Perceptimi që politika në pushtet mbart për vetveten dhe mënyrën e saj të qeverisjes, kryesisht në vendet e Ballkanit Perëndimor, por edhe të Evropës së Jugut, zakonisht është i një linje pozitive, konstruktive, pro mbrojtjes së vlerave të përgjithshme demokratike, sidomos ndaj vlerave të veçanta humane. Këtë perceptim ndaj vetvetes, duket se kanë edhe radikalët e së majtës në Greqi, sidomos ndaj krizës së refugjatëve dhe përballjes me të. Ato besojnë se solidariteti shoqëror dhe ruajtja e vlerave njerëzore, nuk mund të krahasohet aspak me nivelin e mungesës së humanizmit, që po shfaq Danimarka, tek ka vendosur sekuestrimin e shumave monetare dhe sendeve me vlerë të refugjatëve. Apo më keq akoma, konceptimit belg për “Mbytje të refugjatëve në det !”
“Shoqëria në Greqi po shfaq një shpirt të pabesueshëm solidariteti. Ne po mbrojmë vlerat njerëzore, jo si në Danimarkë, ku po sekuestrojnë pasuritë dhe bizhuteritë e refugjatëve. Për më tepër, ne jemi në krizë ekonomike (…) dhe ne ende po japim…” ka deklaruar përgjatë një interviste dhënë BBC (29.01.2016), eurodeputeti i SYRIZA-s, Stelios Kouloglou.
Por, a qëndron ky perceptim që radikalët e majtë në Greqi kanë ndaj vetvetes, apo jemi sërish në lëmin e demagogjisë së strukturuar ?
Që me nisjen e krizës së refugjatëve, Greqia ka qenë ndër vendet e para, që është venë në fokusin e organizmave të ruajtjes së të drejtave të njeriut, për dhunimin sistematik të tyre. Një sërë kritikash të forta janë drejtuar ndaj radikalëve të majtë, si për keq menaxhim të krizës, mungesë efikasiteti, neglizhencë, shpërfillje dhe deficenca të rënda, që kanë sjellë si pasojë një erozion të vazhdueshëm të të drejtave të njeriut, duke shkaktuar deri edhe humbje jetësh, pa kursyer as fëmijët e vegjël.
Por, teksa radikalët e majtë pretendojnë se, janë duke mbrojtur vlerat njerëzore, madje me një standard që nuk krahasohet as me Danimarkën, faktet nuk rreshtin së pasqyruari elementë “inovativë”, për sa i përket dhunimit të të drejtave të njeriut. Nuk dihet ende, nëse raporti jo publik, që prezantoi pjesërisht Komisioni Evropian përfshin edhe këto fakte të rënda, por situata shfaqet e rënduar.
Human Rights Watch, Amnesty International, por edhe rrjete mediatike si CBS News, kanë dokumentuar dhe filmuar sulmet, që kryhen në det të hapur afër brigjeve greke, ndaj gomoneve të refugjatëve, nga grupe ushtarake me uniforma të zeza dhe maska në kokë, të mirë armatosur, të cilët pasi detektojnë këto barka, u afrohen, i godasin, keqtrajtojnë sipas rastit persona të ndryshëm, që gjenden në to, u shkatërrojnë apo u marrin motorin e barkave të shpejtësisë së lartë, duke i lënë në det të hapur, në mëshirë të asaj, që do t’iu rezervojë më pas natyra. Këto sulme, që kanë filluar të bëhen sistematike, kryhen edhe kur në këto gomone gjenden fëmijë të vegjël, apo të sapolindur. Dhuna ndaj personave të caktuar, kryhet gjithashtu në sy të fëmijëve të mitur.
(…)
“Së fundmi intervistova M. (ai kishte frikë të jepte emrin e tij), një burrë 44 vjeçar nga Dara e Sirisë, tek ishte i ulur me gruan e tij dhe pesë fëmijët e vegjël në oborrin e një xhamie në distriktin Basmane të Izmirit në Turqi. Ai më tha se më 3 dhjetor, ai dhe familja e tij iu bashkuan 30 njerëzve të tjerë në një gomone, në përpjekje për të shkuar në ishujt e Greqisë. Në gjysmë të rrugës, ato u verbuan nga një dritë e fortë që vinte nga një barkë e madhe. Migranti që drejtonte gomonen e tyre u përpoq t’i ikte varkës së madhe dhe një varke të vogël, kur tre persona të maskuar erdhën tek to, me një shpejtësi aq të lartë, sa mendoi se do të përmbyseshin. M dhe pasagjerët e tjerë mbajtën fëmijët e tyre lartë, në mënyrë që personat e maskuar të kishin mëshirë për to. Por, një nga sulmuesit, goditi drejtuesin e gomones dy herë në kokë me një shkop dhe më pas këputën telat e motorit, duke i lënë në mes të detit…(…) Pas qëndrimit në det të hapur, më në fund një anije turke e ruajtjes bregdetare, kishte mundur t’i shpëtonte” (HRW, rap. 7 dhjetor 2015)
Faktet e dokumentuara janë të regjistruara që prej muajit shtator 2015 dhe në vazhdimësi dhe duket se janë shndërruar në një taktikë strategjike, për zmbrapsjen e refugjatëve në ujërat e Turqisë, pa kursyer as vdekjen e tyre. Fatmirësisht një pjesë e mirë e tyre, sipas raportimeve, janë shpëtuar nga ekipet ruajtëse bregdetare të brigjeve turke, apo spanjolle.
E gjithë kjo situatë, zhvillohet teksa radikalët e majtë pretendojnë publikisht, për humanizëm të konsiderueshëm dhe përpjekje të larta solidariteti nga shoqëria greke.
Në kuadrin e mësipërm, merr një vlerë të veçantë edhe një deklarim i kryer po për BBC news (29.01.2016), i Ministrit grek të Migrimit, Mouzalas, i cili po në të njëjtën linjë me eurodeputetin e Sirizës, Kouloglou, që konfirmoi një qasje më të lartë ndaj vlerave humane se sa Danimarka, do të vlerësonte një pozicionim shumë herë më human se, sa Belgjika tek Sekretari i saj i Shtetit për Azilin dhe Migrimin, Teo Franken, do t’i sugjeronte: “Shkoni kundër ligjit! Nuk na bëhet vonë, nëse ato mbyten !”. Sigurisht që Ministri grek do të shpjegonte gjithashtu se, mbledhja ishte e një karakteri informal, se pozicioni i Sekretarit të Shtetit belg nuk ishte pozicion i qeverisë belge dhe se ministrat e tjerë prezentë e kundërshtuan fuqimisht këtë ide të hedhur nga ai.
Por, më tepër se, sa krahasim me vlerat dhe konceptimin e dimensioneve humane dhe respektimit të tyre, me Danimarkën dhe Belgjikën, të cilat janë vende, që kanë një demokraci shumë herë më të konsoliduar se sa Greqia, këto deklarime duket se i shërbejnë më shumë krijimit të një “alibie”, një lloj “përligje” e veprimeve krejtësisht të mohuara nga qeveria greke, për këto shkelje të rënda të të drejtave të njeriut. Jo rastësisht edhe këto organizma të të drejtave të njeriut, i kërkojnë Greqisë të lejojë një hetim ndërkombëtar, të pavarur për të mundësuar zbardhjen e këtyre akteve të rënda dhe për të frenuar vazhdimin e mëtejshëm të tyre. Ato i kërkojnë Athinës zyrtare, të ftojë ose Zyrën e Komisionerit të Lartë për të Drejtat e Njeriut, apo edhe Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për të mbledhur fakte dhe hetuar në mënyrë të pavarur mbi këtë situatë.
Abuzimet e rënda me të drejtat e njeriut po ndodhin në një moment, kur radikalët e majtë janë duke qeverisur, të motivuar tërësisht nga programi i tyre, mbështetur në filozofinë socialiste, që mbron mbi të gjitha “Evropën e solidaritetit dhe të demokracisë, Evropën socialiste…(…) Qëllimi ynë është socializmi në Greqi dhe në shkallë të gjerë në Evropë…..socializmi i shekullit të XXI…(…)”
Por, filozofia socialiste e ka të pamundur të bashkëjetojë me padrejtësinë, diferencimin, abuzimin e grupeve më të dobëta dhe të pambrojtura në shoqëri. Një sistem, që dhunon në forma sistematike segmente të grupeve të pambrojtura të shoqërisë, siç janë të pastrehët, personat që u përkasin identiteteve të ndryshme gjinore, imigrantët, refugjatët dhe fëmijët e tyre, apo të moshuarit etj, nuk mund të jetë përfaqësues i vlerave socialiste, por i të kundërtave të tyre, radikalëve dhe ekstremistëve të djathtë.
Fatkeqësisht, ky reflektim mbi vlerat e tjetërsuara të së majtës, shkon edhe ndaj Danimarkës dhe social-demokratëve, të cilët dhanë votat e tyre për sekuestrimin e shumave monetare dhe sendeve me vlerë të refugjatëve, duke cenuar kuadrin e të drejtave të njeriut.
E majta dhe ideologjia që ajo përfaqëson, po gjenden si rrallëherë në krizën më të fortë të identitetit të saj, në mbarë kontinentin evropian. Ajo ka humbur rolin më simbolik, karakterizues të fuqisë së saj, te qenurit një parti e masave, e popullit, e më të pafuqishmeve, e klasës punëtore dhe e kategorive më të pambrojtura. Reagimi i saj, është i munguar në të gjithë fazat, që ka krijuar dhe po krijojnë një sërë krizash në nivel evropian, që nga kriza ekonomike dhe aplikimi i programeve të rënda shtrënguese ekomomike, me pasoja fatale për elektoratin e saj të gjerë përfaqësues, deri tek kriza e refugjatëve dhe kriza e sigurisë, që po shkakton një zinxhir përkeqësimesh ndaj të drejtave të njeriut. Reagimi i saj është gjithashtu i munguar, ndaj një sërë pozicionimesh, por edhe sqarimesh më se të nevojshme, që i nevojitet elektoratit të majtë, por edhe më gjerë, mbi çështjet më të nxehta dhe më shqetësuese të shoqërisë si kriza e refugjatëve, migrimi, të drejtat e njeriut, identiteti, etj. Edhe kur ky reagim është prezent, ai nuk është i qartë, është i luhatshëm, nuk është stabël, nuk është i unifikuar dhe i mungon mbi të gjitha filozofia vizionare. Është kjo filozofi, që transmeton vlerat për krijimin e shpresës dhe projektimin e së ardhmes, brenda këtij krahu ideologjik, pa ekzistencën e së cilës, çdo shoqëri e ka të vështirë funksionimin e saj të plotë dhe harmonik./im.ta./
