Kusari-Lila: Të korruptuarit s’kanë vend në komunë

anazapta

Kryetarja e Gjakovës Mimoza Kusari-Lila e ka bërë paralajmërimin e fundit për të gjithë zyrtarët komunalë që të rrinë larg aferave korruptive apo atyre të mitmarrjes, teksa iu ka premtuar atyre se në çfarëdo rasti të tillë do të “përkujdeset” personalisht që t’i dërgojë në burg.

Pas suspendimit të Avokatit Publik të komunës, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, dhe pas arrestimit të një zyrtari të drejtorisë së urbanizmit që u kap duke marrë mito, Kusari-Lila thënë me bindje se në këtë qeverisje do të ketë zero tolerancë ndaj korrupsionit, abuzimit të detyrës zyrtare dhe formave tjera që ulin kredibilitetin e zyrtarëve komunalë përball shërbimit që kërkojnë qytetarët.

Ajo ka drejtuar kërcënime në drejtim të të gjithë zyrtarëve komunalë se do të jetë e pamëshirshme ndaj secilit tentim më të vogël korruptiv nga ana e tyre.

“Nuk do të fali as një rast të vetëm, qoftë edhe një kafe që kërkon çdo zyrtar apo drejtor në komunën e Gjakovës si kompensim për kryerjen e shërbimeve ndaj qytetarit”, ka thënë Kusari-Lila, duke kërkuar edhe nga drejtorët që këtë vendim t’ua bëjnë të ditur të gjithë shërbyesve civilë të punësuar në komunë.

Ajo gjithashtu ka apeluar edhe tek qytetarët që për çdo rast të dyshimit korruptiv, apo edhe ato të mitmarrjes e haraçit të lajmërojnë menjëherë në të gjitha organet gjegjëse.

“Apeloj tek qytetarët që në secilin rast që mund të ballafaqohen me kërkesa për mito t’i paraqesin ato menjëherë. Gjithashtu apeloj tek bizneset që nëse në ndonjë rast mund të ndihen të kërcënuar, nëse ballafaqohen me shkelës të ligjit, të lajmërohen pa hezituar. Të gjithë mund të lajmërohen direkt tek unë si kryetare e komunës, mund të shkojnë në polici ne Gjakovë, në Prishtinë apo edhe në EULEX. Me rëndësi që mos ta heshtin rastin, mos ta amnistojnë askënd, sado i fortë apo sado të afërm që mund ta kenë atë që e shkel ligjin”, ka thënë Kusari-Lila për gazetën.

Ajo ka shtuar se në Gjakovë përfundimisht ka ardhur kohë për ndërtimin e një sistemi ku secili qytetar mbanë përgjegjësi për rendin dhe sigurinë publike. Sipas saj, më nuk duhet drejtuar gishti i fajësisë vetëm te organet e sigurisë e drejtësisë, por secili qytetar duhet të bashkëpunojë më këto organe në mënyrë që të nxirren para ligjit të gjithë ata që e shkelin ligjin. / Zeri

Share This Article