Nga Xhevdet Shehu
Dy fjalë për pjesën e dytë të kujtimeve të Dr. Brokajt
Nuk është vështirë të kuptohet nga këto copëza kujtimesh të Dr. Sabitit se kemi të bëjmë me një personalite me integritet të spikatur politik dhe shoqëror. I tillë ka qenë ai deri sa mbylli sytë. Në të vërtetë karakteri dhe personaliteti i tij shkëlqeu pas vitit 1990, në këtë 30 vjeçar dramatik dhe të trazuar për Shqipërinë.
Por në këto kujtime kemi rastin të bëjmë ballafaqimin dhe krahasimin e dy figurave publike, dy mjekëve: Dr. Sabitit dhe Sali Berishës. Të dy ish-mjekë të ish-udhëheqjes së lartë komuniste, dy kolegë, dy ish-komunistë të devotshëm. Dr. Sabiti lëshoi një nga rekomandimet që Berisha të pranohej anëtar i PPSH më 8 nëntor 1968. Ishte po Sabiti që i dha votën që Saliu të bëhej pedagog në fakultetin e mjekësisë dhe mandej i dha edhe titullin Doktor i Shkencave mjekësore. Sikurse dihet, politika i ndau përfundimisht nga njëri tjetri, madje pse të mos themi në armiq për vdekje. Sabit Brokaj deri në fund mbeti i majtë dhe ka qenë konsekuent në pikëpamjet e tij progresiste, nuk e miratoi për asnjë çast Berishën politikan dhe pati kurajon që në vijimësi të denonconte me trimëri gjithë mbrapshtitë e ish-kolegut të dhunshëm, duke e quajtur një fatkeqësi kombëtare që i shkaktoi gjëma të panumërta këtij populli si kur ishte në majën e pushtetit, ashtu dhe në opozitë.
Dhe Berisha ia “shpërbleu” kolegut dhe ish-mikut që e kishte ndihmuar aq shumë: Sapo mori pushtetin e burgosi, e dhunoi, madje i dërgoi edhe njërëz për ta vrarë (vëllezërit Haxhia, siç dëshmohet në librin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”). Kur e arrestuan në Rrogozhinë, kanë qenë të pranishëm edhe Arta Dade me Naik Doklen. Pastaj e arrestuan në Tepelenë, në Tiranë. Eh, kjo është e vërteta dhe këto na tregon Dr. Sabiti në kujtimet e tij.
Koha tregoi se Dr. Sabiti kishte të drejtë. Mjafton të përmendim një fakt: Dr. Sabiti është “Qytetar Nderi” i Okllahomës, një prej shteteve të rëndësishëm të Amerikës, ndërsa Sali Berisha pas 30-vjetësh karrierë politike është futur familjarisht në Listën e Zezë të Shteteve të Bashkuara. Fund më të turpshëm për një politikan nuk ka.
——-
Aty nga fundi i vitit 1992, duke shëtitur në Tiranë me Sh.T., një kolegun tim që jeton e punon në SHBA dhe që ishte shumë aktiv në marrëdhëniet me Agim Lekën, Bob Keef etj., por që kishte filluar miqësi edhe me Biberajt, veçanërisht me vëllanë e Elezit, më thotë:
– Ju nuk keni asnjë perspektivë me F. Nanon. Ai në Amerikë njihet si njeri i paqëndrueshëm dhe, për të më bërë të besoj opinionin e tij për Fatosin, më tregoi një ngjarje, për të cilën kisha dijeni prej disa muajsh nëpërmjet një faksi.
Në janar të vitit 1992 Nano njofton në kryesinë e PS-së se duhej të shkonte në Romë për një vizitë. Në fakt, prej Rome ai shkoi në Nju Jork në një takim, ku midis bashkëbiseduesve ishin edhe Biberajt. Në takim, që zgjati për orë të tëra pa ndërprerje, Nano, me përulësi, u kish kërkuar mbështetësve të ardhjes në pushtet të PD-së, në shkëmbim të ndihmës për fitoren, të paktën, t’i jepnin postin e ministrit të Jashtëm.
Kohë më vonë, kur ky takim u muarr vesh, Nano në konfidencë më tha se ishte nën një presion të fortë psikologjik. Meqenëse mendoja se Nano kishte njoftuar të paktën shokët kryesorë të kryesisë (nënkryetar, sekretar) për këtë takim dhe se nuk duhej bërë publik, këtë informacion nuk ia tregova njeriu. Ishte e pamundur që unë të mendoja atëherë se kryetari i partisë shkon në një takim kaq të rëndësishëm për fatin e PS-së dhe të vetë vendit, pa folur me njerëzit e tij më të ngushtë. Aty nga fundi i vitit 1993, kur një grup deputetësh ishin në Zvicër për një seminar, duke biseduar me E.R, vura re se ai kishte përshtypjet më të këqija për Nanon. Unë, duke e ditur se për të ishte e njohur historia e takimit të Nju Jorkut, i thashë konkluzionin për ngjarjen, që tashmë mendoja se ai e dinte. Ai u befasua dhe më tha se nuk kishte dijeni, gjë që më habiti. Duke qenë se ky takim ishte mbajtur i fshehtë nga shokët kryesorë të PS-së, por që në njëfarë mënyre shpjegonte edhe pasivitetin aq shumë të kritikuar të Nanos në fushatën e vitit 1992, unë, pasi u ktheva në Tiranë, e bisedova me S.P, i cili, gjithashtu, nuk kishte dijeni deri atëherë.
***
Presioni i madh i opozitës, agresiviteti i saj, frika dhe pasiviteti i policisë për të luftuar krimin, largimi real nga pushteti i atyre që shtetin e kishin të vetin, bënë që ajo të quhej Qeveri Teknike dhe që në të gjitha qëndrimet e saj të sundohej nga fitimtarët e nesërm, ose më saktë, nga padronët e nesërm. Madje, edhe ata që u vendosën nga ne si miq, apo bashkëpunëtorë me ne, punonin në disa momente, politikisht, kundër nesh, duke u vënë plotësisht në shërbim të PD-së. Kishte edhe nga ata njerëz, të cilët kishin përfituar nga unë, që, për afirmimin e tyre si demokrat, përgatisnin shkrime shpifëse, skandaloze kundër meje.
Mungesa e R. Alisë si president i Republikës ndikonte negativisht në këto kushte. Të paktën, moralisht, krijonte situata psikologjike të humbjes te socialistët në përgjithësi, përfshi dhe deputetët. Njëkohësisht, mungesa reale e dukshme fizike dhe e rolit organizues e mobilizues të kryetarit të PS-së, e bënte më të plotë tablonë e hutimit dhe të apatisë në PS.
Këto fakte bënë që roli dhe funksioni i grupit parlamentar të PS-së të vështirësohet. U krijua ndjenja që tani që po mbytet anija, “të shpëtojmë kokën!”. Disa deputetë të PS-së u larguan jashtë shtetit, disa të tjerë, duke shfrytëzuar statusin e deputetit, filluan aktivitete të tjera. Gjendja psikologjike e socialistëve në përgjithësi, e ndikuar shumë nga zbehja e rolit të forumeve të saj, ndikoi shumë në fushatën për zgjedhjet e 22 Marsit.
E njëjtë ishte situata edhe në Vlorë. Ishte një fushatë e vështirë, megjithëse popullsia atje ishte e majtë. Historikisht dhe më shumë edhe për faktin se, duke qenë të lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare dhe pushtetin e djeshëm, nuk mund të pranonin goditjen, që po u bënte Berisha dhe PD-ja. Në fakt, edhe aty, pothuajse, ishin të ndërgjegjshëm për humbjen, madje për disa dhe e domosdoshme.
Dukej qartë se aty ku sa më shumë të lidhura kishin qenë fshatrat e Lumit të Vlorës (ku unë kandidoja) me Luftën Nacionalçlirimtare, aq më e madhe ishte mbështetja për mua. Në fshatrat e tjera situata ishte me shqetësime. Ka aq shumë episode, sa mund të shkruash gjatë për atë fushatë që dëshmonte gjendjen e një populli në kufirin e ndryshimit të sistemeve.
Në ato ditë të ftohta shkurti dhe marsi, unë me pedantizëm zhvilloja një fushatë që ishte e parathënë të humbiste. Nga PS-ja e Vlorës, pothuajse asnjë nuk më shoqëronte. Personi që qëndroi më gjatë me mua në fushatë ishte një miku im, që realisht doja të mos më shoqëronte, pasi, duke qenë përfaqësues konkret i pushtetit, do të më komprometonte. Mirëpo ai nguli këmbë dhe unë, duke mos pasur njeri dhe, për më tepër, që e kisha të vështirë të refuzoja këmbënguljen e tij, pranova të qëndronim bashkë gjatë gjithë fushatës. Për habinë time ky “përfaqësues i pushtetit të dhunës”, u mirëprit dhe nuk u provokua në asnjë takim, madje edhe atje ku opozita kishte përgatitur dështimin e takimeve.
Në shumë fshatra, si Tërbaç, Bolenë, Brataj, Vajzë etj., erdhën në takim shumica e fshatit, përfshi gra dhe fëmijë. Kudo ndihej shqetësimi mbi karakterin e ndryshimeve të qeverisjes në vend. Në Bolenë, pasi mbarova një takim që zgjati mbi dy orë në një shesh të fshatit që rrihej nga era e ftohtë, më takoi një burrë rreth 40 vjeç. – Jemi një grup shokësh,- më tha,- dhe duam të na sqarosh nja dy gjëra. Unë, i lodhur, i thashë: – Pse, nuk u mjaftuan ato që thashë për gjithë ato pyetje që më bëtë (rreth 70 pyetje)? (Sigurisht, me shaka). Ai vazhdoi serioz:- Jo, kemi një muhabet të veçantë. Pranova dhe shkova me ta në një faqe muri të një shtëpie të vjetër që kishte filluar të shkatërrohej, ku ishin nja pesë-gjashtë burra, pothuajse të gjithë të moshës 40-50 vjeç. E filloi njëri prej tyre: – Që të njihemi, ne jemi të Partisë Komuniste. Kemi kandidatin tonë, I. B. por e dimë që ai nuk fiton, por nuk dimë ku po na çoni ju, se me ato fjalët që thatë nuk na u duk keq. Ishin seriozë, me fytyra të shqetësuara. Mblodha veten. Duhej folur me përgjegjësi, por edhe në mënyrë lehtësuese për shqetësimin e tyre.
– E shihni atë qafën e malit atje? – u thashë. -Edhe ju, edhe ne duam të ngjitemi atje. Mirëpo, të gjithë ne dje, me sa shoh, edhe ju sot, i jemi përveshur të ngjitemi rrugë e pa rrugë, ca me opinga, ca pa opinga, ca arrijnë, ca mbeten rrugës. Gunat ju mbetën nëpër shkurre. Edhe ne të ngjitemi lart synojmë, por zgjedhim rrugën, të ecim pa lënë njerëz rrugës, as gunën dhe as opingat.
-Mirëpo ne kemi kandidatin tonë, -thotë njëri prej tyre, – veçse jemi të sigurtë që nuk fiton. – Qëndrimin tuaj e përcaktoni ju, – u thashë, – veçse dijeni që, në qoftë se fiton kjo lloj e djathte, siç po duket, ju do të keni shumë probleme.
Në Lepenicë u mblodhëm në një bokërimë të vogël, pothuajse i gjithë fshati. Takimi filloi i ftohtë. I njohur dhe veçanërisht i ndëshkuar si një fshat ballist me pretendime ndaj nesh, ish-komunistëve, prisja provokime. Në fakt, takimi kaloi mjaft mirë. Ishin shumë seriozë, të preokupuar për të ardhmen e tyre dhe të vendit. Takimi u mbyll ngrohtë. Disa nga burrat e fshatit më ftuan në një lokal të pinim ndonjë gotë raki. Ishim rreth njëzet vetë, midis nesh edhe 3-4 gra. Duke vazhduar bisedën për zhvillimet në Shqipëri, më kërkuan të dilja i pavarur dhe të merrja 100% të votave, pasi si socialist, edhe pse u pëlqeja, nuk mund të m`i jepnin votat. Në Gjorm takimi vazhdoi me pak shqetësime, pasi një grup të rinjsh ishin përgatitur të provokonin dhe të dëmtonin takimin.
U ktheva në Tiranë nga fundi i fushatës. Një ditë takova R. Alinë. Më pyeti për fushatën dhe i thashë:
– Nuk ka shanse të fitojmë. Nuk po bëhet fushatë nga ana jonë. Në zonën time, tani për tani, janë ndarë në ballistë e partizanë. Ne edhe mund të fitojmë, në qoftë se zgjedhjet do të jenë korrekte.
Erdhi dita e zgjedhjeve. Dukej qartë se humbja e PS-së ishte e parashikuar nga vetë ajo. Fushata nuk u bë e plotë. Presioni psikologjik, madje dhuna, ishin kudo të pranishme. Gjatë votimit unë qëndrova në selinë e PS-së, ish-KQPPSH-së, shumicën e kohës në zyrën e Nanos. Erdhi çasti i rezultateve. Në fillim, në 5-6 rastet e para të qendrave të votimit, gjendja ishte më e mirë për ne. Nanoja me shaka m’u drejtua:
– Po këta ç`kanë, mos duan të na e rrasin pushtetin neve?! Shpejt rezultati u përmbys…Po ndodhte një humbje shumë e thellë. Kjo përmasë e humbjes nuk ishte parashikuar nga ne. Kur gjithçka po përfundonte, vendosa të kthehesha në shtëpi. Duke zbritur shkallëve të godinës së PS-së, pashë të grumbulluar disa nga militantët tanë. Ishin kryesisht gra dhe të rinj. Disa prej tyre qanin. U trondita duke parë L. Abazin e të tjerë që po e përjetonin aq shumë humbjen, sikur qysh në ato momente parashikonin regjimin antidemokratik e të dhunshëm që do të vendosej në Shqipëri, kundër të cilit ata do të luftonin 6 vjet rresht, duke u përleshur me policinë, parlamentarët, madje dhe me administratën e militarizuar të Berishës.
Fitorja e PD-së u prit me britma, breshëri automatikësh, kërcënime. Ndjehej ekstazë dhe agresivitet njëkohësisht. Menjëherë, pas fitores, u duk se PD-ja do të ishte agresive dhe e dhunshme. Parulla e Berishës “opozitarë por vëllezër” ishte demagogji.
Zgjedhja e Berishës President
Prej vitit 1990, kur Berisha drejtonte opozitën, duke pasur parasysh edhe mënyrën e sjelljes dhe ambiciet e tij, e kisha bindjen që Shqipëria do të kishte probleme me të, me karakterin e tij shkatërrues në gjithçka.
Ditën kur filloi seanca për zgjedhjen e tij si president, salla e Parlamentit ishte solemne. Lozha, e mbushur si asnjëherë, veçanërisht ishin të pranishëm shumë mjekë (dikur asnjë nuk e donte). Berisha nuk mund të thoshte që kishte shokë ose miq të vjetër, vetëm ata me të cilët e lidhte synimi dhe interesi. Unë, që kisha pasur më shumë miqësi me të, që në disa faza të jetës së tij politike dhe profesionale-shkencore e kisha ndihmuar me dëshirën më të madhe, si në pranimin në PP, në mbajtjen pedagog në fakultet, më pas në të gjithë karrierën si profesor, nuk qëndroja dot në sallë. Vendosa që, pasi të votoja, të dilja nga salla e Parlamentit. E ndieja që betimi i tij do të ishte tallja më e madhe me popullin. Kur dola nga salla, me mua erdhi dhe Y. Bufi. Kjo u vu re dhe, në mjaft njerëz që nuk mendonin si unë, bëri përshtypje jo të mirë.
Të nesërmen, si zakonisht, shkova në spital. Në hollin e katit të parë takova disa nga kolegët. U grumbulluan dhe mjekë të rinj. Shumica e të pranishmëve, siç ishte moda, ishin me PD-në. Një nga kolegët më tha se bëra gabim që dola nga salla, ngaqë marrëdhëniet me Berishën i kisha pasur të mira.
– Unë e pranoj Berishën deri në momentin që nuk është i dëmshëm për popullin e tij, – i thashë.
– Unë kam bindjen se ai do të jetë i dhunshëm, jo demokrat dhe do ta shkatërrojë këtë vend.
Biseda vazhdoi derisa “ua mbylla gojën”. – Ti më ke thënë, – i thashë njërit prej profesorëve, – që Berisha është një Millosheviç. Jam i bindur që ke pasur të drejtë, ndaj nuk mund të qëndroja në sallë.
Ndodhi që, shpejt, shumica e tyre nuk mund të pajtohej me sjelljen pushtetare të Berishës, ndaj u larguan prej tij.
KORRIGJIM
Në foton e botuar dje në gazetë në artikullin e z.Xhevdet Shehu mbi kujtimet e të ndjerit Dr. Sabit Brokaj, mjeku në foton që shoqëron artikullin nuk është Dr. Petrit Gaçe siç është shënuar në diçiturë por mjeku, profesor Pandeli Çina. U kërkojmë ndjesë lexuesve për gabimin.
_______
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
