Luftë për barazi dhe drejtësi sociale

redaktor

1 Maji ka lënë gjurmë në histori, duke u shndërruar në një simbol, të luftës së klasës punëtore në të kaluarën. Një ditë bashkimi, për të gjithë ato që protestojnë për progresin, barazinë, solidaritetin dhe lirinë. Por, a mund të konsiderohet 1 Maji një histori tashmë e vjetër, apo mund të shikohet më tepër, si një histori e vjetër me dimensione të reja ?

Kur avancimi i teknologjisë mundësoi krijimin e makinave, që transformuan fabrikimin e prodhimeve, shoqëria po futej në epokën e industrializimit. Zhvillimi i industrisë kishte nevojë për punëtorë. Gradualisht filloi të lindte një klasë e re, tërësisht e pambrojtur, pa të drejta juridike dhe politike, klasa punëtore. Një klasë, që punonte në kushte të mjerueshme deri në 14-15 orë në ditë, teksa pronarët ishin të plotfuqishëm përpara ligjit.

Me kalimin e kohës, filloi të rritej ndërgjegjësimi mbi papranueshmërinë e shfrytëzimit shumëplanësh, çka solli kërkesa të vazhdueshme për kushte më të mira pune. Grumbullimet, grevat, dhe protestat ishin mënyrat e rebelimit ndaj padrejtësive juridike, sociale dhe politike. Rebelime, të cilat shtypeshin sistematikisht dhunshëm nga forcat policore.

Ndërgjegjësimi mori një tjetër nivel, teksa synohej bashkimi i grupimeve të ndryshme për të bërë më efikase luftën e përgjithshme, për më shumë të drejta. Organizim në një nivel më të lartë. Një sërë lëvizjesh dhe shoqatash krijohen, parti si edhe sindikata, jo vetëm në nivel lokal dhe kombëtar, por edhe në një rang ndërkombëtar. Objektivi i radhës, kërkon vendosjen e orarit 8 orësh, të ditës së punës, nën moton “8 orë punë, 8 orë gjumë, 8 orë kohë e lirë për argëtim”. Sindikatat amerikane e kërkojnë këtë të drejtë më 1 Maj 1886. Në shumë shtete të Amerikës, 1 Maji, ishte periudha që shënonte ditën e fundit të kontratës së punës, para angazhimit të punëtorëve të rinj. 300 mijë punëtorë janë në grevë në këtë 1 maj të vitit 1886. Në Çikago, 80 mijë punëtorë janë duke protestuar. Policia qëllon dhe vret punëtorët. Tensioni rritet në qytet. Më 4 maj, punëtorët organizohen në një mbledhje të gjerë politike. Policia ndërhyn sërish. Një bombë shpërthen dhe vret disa policë. Policët fillojnë të qëllojnë ndaj turmës. Vriten disa punëtorë. Nuk dihet kush e hodhi bombën. Bilanc i përgjakur nga të dy palët. Të nesërmen padronët dhe policia shikojnë çdo punëtor si përgjegjës të dhunës. Kërkohen fajtorë. Tetë drejtues në radhët e punëtorëve dënohen pa asnjë provë, katër prej tyre varen. U dhanë disa shembuj. Për klasat e privilegjuara të epokës (padronët dhe borgjezët) punëtorët ishin fajtorë se, po luftonin të organizuar për përmirësimin e jetës së tyre. Në korrik 1889, Shoqata Ndërkombëtare e Punëtorëve e shndërroi 1 Majin në ditë të luftës dhe të manifestimit. Që nga ky moment kjo ditë u shndërrua në simbol. Gjithnjë e më tepër punëtorët refuzojnë të punojnë në këtë ditë dhe kërkojnë të drejtat e tyre.  Vitet ’20, do të mundësonin për punëtorët krijimin e ligjit mbi 8 orëshin e punës. Në vitet ’30, dolën ligjet për pushime të paguara. Pas luftës së dytë botërore, 1 Maji shndërrohet në një ditë të paguar në shumë vende, si në Belgjikë, në Francë, etj.

1 Maji i vjetër me dimensione të reja

Ndonëse, përpjekjet e vazhdueshme ndër dekada për më shumë të drejta, kanë shënuar një progres të padiskutueshëm në nivel evropian, ky 1 Maj, vazhdon të jetë ende, simbol i luftës kundër krizës, kundër papunësisë, kundër shfrytëzimit të punëtorëve në vendet e krizës, apo edhe në vendet e varfra.

Të drejtat e arritura, janë rrënuar ndjeshëm përgjatë viteve të krizës, në mjaft prej vendeve evropiane. Papunësia jo vetëm ka kapur shifra rekord, në Greqi, Spanjë, Portugali, Itali, Qipro etj, por të drejtat e të punësuarve kanë njohur përkeqësim, duke figuruar thjesht në letra. Shpeshherë, statusi i tyre është transformuar edhe në këto “letra”.

Raporti mbi Ndikimin e Krizës mbi të Drejtat Themelore në vendet anëtare të BE-së, (PE-2015) Greqi, Spanjë, Portugali, Itali, Qipro, Irlandë dhe Belgjikë, konfirmon përkeqësim dhe kufizim në ushtrimin e së drejtës për të punuar; lehtësim ndaj kritereve për humbjen e vendeve të punës; ulje të ndjeshme të pagave, si dhe ulje të pagës minimale; rritjen e orëve të punës; heqje të pagesave për orët shtesë në punë; lehtësim ndaj punësimit të përkohshëm dhe me kohë të pjesshme; imponim i lëvizshmërisë së pavullnetshme dhe ulje të mbrojtjes ndaj të papunëve; futja e skemave që detyrojnë punonjësit të vetë sigurohen; heqja e kontratave të përhershme të punës; rritja e kritereve që mundësojnë pushimin apo largimin nga puna; promovime në punë pa shtesa rrogash; zvogëlim kolektiv të orëve të punës, pa konsensusin e punonjësve; detyrim pa kushte të punonjësve me kohë të pjesshme të punojnë me kohë të plotë, pa shtesë page, etj. Masa të ndërmarra, që shënjestrojnë më shumë gjininë femërore, kategorinë e imigrantëve, punëtorët e rinj, si edhe njerëzit me aftësi të kufizuara.

1 Maji i Zi

Për Belgjikën dhe sindikatat e bashkuara të punëtorëve, ky 1 Maj duhet të konsiderohet 1 Maji i Zi. Një sërë organizimesh, protesta kombëtare dhe greva të përgjithshme, pritet të paralizojnë vendin në muajt në vijim. Shkaku, reformat që po propozohen nga qeveria e djathtë, në bashkëpunim me sindikatat e pronarëve, miratimi i javës 45-orësh të punës, nga 38 orë aktualisht. Pra, mund të punosh 9 orë në ditë dhe të kërkosh rikuperimin e orëve të zgjatura, për pushime në një moment të caktuar të vitit. Por, jo çdo gjë duket e logjikshme ashtu siç propozohet në formë, pasi sipas kundërshtarëve të kësaj nisme, po i hapet shtegu i madh abuzimeve, pasi të gjithë punonjësit janë të vetëdijshëm që do të qëndrojnë 9 orë në punë, dhe kur të vijë koha e kompensimeve, pronarët nuk i miratojnë kaq kollaj lejet e punonjësve. “Kjo qeveri, nuk e kupton që brenda disa javëve, ka shkatërruar atë për të cilën gjyshërit tanë kanë luftuar. Për këtë arsye, ky 1 Maj është 1 Maji i parë i Zi” do të deklaronte, ditën e sotme, një prej krerëve të sindikatave. Në logjikën e sindikatave të bashkuara që mbrojnë të drejtat e punonjësve: “Është si të kthesh epokën e skllavërisë dhe të kërkosh të negociosh peshën e zinxhirëve!”.

Por, lëvizje të tilla të forta, nuk po njeh vetëm Belgjika. Franca ka disa muaj që po përballet me përplasjet kundër reformimeve të ligjit të punës. Lëvizje, që janë shpërndarë duke krijuar degëzimet e tyre edhe në Belgjikë, Luksemburg, Gjermani, Spanjë, apo Portugali.

Dita simbol për më shumë barazi, solidaritet dhe drejtësi sociale, ndonëse e vjetër, ajo tashmë ka marrë prej kohësh trajtat e dimensioneve të reja. Sfidat, shfaqen si ndaj vendeve në krizë dhe përkeqësimit të të drejtave të punësuarve, por moralisht ato ekspozohen edhe ndaj vendeve të paprekura nga kriza pasi, logjika e “shfrytëzimit” nuk është zhdukur, por thjesht ka ndryshuar formën dhe trajtën e  saj, duke u bërë më “demokratike” dhe më e “rafinuar”. Thelbi ngelet i njëjtë, nga njëra anë, mohim i pjesshëm, elastik, që tërhiqet prej forcës së presioneve, por që gjen hapësira rikthimi, dhe nga ana tjetër, mohim tërësor i të drejtave sociale dhe juridike të të punësuarve, e fokusuar ndaj punës në të zezë, apo punës së padeklaruar. Luftë dhe tension, që me sa duket do të vazhdojë të ketë karakter të përjetshëm, për sa kohë forca e kapitalit, nuk do të reshtë së kërkuari kompromisin qeveritar, për të imponuar vullnetin e saj, ndaj një klase, tashmë të fuqizuar dhe që nuk mund të lëshojë terren kaq kollaj, pasi njeh jo vetëm një mbështetje të strukturuar, duke mobilizuar masat popullore, por nuk i mungon as sfondi politik./im.ta/DITA

Share This Article