Kur krizat ekonomike varfërojnë vetëm të varfrit

redaktor

Kriza ekonomike me të cilën vazhdojnë të përballen një sërë vendesh në Union, tregoi se si nën imponimin e kërkesave të kreditorëve, për më shumë reforma dhe masa kursimi, po minoheshin të drejtat sociale dhe ekonomike, sidomos të kategorive më të dobëta të shoqërisë. Greqia u shndërrua në arenën kryesore të kësaj politike, ku masat për kursim të imponuara nga Trojka, u zbatuan edhe nga ekstremi i majtë, që shikohej si shpresa e fundit e rezistencës popullore ndaj aplikimit të kushteve të kreditorëve ndërkombëtarë.

Së shpejti pritet të publikohet një raport, nga ekspertë të të drejtave të njeriut, që vëzhgojnë politikat e shtrëngesave ekonomike të BE-së. Një vëzhgim, që pritet të jetë me nota negative, duke shënuar një tjetër rekord në lidhje me rrënimin e të drejtave sociale dhe ekonomike në Evropë.

Jo më larg se, marsi i vitit të kaluar, raporti i Parlamentit Evropian mbi ndikimin e krizës ekonomike dhe zbatimin e planeve shtrënguese ekonomike, në disa vende të BE-së, ekspozoi si rrallëherë jo vetëm degradim të të drejtave sociale dhe ekonomike, por edhe të të drejtave themelore. Cenim i lirisë së shprehjes dhe i grumbullimit, i të drejtës për arsimim, për punë, për pension, për drejtësi, strehim dhe pronësi, do të figuronin në raport si disa prej “dëmeve” të shkaktuara nga aplikimi i politikave të Trojkës.

Studimi i kryer mbi 7 vende (Qipro, Greqi, Irlandë, Itali, Spanjë, Portugali, Belgjikë) të lidhura në mënyrë të drejtpërdrejtë me krizën dhe aplikimin e masave shtrënguese, ishte shqetësuese.

E drejta për arsimim, njihte përkeqësim në të gjithë vendet, duke përjashtuar deri diku vetëm Belgjikën. Masat e imponuara për kursim, kishin prekur reduktimin e numrit të shkollave, shkrirjen e tyre, reduktim të stafit arsimor dhe për rrjedhojë rënie të cilësisë së mësimdhënies, reduktim të fondeve për aktivitetet shkollore, sidomos ndaj kategorive në nevojë (fëmijëve të varfër, atyre me aftësi të kufizuar, fëmijëve romë dhe fëmijëve të imigrantëve), përkeqësim të kushteve të përgjithshme nëpër klasa, si higjiena dhe ngrohja. Masa të rënda, që tashmë kanë shkaktuar një rrezik jo vetëm ndaj cilësisë së edukimit, por edhe pabarazi në arsimim. Por, më i rëndësishëm gjykohet zhvlerësimi psikologjik ndaj edukimit, që shikohet si i pashpërblyeshëm për të ardhmen.

Por, e drejta për arsimim, nuk ishte e vetmja fushë e prekur, pasi imponimet e kreditorëve kishin shkaktuar edhe degradim të së drejtës për kujdes shëndetësor. Kujdes, i cili në disa vende si Spanja, do të shndërrohej në një kujdes, që varet nga statusi i punësimit, apo i të punësuarit. Në Qipro ky kujdes do të ofrohej vetëm ndaj qytetarëve të Qipros dhe qytetarëve të BE-së që kanë leje qëndrimi të përhershme dhe kanë paguar për tre vite sigurimet shëndetësore dhe me një skemë speciale për të papunët. Masa që në tërësi, kanë goditur njerëzit e varfër, të moshuarit, njerëzit me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre, gratë si edhe imigrantët pa dokumente.

Përtej të drejtës për arsimim dhe kujdesit shëndetësor, përkeqësim njohu edhe fusha e drejtësisë dhe e drejta për të pasur shërbime drejtësie. Një sërë masash tashmë kanë prekur, shtrëngim të kritereve për të përftuar ndihmë ligjore; adoptim të rregullave procedurale për të shtrënguar qasjen në rrugët e rekursit; rritje të kostos procedurale; dhe reduktim të numrit të gjykatave dhe stafit juridik. Drejtësia në Portugali është bërë shumë e shtrenjtë, edhe Italia njeh rritje të kostove të procedurave gjyqësore dhe rritje të vështirësive. Spanja gjithashtu qëndron në të njëjtin panel.

Liria e shprehjes dhe e grumbullimit është përkeqësuar gjithashtu. Nën efektin e këtyre shtrëngesave ekonomike dhe protestave sociale që ato gjenerojnë, në qeveritë e shtatë vendeve anëtare janë konstatuar rishikime të legjislacionit në lidhje me këtë çështje. Imponimi qeveritar për zbatim të masave, që ndërmerren dhe shtypja e protestave popullore ka gjeneruar dhunë të ekzagjeruar, duke lejuar edhe futjen e kimikateve të ndryshme në ujin, që përdor policia për shpërndarje të protestuesve, hedhje të granatave tymuese në turmë, keqtrajtim policor ndaj gazetarëve, apo rasti më flagrant i policisë greke që do të bllokonte brenda një stacioni metroje protestuesit duke i sulmuar ato me granata tymuese.

Kohët e fundit edhe Belgjika është shndërruar në arenën e përplasjeve të vazhdueshme me forcat policore, në vazhdën e një sërë grevash të përgjithshme, që kanë prekur vendin si rebelim ndaj politikave të qeverisë së djathtë, për zbatim të masave të kursimit. Masa, që po zbatohen sipas të njëjtës skemë, ku kategoritë që preken të parat janë ato më të pambrojturat, punëtorët, të varfrit, të papunët, personat që marrin ndihma sociale, si edhe të huajt. Masa, që prekin jo vetëm financiarisht kategoritë më të dobëta, por që janë të diskutueshme edhe në kuadrin e të drejtave themelore, duke ndikuar negativisht në një sërë fushash.

Kriza ekonomike dhe zbatimi i masave shtrënguese, që imponojnë kreditorët, ka konfirmuar tashmë përkeqësimin e të drejtave themelore në disa prej vendeve të Unionit. Edhe raporti i fundit, konkluzionet paraprake të të cilit janë botuar, konfirmon të njëjtën tendencë. Fatkeqësisht, Greqia u shndërrua në arenën e pandjeshmërisë së aplikimit të këtyre masave. Paketa e fundit e masave nuk ka shumë kohë, që u miratua. E shoqëruar me një sërë protestash popullore dhe rezistence të masave.

Çka tërheq vëmendjen është fakti se, janë një sërë studimesh, që kanë konfirmuar rënien ndesh të politikave të Trojkës, me të drejtat themelore. Jo rastësisht, Parlamenti Evropian, do të vinte në dyshim politikat e imponuara nga Trojka, duke hetuar mënyrën e saj të operimit. Dhe konkluzionet e hetimit mbi punën e Trojkës, konfirmuan si mungesën e transparencës që ekzistonte, po ashtu edhe mungesën e vlerësimit paraprak të ndikimit të programeve dhe masave të aplikuara. Situata ishte edhe më e rëndë teksa konfirmohej edhe cenimi i të drejtave, që burojnë nga Karta e të Drejtave Themelore të Unionit, Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut, Karta Sociale Evropiane, si edhe traktatet e Unionit Evropian, pasi programet e aplikuara nuk ishin aspak në përputhje me to. Kushtet e imponuara të Trojkës, në shkëmbim të ndihmës financiare, u cilësuan se kishin kërcënuar realizimin e objektivave socialë të Unionit.

Por, edhe pse synimi i Parlamentit Evropian dukej shpresëdhënës, në kuptimin e objektivit që kishte shpallur se duhet të ketë një vlerësim të vazhdueshëm dhe të mbikëqyret puna e Trojkës, në mënyrë që programi i saj të ketë përputhje me të drejtat themelore të qytetarëve të Unionit, situata nuk shfaqet shumë optimiste. Greqia, vazhdon të kryesojë që prej vitit të kaluar, si shembull i arenës së shkatërrimit të pandalshëm të të drejtave themelore. Komisioni Evropian, vlerësohet gjithashtu nga një prezantim paraprak i Raportit, që pritet të publikohet së shpejti se, ka dështuar në vlerësimin e ndikimit të programeve rregulluese ndaj të drejtave të njeriut, në rastin e Greqisë. Por, më tragjikja qëndron tek fakti se, po sipas të njëjtit raport masat e ekzagjeruara të këtyre programeve, sidomos të programit të parë dhe të dytë struktural, vlerësohen se, kanë thelluar krizën ekonomike të Greqisë në mënyrë domethënëse, GDP ra me 25% përgjatë viteve 2008-2013 dhe përqindja e rritjes ka ngelur 0, që prej vitit 2014./im.ta/DITA

Share This Article