Sot, Belgjika konfirmoi refuzimin e nënshkrimit të Marrëveshjes Tregtare BE-Kanada. Marrëveshja pritej të nënshkruhej zyrtarisht mes Unionit dhe Kanadasë, gjatë Samitit të kësaj të enjte në Bruksel. Një prej rajoneve të Belgjikës, Valonia ka refuzuar të autorizojë qeverinë federale të nënshkruajë Marrëveshjen. E mbështetur edhe nga rajoni i Brukselit dhe Federata Valoni-Bruksel. Po kush është arsyeja e këtij refuzimi dhe kush akomodohet pas pozicionimit refuzues të Valonisë ? Negociatat mbi Marrëveshjen Tregtare me Kanadanë, kanë nisur që prej vitit 2009. Në vitin 2014, kemi edhe formën e parë të konkludimit të kësaj Marrëveshje, ku Komisioni Evropian, që ka kompetencën e kryerjes së këtyre marrëveshjeve, duhej të dilte me një propozim, në formën e një marrëveshje ekskluzive. Çka nënkupton, se ai zotëron të drejtën ekskluzive për kryerjen e marrëveshjeve tregtare (neni 3 TFBE). Por, ndryshe nga kjo normë operimi, Komisioni ndryshoi qasjen ndaj kësaj Marrëveshje, duke e futur atë në shinat e një marrëveshje të përzierë dhe jo të një marrëveshje ekskluzive. Ndryshimi qëndron tek fakti se një marrëveshje ekskluzive nënkupton që ajo kryhet vetëm nga Komisioni Evropian, ndërsa marrëveshja e përzier, përfshin futjen e vendeve anëtare në këtë proces. Konkretisht prononcimin e parlamenteve kombëtare.
Arsyet e këtij ndryshimi, nga njëra anë, shikohen në logjikën e presioneve të opinionit publik, që ka një frymë jo aq pozitive ndaj nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve. Nga ana tjetër, presioni i vendeve anëtare, që kërkonin të mos miratohej kjo marrëveshje, nëse parlamentet kombëtare nuk e miratojnë atë paraprakisht, ishte i lartë. Në këtë kuadër, duhet vlerësuar pesha e vendeve të mëdha si Franca dhe Gjermania, në imponimin e këtij procesi. Duke mos nënvlerësuar as Belgjikën dhe rolin, që ajo luan. Pra, kemi hapjen e rrugës të një procesi, ku mjafton një refuzim lokal nga një prej 6 parlamenteve që ka Belgjika, për të bllokuar apo shembur të gjithë procesin, pa përmendur numrin e lartë ta parlamenteve të BE-28.
Që prej vitit 2014, socialistët e Belgjikës janë pozicionuar kundër kësaj Marrëveshje. Kemi një sërë deklaratash publike ku sqarohen arsyet e këtij pozicionimi. Deklarata e para tre ditëve, e kreut të PS në Belgjikë Elio Di Rupo, do të konfirmonte një sërë problematikash që ishin hasur gjatë procesit:
“Kemi kërkuar që në fillim garanci juridike detyruese për të imponuar norma sociale dhe mjedisore strikte, për të mbrojtur shërbimet tona publike, për të penguar ndërmarrjet shumëkombëshe amerikane të përfitojnë nga ky traktat apo për të evituar që gjykatat e arbitrazhit të kenë një rol në dëm të juridiksioneve të shteteve. Ne i qëndrojmë besnik vlerave tona: interesat e qytetarëve përpara interesave të multinacionalëve. Ne, nuk mund të ndërmarrim një risk të nënshkruajmë një traktat kaq të rëndësishëm pa marrë të gjitha garancitë e nevojshme, me shkrim dhe me një vlerë juridike detyruese.” (21.10.2016)
Shqetësimi i socialistëve belgë, prek mënyrën e funksionimit demokratik në BE, konkretisht mënyrën se si Komisioni i kryen negociatat, nëpërmjet një procesi që i mungon transparenca e plotë. Në një deklaratë tjetër publike kreu i PS në Belgjikë Di Rupo, do të shprehej se socialistët nuk janë kundër marrëveshjeve tregtare në parim, por se: “prej vitesh dhe në mënyrë të papranueshme, këto negociata janë kryer në sekretin më të madh. Kur elementë të traktatit u zbardhën, qeveritë së bashku me socialistët shënjestruan menjëherë problemet që shfaqeshin: si p.sh, mungesa e një përjashtimi të qartë dhe definitiv të shërbimeve publike nga liberalizimi; mungesën e normave sociale dhe mjedisore detyruese, të lidhura me sanksione; mbajtjen e një juridiksioni përjashtues për investuesit e huaj; mungesën e garancisë të së drejtës së plotë të autoriteteve kombëtare dhe lokale për të nxjerrë legjislacion rregullues në interesin e përgjithshëm; etj. Dhe Komisioni Evropian nuk i është përgjigjur këtyre kërkesave legjitime. Ne kemi marrë një “deklaratë interpretuese” të traktatit. Një deklaratë prej 8 faqesh e pretenduar të shpjegojë një traktat prej 1600 faqesh! Kjo, sigurisht që nuk na ka krijuar siguri. Kjo deklaratë është e pamjaftueshme dhe nuk i përgjigjet vërejtjeve të ngritura. Ne nuk jemi të izoluar: shoqëria civile na mbështet, po ashtu si edhe progresistët në Evropë. PS është gjithmonë e angazhuar në mbrojtjen e shërbimeve tona publike, të normave të forta sociale, dhe ndaj një roli të rëndësishëm për shtetin. Ne kemi jetuar pa CETA-n, dhe bota nuk do të përmbyset po nuk e nënshkrua më 18 tetor. Ne nuk e kemi refuzuar kurrë diskutimin, por ne kërkojmë që të mbahen parasysh interesat tona.” (14.10.2016)
Shqetësime të tjera të shprehura nga socialistët belgë, lidhen me faktin se traktati me Kanadanë
do të shërbejë si “Kali i Trojës” për kompanitë amerikane, pasi CETA do t’i mundësojë kompanive amerikane qasjen në tregun evropian, dhe për më tepër do t’i hapë rrugën ankimeve ligjore ndaj qeverive kombëtare apo rajonale, nëse interesat e tyre ekomomike cenohen nga një vendim i autoriteteve publike. Për më tepër, mekanizmi ndërkombëtar i arbitrazhit në vetvete shfaq boshllëqe, kryesisht për sa i përket shterimit të ankimit të rrugëve të brendshme, por edhe për sa i përket mungesës së pavarësisë së gjyqtarëve.
Ndër të tjera, shqetësim shfaqin edhe standardet, që duhet të kap kjo marrëveshje, e cila do të shërbejë si normë përcaktuese edhe ndaj kryerjes së marrëveshjeve të tjera, siç është ajo që po kryhet me SHBA, apo edhe me Japoninë.
Por, në fakt duket se Valonia është vetëm fasada ekspozuese e një shqetësimi, që shtrihet më
gjerë dhe që në mënyrë të logjikshme, lidhet me procedimin e imponuar nga vendet kryesore të Unionit për një ratifikim, pra dhënien e dritës jeshile nga parlamentet kombëtare.
Shqetësimi francez shtrihet në të njëjtat linja me shqetësimin e valonëve ( francezëve të Belgjikës!).
Nëse i referohemi raporteve të senatit francez, që mbulojnë në tërësi trajtimin e kësaj dosje, vërehet se shqetësimet janë të të njëjtit karakter, duke filluar nga mënyra se si Komisioni Evropian kërkonte të kishte pushtet ekskluziv mbi kryerjen e kësaj marrëveshje dhe se, vendet kryesore anëtare kanë bërë mirë, që kanë insistuar ndaj një qasje të përzier në këtë marrëveshje, duke i dhënë pushtet ratifikimit në parlament; së dyti, gjejmë të njëjtën problematikë, ku vërejtjet shkojnë drejt mënyrës se, si vepron Komisioni Evropian, duke përjashtuar negocimet me vendet anëtare, ndryshe nga modeli kanadez ku provincat kanë të drejtën e futjes së amendamenteve në marrëveshje; së treti, negocimet janë kryer në mungesë të plotë të transparencës; së katërti, Gjykata e Arbitrazhit konsiderohej si në skandal demokratik, pasi i lejon grupeve të mëdha, të atakojnë vendimet e marra nga parlamentarët. Nga ku, mbrohet ideja franceze, që mbështetet nga gjermanët për një Gjykatë Drejtësie Tregtare Ndërkombëtare, shumëpalëshe ku gjen përfaqësim çdo vend anëtar si edhe Komisioni, ndryshe nga skema, që ofronte gjykatës, që paguheshin nga ndërmarrjet shumëpalëshe, dhe se këta gjykatës do ta kenë të ndaluar të atakojnë zgjedhjet e politikave publike; dhe teksa Franca ka kërkuar gjatë Samitit të Bratislavës, ndalimin e negociatave mbi marrëveshjen tregtare me SHBA, marrëveshjen me Kanadanë e filtron nëpërmjet një sërë pyetjesh që ngre, mbi mundësinë e riskut të përdorimit si Kalë Troje, nga amerikanët.
Për më tepër, në muajin shtator kemi edhe propozimin e një rezolute franceze, ku theksohet rëndësia që të refuzohet hyrja në fuqi përkohësisht e marrëveshjes (që mund të ndodhte më 27 tetor, pas nënshkrimit formal) pasi kjo do të përjashtonte de facto parlamentet kombëtarë, nga procesi i vendimmarrjes. Ndër të tjera rezoluta franceze, shfaq edhe problematikën e mos saktësimeve në tekst të modaliteteve praktike të mekanizmave të apelimit dhe të klauzolave përkatëse.
Pse, ky refuzim erdhi publikisht nga Valonia dhe jo nga Parisi apo Berlini ? Një përgjigje të mundshme mund ta gjejmë tek shpjegimet, që ofrohen përgjatë raportimeve në senatin francez, nga sekretari francez për marrëdhëniet tregtare me jashtë Matias Fekl: “Nëse një vend i vogël, do të refuzonte marrëveshjen, mund ta kalojmë ndryshe, por një refuzim i një vendi të madh, do të shfaqte një problem politik….”
Disa linja më poshtë, vërehet edhe pozicionimi i Zv.Presidentit të Komisionit të Çështjeve Evropiane të Senatit francez, Gatolë (Gattolin): “ Ne, nuk humbasim asgjë po të zgjasim negociatat. Pas të gjithave, kanadezët janë mjeshtra në këtë art; dhe thyerja e parë e negociatave u bë nga qeveria e tyre, e dyta nga provincat e tyre. Në fund të fundit, Evropa është tregu i parë i brendshëm në botë, janë vendet e tjera që luftojnë për të pasur akses tek konsumatorët tanë, dhe jo e kundërta.” Gazetat belge, nuk do të anashkalonin në vlerësim as takimin e Ministrit-President të Valonisë, Pol Manjet, pra të Elizesë së Vogël me Elizenë e Madhe të Parisit, duke theksuar se: “ Në Paris, duan të sabotojnë Marrëveshjen Tregtare me SHBA (TTIP), për të shfrytëzuar më mirë CETA-n, nën pretekstin e një “marrëveshje të mirë”, çka mbi të gjitha është një marrëveshje, që lubrifikon interesat tregtare franceze….!
Im.Ta.
DITA
