Historinë nuk mund ta ndryshojë as botimi i një liste të turpshme, as qëndrimet e një njeriu, qoftë ky një drejtor neoballist apo shefi i qeverisë. E vërteta e atyre që dhanë jetën nuk bëhet dot ujë për të shpëlarë krimet që janë bërë dikur apo përfitimet e sotme!
Nga Bedri Islami
Kisha menduar se, pas 30 viteve pluralizëm, debati i nisur që në janar 1991, më në fund kishte marrë shumë përgjigje shterruese dhe se gjërat, më në fund, ishin vendosur në shinat e një të ardhmeje në dorën e historianëve.
Kisha menduar se, pas “arritjes” që Shqipëria të kishte dy ditë çlirimi, afër njëra tjetrës, sipas përcaktimeve politike të njërës anë dhe anës tjetër, gjërat ishin më të qarta dhe se, historia e së djeshmes, megjithëse e trajtuar njëanshmërisht, kishte gjetur një rrugë.
Ringjallja e saj ditëve të fundit, për më tepër botimi nga një Institut që duhej të merrej me krimet e komunizmit e një liste me “kriminelë” lufte, i ringjalli të gjitha, e aq më tepër, një rezolutë e projektuar për të kaluar në parlament, bëri që shumë gjëra të ringjalleshin.
Mes të tjerave edhe pyetja e bërë që në fillimin e gjërave: vërtet kush vrau në këtë luftë, ku ishte e keqja e madhe e një vendi që mezi kishte arritur të formohej si shtet dhe ku, koncepti i kombit, ishte më i largët se në të gjithë trevën ballkanike?
E rëndësishme në këto tridhjetë vite ishte se askush, edhe kundërshtari më i furishëm i luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, deri tani, me gjithë pasionet e verbra, nuk i doli ballas për zot fashizmit. Në të gjithë diskursin politik dhe propagandistik u synua të vërvitej e gjithë kjo zallamahi rreth një përcaktimi: edhe ballistët kishin qenë antifashistë, por ndërsa Lëvizja NÇ luftonte për vendosjen e komunizmit, ata, ballistët ishin për një Shqipëri etnike. Se sa dhe si kishin qenë ata për një Shqipëri etnike, e sqarojmë më tej.
Ditët e fundit, nga dëshira për të qenë “kundërshtarë” të habitshëm, kishte edhe figura të njohura shkrimtarësh që deklaruan se Shqipëria luftoi m kot, se, edhe pa Shqipërinë, gjermanët do të iknin një ditë. Kjo është teori e vjetër e Ballit, e cila, megjithëse turfullonte kësisoj, nuk e pengoi asgjë të ishte së bashku me gjermanët kundër shqiptarëve që ishin radhitur në Koalicionin e madh antifashist.
Sipas kësaj mendësie politike, rrjedhur nga ajo që dihet tashmë dhe jo e nga e paditura e asaj kohe, edhe kryengritjet shqiptare të fillimit të shekullit të shkuar nuk duhej të bëheshin, se Turqia do të ikte një ditë; edhe flamuri nuk kishte pse të ngrihej, se do të gjendej një ditë; edhe Ismail Qemali kot u ngut për të shpallur një shtet të mosvarur, sepse do të bëhej një ditë.
Mungesa dhe vonesa historike shqiptare, qoftë edhe në shpalljen e pavarësisë bëri që gjysma e shtetit shqiptar të ishte jashtë kufijve të tij londinezë.
Përsëritja e kësaj vonese historike do të bënte që Shqipëria të mos ekzistonte. Në Konferencën e Paqes në Paris, menjëherë pas përfundimit të Luftës, nacionalistët e çartur grekë, me të cilët Mit’hat Frashëri i Ballit desh të bënte marrëveshjen “historike” të një federate, kërkoi trevat shqiptare të jugut, duke u nisur nga një fakt i pështirë, në atë që qeveria kuislinge e Vërlacit, ku bënin pjesë edhe ato që do të njiheshin si ballistë, i kishte shpallur luftë. Nacionalistët shovinistë grekë shkuan edhe më tej: ata i kërkuan Jugosllavisë, vend komunist, që të ndanin shtetin shqiptar në gjysmë, duke pasur secila pjesën e saj.
Nëse Shqipëria do të kishte ndjekur këtë ide, të qëndrimit në heshtje se gjermanët do të iknin një ditë, shteti shqiptar nuk do të ekzistonte. Për më tepër që nacionalistët grekë kishin marrë edhe miratimin e qeverisë angleze të kohës.
Lista e botuar nga Instituti i drejtuar nga Agron Tufa përmban gjithë elitën drejtuese të luftës nacional çlirimtare. Nga jugu në veri dhe, dashje pa dashje, tregon se kjo luftë paska pasur një shtrirje gjithë shqiptare, në çdo cep, në çdo vend, tek çdo njësi dhe nuk paska qenë një lëvizje e vetmuar, më shumë jugore, si është paraqitur nga historiografia fashiste e balliste.
Të hedhësh poshtë gjithë trupën drejtuese, do të thotë të hedhësh poshtë të gjithë luftën çlirimtare, njërën nga më të shquarat e historisë sonë kombëtare. Ky është hapi i parë i synimit të një lëvizjeje neoballiste, që, për fat të keq, nuk bëhet nga revanshistë të verbër dhe psikoanalistë, por nga njerëz të lexuar, që, për më tepër, jetojnë apo kanë jetuar n vende të njohura antifashiste dhe në të cilat ende sot , fashizmi tradhtohet dhe luftohet si një murtajë politike, nacionaliste, vrastare.
Të botosh një listë të tillë do të thotë të pohosh se lëvizja nacional çlirimtare paska qenë një lëvizje e krimit, ku në themel të saj paska qenë vrasja, djegia, grabitja dhe poshtërimi.
Në të vërtetë, kthehem tek pyetja e vënë në fillimin e shkrimit: Kush vrau?
Në katër vitet e luftës kemi pasur dy kampe: nacionalçlirimtarët, ku kishte atdhetarë të shquar, dhe, nga ana tjetër, forcat pushtuese dhe kuislingët pas ose para tyre.
Bernd J.Fischer , në librin e tij, “Shqipëria gjatë luftës, 1939-1945” ka shkruar qartë se “Shumica e anëtarve të Ballit Kombëtar rrëshqitën në një kolaboracionizëm më të plotë sesa ç’kishin pasur me italianët… çetat e Ballit nisën të informonin gjermanët rreth veprimtarisë së LNÇ, më pas ata filluan të merrnin fonde nga gjermanët dhe fituan mundësinë për të blerë armë si nga qeveria kolaboracioniste ashtu dhe nga gjermanët. Rreth fillimit të shkurtit 1944, oficerët britanikë njoftonin se për partizanët po bëhej tepër e vështirë të sulmonin gjermanët, pasi shpesh njësitë gjermane mbuloheshin nga Balli Kombëtar, dhe se forcat e tij – të cilat luftonin aktivisht kundër partizanëve- ishin bërë tashmë pjesë normale e çdo force gjermane…
Qysh nga momenti i pushtimit gjerman, pavarësisht nga disa përjashtimer, rregulli i Ballit Kombëtar, ishte kolaboracionizmi”.
Në historiografinë shqiptare të pas luftës ka pasur një të dhënë për dëshmorët e saj, të cilët numëroheshin në rreth 28 mijë vetë. Kjo shifër është miratuar edhe nga organizatat ndërkombëtare kundër fashizmit, por e vërteta e saktë është e vështirë të dihet tashmë.
Megjithatë, edhe sikur gjysma e tyre të jetë e vërtetë, është përsëri dhjetë herë më shumë nga të rënët e Ballit Kombëtar gjatë të njëjtës periudhë.
Të rënët në luftë nga Lëvizja NÇ ishte dhe vazhdon të jetë, me gjithë spekulimet, tejet më e lartë nga të rënët e Ballit Kombëtar, të cilët, sipas së vërtetës historike, paraprinin sulmet gjermane dhe fshiheshin pas sulmeve të saj.
Sipas të dhënave të botuara të përfaqësuesit të lartë gjerman në Shqipëri, Neubacher, forcat balliste u shkaktoi gjermanëve më shumë dëm , se sa të mira, pasi ata plaçkitën, shkretuan dhe vranë në fshatra njëlloj si ushtritë pushtuese të së kaluarës. Njësitë e divizionit të Xhafer Devës, gjithnjë sipas Neubacher, morën një nam shumë të keq, pasi më shumë përdhunonin, plaçkitnin dhe vritnin me gjak të ftohtë, se sa luftonin. Në krahinat ku LNÇ kishte hov të ndjeshëm, si në Vlorë dhe në Skrapar dërgohej nga Dibra një figurë e njohur e lidhur e Ballin, si Halil Alia, që vriste gjakftohtësisht këdo që i dilte përpara. Masakra të tmerrshme u bënë në të gjithë vendin, edhe kur lufta kishte mbaruar. Në një ditë të vetme, në grykën e Tamarës u vranë 46 partizanë të Batalionit të Parë të brigadës së Parë, janar 1945, së bashku me Heroin e Popullit, Fejzi Micoli,”Vullneti”. Nga bashkëpunimi mes gjermanëve dhe ballistëve ndodhi masakra e Borovës, vrasjet e shumë figurave të njohura të luftës, etj. Në shkurtin e vitit 1944, përfaqësuesi i lartë gjerman, Neubacher vlerësonte se në një mënyrë a në një tjetër, më se 10 mijë nacionalistë ndihmonin gjermanët, të ndarë përafërsisht në 15 grupe, prej të cilave gjysma ishin të Ballit Kombëtar.
Kundër kujt luftonin këto forca të mëdha? Cilët vrisnin dhe me urdhër të kujt? A nuk ishte gjithë bota në luftë kundër nazismit që Balli po i shërbente? Përse Balli Kombëtar, udhëheqja e lartë dënoi sulmet e para të Abaz Ermenjit kundër forcave gjermane dhe kontaktet e tij me anglezët? Përse, po këto forca “nacionaliste” organizuan vrasjen e Skënder Muços, drejtues i Ballit në Vlorë dhe krijues i ardhshëm i socialdemokracisë në Shqipëri?
Ajo që ka ndodhur në Shqipëri në vitet 1942, me forcimin e Ballit si organizatë ushtarake, deri në janar 1945, me goditjet në Veri, është një kapitzull i njohur, që nuk mund të ndryshojë nga botimi i një libri, nga shembja e monumenteve dhe as nga qëndrimi as mish e as peshk ishefit të qeverisë.
Dekretet politike nuk e ndryshojnë dot historinë. Qëndrimi privat i një njeriu, qoftë ky edhe shefi i qeverisë, nuk hedh poshtë atë që është shkruar jo pa sakrifica. Botimi i një libri nuk e shprish gjakun. Puna e një Instituti, kushdo qoftë në drejtimin e saj, nëse shkon në të kundërtën e historisë së kombit, një ditë rrënohet.
Hapja e defterëve të një kohe tjetër, me synim shprishjen e historisë dhe kërkimin e një historie tjetër, që është realisht neofashiste dhe antikombëtare, nuk i bën mirë askujt.
Nëse njerëzit fillojnë e numërojnë të vrarët atëherë do të njihet rishtas se kush vrau dhe kush u sakrifikua për vendin e tij.
Unë, personalisht, nuk i fus gjithë ballistët në një thes. Por, ajo që ndodhi me lëvizjen politike e ushtarake të Ballit, ishte fatkeqësia jonë më e ndjeshme kombëtare e mesit të shekullit të shkuar. Balli dhe njerëzit e tij u vendosën në një trajektore antihistorike dhe antikomb.
Sidomos grupi i ashtuquajtur “Grupi i Parisit”, me emigrantë politikë, të dëbuar nga qeveria e Zogut dhe të cilët kishin vegjetuar 15 vite në mërgim, duke u paguar nga qeveria serbe, sipas një marrëveshje të veçantë me ish konsullin e saj në Shkodër, marrëveshje e lidhur në Bari të Italisë që në shkurt 1925, nuk mund të perceptonin se koha e shkuar i kishte lënë pas ata. Duke e menduar veten elitë e kombit dhe se emri i tyre ishte mallëngjyes, ata shkuan në luftë “për inat të sime vjehrre”. Por kjo i kushtoi njerëzve shumë gjak dhe shumë mundim.
Lufta NÇ , e trajtuar barbarisht nga një institucion shkencor, nuk duhet e nuk mund të njësohet me atë çka ndodhi pas luftës. Megjithëse , përgjithësisht ishin njerëz të njëjtë në drejtim, qëllimet ishin të ndryshëm.
Neofashistët duhet të mendohen dy herë nëse fillojnë numërimin e varreve.
E shkuara nuk duhet të zërë sytë e të sotmes.
E vërteta e atyre që dhanë jetën nuk bëhet dot ujë për të shpalrë krimet që janë bërë dikur apo përfitimet e sotme!
Lërini të rënët në qetësinë e tyre!
****
Botuar sot në Dita. Ndalohet riprodhimi pa lejen me shkrim të redaksisë
