Matura Shtetërore vazhdon të sfidojë: Një analizë mbi MSH, si një nga standardet më të fuqishme të krijuara në arsim në këto 30 vite tranzicion, por jo vetëm

redaktor

 

Nga Jetmir Aliçka

Botuar në DITA

15 vite Maturë Shtetërore (MSH) nuk janë pak, por nuk janë as shumë. Nuk janë pak, sepse ky standard gjatë këtyre viteve ka konsoliduar egzistencën e tij; nuk janë shumë, pasi në mënyrë permanente ai ka bërë ndryshime duke u përmirësuar.

Me statusin e një prej autorëve dhe aktorëve të MSH do të përpiqem të jap ndonjë mendim, pasi MSH  e konsideroj si një nga standardet më të fuqishme të ndërmarra në këto 30 vite tranzicioni, por jo vetëm. Po përpiqem ta argumentoj.

MSH u krijua si një dosmosdoshmëri për të rikthyer besimin e publikut tek edukimi. U krijua kur konkurset e pranimeve ne shkollat e larta po zhvilloheshin në situata të paprecedenta korrupsioni, në situata të një pazari të paskrupullt midis një pjese të pedagogëve dhe kandidatëve për në shkollën e lartë; fiktiviteti në vlerësimin e nxënësve në shkollat e mesme kishte marrë përmasa të frikshme.

Ndërhyrja nuk mund të ishte kozmetike në sistem, por përmbysëse; duhej krijuar një sistem i ri, një standard i ri, brenda një kohe sa më të shkurtër. Dhe ky standard i ri, u ngrit. U ngrit me nxitim, por ky nxitim ishte mëse i justifikueshëm, pasi po shkatërrohej çdo vlerë e sistemit tonë të edukimit.

Matura shtetërore, aktualisht, është një standard, që si rrallë herë, i rezistoi me shumë dinjitet ndërhyrjeve të politikës. Me ulje dhe ngritje, me suksese dhe luhatje, me saktësi dhe me gabime, ky standard qëndron ende mjaft stoik. Ka ndryshuar në vite, por jo në koncept, jo në thelbin e tij. Ai ka mbetur një standard, të cilit nuk i është prekur shtylla kurrizore, por janë përsosur mekanizmat, duke përmirësuar vetë sistemin, vetë standardin.

Matura Shtetërore, rast  i rrallë në historinë e edukimit në këto 30 vite tranzicioni, por jo vetëm, theu tabu. Respektoi parimin e të qenit i barabartë midis të barabartëve dhe i ndryshëm midis të ndryshmëve. (provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje).

Ky standard (sistem vlerësimi) krijoi institucione, krijoi modele për fondin e të dhënave, për sekretin e procesit dhe të testeve, për shpërndarjen e tyre, për administrimin e provimeve, për vlerësimin, për përgatitjen e dokumentacionit, rregulloreve, programeve orientuese, perzgjedhjen e trajnimin e administratorëve, hartuesve të testeve dhe vlerësuesve.

MSH është njëkohësisht model prove. Provë, sepse vuri në provë aktorët kryesorë të edukimit, mësuesin, nxënësin, prindin organet drejtuese të arsimit. U ndërtua një model bashkëpunimi efikas midis shkollave të larta, MASR dhe arsimit parauniversitar. MSH, meritë e padiskutueshme e mësuesve, pedagogëve, ekspertëve, e institucioneve arsimore si MASR, ASCP, QSHA, zyrave arsimore e drejtorive arsimore.

Pritmëritë e Maturës Shtetërore

Tre ishin pritmëritë e MSH; krijimi i një standardi vlerësimi, real dhe të besueshëm për formimin akademik 12 vjeçar të kandidatëve për në shkollën e lartë; rritjen e cilësisë dhe rezultateve në shkollat e mesme; si dhe pranimet në shkollat e larta, duke u  bazuar dhe respektuar rigorozisht parimin meritë -preferencë.

Askush, as më skeptikët dhe më kritizerët nuk mund të gjejnë sot ndonjë argument bindës për të mohuar suksesin e Maturës Shtetërore si standard vlerësimi.  Të gjithë maturantët fillojnë nga i njëjti start, me test unik, me siguri sekreti, me korigjime standard, me një kombinim fleksibël të mesatares së shkollës së mesme, me provimet e MSH dhe kritereve të shkollave të larta.

Kontestimet, apo protestat e bëra nga shoqatat rinore për ndonjë gabim, sipas tyre, në testet e MSH (personalisht nuk i konsideroj gabime), janë brenda kufirit të lejuar, referuar gjithë standardeve të sistemeve më të avancuara të edukimit. Mos harrojmë, që në këtë proçes duhet të menaxhohen rreth 30.000 maturantë në 4 seanca provimesh  dhe rreth 800-900 administratore të ndryshëm për çdo provim, me dhjetra e qindra sekretues e vlerësues, me qindra punonjës policie etj. Një sipërmarrje jo e vogël.

Prof.As.Dr Jetmir Aliçka

Kontestimet dhe protestat e forumeve rinore do t’i vlerësoja si një shkallë e lartë emancipimi dhe guximi qytetar i të rinjve tanë për të përmirësuar më tej diçka. Por njëkohësisht mendoj se duhet të mësohemi me shkallë vështirësie gjithmonë në rritje të MSH, siç ndodh kudo në botë. Do të dëshëroja, që me këtë guxim për protesta, me këtë energji rinore, maturantët, të krijonin një frymë reagimi qytetar për çdo rast abuzimi dhe fiktiviteti në vlerësim në shkolla, mungesë cilësie në procesin e nxënies e mësimdhënies, etj.

Referuar statistikave dhe analizave të kryera rezulton se MSH ka ndikuar në rritjen e cilësisë dhe rezultateve në shkollën e mesme. Presioni që kanë  ushtruar provimet e MSH në shkollën e mesme kanë qenë evidente dhe të prekshme. Presioni pozitiv ndjehet tek nxënësi, tek mësuesi dhe prindi, çdo dite, çdo muaj, çdo vit.

Askush nuk mund të pretendojë se sistemi i pranimeve në shkollat e larta bazuar në parimin e meritë preferencës, nuk ka rezultuar më i sukseshmi, se çdo sistem i mëparshëm. Kontestimet e maturantëve, apo prindërve të tyre kanë shkuar drejt zeros.

Gjatë 15 viteve, por edhe aktualisht, duhet të pranojmë edhe mosarritje apo gabime të përsëritura nga viti në vit, qe kanë ndikuar në cilësinë e 3  pritmërive të mësipërme, pavarësisht se ato nuk kanë  tronditur standardin e MSH. Konkretisht:

Pothuaj, është një mendim i përgjithshëm i mësuesve, nxënësve , prindërve, specialistëve të arsimit, se administrimi i provimit në veçanti në zonat rurale ka pasur probleme. Duke pasur parasysh, se provimet e MSH kanë një peshë specifike të konsiderueshme në llogaritjen e pikëve përfundimtare, për aplikimin në shkollën e lartë, pa dyshim që ndikojnë në një renditje të kandidatëve, duke cënuar, qoftë edhe minimalisht, parimin e meritë preferencës.

Mendoj se përdorimi i kamerave të sigurisë për këto zona, dhe një kujdes i shtuar i MASR, agjensive vartëse të saj, zyrave dhe Drejtorive Arsimore mund ta zgjidhë gradualisht këtë problem.

Këto vitet e fundit kemi ndjerë dhe prekur një presion në rritje tek shkollat e mesme për të rritur fiktivisht rezultatin në lëndët, që nuk përfshihen në provimet e MSH. Mendoj se duhet riparë formula e llogaritjeve të pikëve , duke u përqëndruar tek raporti i mesatares së shkollës së mesme, me provimet e MSH. Pse jo, ndonjë ide rreth rikonceptimit të provimeve te detyruara dhe ato me zgjedhje mund të jetë qoftë edhe një opsion i shpejtë në kohë.

Pas 15 vitesh MSH , mendoj se ka ardhur momenti të shohim MSH përtej të qënit vetëm standard vlerësimi, selektimi, prove etj. por edhe tek roli i fuqishëm i  MSH për të evidentuar problemet e sistemit,  presionin që ushtron tek ai  dhe zgjidhjet që ofron për këtë sistem.  Për nxënësin , prindin, mësuesin, por edhe për vetë shtetin nuk mjafton selektimi , vlerësimi real, rankimi i studentëve më të mire dhe më të dobët, por tek cilësia e formimit akademik dhe profesional të mësuesve tanë, të inxhinierëve e mjekëve, të veterinerëve, ekonomistëve dhe filozofëve të ardhshëm etj. Dhe në këtë kontekst, vazhdimisht, duke sfiduar, Matura Shtetërore po shërben edhe si një guidë për përmirësimet e mundshme të sistemit të edukimit.

Matura Shtetërore ka meritën se ka evidentuar jo pak probleme të sistemit të edukimit në përgjithësi si: tendenca në rritje për të kopjuar; për të “vjedhur testin”; diferenca midis vlerësimit të shkollës së mesme në lëndë të caktuara, me ato të provimeve të MSH, në veçanti në shkencat natyrore; dobësi në formimin e aftësive dhe përsosjen e qëndrimeve të nxënësve; probleme në shkollat e larta, në veçanti, në ato degë ku kërkesa është më e vogël se oferta, pasi në këto degë shkojnë ata maturantë që kanë rezultate të dobëta etj.

Që maturantët tentojnë të kopjojnë, apo të zbulojnë atë që përmban testi përpara provimit, që diferencat midis notave të provimit dhe notave vjetore, që protestohet nga maturantë, sapo hasin ndonjë ushtrim, problem apo esse jashtë skemave, stereotipive, situatave të njohura, padyshim shkakun do të duhet ta kërkojmë tek shkolla, tek cilësia e procesit të nxënies e mësimdhënies, tek kapacitetet akademike shkencore dhe profesionale të mësuesit, tek përkushtimi, ndershmëria dhe përgjegjshmëria e mësuesit, tek cilësia e inspektimeve brenda shkollës, por jo vetëm. Pra, duhet të shkundet mirë shkolla. Duhet të fillojmë nga shkolla.

Që hasim ende dobësi në formimin e aftësive e përsosjen e qëndrimeve të maturantëve tanë, padyshim shkakun duhet ta shohim edhe tek “mospërtypja” mirë e kurrikulës bazuar në kompetenca, tek cilësia e teksteve etj. Mendoj se zgjidhja  duhet t’i adresohet agjensive  të specializuara të MARS, njëkohësisht edhe  shkollave të larta, për të përmirësuar programet në aspektin shkencor dhe profesional në përputhje me ndryshimet e  kurrikulës së shkollave të mesme.

Që të rritim cilësinë e procesit të nxënies e mësimdhënies në shkollë, do të duhet të gjejmë mekanizmat e duhura, që në profilet e mësuesisë në shkollat e larta të shkojnë maturantët më cilësorë, gjë që po ndodh e kundërta. Për rrjedhojë, në shkollat tona po ndjehet mungesa e theksuar e mësuesve cilësorë të shkencave natyrore, mungesa të theksuara të mësuesve cilësorë të ciklit fillor etj.

Me këtë ritëm pranimesh, në shkollat e larta në degët e mësuesisë në matematikë, fizikë, kimi-biologji dhe me këtë cilësi tejet të ulët të këtyre  kandidatëve në këto degë, nuk do të jetë e largët dita, kur në rastin më të mire cilësia e këtyre mësuesve do të vazhdojë të jetë mjaft e diskutueshme dhe në rastin më të keq nuk do të kemi mësues për këto profile.

Mendoj se është emergjente ndërhyrja. Zgjidhja mund të gjëndet edhe në përvojat e shumë viteve më parë. Në ciklin e ulët ke frikë të vëzhgosh një orë mësimi në matematikë, pasi nuk është çudi që të hasësh me gabime shkencore të mësueses, apo në gjuhë shqipe ku mbizotërojnë dialektalizmat, shkrimi i keq me gabime gramatikore, etj.

Matura Shtetërore pra, nuk mbaron me nxjerrjen e rezultateve dhe pranimet në shkollat e larta, por ajo këtu fillon. Është kjo arsyeja, që këto ditë, u mblodh Komiteti i Maturës Shtetërore, drejtuar nga zv.Ministrja e MASR znj. Nina Guga dhe Drejtoresha e Përgjithshme Arsimit Parauniversitar znj. Zamira Gjini.

Ajo çka më intrigoi për të shkruar mbi këtë mbledhje, ishte fakti që në këtë analizë paraprake të Maturës Shtetërore, kur sapo u mbyllën rezultatet, znj.Guga dhe znj. Gjini, me një përgjegjshmëri, që rrallë e kemi hasur në analiza të institucioneve arsimore, u fokusuan kryesisht tek disa mosarritje apo të meta të konstatuara, (sigurisht edhe mbi arritjet), si dhe u kërkuan ide, mendime se si këto konstatime, problematika  që derivojnë nga MSH të përmirësojnë sistemin e edukimit tek ne.

Ka rastisur, që të dyja zonjat e njohin mirë sistemin tonë të edukimit, pasi shkallët e karriesrës së tyre janë ngjitur normalisht, bazuar në meritë e profesionalizëm.

—–

Prof. As. Dr. Jetmir Aliçka është drejtor i Shkollës “ELITË”

Share This Article