Me ose pa Britaninë…

redaktor

Britania e Madhe sot vendos mbi qëndrimin apo daljen nga BE. Një referendum, që u shpall si ambicie politike e drejtuesit konservator Kamerun (janar 2013) tek synonte të rinegocionte interesat e Britanisë në Union. Do të ishte muaji shkurt i këtij viti (2016) kur negociatat do të përmbylleshin në favor të dy palëve. Edhe pse interesat e britanikëve nuk ishin tërësisht të plotësuara, gjuha politike i përktheu si racionalisht të kënaqshme. Fitorja e një shumice absolute të konservatorëve në zgjedhjet e përgjithshme 2015, do të krijonte siguri në shpalljen e mbajtjes së referendumit.

Por, situata u shfaq më e komplikuar nga ç’mund të ishte parashikuar. Thuajse në çdo sondazh, në mënyrë sistematike, fitues dilte kampi i nxjerrjes së Britanisë nga BE, pra kampi i euroskeptikëve.

Euroskepticizmi britanik nuk vjen rishtazi. Rrënjët e tij janë më të thella, që në momentet kur Britania vendosi t’i bashkëngjitej Komunitetit. Distanca nga projekti evropian, tendencë që ka ruajtur karakteristikën e saj ndër vite, e gjen shpjegimin në një sërë arsyesh, që burojnë nga faktorë të natyrës gjeografike, historike dhe ekonomike. Mbi të gjitha, vlerësohet se qëndron veçantia e karakterit ishullor të Britanisë së Madhe dhe tradita e saj e zhvilluar detare, që shikohen si elementë të fortë identiteti, dhe që ushtrojnë në mënyrë të pashmangshme një influencë thelbësore dhe përcaktuese mbi perceptimet britanike. Një perceptim unik dhe i veçantë, i ndryshëm nga perceptimi i kombeve të tjerë dhe elitave të tyre politike, që iu bashkuan projektit evropian për të shmangur luftën, konfliktet shekullore dhe për të siguruar paqen në një kontinent të trazuar nga përplasjet nacionaliste. Perceptimi britanik ndaj projektit evropian, është i ndryshëm në kuptimin e përfitimit ekonomik, që vendi duhet të ketë nga ky aderim në këtë organizatë ndërkombëtare. Pra, një këndvështrim i pastër ekonomik, që refuzon çdo tentativë, apo ide mbi një thellim politik të natyrës federale.

Anëtarësim i vështirë

Do të ishte viti 1963, kur përpjekjet britanike për aderim në Komunitetin Ekonomik Evropian do të refuzoheshin për herë të parë nga Franca e De Golit. Refuzim, që mbarte si shkak hezitimin e përgjithshëm, që reflektonte Gjenerali se, mos Britania e Madhe shndërrohej në Kalin e Trojës të amerikanëve, në tregun e përbashkët evropian. Britania tenton sërish kandidaturën e saj, vetëm katër vite më vonë, më 1967 dhe sërish Gjenerali vendos veton. Arsyeja kësaj radhe bazohej tek fakti se Britania në sytë e Gjeneralit, vlerësohej se nuk ishte në lartësinë e duhur për të nisur negociatat e aderimit për shkak të dobësisë së saj ekonomike dhe brishtësisë monetare. Kundërshtimi u perifrazua si i përkohshëm dhe se pritej një rivlerësim përgjatë rimëkëmbjes së saj ekonomike.

Por, pozicionimi dy vite më vonë i presidentit francez Pompidu, pro kandidaturës britanike, i hap më në fund rrugën, aderimit të saj në Komunitet. Dhe vetëm një vit më vonë, në vitin 1970 fillojnë negociatat e zgjerimit. Parisi, që kishte ndryshuar tashmë qëndrim, duke dalë nga politika e bllokadës së zgjerimit, e shikonte kandidaturën britanike me një tjetër optikë politike. Optikë, që vlerësonte afrimin e Britanisë së Madhe me Komunitetin si një mjet ekuilibrimi të pushtetit në rritje të Gjermanisë si në fushën e politikës së jashtme, por edhe ndaj fuqizimit ekonomik të saj në ngritje. Por, edhe Gjermania nga ana tjetër, e shikonte zgjerimin drejt Britanisë si në terma të përfitimit ekonomik, por edhe si një kundërpeshë ndaj mbizotërimit francez në Komunitet. Brenda një periudhe të shkurtër, dosjet përmbyllen dhe zyrtarisht Britania futet në Komunitetin Ekonomik Evropian, më 1 janar 1973.

Kërcënimet londineze

Nuk kalon as një vit, pasi ishin anëtarësuar zyrtarisht dhe më 1 prill 1974, shfaqet kërcënimi i parë për braktisje të Komunitetit. Laburistët e sapoardhur në pushtet, të pakënaqur me mënyrën se, si konservatorët kishin negociuar marrëveshjen me Komunitetin, kërkojnë rinegocim të kushteve të aderimit, përndryshe kërcënojnë me dalje nga Komuniteti nëpërmjet organizimit të një referendumi popullor. Londra kontestonte në atë kohë çështjen e kontributit të saj në buxhetin e komunitetit, duke mos pranuar të paguajë më shumë nga ç’merr mbrapsht nga mekanizmi i rishpërndarjes.

Krijimi i tensionit politik, çoi në angazhimin e Komunitetit për të gjetur një rrugëzgjidhje ndaj presionit britanik. Samiti i Parisit i zhvilluar në po atë vit (1974) refuzon kategorikisht rinegocimin e Aktit të aderimit, por krijon një mekanizëm korrigjimi në rast të një “situate ekonomike të papranueshme”. Parametrat e të cilit, u detajuan dhe përcaktuan më tej, nga Këshilli Evropian i Dublinit, vetëm një vit më vonë. Pa hyrë në terma teknikë të shpjegimit, mbi korrigjimet specifike, presioni i Londrës, funksionoi duke e bërë Komunitetin të ulej dhe të ofronte kompromise në disa fusha, duke përjashtuar disa të tjera. Ky rinegocim, ndonëse jo plotësisht në përputhje me kërkesat e Londrës, u përcoll në opinionin publik britanik, si një arritje mjaftueshëm e kënaqshme, duke bërë që klasa politike t’iu kërkonte britanikëve të votonin pro qëndrimit të Britanisë së Madhe në Komunitet. Referendumi i organizuar në vitin 1975, shënoi një pjesëmarrje relativisht të lartë të qytetarëve britanikë, të cilët votuan në një shumicë prej 67,2%, pro qëndrimit në Komunitetin Ekonomik Evropian.

Shantazhi funksionoi. Vendet anëtare, pranuan koncesionet në mënyrë që të shmangej, fitimi i JO-së në referendum.

Por, situata ripërsëritet sërish. Kërcënimet vazhdojnë. Vetëm katër vite më vonë, Britania e Thaçerit vendos sërish dosjen e kontributit financiar mbi tavolinën e Komunitetit, duke kërkuar mbrapsht paratë e britanikëve, me sloganin shumë të njohur “I want my Money back”. Kjo, pasi Britania kontribuonte në buxhetin evropian shumë më tepër nga ç’merrte mbrapsht nga mekanizmi i rishpërndarjes. Me një fushatë të fuqishme për kthimin e parave qytetarëve britanikë, Londra realizon objektivat e saj sërish. Arrin të ulë në tavolinën e negocimeve 9 vendet anëtare duke shkuar drejt logjikës së kompromisit. Në vitin 1984, Londra do të vlerësojë se kërkesat e saj janë të plotësuara mjaftueshëm.

Rreziku

Edhe lëvizjet strategjike të Kamerun, mbartin të njëjtën skemë ripërsëritëse. Një seri shantazhesh ndaj BE-së për largim, duke përdorur “kartën popullore” dhe referendumin si mjet presioni për të arritur objektivat e tij politikë, të konsideruara ndryshe pjesërisht, edhe si “interesa kombëtare”.

Por, në skemën e përdorur prej tij, që vjen e ripërsëritur në formë historike, janë disa elementë të rëndësishëm që ndryshojnë ndjeshëm jo vetëm panoramën e përgjithshme, por shtojnë rrezikun e një dalje aksidentale të Britanisë së Madhe nga Unioni.

Së pari, që prej anëtarësimit në Komunitet kemi një euroskepticizëm gjithnjë e në rritje tek qytetarët britanikë. Nëse i referohemi të dhënave të fundit, që jep Eurobarometri (pranverë 2015) vetëm 32% e personave të pyetur në Britani, kanë një imazh pozitiv për BE-në.

Së dyti, ky euroskepticizëm, duket se nuk është edhe aq rastësor, por ka ndikime të konsiderueshme nga një media gjithnjë e më shumë euroskeptike. Një media, që ka ndikuar sa opinion-bërjen po aq edhe debatin politik. Jo më larg, se disa ditë më parë, kemi një reagim shumë interesant të një prej zërave të medias britanike, ish gazetari i The Times, Martin Fletcher, korrespondent i Brukselit dhe më pas drejtues i seksionit të jashtëm, tek denoncoi publikisht në formën e një autokritike, politikat editoriale të shtypit britanik. Theksi i denoncimit do të vihej mbi shtypin britanik që prej 25 vitesh e ka ushqyer publikun me një regjim historish të deformuara, të gënjeshtra, dhe armiqësisht agresive mbi BE-në. Në krye të akuzave do të qëndronte ish kryebashkiaku i Londrës Boris Johnson, në atë kohë (’90) korrespondent i Brukselit për The Telegraph, i cili me stilin e tij të bazuar në informacione të ekzagjeruar deri në deformim të fakteve, shkaktoi një “efekt eksploziv” duke bërë që botuesit e tjerë të ushtronin presion mbi korrespondentët e Brukselit për të pasur shkrime të të njëjtit stil si ato të Johnson.

(…) “Kur mbërrita në Bruksel, botuesit nuk donin veçse shkrime mbi burokratët e Brukselit pa fytyrë, që impononin rregulla absurde ndaj Britanisë së Madhe, mbi evropianët duke intriguar mbi mënyrën se si na vidhnin, dhe mbi kryeministrat britanikë, që duhej të luftonin në praparojën e një kontinenti armiqësor. Historitë, që nuk përfundonim me përplasje me Brukselin, që njihnin sukseset e shumta të BE-së apo që konstatonin se Britania e Madhe kishte aleatë në Evropë dhe që i jepnin vazhdimisht të drejtë, përfundonin në kosh.”  (…)

Një qasje negative, që vlerësohet se shtypi britanik ende e ruan si prirje çka konstatohet lehtësisht.

Së treti, kemi në sfond daljen e një partie euroskeptike si UKIP, që ka zgjeruar radhët e saj, duke triumfuar në zgjedhjet lokale të vitit 2013.

Së katërti, euroskepticizmi popullor në shifra të larta dhe ndikimin e pashmangshëm të një shtypi britanik euroskeptik, e komplikon edhe situata e krizave të shumëfishta në Evropë. Një tjetër element aspak në favor për kryerjen e këtij referendumi. Pasi në ndryshim nga tentativat e tjera për dalje, nëpërmjet referendumeve apo strategjive kërcënuese, Evropa e kësaj periudhe nuk është në kohën më të lavdishme të saj.

Me ose pa Britaninë, rruga vazhdon

Kalkulimet e rrezikut për daljen e vendit nga BE, tashmë janë më se të qarta dhe të përllogaritura mirë. Një sërë studimesh dhe raportesh, janë botuar që prej hedhjes së iniciativës për referendum, duke shfaqur rreziqet konkrete në fushën politike, financiare dhe ekonomike, në fushën diplomatike, mbi peshën rajonale dhe atë ndërkombëtare. Peshë, që nuk mund të jetë e njëjtë, kur je anëtar i një klubi politik dhe kur del prej tij. Tashmë është e qartë se, ç’përfitime dhe humbje ka kjo dalje. I dyshimtë është vetëm fakti, nëse kjo qartësi është e tillë, pra e kristalizuar edhe tek votuesi, pasi fushata është gjykuar si një nga fushatat më të këqija dhe më emocionale, që ka njohur ndonjëherë Britania e Madhe. Dhe aty ku futet në lojë frika dhe emocioni, logjika zbehet. Akti i vrasjes së deputetes laburiste, i simuluar nga gjuha e urrejtjes, që prodhoi kjo fushatë, është simbolika e rrëshqitjes në patosin e imagjinares.

Për Evropën, kjo dalje nuk është aspak e dëshiruar. Së pari, sepse do të krijojë precedentin e një largimi me votë popullore. Më saktë, precedent të një “shantazhi për largim”, duke kërcënuar në këtë mënyrë BE-në, për të arritur disa favore apo kompromise në nivel kombëtar. Së dyti, kjo dalje do të krijojë në mënyrë të tërthortë një perceptim dobësie politike dhe diplomatike, në një moment kur krizat janë aktuale brenda BE-së, por janë prezentë dhe në kufijtë e jashtëm të saj. Së treti, është faktori ekonomik, që mund të shkaktojë një lloj luhatje, por që sipas ekspertëve (Fondacioni  Bertelsmann ) është pak i ndjeshëm për vende si Franca, apo Gjermania.

Por, nuk duhet nënvlerësuar fakti se, përveç këtij qëndrimi në nivel evropian, ku dalja e Britanisë nuk është e dëshiruar aspak, ka edhe një qëndrim krejtësisht konkurrues me të. Një qëndrim, që e shikon si çlirues faktin e daljes së Britanisë nga Unioni, pasi i hapet rrugë përparimit të mëtejshëm të saj, pa pengesa drejt frymës së dëshiruar federale, Evropës së thelluar ekonomike, Evropës së sigurisë dhe të mbrojtjes. Evropës, që Britania nuk e dëshiron aspak. Një prej të urtëve të Evropës, belgu Etjen Davinjo, do ta konfirmonte këtë preferencë, që qarkullon prapaskenave të Evropës, por u shfaq i bindur se : “Britanikët do të qëndrojnë, të detyruar nga frika e ndryshimeve dhe e pasojave ekonomike… ! ” /im.ta/DITA/

Share This Article