Gjermania deklaroi mbylljen e kufirit me Austrinë. Austria dërgon ushtrinë në kufi. Belgjika po paralajmëron se do të vendosë barrierat kufitare. Hungaria tashmë ka një kufi të blinduar. Muri i Bullgarisë po konkurron barrierat e larta hungareze. Franca kontrollon gjithashtu kufirin me Italinë. Ç’po ndodh me arritjen më të madhe të Bashkimit Evropian, marrëveshjen Shengen dhe a mund të flasim për një rishfaqje apo ngritje të barrierave nacionaliste ?
Shengen konsiderohet si një nga sukseset më të mëdha të integrimit evropian. Marrëveshja e nënshkruar në 1985, në fshatin e vogël Shengen të Luksemburgut, arriti të shembë kufijtë fizikë, që ndanin kombet mes tyre. Zhvendosja e lirë e personave dhe heqja e kontrolleve të brendshme kufitare ka marrë forcën e një simbolike shumë të fortë, të një Unioni që ofron për qytetarët e tij një “hapësirë lirie, sigurie dhe drejtësie, pa kufij të brendshëm”. Kjo arritje është gjithashtu ndër më të vlerësuarat në këndvështrimin e qytetarëve evropianë, në çdo sondazh Eurobarometri, që zhvillohet.
Por, kriza e fundit e refugjatëve, po rishfaq me shpejtësi tendencën për ngritje të barrierave nacionale. Barriera të cilat po vendosen, si pasojë e një krize kohezioni politik evropian, rezistencë ndaj bashkëpunimit, ndarjes së përgjegjësisë dhe shfaqjes së përbashkët të humanizmit dhe solidaritetit. Në mungesë të një zgjidhje evropiane, po vërehen rëndom zgjidhje apo reagime kombëtare ndaj fenomenit.
Këshilli i emergjencës mes ministrave të punëve të brendshme dhe ministrave të drejtësisë të 28 vendeve anëtare, që mblidhet sot në Bruksel do të synojë maksimalisht gjetjen e një zgjidhje dhe minimalisht një orientim apo angazhim të përbashkët politik. Por, situata shfaqet e komplikuar dhe me fraksione të forta rezistence, pasi grupi i V4 (Hungari, Çeki, Poloni, Sllovaki), që së fundmi i është bashkuar edhe Rumania me Bullgarinë, kanë krijuar një bllok të fortë ideologjik, duke refuzuar çfarëdolloj skeme imponuese në shpërndarje kuotash. Pa neglizhuar këtu Britaninë e Madhe dhe Danimarkën, që gjithashtu kanë refuzuar.
Në këtë kuadër dhe me synim gjetjen e domosdoshme të një konsensusi, kemi dhe një klimë të fortë presionesh. Nga njëra anë, kreu i Këshillit Evropian, Donald Tusk tashmë e ka deklaruar kërcënimin e tij, për thirrjen e një Samiti emergjent në rast se do të mungojë dëshira për solidaritet dhe kohezion, përgjatë mbledhjes së sotme.
Nga ana tjetër, kemi dhe një lëvizje strategjike të një prej aktorëve më të rëndësishëm të Unionit, Gjermaninë që vetëm një ditë para këshillit të emergjencës, vendos mbylljen e kufirit me Austrinë. Sigurisht, që kjo lëvizje mund të konsiderohet thjesht si një reagim i brendshëm politik-kombëtar, për arsye menaxhimi dhe përballimi të flukseve të larta, që nuk po ndalen ndaj Gjermanisë. Por, duke marrë parasysh, peshën dhe rolin e madh, që Gjermania luan në politikën e Unionit, ky veprim nuk mund të mos shikohet edhe si një reagim, apo mekanizëm presioni ndaj mbledhjes së sotme të emergjencës, të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë të vendeve anëtare.
Presion për ndërgjegjësim, për gjetjen e një konsensusi politik, për shpërndarje të barabartë solidariteti dhe përgjegjësie, larg skemave vullnetare, që po i rrëshqasin racionalitetit, duke mbingarkuar vende të caktuara të Unionit.
Nuk duhet harruar se, Gjermania u shndërrua në shembullin kryesor të një vendi model pritës, duke thyer deri vetë rregullat e sistemit të Dublinit, për pranimin dhe moskthimin në vendin hyrës të refugjatëve sirianë. Kthesa e saj e menjëhershme dhe drastike, vetëm një ditë para mbledhjes emergjente të ministrave të brendshëm dhe të drejtësisë së 28 vendeve anëtare, është e pamundur të mos shikohet në filtrin e një mekanizmi presioni. Konsensus politik për ndarje përgjegjësish dhe solidaritet, apo rikthim kufijsh kombëtar ?! Kohë për të vendosur!
Barrierat nacionaliste
Por, ka dhe një element tjetër të rëndësishëm në lidhje me diskutimet e vazhdueshme mbi sistemin e Shengenit, barrierat nacionaliste. Dekada e fundit, ka njohur një retorikë politike gjithnjë e në rritje për sa i përket sulmeve dhe goditjeve ndaj sistemit Shengen. Kjo retorikë ka përfshirë politikën e të gjithë vendeve, që njohin një strukturim të rëndësishëm të ekstremit të djathtë si Franca, Danimarka, Austria, Holanda, Italia, Hungaria, Çekia, Sllovakia, etj.
Jo rastësisht, kjo retorikë politike i ka transferuar Shengenit një sërë problematikash, që përbëjnë axhendën kryesore të ekstremit të djathtë, si rreziku i lartë i imigracionit ndaj kërcënimit të nivelit të sigurisë dhe rendit publik, kërcënimi ndaj mirëqenies së sistemit social kombëtar, rritja e kriminalitetit, etj. Por, nuk duhet harruar se Shengeni, ka të bëjë me heqjen e kufijve të brendshëm mes kombeve evropiane dhe jo atyre të jashtëm, që ndajnë Evropën me kombet, jo pjesë e bashkësisë politike të saj.
Kjo frymë akuzuese, do të konfirmohej në këtë 30 vjetor të ekzistencës së Shengen edhe nga vetë kreu i KE-së, Junker duke vlerësuar se, Shengen është akuzuar për të gjithë të këqijat në kohë:“ Ne shpesh e kritikojmë Shengen, për shkak të analizave sipërfaqësore. Ne jetojmë në kohët e analfabetizmit politik. Ne duhet t’i bllokojmë rrugën atyre që thonë se, Shengeni duhet rishikuar ”…(…) “Kam lexuar në gazetat franceze, se problemi i imigracionit, është ngushtësisht i lidhur me zbatimin e keq të Shengenit. Nuk ka asnjë lloj lidhje ndërmjet Marrëveshjes së Shengenit dhe mjerimit, që i shtyn imigrantët të vijnë në Evropë”.(…)
Këto tendenca me karakter nacionalist, kanë bërë që shpeshherë, kontrollet e brendshme të vendosura nga shtete të caktuara, ndonëse në emër të hapësirës që lejon vetë rregullorja, i kanë rrëshqitur argumenteve realë për vendosjen e tyre, duke krijuar shkaqe dhe justifikime irreale. Nga ana tjetër edhe refuzimet e disa vendeve anëtare, si Danimarka apo Holanda, për zgjerim të hapësirës Shengen ndaj Bullgarisë dhe Rumanisë duhen kuptuar në logjikën e presioneve politike, që ekspozon strukturimi i fortë i ekstremeve të djathta.
Thuajse tek të gjithë vendet, ku ekstremet e djathta janë të mirë strukturuar dhe me përfaqësim të konsiderueshëm në elektorat, retorika politike shfaq dhe kërkon në mënyrë të vazhdueshme rishikim të sistemit Shengen. Ky rishikim, kërkon në thelb, zgjerim të hapësirës dhe kritereve për vendosje të kontrolleve të brendshme kufitare. Pra, zgjerim të hapësirës ndaj kompetencave kombëtare, tashmë të dorëzuara në nivel evropian. Por, kjo tendencë për rikthim të kompetencave kombëtare në këtë fushë, vërehet gjithashtu edhe ndaj çdo ngjarje të veçuar me karakter kërcënues të rendit publik, që ndodh. Ndaj kërcënimit më të vogël, ka një reagim të përshpejtuar se kush do të mund të arrijë më përpara që të rikthejë situatën në pikën e nisjes, pra vendosjen e kufijve të brendshëm. Aty ku kombi kontrollon kufijtë e tij, dhe vendos lirisht pro kujt vlerave dhe parimeve duhet të anojë. Çka demonstron edhe njëherë jo vetëm brishtësinë e bashkësisë evropiane, por edhe një shenjë nervozizmi sistematik të politikës kombëtare, ndaj transferimit të këtyre kompetencave në nivel evropian. Nervozizëm që sigurisht rrit dozën e tij edhe nga presionet e forta, që vijnë nga segmente dominues të politikave nacionaliste./im.ta/
