Për herë të parë, që pas nisjes së krizës ekonomike dhe financiare në Evropë, qytetarët evropianë e shikojnë anëtarësimin në BE, si diçka të mirë.
Sondazhi i fundit special, Eurobarmetër shfaq një nivel mbështetje ndaj anëtarësimit në BE (57%), jo vetëm të përmirësuar nga viti i kaluar (+4), por të krahasueshëm me vitin 2007 (58%), pra me vitin para se kriza ekonomike të prekte Evropën. Madje edhe qytetarët britanikë do të tërhiqnin vëmendjen me reflektimin e tyre, pro projektit evropian (49%) dhe pro rëndësisë së Evropës
së bashkuar në sfida të mëdha, si siguria dhe lufta ndaj terrorizmit.
Po në të njëjtën linjë, shfaqet edhe perceptimi i të anketuarve ndaj rëndësisë që ka dëgjimi i zërit
të tyre në BE. Në nivelin më të lartë të shfaqur që prej vitit 2007, 43% e tyre mendojnë se zëri i tyre vlen në BE.
Rezultate shumë inkurajuese, që në optikën e zhvillimeve të fundit gjeopolitike, si mungesa në rritje e stabilitetit në botën arabe, influenca në rritje e Rusisë dhe e Kinës, Breksiti si edhe zgjedhja e Donald Trampit, vlerësohen të kenë nxitur reflektimin për nevojën e qëndresës në bashkim. 73% e të anketuarve kanë deklaruar se preferojnë më tepër të jetë BE, që të gjejë një përgjigje
të përbashkët ndaj këtyre sfidave, në vend të veprimeve individuale kombëtare. Po në shumicë, qytetarët evropianë kërkojnë që Bashkimi Evropian të veprojë me përparësi ndaj sfidave aktuale si: lufta ndaj terrorizmit (80%), papunësia (78%), mbrojtja e mjedisit (75%) dhe lufta kundër mashtrimit fiskal (74%).
Edhe pse rezultatet duken tejet inkurajuese, qytetarët evropianë shfaqen të shqetësuar nga zhvillimet e fundit gjeopolitike botërore. Duke kërkuar dhe preferuar veprimin evropian në përballje me këto zhvillime. Kërkesat e forta dhe në rritje për veprim evropian, shfaqen në thuajse 15 fusha. Në krahasim me vitin e kaluar, për sa i përket veprimeve evropiane ndaj çështjes së terrorizmit, dhe çështjes së migrimit, proporcioni i atyre që konsiderojnë se veprimi i BE-së është adekuat, vjen në rritje të qartë, çka vlerësohet si një shtim i ndërgjegjësimit tek qytetarët evropianë.
Por, ka edhe një linjë të kuqe, ku ekspozohet një terren në të cilin BE duhet të fokusohet më shumë dhe të synojë rezultate konkrete dhe të prekshme.
Dhe ky është terreni i pabarazisë sociale.
Shumica dërrmuese e të anketuarve mendon se pabarazitë mes klasave sociale janë të thella dhe një e treta e tyre, dyshon se kriza do të dojë ende shumë vite të tjera për t’u tejkaluar. Ndaj, BE sipas të anketuarve, ka ende shumë punë për të bërë, mbi mirë-funksionimin e demokracisë
në gjirin e tij.
Luftë pabarazive
Është pikërisht ky terren i pabarazisë sociale, që është vënë në objektivin e një kundër-sulmi nga ana e BE-së. I theksuar në mënyrë të veçantë, si nga rezultati i ardhur nga Breksit, por detyrimisht edhe nga rritja e forcave populiste, që e kanë shtrirë elektoratin e tyre tek kategoritë më të dobëta dhe më të pambrojtura të shoqërisë.
Komisioni Evropian, ka kohë që ka nisur reflektimin për të bërë të mundur ndryshime të prekshme në këtë fushë. Gjatë kësaj jave (26.04) përmes Komisioneres belge të Punës dhe Çështjeve sociale, Marian Tisen, Komisioni ka dalë me një propozim për vendet anëtare, për miratimin e një “shtylle evropiane të të drejtave sociale”. Konkretisht në fusha, që prekin qasjen ndaj formimit, dhe tregut të punës, kushteve të punës dhe mbrojtjes sociale.
Dhe për të çimentuar këtë shtyllë evropiane, Komisonerja ka propozuar disa iniciativa konkrete, ndër të cilat veçohet propozimi i një Direktive të re në fushën e së drejtës për leje prindërore, që ka acaruar lobin e punëdhënësve evropianë.
Pse ? Sepse, në thelb bëhet fjalë për progres në fushën e barazisë gjinore.
Aktualisht, ekziston e drejta e lejes prindërore, në një afat katër-mujor, për fëmijët deri në 8 vjeç. Tashmë, me propozimin e ri, mosha shtyhet deri në 12 vjeç dhe bëhet fjalë për leje të paguar plotësisht.
Por, risia qëndron tek fakti se me direktivën e re, ndalohet transferimi i lejes nga babai tek mamaja!
Një praktikë, që ndodh rëndom aktualisht dhe që përkthehet në një situatë diskriminimi në tregun e punës, me një përqindje punësimi më të ulët ndaj femrave (11%) në raport me meshkujt.
Një situatë që vlerësohet të jetë e pabarabartë, dhe ku synohet të futet gjithashtu mundësia për
të pasur të drejtën e 5 ditëve pushim në vit, për kujdesin, që duhet ushtruar në rast nevoje ndaj të moshuarve, që janë në ngarkimin të bërthamës familjare. Si edhe një leje 10 ditore për baballarët, të paguar me të njëjtën përqindje, po ashtu si edhe e drejta për pushim, në rast sëmundje.
Kjo është një e drejtë, që nuk ekziston në nivel evropian.
Në këtë mënyrë, nëpërmjet kësaj direktive, Komisioni kërkon t’i japë më shumë prioritet gjinisë femërore në tregun e punës, duke e mbrojtur njëkohësisht atë, nga përjashtimi social dhe varfëria dhe në të njëjtën kohë i ofron më shumë mundësi gjinisë mashkullore të marrë pjesë, duke u angazhuar më thellë në jetën familjare.
Edhe pse lobi i punëdhënësve evropianë kundërshton ashpër, duke mos i pranuar këto propozime, synimi sipas Komisioneres është ndihma e nevojshme mbi ndryshimin e mentaliteteve, teksa shikohet se ç’ndodh në tregun e punës.
Direktiva e re, ka shkaktuar jo pak revoltë nga fronti i bashkuar i punëdhënësve dhe i pronarëve, duke kërkuar që kjo të negociohet mes partnerëve socialë. Por, sipas Komisioneres negocimi është refuzuar nga ana e tyre dhe kjo nuk mund ta pengojë Komisionin të ndërmarrë iniciativa.
Dhe Komisionerja ka të drejtë! Historia ka treguar se në fund të fundit, çdo avancim dhe progres në fushën e barazisë gjinore, asnjëherë nuk është arritur pa kundërshtime dhe rezistencë. I rëndësishëm është ndërgjegjësimi mbi barazinë në shoqërinë demokratike, pasi vetëm falë tij, mund të rriten shanset për dyfishimin e forcës intelektuale të njerëzimit. Pa barazi, tashmë dihet se, nuk mund të ketë dashuri për demokraci! Shembujt janë aty! Mjafton të kalosh kufirin Jugor dhe Juglindor të tokës evropiane.
Im.Ta.
DITA
