Pas çdo sulmi terrorist, kemi dhe skenarët konspirativë, që përhapen me shpejtësi. Skenarë që përpiqen të venë në dyshim kryerjen e akteve nga terroristët, duke u përpjekur t’ia atribuojnë atë vetë shteteve, që janë të dëmtuara, ose strukturave të caktuara të tyre. I njohur herët si fenomen prej studiuesve të fushës, ai u riprodhua sërish, jo vetëm pas ngjarjeve të Parisit, por edhe pas ngjarjeve të fundit në Belgjikë. Por, si shpjegohen këto teori, që fillojnë të përhapen me shpejtësi dhe çfarë fshihet pas tyre ?
Teoritë konspirative nuk vijnë rishtazi në skenë, por gjejnë shtrirje të konsiderueshme në kohë, duke përfshirë mbarë historinë botërore dhe bazat e ndërtimit të saj.
Por, lufta ndaj terrorizmit ka hedhur një vëmendje të veçantë ndaj këtij fenomeni, për arsye të rreziqeve, që ajo mbart. Pasi nuk kemi të bëjmë thjesht me një pozicionim dyshues, kërkues apo argumentues, por jemi në fushën e pastër të terrorizmit dhe atyre, që specialistët apo ekspertët i njohin si “mbështetësit pasivë” të terrorizmit, apo të konsideruar ndryshe si “radikalët e butë”.
Por, çfarë janë këto radikalë të butë ?
Sipas ekspertëve, këto mbështetës pasivë, në thelb, simpatizojnë kauzën e terroristëve, mbështesin ideologjinë e tyre, por nuk shfaqen haptazi. Arsyet gjykohen të jenë të ndryshme dhe që lidhen sa me përfitimet që mund të kenë, sa me frikën, sa me paragjykimin që mund të krijojnë të tjerët ndaj tyre, sa me pamundësinë dhe në rastet më ekstreme mungesat e ofertës, që mund t’i joshin për t’u hedhur realisht në një aktiviteti terrorist. Sjellja e tyre e brendshme, vlerësohet të jetë në sinkron me aktet terroriste, pasi ndajnë të njëjtin qëndrim dhe opinion me terroristët, dhe gjykohet si një sjellje e “heshtur”, ose e “përgjumur”. Janë të sinkronizuar edhe pse nuk e njohin njëri-tjetrin, pasi militojnë në forma të ndryshme brenda së njëjtës ideologji.
Si kontribuojnë në kauzën e terrorizmit ?
Me një mekanizëm shumë të thjeshtë, nga njëra anë, duke përhapur skenarë të rremë, se aktet nuk janë kryer nga kamikazët në emër të fesë islame, por se këto janë kryer nga qeveritë perëndimore, për të bërë komplot kundër myslimanëve. Në këtë mënyrë jepet një kontribut i rëndësishëm duke tentuar të thellojnë hendekun e bashkëjetesës, që tashmë ekziston mes palëve, apo komuniteteve përkatëse në këto vende. Fillimisht nëpërmjet një retorike verbale, për të bindur rrethin social apo familjar, kalohet në fazën e bindjes së një rrethi më të gjerë, duke përfshirë gjerësisht lidhjet që krijojnë rrjetet sociale. Më pas, retorikën e shoqërojnë provat “bindëse” si foto me elementë të keqinterpretuar apo video me pamje dhe përmbajtje të nxjerrë nga konteksti apo të deformuar, duke krijuar deri lidhje të stërholluara shpjeguese, me elementë absurdë. (Si p.sh. vrasjet e Charlie Hebdo u kryen me përfshirjen e vetë presidentit francez; apo arrestimi i Abdeslam në Bruksel i sajuar, pasi ushtari i tregoi rrugën nga të ikte dhe në vend të qëllohej personi u godit muri, për të inskenuar një skenë plagosje, apo se, shpërthimi në aeroport është inskenim, pasi personi që u shfaq me një fëmijë në krah në aeroport, e kishte kukull…etj,.)
Duke u përpjekur të ngjallin dyshime se këto akte i kanë kryer vetë qeveritë, kjo kontribuon në zhvillimin dhe ushqimin e terrenit terrorist dhe sidomos jep një kontribut të veçantë ndaj rekrutimeve të rrjeteve në proces, duke i lehtësuar dhe zgjeruar ato. Jo rastësisht edhe kategoria që shënjestrohet për rekrutim janë të rinjtë, mosha ku krijimi i identitetit është në proces dhe se refuzimi apo vënia në dyshim e autoritetit (prindëror, shtetëror apo mediatik) është pjesë e një reaksioni të njohur gjatë procesit të zhvillimit. Paralelisht këto veprime kontribuojnë në përhapjen e informacioneve të rreme me synim ngjalljen e panikut dhe të frikës, duke u përpjekur të fusin në kaos shoqërinë
Si mund të parandalohen ?
Një ndër elementët e rëndësishëm, është evidentimi i qartë i këtij fenomeni si një mekanizëm që mbështet dhe ushqen kauzën e terrorizmit. Duhet të jetë shumë i qartë fakti, se përfshirja në këtë mekanizëm është apologji e pastër ndaj terrorizmit dhe të rritet ndërgjegjësimi se edhe në rastet kur individët propagandojnë, krejtësisht të pandërgjegjshëm dhe të pavetëdijshëm mbi veprimet e tyre po kryejnë akte të pastra, mbështeste ndaj terrorizmit.
Ajo që po vihet re, të paktën në dy ngjarjet e fundit, të Parisit dhe Brukselit, është vënia në jetë e një mekanizmi ndërgjegjësues sidomos për të rinjtë në sistemin arsimor, për të bërë të mundur shmangien në rënien e kurthit të teorive spekulative dhe të indoktrinuara, që mbështesin kauzën terroriste. Sidomos ndaj propagandës së gjerë, që gjendet online. Vënia e një kufiri të qartë, mes akteve të pranueshme, të papranueshme dhe të dënueshme, si edhe ofrimi i mjeteve për të rritur ndërgjegjësimin në përballje me këtë fenomen, janë pikat kryesore ku orientohen edhe këshillat e ekspertëve./im.ta/DITA
