Marrëveshja e Evropës me Turqinë po shndërrohet në një armë problematike në duart turke. Armë që izolon, burgos, zmbraps, por edhe vret. Përtej fasadës që lejohet të filmohet, për t’u transmetuar si një mirëfunksionim i marrëveshjes dhe i kthimit të refugjatëve në Turqi, shfaqet një tjetër realitet. Autoritetet greke nuk lejojnë gazetarët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut të vëzhgojnë nga afër procesin. Ndërkohë organizmat që monitorojnë të drejtat e njeriut raportojnë për dhunë në kufirin me Turqinë, kthim mbrapsht të refugjatëve në zonën e luftës, si edhe vrasje të tyre. Vrasje pa paralajmërim. Shpesh prapa shpine. Raportohen 16 të vrarë, ndër to dhe tre fëmijë. Por, autoritetet turke i mohojnë ato. Ndërsa zëdhënësi i Komisionit Evropian ka deklaruar se janë në dijeni të raportit, por se “ nuk kemi informacion të konfirmuar, që mund të konfirmojë këtë”.
Gjithsesi, raportimet për vrasje në kufi të refugjatëve nuk vijnë rishtazi. Amnesty International i ka raportuar vazhdimisht.
Situata e respektimit të të drejtave të njeriut në Turqi, nuk është e panjohur për Evropën. As mungesa e një angazhimi real dhe të suksesshëm në zgjidhjen e çështjes së refugjatëve. Por, nënshkrimi i marrëveshjes së shumë kritikuar me Turqinë, shfaqej si e vetmja alternativë, përballë egoizmave kombëtarë që jo vetëm refuzojnë bashkëpunimin në mungesë të plotë solidariteti, por nuk stepen as para futjes në krizë ekzistenciale, të vetë Unionit, ku ato bëjnë pjesë. Por, edhe pse marrëveshja ka nisur funksionimin, ka trajta ndërgjegjësimi që jo vetëm nuk do të shkohet drejt një zgjidhje reale të situatës, por se nevojitet një reflektim më i gjerë, që mund të nxjerrë Evropën nga ngërçi ku është futur në marrëdhënien e saj me Turqinë.
Kreu i Liberalëve në Parlamentin Evropian, belgu Verhofstadt, ka kohë që paralajmëron Evropën se marrëveshja me Turqinë nuk do të mund të ulë dot numrin e migrantëve dhe të refugjatëve, dhe se Unioni duhet të vërë në jetë një sistem funksional evropian, për të menaxhuar krizën në mënyrë ligjore dhe humane:
“ Nuk duhet kurrë t’ia shesim shpirtin Turqisë dhe të falim dhunimet e të drejtave të njeriut, vetëm sepse jemi të paaftë të zgjidhim vetë problemet tona. Një kusht i marrëveshjes për të lejuar kthimin e azilkërkuesve nga Evropa ishte angazhimi i Turqisë për të respektuar gjithë protokollet e Konventës së Gjenevës. Parlamenti i Turqisë nuk ka aprovuar ende ndryshimet e nevojshme legjislative në të drejtën kombëtare. Kjo është e papranueshme!” Ju duhet t’i keni lexuar gjithashtu akuzat e Amnesty International dhe OJQ-ve të ndryshme se Turqia po i zmbraps në territorin e tyre, sirianët që i ikin luftës. Këto akuza janë shumë serioze dhe duhet të ekzaminohen nga BE. Për sa kohë që ka pikëpyetje në lidhje me sigurinë në Turqi, për refugjatët në nevojë mbrojtje, kthimet duhet të ndalen”.
Por, dje u shfaqën dhe tentativat e para, nga Komisioni Evropian drejt një përqasje për zgjidhje të përbashkët evropiane. Një sërë skenarësh dhe prioritetesh me dy opsione, që spikasnin. Pasi në thelb prekin modelimin apo rishikimin e sistemit të azilit në BE.
Opsioni i parë, “Dublin plus” ofron një zgjidhje mbi strukturën ekzistuese. Pra, ky sistem aktual azili, ku azilkërkuesit duhet të kërkojnë azil në vendin e parë hyrës. Një sistem i padrejtë dhe që ka mbingarkuar në vazhdimësi shtetet në kufijtë e Unionit, kryesisht Greqinë si edhe Italinë, që nuk kanë reshtur së denoncuari këtë padrejtësi.
Ajo që propozohet është futja e një “porte emergjence” ku në rastet e një fluksi masiv, kjo portë të mundësojë heqjen e barrës shtetit pritës, nëpërmjet një mekanizmi shpërndarje strukturore. Në të njëjtën formë që tashmë janë kryer edhe dy iniciativa shpërndarje në Union, përgjatë vitit 2015. Pra, në rast të një mbingarkese të Greqisë, flukset të shpërndahen në forma të organizuara në të gjithë vendet e BE-së.
Opsioni i dytë, zhvillon më tej opsionin e parë, pra të sistemit të shpërndarjes të azilkërkuesve duke e bërë atë të përhershëm, pra jo vetëm në situata emergjente. Ky mekanizëm, do të marrë parasysh kapacitetin absorbues të vendeve të ndryshme të BE-së (madhësia e vendit, fuqia ekonomike,etj). Pra, kemi një shmangie të përgjegjësisë së vendit të parë hyrës. Dhe duket se ky është dhe opsioni më i favorizuar nga shtetet, që kanë marrë më shumë refugjatë deri në këto momente (Gjermania, Austria dhe Suedia).
Të dy opsionet kanë një karakter detyrues, apo imponues çka kërkojnë dalje nga logjika e refuzimit dhe bllokadës për të shkuar, drejt gjuhës së solidaritetit dhe humanizmit të përbashkët.
Por, a do të mund ta gjejnë dot gjuhën e përbashkët të 28 vendet për të avancuar më tej me këtë dosje ?! Deri më tani ky ka rezultuar të jetë një mision i pamundur. Refuzimi kategorik i vendeve të ish lindjes komuniste, që prej fillimit të krizës, është stoik dhe i pandryshueshëm. Tek-tuk njeh dhe ashpërsim. Sidomos Polonia, nën drejtimin e konservatorëve euro-dyshues, që menjëherë pas sulmeve terroriste në Bruksel, deklaruan se do të refuzonin çdo lloj kuote mbi refugjatët, në lidhje me mekanizmin e shpërndarjes.
I vetmi opsion, që ndoshta mund të detyrojë vendet me rolin dhe peshën më të madhe në Union, për të shfaqur vendosmëri, për gjetjen e një zgjidhje të përbashkët ligjore dhe humane, duke iu imponuar nëpërmjet “mekanizmave izolues”, vendeve me peshë më të vogël, mund të jetë thyerja e marrëveshjes me Turqinë, për shkak të përkeqësimeve të kuadrit të të drejtave të njeriut, kryesisht ndaj azilkërkuesve dhe refugjatëve, si edhe alarmi dhe presioni në rritje i organizmave të të drejtave të njeriut. Pra, e thënë ndryshe, me gjuhën pak të stërholluar të Komisionit në rast “konfirmimi të informacionit, që mund të konfirmojë kryerjen e krimeve” nga autoritetet turke. Moment, që ndoshta (por jo detyrimisht!) mund të imponojë reflektim, mbi përfshirje të mëtejshme apo distancim nga marrëveshje delikate, me sisteme të kompromentuar./im.ta/DITA
