Ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani thotë se është momenti për një konsensus të gjerë për reformën në drejtësi. “Reforma në drejtësi duhet të jetë me konsensus dhe nuk prek emra gjyqtarësh të përveçëm, por ndërhyn në sistem”, siguroi ministri.
Ai ishte i pranishëm në një leksion të hapur në Universitetin e Elbasanit, ku theksoi se reforma do të sjellë krijimin e një drejtësie të shëndetshme dhe për këtë arsye duhet një konsensus i gjerë. “Duhet të gjejmë defektet në drejtësi e më pas t’i riparojmë ato. Duhet konsensus i gjerë për këtë, pasi drejtësia është një e mirë që i takon të gjithëve”, tha Manjani.
Duke folur për ndërhyrjet në Kushtetutë, ai sqaroi se Kushtetuta nuk është një instrument luksi i të gjithëve, por një dokument i realizuar nga një marrëveshje me njerëzit e shtetit.
“Reforma në drejtësi është një moment historik, që kërkon pasion dhe angazhim maksimal të personave që po merren. Gjykatat që ka sot vendi ynë kanë defekte që duhen riparuar. Duhet angazhim dhe vullnet. Reforma nuk ka si qëllim të godas emra të përveçëm, por të ndërhyjë në sistem, të kurojë defektet e tij e t’i jap të drejtën që i takon gjithsecilit”, tha Manjani.
” Shteti i sotëm ka defekte, gjykata ka defekte. Në derën e gjykatës dhe prokurorisë u shërbehet njerëzve dhe konfliktet i zgjidh shteti. E gjithë kjo histori ka filluar me ndryshimet kushtetuese. Nga 1998 Kushtetuta është ndryshuar 4 herë, përgatitemi për herën e pestë”, shtoi ai. /Dita/
