Vetëm disa ditë më parë, në mes të Parlamentit Evropian, teksa zhvillohej debati mbi hendekun gjinor në lidhje me pagesat dhe pabarazitë në tregun e punës, eurodeputeti polak 74-vjeçari Korvin Mike, do të shkaktonte të qeshura, por edhe acarime me deklaratat e tij.
“A e dini ju, se kush ishte vendi i tyre në Olimpiadën e Fizikës teorike të Polonisë, pra vendi i parë për gratë dhe vajzat ? Jua them unë, i 800-ti. A e dini ju, se sa gra bëjnë pjesë tek 100 lojtarët e parë të shahut ? Jua them unë, asnjë ! Ndaj gratë duhet të fitojnë më pak, sepse janë më të dobëta, më të vogla dhe më pak inteligjente. Kjo është e gjitha !”
Sigurisht që çështja ndaj eurodeputetit polak do të përmbyllet me sanksione për deklarata seksiste, që variojnë nga gjoba deri tek pezullimi i përkohshëm, në dhunim të nenit 11 të rregullores së Parlamentit ku ndalohen fyerjet, gjuha raciste dhe ksenofobike gjatë debateve parlamentare.
Në fakt, politikani polak, shpeshherë i frustruar përballë gjinisë femërore, nuk e ka për herë të parë dënimin në lidhje me sjellje të tilla në gjirin e parlamentit evropian, pasi është pezulluar dhe
më parë për përshëndetjet e stilit nazist që bënte, si edhe gjobitur dhe pezulluar për 10 ditë njëkohësisht mbi deklaratat raciste, tek i përshkruante migrantët si “plehra të njerëzimit”.
Me ardhjen në pushtet të populistëve, Polonia ka shënuar përkeqësim në lidhje me të drejtat themelore, duke përfshirë edhe të drejtat e grave. Por, gratë polake nuk janë dorëzuar! Kanë treguar forcë dhe rezistencë. Të revoltuara, do të mbushnin sheshet vetëm disa muaj më parë, duke detyruar qeverinë të zmbrapset nga ligje, që kërkojnë të dominojnë dhe të kontrollojnë fizikun femëror dhe të drejtën e riprodhimit. Dhe ato, nuk po ndalen ende në luftën e tyre ! Edhe në këtë 8 Mars, gratë polake kanë vendosur të protestojnë për të drejtat e tyre dhe ky mobilizim, ka pasur jehonë në mbarë shtypin evropian. Me një Apel, që i drejtohet grave në mbarë botën, ato kërkojnë ndërgjegjësim dhe mobilizim:
“Të drejtat e grave janë të Drejtat e Njeriut, dhe kur pushtetet luftojnë të drejtat e grave, ato shënjestrojnë më pas shtylla të tjera të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë, si drejtësia apo media e pavarur……..Ne kemi konstatuar se, kur një qeveri axhenda e së cilës, fillon me një sulm ndaj të drejtave të grave, vijon më tej me futjen e nacionalizimit dhe të diabolizimit të imigrantëve në manualet shkollore. Ne mund të dëshmojmë se, kur një presidencë që fillon t’i ngarkojë autoriteteve, kontrollin e jetës së grave, vazhdon më tej duke i tërhequr mbrojtjen asaj, në mjedisin tonë. Eksperienca, na mëson gjithashtu se kur një mashkull i zgjedhur për të përfaqësuar kombin e tij i kthen kurrizin grave, ai i kthen shumë shpejt kurrizin medieve dhe drejtësisë.
Por, ne nuk mund të lejojmë që fashizmi dhe gabime të tjera të së kaluarës, të na serviren si zgjidhje ndaj sfidave të momentit. Bindja jonë e palëkundur është se, të drejtat e grave janë të drejta të njeriut. Dhe një e ardhme e bazuar në demokraci dhe respekti kundrejt gjithë qenieve njerëzore është e vetmja, në të cilën, ne dëshirojmë të marrim pjesë.”
Luftë apo lule ?!
Revolta e grave polake, tërheq vëmendjen, duke marrë parasysh daljen nga kuadrati i traditave festive të kësaj dite, që ka shoqëruar për disa dekada shoqëritë, thuajse në të gjithë ish-bllokun komunist.
Nëse i rikthehemi historisë, 8 Marsi është shndërruar në ditën ndërkombëtare të grave, pas një vendimi të Kongresit të grave socialiste në Kopenhagen, në vitin 1910. Me iniciativën e gazetares gjermane Klara Zetkin, kongresistët vendosën t’ia dedikojnë këtë ditë “propagandës në favor të së drejtës së votës për gratë.” Pra, një ditë e konceptuar për të luftuar ndaj pabarazisë, diskriminimit dhe dallimeve gjinore.
Por, do të ishte revolucioni rus i shkurtit 1917, zanafilla ku konceptimi i kësaj dite do të ndryshonte për të gjithë vendet që më pas iu bashkuan bllokut komunist, pas Luftës së Dytë Botërore. Më 8 mars të vitit 1917 (23 shkurti ne kalendarin julian) gratë punëtore dolën të protestojnë paqësisht në Petrograd. Por, manifestimi degradoi shumë shpejt në vrasje dhe ekzekutime, duke shkaktuar më pas edhe përmbysjen e regjimit carist. Vetëm një javë më vonë regjimi carist, do t’i linte vendin instalimit të Republikës demokratike. Kjo e fundit, do të rezistonte vetëm 9 muaj, duke ia lënë më pas pushtetin bolshevikëve. Pikërisht në kujtim të kësaj dite, do të ishte më pas Internacionalja e Tretë, që do ta zgjidhte si datë definitive të të drejtave të grave. Një ditë, që filloi të festohej pas Luftës së Dytë Botërore, në të gjithë bllokun e Lindjes dhe që konceptohej si një moment që i përkushtohej gruas, me aktivitete dhe organizime të gjera në nivel shtetëror dhe nën filozofinë se, tashmë gruaja socialiste i kishte arritur standardet e kërkuara, që lidheshin sa me emancipimin, por edhe me të drejtat e saj.
Një traditë festive, që tashmë është shumë e nevojshme të thyhet, pasi nëse kjo ditë do
të vazhdojë të konceptohet si festim, argëtim, hare, apo edhe tërbim lokal me nuanca erotike, krijohet përshtypja e gabuar se, çështja e luftës për të drejtat e grave është një histori, që i përket së kaluarës. Tek festohet e pretenduara barazi mes sekseve, apo barazia gjinore. Ka ardhur momenti, që shoqëritë, që e konceptojnë si Festë këtë ditë, duke përfshirë edhe shoqërinë shqiptare, të reflektojnë mbi hapësirën që zë gruaja në shoqëri dhe rolin, që ajo ka në të. Duke reflektuar mbi një sërë problematikash që e shoqërojnë atë, duke nisur që nga preferencat gjinore të embrioneve të ngjizur, që nga diferencimi gjinor në jetën e përditshme dhe seksualizimin e tejskajshëm të saj, që në ngarkesat e një pune të papaguar brenda hapësirës shtëpiake, deri tek dhuna sistematike ndaj saj, e shoqëruar në mënyrë të pashmangshme me konceptime patriarkale të natyrës së pronësisë. Sfida, që imponojnë një mobilizim të vazhdueshëm, për të arritur standardet e duhura demokratike.
Duke kërkuar Mobilizim dhe jo Festë !
Luftë për të arritur të drejtat, dhe jo Lule !
Angazhim për të mos Toleruar dhe jo Vetëkënaqësi !
Im.Ta.
DITA
