Shqipëria ka një nivel të lartë papunësie veçanërisht tek moshat e reja. Zyrtarisht, vendi ynë ka një normë papunësie prej 17%.
Por, një raport i Komisionit Evropian bën me dije se papunësia tek moshat e reja është 32.3%. Në raportin statistikor të tremujorit të fundit të vitit të shkuar, thuhet se papunësia në vendet e Evropës ra me 1.9%, por Shqipëria nuk pati ndikim në këtë drejtim.
Raporti vëren se bujqësia është sektori kryesor për punësimin në Shqipëri, teksa thekson se në tremujorin e fundit, numri i të papunëve në këtë sektor u rrit.
Gjithsesi, kuptohet për shkak se prodhimi bujqësor ka kulmin gjatë verës.
Ndërsa në total, niveli i papunësisë në Shqipëri arriti në fund të 2015-ës në 17.5%, duke u rritur me 0.2% kundrejt tremujorit të tretë të këtij viti.
Krijimi i vendeve të punës në Shqipëri, veçanërisht te të rinjtë, konsiderohet problematik pasi ka mospërputhje të forta mes kërkesës dhe ofertës.
Raporti thekson se papunësia në vendin tonë është më e lartë se sa statistikat zyrtare për shkak se shumë të papunë nuk deklarohen.
