vëmendjen një vëzhgim. Të paktën në krahasim me rezolutën e vitit të kaluar, pasi vërehet se kemi një shmangie të përcaktimit të qartë se “kryerja e reformave, në pesë fushat e përparësisë, i hap rrugën negociatave të aderimit”. Në ndryshim me rezolutën e vitit të kaluar, ky përcaktim që ishte i  qartë, tashmë vjen i përforcuar, pasi vërehet një theksim i kërkesës për “cilësi”:

(…)

“Duke konsideruar se vendet kandidate potenciale, gjykohen rast pas rasti dhe se, kalendari i aderimit varet nga cilësia e reformave të nevojshme të kryera.”

(…)

Ndërkohë, kjo lloj nuance konstatohet edhe tek miratimi i reformave, ku kërkohet gjithashtu një “realizim i tërë dhe i plotë” duke shkuar më tej se, sa thjesht një realizim, si edhe përqendrimin tek detyrimi për një angazhim politik të qëndrueshëm:

(…)

“duke konsideruar se, miratimi sistematik i reformave përreth 5 akseve të mëdha të përparësisë dhe realizimi i tërë dhe i plotë, si edhe një angazhim politik i qëndrueshëm janë esenciale, që vendi të mund të vazhdojë të ecë përpara, në procedurën e aderimit në BE”

Ndërsa në rezolutën e miratuar vitin e kaluar (22.04.2015) nuanca është e qartë, duke u theksuar se realizimi i reformave në pesë fushat e përparësisë, i hap rrugën negociatave të anëtarësimit:

“Duke konsideruar se, miratimi sistematik dhe realizimi i reformave afatgjata, në pesë fushat e përparësisë, marrin pjesë në transformimin demokratik të Shqipërisë dhe i hapin rrugën negociatave të aderimit në Unionin Evropian”. 

Mundësia për hapjen e negociatave, saktësohet disa paragrafë më poshtë cilësimeve të mësipërme, ku thuhet se:

(…)

“ Shqipëria, duhet të dyfishojë përpjekjet, në këto fusha dhe në pesë fushat e përparësisë kyçe, për të mundësuar hapjen e negociatave ”

(…)

Ndërkohë në ndryshim me rezolutën e vitit të kaluar, konstatohet edhe një “kujtesë”, ku përmendet rëndësia e mbrojtjes së lirisë fetare:

(…)

“Duke konsideruar se, mbrojtja e lirisë fetare, dhe e pasurisë kulturore dhe administrimi i të mirave, sipas rregullave të shtetit të së drejtës, janë vlera themelore të Bashkimit Evropian;”

Le të shohim konkretisht çfarë thotë me detaje Rezoluta,

Rezoluta mirëpret progresin e qëndrueshëm, në reformat që po kryhen rreth objektivave kryesorë, të fiksuar për hapjen e negociatave të anëtarësimit; inkurajon qeverinë, Parlamentin dhe partitë politike të mos e ngadalësojë hapin e reformave, por ta përshpejtojnë atë; i fton ato të kryejnë sa më shpejt një reformë të plotë në fushën e drejtësisë; insiston mbi rëndësinë për të aplikuar në mënyrë korrekte këto reforma dhe pa vonesë.

Një dialog politik më konstruktiv dhe më autentik kërkohet nga të gjitha partitë politike, me synim miratimin dhe zbatimin e reformave esenciale; bashkëpunimi i qëndrueshëm mes qeverisë dhe opozitës në Parlament është thelbësor për procesin e aderimit të Shqipërisë në BE; ndërtimi i një kulture politike demokratike e karakterizuar nga hapja për dialog, negociata dhe kompromis dhe përjashtimit tërësor të bojkoteve dhe radikalizmit;

Shqetësimi i eurodeputetëve shkon ndaj korrupsionit të përgjithshëm, që prek ndër të tjera fushën e arsimit, shëndetësinë apo sistemin gjyqësor. Shqetësimi shkon edhe ndaj medias dhe vetë-censurimit që praktikojnë gazetarët, që ndonjëherë i pengon ato edhe fizikisht për të mbuluar ngjarje specifike, të kërcënuar dhe sulmuar për shkak të punës së tyre. Por, ka dhe një tërheqje vëmendje mbi policinë dhe autoritetet përkatëse për keqtrajtimin në komisariate, kushtet e këqija që ekzistojnë në ambientet e burgimit dhe mbipopullimit të burgjeve. Vëmendje që tërhiqet edhe ndaj proceseve zgjedhore dhe problematikave të tyre politizuese, mekanizmat e pamjaftueshëm për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, mos respektimi sistematik i të drejtës së pronës, apo mungesa e veprimeve në fushën e energjisë, që çon në ndëshkime, mungesa e theksuar e dialogut dhe kompromisit politik, etj.

Për përpiluesin e rezolutës Knut Flanckestein, “Shqipëria është në rrugën e duhur për sa i përket aderimit në BE. Vendi është aktualisht duke ndërmarrë një reformë shumë ambicioze, në sistemin e drejtësisë. Kjo do t’i përgjigjet shqetësimeve të mëdha të qytetarëve, dhe do të ndihmojë për të luftuar kundër korrupsionit në të përditshmen. Qytetarët shqiptarë, duan të përgatiten për të aderuar në BE. Aktualisht, përfaqësuesit e tyre politikë duhet të mbajnë këtë vrull dhe të vazhdojnë të vënë në jetë reformat.”

Reforma në drejtësi

Në krahasim me konstatimet e rezolutës së vitit të kaluar, ku “përshëndetej angazhimi i i ndërmarrë nga Shqipëria për reformimin e drejtësisë” kemi progres në këtë fushë dhe vlerësim të angazhimit të theksuar të Shqipërisë, për reformimin e plotë dhe të thellë të drejtësisë. Qeveria inkurajohet të ndjekë pa vonesë përgatitjen e kësaj reforme. Puna e kryer nga komisionet e posaçme parlamentare është e vlerësuar, si edhe bashkëpunimi i ngushtë me Komisionin e Venecias, dhe inkurajohet vazhdimi i këtij qëndrimi bashkëpunues, ndaj miratimit të reformës. Ndër të tjera, kemi dhe një thirrje të drejtuar të gjithë palëve, duke marrë parasysh rekomandimet e Komisionit të Venecias, për të punuar drejt një kompromisi, mbi ndryshimet thelbësore në sistemin gjyqësor.

Nga të gjithë përparësitë kyçe, reforma në drejtësi është më e rëndësishmja duke hapur dhe dritën jeshile drejt një rekomandimi të mundshëm për çeljen e negociatave. Sigurisht i konsideruar me progresin paralel edhe në fushat e tjera të përparësive kyçe.

Gjyqësori  

Gjyqësori ngelet fusha më problematike dhe që nuk njeh asnjë lloj përmirësimi pozitiv. “Varësi nga degët e tjerë të pushtetit”, “ndërhyrje nga politika”, “drejtësi e përzgjedhur” “përgjegjësi e dobët”,  “korrupsion i lartë” “mungesë efikasiteti i mekanizmave të kontrollit”, “zgjatje e përgjithshme e procedurave”, “ mungesë e dukshme e aplikimit të kritereve profesionale në fushën e emërimit dhe promovimit të gjyqtarëve”.

Rezoluta i kërkon edhe njëherë autoriteteve kompetente, të japin drejtësi për viktimat e 21 janarit.

Korrupsioni 

Korrupsioni vazhdon të jetë një problem që nuk e ka humbur “ritmin e vlerësimit” në të dy rezolutat. Fushat më problematike janë drejtësia, arsimi, shëndetësia, prokurimet publike, koncesionet e partneritetit publik/privat, sektori i ndërtimeve dhe punëve publike, rregullimi i territorit, etj. Por, theksohet gjithashtu se, duke përparuar me reformën në drejtësi, do të ketë domosdoshmërish një përmirësim të ndjeshëm edhe në luftën ndaj korrupsionit.

Policia dhe lufta ndaj krimit të organizuar

Vlerësohet vendosmëria e qeverisë për të luftuar krimin e organizuar, që ka çuar në një seri operacionesh të një rëndësie të madhe, kryesisht në bashkëpunim me autoritetet e vendeve fqinje dhe vendeve anëtare të Unionit, por shqetësimi shkon drejt bashkëpunimit të nevojshëm, që duhet thelluar mes policisë dhe prokurorisë, në kuadrin e një efikasiteti të ndjekjeve juridike, në kuptimin e procedimeve penale.

Operacionet e kryera së fundmi kundër trafikantëve të drogës, përshëndeten, por theksohet gjithashtu se, duhet intensifikuar lufta ndaj prodhimit dhe trafikimit të narkotikëve, si edhe lufta ndaj trafikimit të qenieve njerëzore, dhe trafikut të armëve.

Rezoluta tërheq vëmendjen ndaj keqtrajtimeve të të dyshuarave në komisariatet e policisë, mbipopullimin në burgje, si edhe pamjaftueshmërinë e kujdesit mjekësor, por edhe kushtet e këqija që ekzistojnë ne vendet e burgimit.

Zgjedhjet

Rezoluta përshëndet ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, në janar 2016, për reformën e kodit elektoral dhe këshillon vënien në praktikë të rekomandimeve, në kuadrin e përgatitjeve dhe organizimit të zgjedhjeve të ardhshme.

Por, vlerësohet shqetësuese, politizimi i përgjithshëm i procesit elektoral duke i kërkuar autoriteteve kompetente, të adresojnë parregullsitë procedurale, kryesisht mosmarrëveshjet zgjedhore; të kujdesen për pavarësinë e komisioneve zgjedhore, për transparencën, dhe efikasitetin e financimit të partive politike, të veprojnë përballë akuzave për blerjen e votës, të frikësimit të votuesve, dhe abuzimeve të fondeve publike, me synim rritjen e besimit e publikut në procesin zgjedhor. Rezoluta thekson gjithashtu se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, duhet të vendosë përgjegjësi të qarta të brendshme në fushën e mbikëqyrjes së financimit të partive, dhe të shkojë përtej një verifikimi të thjeshtë formal të deklaratave të tyre.

Shoqëria civile            

Përgëzohet miratimi i rezolutës në Parlament mbi vendin e shoqërisë civile në demokratizimin e vendit dhe konstatohet përmirësim i bashkëpunimit mes institucioneve publike dhe organizmave të shoqërisë civile. Ndër të tjera, rekomandimet shkojnë për marrjen e masave për të sistematizuar bashkëpunimin me organizmat e shoqërisë civile.

Rinia dhe arsimimi

Rezoluta kërkon nga qeveria shqiptare, një vëmendje të veçantë për përmirësimin e perspektivave të së ardhmes së të rinjve dhe për të investuar në modernizimin dhe në reformat e sistemit edukativ. Ndër të tjera theksohet edhe nevoja për të të transformuar rrjedhjen aktuale të trurit, në një qarkullim të tyre, duke hapur perspektiva të gjera karriere.

Feja

Shqipëria përgëzohet sërish dhe sistematikisht për klimën e tolerancës fetare që mbretëron në vend, mirëkuptimit që ekziston mes komuniteteve fetare si edhe marrëdhënieve konstruktive që ato kanë me shtetin.

Të Drejtat e Njeriut

Kërkohet përforcim i të drejtave të njeriut, të të drejtave të minoriteteve, dhe të politikave të luftës kundër diskriminimit. Tërhiqet vëmendje mbi kushtet e vështira të Romëve dhe Egjiptianëve, që përballen shpesh me përjashtimin social dhe diskriminimin. Por, përshëndetet miratimi i planit kombëtar të veprimit 2015-2020, për integrimin e tyre në shoqëri.

Në lidhje me të drejtat e Komunitetit LGTB, po edhe si vitin e kaluar, vazhdon vlerësimi me nota pozitive. Duke u theksuar rëndësia e zhvillimit pa incidente të paradës së përvitshme të komunitetit. Dhe kërkohet vazhdim i përmirësimit të klimës së përfshirjes dhe të tolerancës për të gjithë minoritetet në vend.

Të drejtat e fëmijëve

Mekanizmat institucionalë të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve vlerësohen të pamjaftueshëm, duke u kërkuar autoriteteve të reformojnë sistemin gjyqësor për minorenët, në mënyrë që t’u përgjigjen normave ndërkombëtare. Duke i kërkuar gjithashtu autoriteteve të sigurojnë që fëmijët e zonave rurale të kenë akses gjithashtu në sistemin dhe shërbimet e mbrojtjes së fëmijëve.

Edhe rezoluta e vitit të kaluar, tërhiqte vëmendjen mbi gjendjen e pakënaqshme të drejtësisë mbi minorenët, duke kërkuar hartimin e planeve, për përmirësimin e kësaj situate.

Të Drejtat Gjinore 

Rezoluta kërkon të luftohet diskriminimi gjinor, si edhe dhuna shtëpiake, nëpërmjet mekanizmave të përshtatshëm. Mirëpriten ndryshimet e kodit elektoral, në prill 2015, mbi caktimin e kuotave 50% të grave për këshillat bashkiakë.

Prona

Rezoluta konstaton se respektimi i i të drejtave të pronës nuk është gjithmonë i siguruar. Theksi vihet mbi vënien në praktikë të strategjisë 2012-2020 në lidhje me të drejtat e pronës.

Media

Rezoluta riafirmon rëndësinë thelbësore të ekzistencës së një shërbimi publik të radios dhe të televizionit profesional, të pavarur dhe pluralist, si dhe të medieve private.

Por, shpreh shqetësim, në lidhje me përhapjen e gjerë të vetë-censurës në mesin e gazetarëve, të cilat nganjëherë pengohen fizikisht për të mbuluar ngjarje të veçanta dhe janë sulmuar dhe kërcënuar për shkak të punës së tyre, si dhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në pavarësinë editoriale.

Në këtë kontekst, Rezoluta shpreh keqardhje që Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese është kërcënuar me ndjekje penale për shpifje, pas hetimit që kishte kryer mbi të kaluarën kriminale të një kandidati, për kryetar komune, në zgjedhjet lokale të vitit 2015 dhe bën thirrje për marrjen e masave me qëllim forcimin e standardeve profesionale dhe etike të gazetarëve.

Bën thirrje, gjithashtu që zbatimi i ligjit të medieve audio vizuale të forcohet; thekson nevojën për të rritur transparencën e reklamave qeveritare në media dhe për të siguruar përpjekje shtesë për të siguruar pavarësinë e autoritetit përgjegjës transmetues publik, audio vizual dhe radiofonik. Shqetësim shfaqet edhe mbi ndryshimin e procedurës së zgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH-së duke ftuar si qeverinë, por edhe opozitën të garantojnë mirëfunksionimin e shërbimeve kombëtare të transmetimit, duke përcaktuar nëpërmjet konsensusit një kandidat në postin e drejtorit.

Ekonomia

Për sa i përket ekonomisë, rezoluta vëren se, Shqipëria është e përgatitur në mënyrë të moderuar për krijimin e një ekonomie tregu funksionale. Mirëpret përmirësimin e të ardhurave tatimore dhe fushatën e qeverisë kundër aktiviteteve të padeklaruara.

Por, shprehet shqetësim, për shkallën e lartë të papunësisë, veçanërisht papunësisë së të rinjve dhe papunësisë afatgjatë (e cila përfaqëson mbi 50% të papunësisë totale) edhe pse shkalla e punësimit njeh një përmirësim.

Kërkohet që një vëmendje më e madhe, t’i jepet mundësive të barabarta dhe të merren masa për rritjen e shkallës së punësimit të grave në tregun e punës.

Shqetësim shprehet edhe mbi një sërë pengesash apo dobësish që lidhen me respektimin e shtetit të së drejtës dhe që ndikojnë në klimën apo mjedisin e ndërmarrjeve, si respektimi i të drejtave të pronës, lufta ndaj korrupsionit, etj. Ndër të tjera, kërkohet një vëmendje e veçantë ndaj programit të konsolidimit fiskal, si edhe ndaj reduktimit të borxhit publik. Si edhe mbështetje e mëtejshme ndaj mekanizmave të mbrojtjes së konsumatorëve.

Mjedisi

I kërkohet qeverisë shqiptare të mbikëqyr zhvillimet në centralet hidroelektrike, në rajone të ndjeshëm nga pikëpamja mjedisore, si zona përreth lumit Vjosa, dhe në zonat e mbrojtura,  si edhe ruajtja e integritetit të parqeve kombëtarë ekzistues. I kërkohet Shqipërisë të marrë masat e nevojshme për mbrojtjen e mjedisit dhe administrimin e mbeturinave dhe të miratojë masa shtesë kundër eliminimit jo korrekt dhe largimit të mbeturinave, kryesisht mbeturinave detare.

Energjia

Qeveria shqiptare ftohet të miratojë dhe të vërë në zbatim një strategji kombëtare në fushën e energjisë. Por, ka një shqetësim, që shkon drejt faktit se, autoritetet shqiptare nuk kanë paraqitur një plan veprimi në fushën e energjisë rinovuese në Komunitetin e Energjisë, çka ka provokuar hapjen e një procedure shkelje. Rezoluta shpreh gjithashtu shqetësim, pasi Shqipëria nuk ka respektuar afatin e imponuar nga Komuniteti i Energjisë për të harmonizuar legjislacionin e saj, mbi direktivën 2006, në lidhje me efikasitetin energjetik.

Rajoni

Roli i Shqipërisë në rajon vlerësohet të jetë konstruktiv dhe mirëpritet vullneti i saj i vazhdueshëm për përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë. Pozicionimet e qeverisë shqiptare janë në harmoni të plotë me bashkësinë e deklaratave të Unionit dhe konkluzioneve të Këshillit Evropian në fushën e PESC. Në këtë fushë roli i Shqipërisë vazhdon të ngelet shembull për të gjithë rajonin, pasi i njëjti vlerësim konstatohet edhe në rezolutën e vitit të kaluar.

Tërhiqet vëmendja mbi numrin e lartë të kërkesave të pabazuara të azilit, duke u kërkuar marrja e masave për përmirësimin e kushteve të jetës sociale dhe ekonomike.

Radikalizmi dhe Terrorizmi

Rezoluta mirëpret pozicionimin e qartë të Shqipërisë në luftën ndaj terrorizmit dhe radikalizmit dhe miratimin e strategjive dhe të planit të veprimit në fushën e sigurisë. Shprehet shqetësim në lidhje me faktin se Shqipëria është e prekur si edhe vende të tjera nga kthimet e luftëtarëve të huaj, të radikalizmit islamik dhe të ekstremizmit të dhunshëm. Ndër të tjera, përshëndeten masat e qeverisë për të penguar fluksin e luftëtarëve të huaj, për të shkuar dhe shtuar radhët e shtetit islamik në Irak dhe në Siri, dhe theksohet nevoja për hartimin e një politike efikase kundër radikalizmit islamik, për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm, në bashkëpunim me shoqërinë civile dhe komunitetet fetare.

Problematikat në delegacionin shqiptar

Rezoluta shpreh keqardhjen për mungesën e frymës së bashkëpunimit dhe kompromisit në delegacionin shqiptar që nuk lejon aktualisht mbajtjen e një debati produktiv, brenda Komisionit Parlamentar për Stabilizim dhe Asocim, duke e penguar atë të miratojë rekomandimet në mbledhjen e tij të nëntë. Rezoluta, bën thirrje gjithashtu, për marrjen e masave me synim përforcimin e këtij komisioni, me qëllim që ai t’i shërbejë në mënyrë të dobishme, procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Në tërësi, rezoluta është pozitive, edhe pse ka fusha ku kërkohet një vëmendje në rritje, e veçantë dhe pak specifike. Shqipëria vazhdon të jetë shembull në rajon në lidhje me politikën e jashtme, fqinjësinë e mirë, harmonizimin e vazhdueshëm dhe të plotë të qëndrimeve të saj me politikat e jashtme dhe të sigurisë së Unionit, si edhe shembull në harmoninë dhe bashkëjetesën fetare. Edhe pse sfidat dhe problematikat janë të shumta, veçohet vullneti dhe qëndrueshmëria qeveritare për angazhimin në fushën e reformave, për iniciativat ligjore dhe hartimin e planeve në fushën e të drejtave të njeriut, kryesisht të minoriteteve, për përfshirjen e shoqërisë civile dhe hartimin e instrumenteve favorizues në këtë kuadër, si edhe për vëmendjen e veçantë në luftën ndaj terrorizmit dhe radikalizmit.

Sfidat janë të shumta, dhe kërkojnë angazhim serioz, si ndaj reformës më të rëndësishme asaj të drejtësisë, që do të sjellë një përmirësim në të gjithat shtyllat e mekanizimit shtetëror, duke përfshirë edhe luftën ndaj korrupsionit në të gjitha sferat, por angazhim kërkohet ndaj një sërë problematikash, ndër më kryesoret dialogu dhe kompromisi i nevojshëm politik, vëmendje ndaj fushës ekonomike dhe sidomos ndaj papunësisë së lartë, vëmendje ndaj politizimit në proceset zgjedhore dhe problematikave shoqëruese, rishikim i strategjive ndëshkuese për shmangien e mbipopullimit në sistemin e burgimit, plotësimi i standardeve të këtyre ambienteve dhe shmangia e përdorimit të dhunës, përmirësim i kuadrit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut kryesisht minoriteteve, respektim i vazhdueshëm i të drejtave të pronës, vëmendje ndaj rëndësisë për pavarësi në media, si edhe respektim i afateve mbi harmonizimin e legjislacionit të kërkuar, kryesisht në fushën e energjisë, për të shmangur ndëshkimet e mundshme. /DITA/

Share This Article