Nga Jorgo Mandili
Botuar në DITA
Fuçiku shqiptar… Kështu i thërrisja unë sa herë që takoheshim apo flisnim në telefon. Sepse Arbeni ishte një revolucionar. Qartësia e kthjellët dhe bindja absolute e veprave të tij janë shenja dalluese të Arbenit. Sido që të ishte, Arbeni nuk ishte kurrë i paqartë. Ajo qartësi në lidhje me gjendjen e punëve, e përcaktoi atë si njeri, materialist dhe marksist.
Ai nuk kishte iluzione për botën rreth tij. Ai e dinte se ajo ishte tmerrësisht me të meta. Dhe se ndryshimet kozmetike nuk ishin zgjidhje. Arben Duka nuk ishte idealist; ai nuk ishte romanticist. Ai ishte komunist. Për të fjalët ishin armë kundër shtypjes, mjete për të formuar një botë më të mirë. Ai e krijoi çdo fjalë si një “bombë e flamur” dhe e eterizoi, për të bërë atë që mundej.
Poezia e tij është krenare, e drejtë dhe e vetëdijshme për qëllimin e saj. Çdo poezi e tij është një rebelim; çdo poezi është një deklaratë politike; çdo poezi e tij është lirizëm, dashuri, jetë, solidaritet. Përgjithmonë revolucionar, Arbeni këndonte “Marsejezen” dhe “Internacionalen” dhe si Julius Fuçiku paralajmëronte: “Njerëz ju dua, jini vigjilentë! Ja pra pse unë e quaja “Fuçiku shqiptar”!
Është shumë e vështirë të shkruash për Arbenin si një vëzhgues i paanshëm. Ai besonte atë që përjetoi në vitet e socializmit. Ai pa në Shqipëri një popull që po rimerrte vendin e duhur nën diell. Një vepër që lavdëronte me gjithë zemër punëtorët dhe fshatarët, njerëzit e punës. Por ai pa edhe anën tjetër – tranzicionin e gjatë dhe të trishtë. Në kohën para se të vdiste, i vrarë shpirtërisht nga ky tranzicion, ai shkroi atë që pa dhe mendoi.
Unë mendoj se me krijimtarinë e tij, ai na la një dokument dhe regjistrim të paçmuar të kaosit neoliberal të Shqipërisë. Ndërsa lexojmë Arbenin ne bëhemi bashkëluftëtarë me të, çdo varg i tij është një gozhdë e ngulur në arkivolin e së keqes; vepra që la pas është një testament i shpirtit njerëzor dhe një rezistencë në vetvete.
Ai përmes ironisë dhe sarkazmës në poezitë e tij tregoi se “zorraxhinjtë e tranzicionit” nuk ishin në gjendje të shkatërronin shpresat e tij dhe të njerëzve të mirë si ai. Fjalët e tij kanë ende fuqinë për të gjallëruar dhe frymëzuar shpirtin njerëzor; fjalët e tij ende i ndjekin armiqtë e së vërtetës.
Vepra e tij do mbetet një dokumentim i vlerës së paçmueshme të shpirtit njerëzor të çliruar nga llumi i injorancës, frikës, poshtërsisë, gënjeshtrës; një besëlidhje midis komunizmit dhe racës njerëzore. Ai katalizoi trimërinë dhe altruizmin e mijërave si ai – dhe e bëri këtë me dashuri, dhembshuri dhe një besim të tillë në vetë procesin e jetës, siç është rrallë ndonjëherë në shtypin shqiptar.
Mijëra burra e gra të çdo moshe që kanë lexuar Arbenin në DITA kanë marrë “ushqim” të ri të përditshëm shpirtëror dhe moral nga forca e tij e pakufishme dhe e qetë. Unë mendoj se Arbeni e dinte se diçka e tillë do të ndodhte.
Ai nuk donte të vdiste. Çdo fjalë që ai shkruante pasqyronte pasionin e tij për jetën, dashurinë e tij të vazhdueshme për atmëmëdheun e bukur. Si mijëra dashamirës , të afërm, shokë, miq e simpatizantë të tjerë, mund të marr vetëm dorën e tij, e cila është aq e fortë në vdekje, dhe ta falënderoj. Një shtrëngim dore edhe për stafin e kolegët e “Ditës”, që po e bëjnë detyrën e tyre në këtë betejë.
Arbeni ua la botën të gjallëve dhe lufta që na la trashëgim është një luftë që ia vlen!