Ndryshe nga të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që aspirojnë aderimin në BE, Mali i Zi konsiderohet si një model referimi, për shpejtësinë marramendëse të hapave integrues. Vullneti i vazhdueshëm i klasës politike, mbështetja popullore dhe përqasja institucionale evropiane e parakohshme vlerësohen, se qëndrojnë në thelb të shndërrimit të modelit malazez, në një pararojë për të gjithë fqinjët e tjerë ballkanikë.
Axhenda e përshpejtuar europiane
I shpallur vend kandidat në dhjetor 2010, Mali i Zi arrin të hapë procesin e negociatave të aderimit brenda një periudhe të shkurtër kohore, në dhjetor 2012. Çelja e negociatave bazohej në plotësimin e 7 prioriteteve kyçe: kuadri legjislativ për zgjedhjet dhe roli legjislativ i parlamentit, reforma në administratën publike, reforma në gjyqësor, lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar, liria e medias dhe bashkëpunimi me shoqërinë civile, implementimi i kuadrit anti-diskriminues dhe situata e personave të zhvendosur. Prej 7 prioriteteve kryesore, dy prej tyre renditeshin si më të rëndësishmet: reformat në sistemin gjyqësor dhe lufta kundër korrupsionit.
Reforma në Gjyqësor
Sipas Raportit të Komisionit Europian, i cili shërbeu si bazë për hapjen e negociatave, Mali i Zi kishte arritur të kryente progresin e duhur në përforcimin e pavarësisë së gjyqësorit, përgjegjshmërisë dhe paanshmërisë së tij dhe në rritjen e efikasitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Një sërë amendimesh ligjore, që preknin funksionimin e gjykatave, Këshillin Gjyqësor dhe Prokurorinë kaluan në parlament në korrik 2011. Paralelisht me këtë fazë reformash nis edhe procesi i amendimit të Kushtetutës, me synim përmirësimin e mëtejshëm të pavarësisë së gjyqësorit. Këto reforma, sipas vlerësimit të KE-së, duke përmirësuar kuadrin ligjor, krijuan dhe mundësitë për reduktimin e influencës politike.
Amendimet e ligjeve mbi Këshillin Gjyqësor dhe Zyrës së Prokurorisë së Shtetit, përcaktuan kriteret për emërimin e parë të gjykatësve dhe prokurorëve si edhe kriteret për promovimin e mëtejshëm të tyre. Këto amendime futën gjithashtu për herë të parë një detyrim ligjor për përzgjedhjen e gjyqtarëve: aplikimet nëpërmjet testeve anonime, metodë që ndihmon në zvogëlimin e mundësive për influencë dhe rrit transparencën e procesit të përzgjedhjes.
Amendimet e ligjit mbi Këshillin Gjyqësor, mundësuan hapësirat për krijimin e një Komisioni për monitorimin e aplikimit të kodit të etikës për gjyqtarët. Amendimet e Ligjit mbi Zyrën e Prokurorisë Shtetërore, të krijuara për adoptimin dhe monitorimin e kodit të etikës për prokurorët rendisin të gjithë arsyet e mundshme për veprim disiplinor ndaj prokurorëve. Ndërsa ligji mbi gjykatat tashmë rendit të gjithë arsyet e mundshme, për veprime disiplinore ndaj gjykatësve dhe presidentëve të gjykatave. Këto amendime, sipas KE-së, fuqizojnë principin e sigurisë së palëvizshmërisë, duke futur qartësisht bazat ligjore për veprime disiplinore ose shkarkim ndaj gjykatësve dhe prokurorëve.
Lufta kundër Korrupsionit
Progres ka shënuar dhe fusha e luftës kundër korrupsionit. Çështjet më të shumta të korrupsionit lidhen me abuzime të pozicioneve zyrtare. Në dhjetor 2010, një gjykatës i Gjykatës së Lartë u dënua në shkallën e dytë me shtatë vite burgim për korrupsion pasiv. Nëntë persona të tjerë janë dënuar në qershor 2011, me burgim për abuzim me postet zyrtare dhe korrupsion në një çështje, që përfshinte kadastrat. Tre çështje të tjera, janë hapur ndaj 28 personave për abuzim të pushtetit dhe korrupsion, ndër të cilët gjenden dhe ish Bashkiaku i Budvës, zëvendësi i tij dhe një deputet. Gjatë vitit 2010 njësitë kompetente organizative, ngritën akuza kundër 12 oficerëve të policisë për 13 vepra penale që përfshinin elementë të korrupsionit (11 prej tyre për abuzime me pozicionet zyrtare dhe dy për korrupsion pasiv). Por, pavarësisht këtij progresi KE vlerëson se, vendimet e gjykatave kryesisht mbi çështjet e korrupsionit të niveleve të larta, janë të kufizuara dhe numri i çështjeve, në të cilat urdhërohet sekuestrimi i aseteve ngelet i ulët.
Për sa i përket parandalimit të korrupsionit, qeveria ka adoptuar në korrik një analizë risku të fushave të ekspozuara ndaj korrupsionit, ndër të cilat 6 prej këtyre fushave shfaqeshin me një risk të veçantë : vetë-qeverisja lokale, planifikimi hapësinor, prokurimet publike, edukimi dhe shëndetësia. Adaptimi i Plan Veprimit të rishikuar 2011-2012 për zbatimin e strategjisë për luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshinte 106 masa të reja dhe indikatorë të përmirësuar.
Sipas vlerësimeve të KE-së, ligji i ri mbi financimin e partive politike, ka përmirësuar kuadrin ligjor në këtë drejtim. Ligji i ri mbi nëpunësit e administratës shtetërore krijoi hapësirën ligjore për mbrojtje të denoncuesve në administratën publike. Një tjetër ligj i ri që lidhet me prokurimet publike është miratuar, i cili synon zvogëlimin e mundësive për korrupsion si edhe rrit transparencën në këtë fushë.
Një skuadër speciale hetimi anti-korrupsion është krijuar, e përbërë nga përfaqësues të administratës policore, zyrës për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, administratës së taksave dhe doganave, e cila raporton tek prokurori special për krimin e organizuar, korrupsionin, terrorizmin dhe krimet e luftës.
Për sa i përket deklarimit të pasurive të zyrtarëve shtetërorë, brenda afateve ligjore, për herë të parë një zyrtar publik është çuar përpara gjykatës pasi nuk ka plotësuar deklarimin e pasurisë.
Në vitin 2010, Gjykata Penale i kërkoi Komisionit për Parandalimin e Konflikteve të Interesit të fillojë procedurat penalizuese kundër 615 zyrtarëve publikë, që nuk kishin dorëzuar deklaratat e plota të interesit, duke rezultuar në 382 vendime përfundimtare dhe gjoba për kundërvajtje ligjore në një shumë prej 23 mijë eurosh. Amendimet e kryera në lidhje me ligjin e Konfliktit të Interesit, synonin fuqizimin e mëtejshëm të kompetencave të Komisionit.
Çështja Gjukanoviç, ngërçi dhe zgjidhja e problemit
Marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2010, u shoqërua edhe me dorëheqjen më pas të kreut të qeverisë Gjukanoviç, një figurë polemike, e cila ka sunduar skenën politike të Malit të Zi që prej viteve ’90. Një dorëheqje enigmatike, që erdhi menjëherë pas një suksesi qeveritar. Por, burime diplomatike evropiane, zërat opozitarë dhe shtypi analitik e argumentuan dorëheqjen e tij, me presionin e diplomacisë evropiane, si kusht për marrjen e statusit.
Në fakt, ndonëse me një sistem politik pluralist, Mali i Zi ka pasur një përqasje thuajse unike, pasi peisazhi politik është dominuar që prej njëzet vitesh vetëm nga një parti, Partia Demokratike-Socialiste, (DPS). E vetme ose në koalicion, DPS ka arritur të jetë në krye të institucioneve më të larta shtetërore përgjatë këtyre 20 viteve. Lideri i saj Gjukanoviç (katër mandate kryeministër dhe një mandat presidence), një nga personat më të pasur në botë, i klasifikuar në vend të njëzetë nga “Forbes” ka tërhequr vëmendjen evropiane dhe ndërkombëtare për një sërë çështjesh, që aludonin përfshirjen e tij: çështje korruptive, lidhje me mafian, trafik influence, kontrabandë cigaresh, përfshirje të familjarëve të afërt në çështje korruptive, kapje të institucioneve kyçe në vend, dominim të shtypit, presione ndaj opozitës, etj. Një profil, që duket se mbart një përqasje formatuese tipike për një model karakterizues ballkanik, por që ndaj tij diplomacia evropiane po luante kartën e “Sanaderit” kroat. Dorëheqja e tij pas marrjes së statusit, konfirmon në njëfarë mënyre aludimet e presioneve, që po viheshin në skenë. Por, pas marrjes së statusit, figura më dominuese e politikës malazeze, Gjukanoviç arrin të rimarrë votat për rikthimin e tij në pushtet në tetor 2012, ndonëse me një fitore, që mezi i mundësoi krijimin e shumicës.
Konkluzion
Axhenda Euro-Atlantike e Gjukanoviç është e konfirmuar edhe pse lidhjet e tij të forta me diplomacinë ruse, shpeshherë e konsiderojnë këtë përqasje thjesht si një formalitet, që duhet përmbushur. Shpejtësia me të cilën Mali i Zi po rend drejt BE-së, është e jashtëzakonshme duke avancuar aktualisht në hapje dhe mbyllje të mëtejshme të kapitujve të negociatave, që rezultojnë me adaptim dhe përthithje të legjislacionit të BE-së. Sigurisht që ky avancim i konfirmuar edhe nga KE, nuk mund të mos marrë parasysh edhe logjikën vepruese të një diplomacie të heshtur, e cila nuk mund të konfirmojë veçse në forma burimesh anonime, se Mali i Zi sigurisht që nuk i plotëson ende kriteret, por se është përzgjedhur si vend për t’i çuar mesazhin gjithë fqinjëve të tij ballkanikë, se një ditë ato do të anëtarësohen në BE.
Por, elementi që tërheq më shumë vëmendje, ngelet ripërdorimi i mundshëm i kartës “Sanader” në politikën malazeze nga diplomacia evropiane. Nëse, marrja e statusit të vendit kandidat, ndonëse jo e konfirmuar zyrtarisht, u kushtëzua nga lënia e pushtetit të Gjukanoviç, rikthimi triumfues i kreut të DPS në skenën politike, pak para hapjes së negociatave, zhvlerësoi mundësitë për ripërdorje të kësaj karte. Por, rezervat shtohen drejt një ripërdorimi të saj, në rast se avancimi i Malit të Zi, do të shkojë drejt një anëtarësimi të mundshëm për në BE. Fitorja e ngushtë në zgjedhjet e 2012-s, ngushton hapësirën e perspektivës për një rifitim të mundshëm të DPS-së. Por, a do të mund të përdorë opozita, në rast riardhje në pushtet, kartën “Sanader”, nëse presioni diplomatik evropian vjen në rritje? Asnjë mundësi reflektuese nuk përjashtohet, siç nuk mund të mos neglizhohet edhe një rifitore e mundshme e DPS-së, në vijim të dekadës së tretë të mbisundimit të saj në skenën politike malazeze./im.ta/