Kryeprokurori Adriatik Llalla e vlerëson me nota të larta punën e institucionit të tij, duke theksuar se gjatë vitit të shkuar janë goditur raste të shumta të korrupsionit në nivele të larta.
Teksa mori pjesë në analizën e punës së Policisë së Shtetit, prokurori i Përgjithshëm kërkoi më shumë bashkëpunim midis institucioneve.
“Në nivel titullarësh është diskutuar nevoja e rritjes së hetimeve për korrupsionin në nivelet e larta. Gjatë vitit 2015 janë arrestuar zyrtarë të nivele të ndryshme përfshi dhe punonjës të SHISH, gjyqtarë e prokurorë por nga ana tjetër rezulton se nuk ka referime nga institucionet ligjzbatuese për zyrtarët e niveleve të larta. Unë kam ndarë këtë shqetësim me Ministrin e Brendshëm, kreun e KLSH, kreun e policisë së shtetit dhe prej tyre kërkohet impenjim maksimal për evidentimin dhe kallëzimin e këtyre rasteve”, theksoi ai.
Llalla tha se po verifikohen prokurorë dhe oficerë gjyqësorë që zvarrisin hetimet, duke shtuar se në disa raste nuk delegohet në kohë çështja.
“Prokurorët kanë shqetësimin se lëvizjet e shpeshta të oficerëve të policisë gjyqësore bëhen shkak për zvarritjen e hetimeve. Nga ana tjetër në takimet që kemi me drejtuesit e policive vendore dhe prokuroritë e rretheve ngrihet shqetësimi se jo në të gjitha rastet delegohet në kohë kryerja e veprimeve hetimore ose në mjaft raste nuk delegohen fare duke u bërë shkak për zvarritjen e hetimeve”, tha ai.
“Ne po verifikojmë dhe për prokurorë përkatës dhe oficerë gjyqësorë dhe do të sugjerojmë marrjen e masave të parashikuara me ligj”, shtoi.
Gjithashtu, shefi i prokurorisë shqiptare tha se duhet të përmirësohet puna e policisë shkencore.
“Natyrisht prokuroria konstaton se ka rritje të volumit të punës gjithsesi është shumë e rëndësishme që strukturat kanë marrë përsipër përmirësimin e policisë shkencore. Këto janë çështje që kërkojnë ndërhyrje”, tha ai. /Dita/