Austriakët përzgjodhën në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale, një kandidat të ekstremit të djathtë. Pas Gjermanisë dhe fitores së ideve ekstremiste të AfD-së, në zgjedhjet rajonale, tashmë edhe Austria po zgjeron hartën e preferencave ekstremiste. Me rreth 35.5% të votave kandidati i FPO, Norbert Hofer, arriti të dominojë me një fushatë të përqendruar në tema të ndjeshme, si kriza e refugjatëve, frika e islamizimit të vendit, rrënimi i sistemit social nga migrantët, varësia e Vjenës nga Brukseli dhe pafuqia për të vendosur mbi fatet e vendit, rëndësia e fuqizimit të ushtrisë, etj.
Më shumë stil, se sa përmbajtje. Më shumë retorikë se, sa alternativa kuptimplote. E njëjta filozofi, e ngritur në dy kolona kryesore: piketimi i “armikut” dhe nacionalizmi.
Rëndom në të gjitha partitë e ekstremit si djathtas, por edhe majtas, vërehet synimi për të piketuar apo gjetur “armikun”. Nëse ekstremizmi i majtë përpiqet ta gjejë brenda klasave, i pasur/ i varfër, ekstremizmi i djathtë e gjen tek dallimet etnike-kulturore, apo edhe racore.
Ky “armik”, ndryshon thjesht formë, pasi thelbi ngelet gjithnjë i njëjti. Herë profilizimi i armikut shkon ndaj të huajës, ndaj emigrantit, ndaj refugjatit, siç po ndodh rëndom në mesin e krizës së refugjatëve në shumë vende evropiane, por ky armik profilizohet edhe ndaj së brendshmes, bashkëkombësve, ndaj një minoriteti, duke marrë forma raciale, ndaj një kategorie të caktuar, si p.sh. ekstremizmi i djathtë në Hungari, Jobbik etj. Por, ky “armik” mund të jetë edhe me profil evropian, etj. Pasi është përzgjedhur dhe profilizuar, atëherë nëpërmjet mekanizmit të propagandës, retorikës popullore, gjuhës së kuptueshme dhe imazheve të goditura, fillon dhe shndërrohet në të keqen e të gjithë shtetit, dhe shoqërisë. Ky “armik” fajësohet për çdo problem ekonomik, financiar, politik, psikologjik, duke krijuar përshtypjen nëpërmjet imagjinares, se po të “eliminohet” automatikisht do të zhduken të gjithë problemet.
Paralelisht, hyn në skenë edhe kolona e dytë e filozofisë ekstremiste, nacionalizmi. Sepse, armiku apo armiqtë e piketuar, supozohen të “kërcënojnë” seriozisht ekzistencën kombëtare. Dhe që kombi të mund të ekzistojë, duhen luftuar “armiqtë” e përzgjedhur. Jo rastësisht, në të gjithë platformat e partive ekstremiste gjejmë idenë e kombit glorifikues, kombit të madh dhe zot i fateve të tij. Jo rastësisht, të gjitha ato janë raciste dhe ksenofobe.
Të kombinuar, këto elementë gjenden edhe në objektivat e platformës së kandidatit të ekstremit të djathtë në Austri, tek ekspozohen në ndërthurje, kërcënimi i “armikut” Migrim, ndaj popullit, kulturës, vlerave, traditave dhe sigurisë austriake. Deri edhe kërcënimi i ekzistencës së Atdheut (!) pikërisht nga ky armik : “Populli ynë, kultura e tij, vlerat, traditat dhe siguria duhen mbrojtur kundër migrimit të ri në masë. Austriakët kanë të drejtë të kenë një Atdhe .”
Në të njëjtën filozofi dhe propagandë, ekstremizmi i djathtë ka kohë që po shfaq shenja fuqizimi thuajse në një pjesë të mirë të vendeve evropiane.
Me nisjen e krizës ekonomike në vitin 2008, terreni u zgjerua, duke iu bërë të mundur mbrojtjen dhe përfaqësimin kategorive më të prekura nga kriza dhe që po vuanin pasojat e saj. Teksa Evropa filloi të merrte kursin neo-liberal në përgjigje ndaj krizës, e majta në analizën që i bën vetvetes, vlerëson se idetë e saj, nuk u morën fare parasysh, duke ngelur në letër, pasi nuk gjetën mbështetje. Gjithsesi, të majtët, pranojnë njëkohësisht edhe fajin e mosveprimit dhe mos insistimit si duhej të tyre, në nivel evropian. Pasi, në arsyetimet e tyre, e majta evropiane duhet të strukturonte një rrugë alternative, të besueshme, në raport me Evropën liberale, në bashkëpunim me sindikatat, me qytetarët, duke e ndryshuar në këtë mënyrë Evropën.
Mungesa e kundërshtimeve ndaj këtyre politikave të ashpra të djathta, duke pranuar aplikimin e tyre në masë, tashmë është konfirmuar si një mungesë vullneti politik, një dobësi, dështim, mungesë e vizionit për të ardhmen, e një Evrope më të drejtë dhe sociale.
Përtej krizës ekonomike, që ka nisur që prej vitit 2008 dhe ende nuk është mbyllur, kriza e refugjatëve, është një tjetër moment i rëndësishëm ku ekstremizmi i djathtë po ushqen dhe zgjeron terrenin e tij. Zgjedhjet në Gjermani u kryen nën këtë klimë, edhe ato të Francës ku dominuan gjerësisht nacionalistët e Le Pen, në raundin e parë, edhe pse u bllokuan me manovra politike, nga dy partitë kryesore në raundet e tjerë. Apo edhe zgjedhjet në Poloni, ku fituan konservatorët me tendenca ekstremiste.
Pjesëmarrja përgjatë raundit të parë të votimeve në Austri, ishte nga më të lartat, rreth 70%. Raundi i parë, konfirmoi tendencën e shmangies së votave të elektoratit, për partitë tradicionale. I njëjti fenomen, u vëzhgua së fundmi edhe në Gjermani, gjatë zgjedhjeve rajonale. Një element i rëndësishëm, që shfaq një lloj lodhje, indinjate apo proteste ndaj partive tradicionale, politikave që ato ndërmarrin, duke shpërfillur opinionin, zërin apo mendimin e qytetarëve. Element, pa të cilin një demokraci e ka të vështirë funksionimin e saj. Gjithë lufta dhe propaganda qeveritare apo partiake kanë një prirje të zhvillohen kryesisht gjatë fushatave, duke zhvlerësuar rëndësinë e një komunikimi të thelluar politik të qytetarëve, të dëgjimit të publikut, përgjatë mandatit qeverisës. Çka do të mundësonte, një funksionim më të mirë demokratik.
Duke pretenduar se tashmë mandati është marrë për të qeverisur, shpeshherë ndërmerren iniciativa që jo vetëm bien në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, por nuk vlerësohet as rëndësia e një komunikimi të domosdoshëm, që në fund të fundit më shumë se të gjithëve, do t’i vlejë vetë qeverisë dhe të zgjedhurve të publikut. Kjo thyerje në komunikim, fakti i mos dëgjimit të shqetësimit të publikut p.sh., në lidhje me numrin e lartë të migrimit në vend, rezulton në ikje të elektoratit drejt asaj partie, që të paktën dëgjon, transmeton dhe vlerëson shqetësimin e tij. Shpërfillja e zërit të qytetarëve nga politika, injoron. Ky injorim, nuk shkakton thjesht indinjatë, por thellohet duke u bashkuar me mungesën e zgjidhjes për shqetësimin e shprehur. Dhe kur ky injorim shtohet, për një sërë problemesh, shfaqet një lloj krize identiteti e kombinuar me krizën e përfaqësimit politik. Alternativat janë aty, ekstremi i djathtë ka kohë që po përthith elektoratin e braktisur të partive tradicionale. Dhe do ta vazhdojë ta bëjë, për sa kohë partitë tradicionale do ta zhvlerësojnë rolin e patjetërsueshëm, që ka në një demokraci dëgjimi i vazhdueshëm, sistematik dhe i palodhshëm i shqetësimeve të publikut. Ndryshe, karriget e opozitës do të jenë gjithmonë aty. Duke imponuar, ndoshta, reflektimin e duhur./im.ta/DITA
