Me turqit, betejat nuk janë të lehta!

redaktor

Turqia, tashmë ka hyrë në historinë e integrimit evropian, si një rast përjashtimor duke marrë vlerat e një “kandidature të përjetshme”. Kandidaturë, që refuzon kategorikisht të zvogëlohet në terma të një “partneriteti të privilegjuar”. Dhe oferta për partneritet, sigurisht që është shoqëruar në kohë me bllokada të vazhdueshme, refuzime për hapje kapitujsh apo dhe deklarata të forta se, “Turqia nuk mund të jetë kurrë një anëtar i BE-së”. Por, roli i Turqisë në fushën e arenës rajonale, si edhe ndërkombëtare është shumë i rëndësishëm. Kostot e këtij refuzimi të vazhdueshëm për të afruar më tepër Turqinë me Unionin, janë të lexueshme dhe nxisin reflektim.

Kriza e refugjatëve, ka kohë që ka kthyer një vëmendje në rritje të Unionit ndaj Turqisë dhe rolit të saj kyç, në këtë problematikë. Tek Unioni filloi të ndërgjegjësohej mbi rolin e rëndësishëm të Turqisë në këtë krizë, qasja e tij ndryshoi tërësisht. Gradualisht tonet e larta dhe kërcënuese ndaj politikës së Erdogan, filluan të zbuteshin, deklaratat të tërhiqeshin dhe pritja madhështore që iu bë kreut të Turqisë në Bruksel, konfirmoi tashmë rëndësinë e një kthesë në trajtimin diplomatik të aktorëve të rëndësishëm rajonalë, sidomos në momente kyçe ku nevojitet veprimi i tyre.

Dhe do të ishte pikërisht kriza në rritje e refugjatëve dhe flukseve të tyre që po penetronin në Evropë, që do të kthenin tërësisht vëmendjen nga partneri i rëndësishëm turk dhe Erdogan. Vetëm pak kohë më parë, në muajin nëntor të vitit të kaluar, BE nënshkroi me Turqinë një Marrëveshje, ku u ra dakord për pranimin dhe mbajtjen në territorin turk të refugjatëve, që i iknin zonës së konfliktit, duke u mundësuar atyre një integrim të shpejtë në territor, si nëpërmjet vazhdimit të arsimimit të fëmijëve apo gjeneratës së re, po ashtu edhe krijimin e mundësive për punësim dhe integrim të të rriturve. Një Marrëveshje, që parashikonte një akordim ndihme prej 3 miliardë euro, si edhe u vijua më pas me një avancim në fushën e integrimit turk, me hapjen e një kapitulli të ri të negociatave si edhe me premtimin e hapjes së dy të tjerëve. Përshpejtim u premtua edhe në fushën e procesit të liberalizimit të vizave, sigurisht pas plotësimit të kritereve të kërkuara.

Por, çfarë ndodh ndërkohë ? Teksa shumat që priteshin të akordoheshin, nuk janë livruar ende, kemi shtimin e një sërë zërash, duke përfshirë edhe projektin për zgjidhje të krizës nga liberalët në Parlamentin Evropian. Zgjidhje, që filloi të diskutohej edhe me krerë të ndryshëm institucionesh me shpresën se në samitin e liderëve të BE-së që do të organizohet më 18-19 shkurt, ky plan mund të shqyrtohet. Por, një nga pikat e këtij plani, synon ndër të tjera shmangien absolute të akordimit prej 3 miliardë euro në duart e Erdogan, dhe shpërndarjen e tyre nëpërmjet një financimi të drejtpërdrejtë (pra, hedhjen në karta bankare për çdo familje refugjati të një shume të përmuajshme, pasi 7 dollarë në muaj për një familje konsiderohet tërësisht e pamjaftueshme, për të përballuar nevojat e ndryshme) pra mbi shumën prej 2 miliardë euro dhe pjesa e mbetur prej 1 miliardë, të shkonte në projekte për organizatat e ndryshme, që merren me përmirësimin e kushteve aktualeve nëpër kampe. Në këtë mënyrë, sipas liberalëve shmangej akordimi i kësaj shume, në duart e Erdogan duke bërë të mundur që paratë, që dalin nga arka evropiane të shfrytëzohen në mënyrë maksimale për një zgjidhje konkrete, apo një përmirësim të kësaj situate.

Në fakt, shqetësimi që qëndron mbrapa propozimit të liberalëve, që po insistojnë edhe mbi mundësinë për shqyrtimin e këtij plani, në Samitin e drejtuesve dhe krerëve të qeverive të vendeve anëtare të Unionit, mund të lidhet edhe me raportet dhe deklarimet e forta, që kanë ardhur në drejtim të Unionit nga organizatat e të drejtave të njeriut. Sipas këtyre raportimeve, me paratë që Unioni i akordonte Turqisë, po sponsorizoheshin dhe ishin ngritur qendrat e burgosjes së refugjatëve, keqtrajtimit të tyre si edhe përzënies në vendin e tyre të origjinës. Akuza të forta, që filluan të krijonin insinuata mbi marrëveshje të dyshimta, mes BE-së dhe Turqisë.

Por, teksa Unioni nuk ka livruar ende paratë dhe për më tepër i hapen rrugë shqyrtimit të opsioneve për devijimin e shumave financiare nga kanalet qeveritare, bombardimet e forcave ruse në Siri, kanë shkaktuar një dyndje të lartë të popullatës në kufirin me Turqinë dhe autoritetet turke, kanë vendosur mbylljen e kufirit, duke mos lejuar hyrjen e refugjatëve në territorin e tyre.

Një sërë thirrjesh iu drejtuan Turqisë nga BE, në emër të së drejtës ndërkombëtare dhe të drejtës humanitare për të zhbllokuar kufirin dhe për të lejuar futjen e refugjatëve në territorin turk. Thirrje të një natyre paksa paradoksale, teksa vetë vendet e saj anëtare, tashmë e kanë shndërruar në normë vendosjen e gardheve dhe bllokadat kufitare, duke refuzuar si futjen e refugjatëve në territoret e tyre, por edhe pranimin e kuotave të shpërndarjes. Vizita e fundit e kancelares gjermane Merkel në Turqi, kishte sërish në fokus emergjencën, që ka krijuar kjo situatë. Për momentin duket se e vetmja pikë ku është shfaqur përbashkësi në mendim dhe operim është futja e forcave të NATO-s, në patrullimin mes kufijve detarë të Turqisë dhe Greqisë për të luftuar kontrabandistët, si edhe përforcim nga këto trupa edhe në kufirin me Sirinë.

Por, a mund të lexohet ky reagim i politikës turke, ndaj mbylljes së kufirit si kërcënim ndaj BE-së, dhe tentativave që vijnë për shmangie nga Marrëveshja aktuale dhe propozim për devijim të shumave financiare, larg kanaleve qeveritare ? Çdo hipotezë merr rëndësinë e saj të veçantë në vlerësim. Por, paralelisht me këto zhvillime, një dokument i rëndësishëm ka rrjedhur në shtypin grek (Greek Euro2day) dhe më pas, është rimarrë pothuajse nga i gjithë shtypi evropian, duke publikuar një pjesë të  bisedimeve, që janë kryer mes Unionit dhe Erdogan.

Janë dy momente që spikasin, kërcënimi se Turqia mund të mbysë me refugjatë Evropën dhe kërkesa për shifra të larta financiare.

Në fokus të dokumentit të bërë publik shfaqen bisedimet e BE-së (Junker dhe Tusk) me Erdogan, përpara nënshkrimit të marrëveshjes, në nëntor 2015. Në këtë dokument, Turqia shfaqet se kërkon 6 miliardë euro nga BE për dy vitet në vijim. Tek BE konfirmon se do të akordojë vetëm 3 miliardë euro, Erdogan replikon duke thënë se “Turqia gjithsesi nuk ka nevojë për paratë e BE-së. Ne mund të hapim dyert ndaj Greqisë dhe Bullgarisë në çdo kohë dhe mund t’i fusim refugjatët në autobusë”…duke vazhduar më tej… “Si do t’ia dilni me refugjatët, nëse nuk do keni një marrëveshje ? Do t’i vrisni ?! Po sipas të njëjtit dokument, kreu i KE-së Junker do të vononte publikimin e progres raportit për Turqinë, deri sa të kryheshin zgjedhjet. Por, Erdogan i është kundërpërgjigjur se, vonesa nuk e kishte ndihmuar partinë e tij të fitonte dhe se raporti ishte një fyerje. Një fyerje është konsideruar nga Erdogan edhe shuma prej 3 miliardë euro, për çështjen e refugjatëve. Dokumenti i bërë publik, as nuk konfirmohet si i vërtetë, por dhe ekzistenca e tij nuk mohohet gjithashtu, bazuar kjo në logjikën operuese të komunikimeve zyrtare publike, që tashmë kanë palët, për mos komentimin e dokumenteve të rrjedhura dhe të bëra publike.

Marrëdhënia e Unionit me Turqinë, duket se nuk do të jetë në terma apo në nivelin, që BE mund të kishte parashikuar. Duket se pamundësia e Unionit për të gjetur një zgjidhje të shpejtë mes vendeve anëtare, po e detyron sërish atë të kërkojë një zgjidhje konkrete dhe të përkohshme me Turqinë. Por, siç edhe dihet Erdogan, tashmë zotëron si fuqinë për të “destabilizuar” Unionin, por edhe pushtetin për të imponuar kushtet e tij në negocime. Pushtet, që nuk ka arsye pse të mos shtrihet edhe në “luhatje” apo “paqëndrueshmëri” të vazhdueshme të angazhimeve të tij. Një sjellje, që në fund të fundit, ndoshta ironikisht, i përgjigjet në forma “tejet korrekte” formatit të veprimit mes “luhatjes” dhe “paqëndrueshmërisë” së vazhdueshme evropiane, ndaj premtimit për anëtarësimin e Turqisë në BE./im.ta/

 

Shkrime të tjera:

Turqia shumë shpejt në BE

Tango e zjarrtë me Turqinë

 

Share This Article