Mali i Zi rrezikon bllokimin e negociatave  

redaktor

I shndërruar në një model referimi për të gjithë vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, që synojnë aderimin në BE, Mali i Zi ka përparuar me shpejtësi mahnitëse drejt integrimit europian. Në vlerësimet e saj, BE ka konsideruar vazhdimisht se, një sërë elementësh kanë kontribuar në këtë progres të Malit të Zi, si vullneti i vazhdueshëm i klasës politike, përqasja institucionale evropiane e parakohshme, por edhe mbështetja popullore. Edhe Përfaqësuesja e Lartë e sapozgjedhur e BE-së, Federica Mogherini do të vlerësonte së fundmi Malin e Zi në seancën dëgjimore në Komisionin e Jashtëm të PE-së, si vendi që është në krye të avancimit në paketën zgjeruese ballkanike. Por, çfarë po ndodh aktualisht me Malin e Zi dhe pse po përflitet për një rrezik bllokimi të mundshëm të perspektivës së mëtejshme evropiane ?

Duket se vëmendja e diplomacisë evropiane është përqendruar sërish tek kryeministri i vendit Milo Gjukanoviç dhe mënyrës se, si ai po drejton vendin. Teksa pritet pas pak momentesh publikimi zyrtar i progres-raportit për Malin e Zi, burimet paraprake për media të ndryshme, po rishfaqin në skenë presionin diplomatik të BE-së, ndaj kryeministrit të vendit Gjukanoviç. Marrja e statusit të vendit kandidat në vitin 2010 për Malin e Zi, u shoqërua pas pak kohësh me dorëheqjen e kreut të qeverisë Gjukanoviç. Ndonëse në parim dorëheqja e kreut të qeverisë pas arritjes së një suksesi qeveritar, merrte një formë të pakuptimtë, logjika mbështeste argumentet e zërave opozitarë, por edhe të diplomacisë evropiane, se kjo dorëheqje ishte shndërruar në një kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Por, duket se me ringjitjen në skenën politike në tetor të vitit 2012, Milo Gjukanoviç po tërheq sërish vëmendjen e elitës politike evropiane. I vendosur në qendër të ngërçit, që mund të penalizojë sërish avancimin e Malit të Zi drejt integrimit evropian, Gjukanoviç i cili vazhdon të zotërojë dhe dominojë skenën politike malazeze që prej viteve ’90, konsiderohet si njeriu që po drejton Malin e Zi, si të ishte një biznes familjar.

Ndonëse me një sistem në princip pluralist, skena politike malazeze ka pasur një përqasje krejtësisht të veçantë, pasi panorama politike është dominuar që prej njëzet vitesh vetëm nga një parti, Partia Demokratike-Socialiste, (DPS). E vetme ose në koalicion, DPS ka arritur të jetë në krye të institucioneve më të larta shtetërore përgjatë këtyre 20 viteve. Lideri i saj Gjukanoviç (katër mandate kryeministër dhe një mandat presidence), një nga personat më të pasur në botë, i klasifikuar në vend të njëzetë nga “Forbes” ka tërhequr vëmendjen evropiane dhe ndërkombëtare për një sërë çështjesh, që aludonin përfshirjen e tij: çështje korruptive, lidhje me mafian, trafik influence, kontrabandë cigaresh, përfshirje të familjarëve të afërt në çështje korruptive, kapje të institucioneve kyçe në vend, dominim të shtypit, presione ndaj opozitës (duke i konsideruar të varur nga droga, kriminelë, minj të cilët duhet të shfarosen,) etj. Një profil, që duket se mbart një përqasje tipike të një modeli karakterizues ballkanik, por që ndaj tij diplomacia evropiane po luante në një farë mënyre kartën e “Sanaderit” kroat. Një kartë, e cila po tenton rishfaqjen e saj sërish për t’u shndërruar në një mjet presioni ndaj mënyrës se, si po drejtohet politikisht vendi.

Presionet që mbartin kritika të forta (Gjermani, Austri dhe vendet skandinave), synojnë mundësimin e futjes së një klauzole për të bërë të mundur bllokimin e negociatave, në mënyrë që të inkurajojnë vendin të ecë në rrugën e duhur. Por, këto presione përplasen me logjikën e kundërshtimit të vendeve të tjera anëtare, të cilat kërkojnë që të mos ndëshkohet Podgorica, vetëm për hir të një problematike, që segmentarizohet në klane të ngushta drejtuese elitare. Ndonëse ende nuk dihet nëse do të figurojë në raport një sugjerim i tillë, në të pritet të konstatohen një sërë problematikash që karakterizojnë vendin, duke filluar nga korrupsioni i lartë, abuzimet me fondet publike për synime partiake, akuza mbi parregullsi dhe manipulime të pjesshme të zgjedhjeve lokale, dhuna dhe kërcënimet qeveritare ndaj gazetarëve, etj.

Por, përtej këtyre problematikave, që duket se nuk ndryshojnë shumë në formë dhe në thelb nga fqinjët e tjerë ballkanikë, pyetja logjike që lind është : A mund të konsiderohet si model, që mbart vlera parimore dhe funksionale të një shembulli vërtet inkurajues për vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, drejt rrugës së integrimit evropian, ky profil i ofruar ?! Sigurisht që Mali i Zi, siç edhe përflitet brenda BE-së është zgjedhur për të qenë “lokomotiva e trenit ballkanik” ndoshta nën logjikën, se politikës por edhe qytetarëve i nevojitet shëmbëlltyra e një profili të suksesshëm, por a kemi të bëjmë vërtet me një rast të tillë?! Shpeshherë imagjinarja i shërben reales dhe ndoshta nën këtë këndvështrim duhet parë edhe thelbi i filozofisë evropiane, për përdorimin e të gjithë gamës së mjeteve në dispozicion, për të inkurajuar më tej reformat në Ballkanin Perëndimor./im.ta/

 

 

 

 

 

 

 

 

Share This Article